Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Arkitekt Sinani, shqiptari i shquar nga Sinanajt e Tepelenës
E diele, 18.07.2021, 11:01 AM
Arkitekt Sinani, shqiptari i shquar nga Sinanajt e Tepelenës
Elitari me identitet të
vjedhur.A nuk meriton emrin e madh të
këtij gjeniu të arkitekturës ta mbajë një institucion,një shesh apo një rrugë?!
Përse ky mohim?
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj
Mimar
Sinani “Mikelanxhelo i Orientit” , Arkitekt Sinani, i hapërdarë (i
hallakatur apo i shpërndarë)mes Azisë dhe Evropës, gjeniu i arkitekturës
mesjetare, si njeri pa atdhe.
“ Besimtari
në Xhami ndihet si peshku në ujin e pamatë, ndërsa (munafiku)* hipokriti ndihet
si zogu në kafaz!” Arkitekt Sinani
Vo:* munafiku
(turk)= Hipokriti-në shqip
Koha dhe politika kanë qenë të egra dhe të
padrejta me shqiptarët në tërësi dhe me njerëzit e vlerave kombëtare në
veçanti. Karriera e lavdishme e Arkitekt Sinanit numëron rreth 400 vepra që nga
Meka, në Krime e deri në Vjenë. Ishte njeriu që i ndryshoi faqen Stambollit me
ndërtime teologjike, urbane dhe ushtarake... Është ndërtues i xhamisë në qendër
të Vlorës dhe i Kalasë së Aulonës së lashtë, rrënojat e së cilës sot janë
varrosur nën pallatin para stadiumit “Flamurtari”.*
* Ky artefakt historik,
lëngon nën pallat për shkak të pangopësisë dhe antikombtarizmit autentik
pellazgo-Iliro-shqiptar, pasi me mënyra barbare po zhdukin identitetin
kombëtar.
*Ndërtuesit dolën me
pretendimin se ishin pronar të truallit, ku janë rrënojat e kalasë së Vlorës..
Madje paraqitën dokumente pronësie (tapitë). Kjo është çudia më e madhe. Pasi
xhamia e Muradijes në Vlorë, në fillim të
shek.XVI është ndërtuar në formën e një tyrbeje. Kurse në vitin 1542, u
rindërtua nga Arkitekt Sinani me urdhër të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, i
cili vizitoi Vlorën. Me gurë të sjellë nga bregdeti shkëmbor i Vlorës, ndërtoi
dhe Kalanë e Aulonës në lagjen Skelë, pranë portit detar(sot para stadiumit
“Flamurtari”).
Ndër veprat e tij vlen
të përmenden 40 çezmat që i çuan ujë gjithë Stambollit, kurse kryearkitekt
Sinani vdiq i etur për një pikë ujë.
Nxënësi i tij, Mehmet
Sedefqari, nga Elbasani ishte projektues dhe ndërtues i xhamisë Blu, në
Stamboll. Ai projektoi veprën e kultit Taxh Mahall në Agra të Indisë, të cilën
e ndërtoi bashkë me ndihmësin e tij, Ahmetin. Kjo njihet si një nga shtatë mrekullitë e botës për
Mesjetën. Edhe arkitekt Kasemi ishte shqiptar, bashkë me tre të tjerët, kanë
lënë emër në arkitekturën osmane. Madje dhe sot në Stamboll thonë “Kalldrëmet
shqiptare”, ose “sokakët e arnautve” se ishin arkitektët shqiptarë, ata që
shtruan me pllaka guri të gdhendur rrugët e Stambollit. Le të shohim më
hollësisht, se cili ishte Arkitekt Sinani.
Mimar Sinani apo Arkitekt
Sinani, lindi më, 29 maj, 1489 dhe ndërroi jetë më, 17 korrik, 1588 në
Stamboll,Turqi. Qysh në moshën 17-18
vjeç Sinani u radhit në repartet e Jeniçerëve të Perandorisë Osmane. Gjatë
betejave si ushtar i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, ai njohu arkitekturën e
vendeve të ndryshme, si:Egjipt, Persi, Siri, Rodos, Moldavi, Bullgari, Itali
Vjenë etje
Për prejardhjen e tij, flitet shumë.
Thonë se ai është armen, grek, turk etj. Të gjithë krenohen me të, ndaj duan të
njihet si bir i tyre, por e vërteta qëndron ndryshe.Janë faktet ato që flasin
ndryshe. Ai e ka prejardhjen nga fshati Sinanaj (Tepelenë).
Historia, ne shqiptarëve, na përmend
shpesh. Herë na ka lartësuar dhe herë-herë na ka fshikulluar për kokat që ka
nxjerrë ky truall në shërbim të kombeve të tjera. Me të drejtë shkrimtari Kim
Mehmeti thotë:“Ne jemi një popull i
vetmuar”.Mund të shtojmë se ne jemi një “popull i grabitur”, dhe
historia na ka grabitur dhe mohuar ata që i kemi pjellë vetë. Nga të parët që
na është vjedhur, është Arkitekt Sinani, një prej arkitektëve që në
shekullin XVI mëkëmbi dhe civilizoi
arkitekurën orientale. Na është vjedhur Sami Frashëri, Aleksandër Moisiu, Karl
Gega…e sa e sa të tjerë “
Por le të kthehemi 430 vjet pas, kur jetoi një nga kolosët më të mëdhenj të arkitekturës botërore, Mimar (arkitekt) Sinani. Arkitekti i madh i quajtur “Mikelanxheloja i Orientit”, sipas studiuesit Denis Sharp, Sinani lindi në një familje ortodokse greke. Këtu nis edhe enigma e origjinës së tij, i cili nga burime të tjere,(Henry Maththwes) e quan bir të një familjeje kristiane që kishte përzgjedhur masonizmin. Historianët turq thonë se Sinani, vinte nga një familje turke dhe aktualisht trajtohet si një arkitekt turko-osmanlli.
Preardhja e tij e
diskutuar shqiptare,është ajo që fiton edhe më shumë vlerë, pasi sipas burimeve
historike turke, ai ka qenë mik i ngushtë me komandantin legjendar osman
Sokullu Mehmet Pashën, i cili rridhte nga një familje nga Bosnja (dhe që më
parë quhej Sokoloviç).
Poeti ynë i njohur dhe
studiuesi, Akademik Xhevahir Spahiu shprehet: “për hir të së vërtetës duhet kërkuar dhe
gjetur prejardhja e Arkitekt Sinanit, sepse kur bëjmë shkencë duhen gjetur edhe
rrënjët gnoseologjike. Për Sinanin ka rreth 1000 libra, sipas të cilëve
prejardhja e tij ngatërrohet më shumë. Ai tregohet si turk, bullgar, boshnjak
etj, ndërsa grekët kanë predikuar me të madhe se ai ka qenë grek. Vetëm burimet
gjermane nxjerrin origjinën shqiptare të Sinanit. Sipas Xhevahir Spahiut
një përpjekje kanë bërë edhe dy studiuesit, Gjergj Frashëri dhe Sul Domi. Studiuesit
e nxjerrin Sinanin me origjinë nga Qesarati i Tepelenës. Kundrejt Qesaratit,
përtej Vjosës, ndodhet pikërisht fshati Sinanaj, që sipas studiuesve të mësipërm
ka qenë pronë e arkitekt Sinanit. Në Shqipëri me emrin e tij është e lidhur
edhe xhamia Muradie, në qendër të Vlorës dhe me kështjellën, rrënojat e së
cilës ndodhen në vendin ku aktualisht gjendet stadium.i “Flamurtari”. Ndërtimi
i xhamisë dhe kështjellës në Vlorë përqasen me ardhjen e Sinanit dhe ushtrisë
turke në Vlorë (sipas Evlija Çelebiut), në mezin e shekullit të 16-të.
Poeti Spahiu parashton edhe një fakt të
rëndësishëm në lidhje me prejardhjen e Sinanit. “E pra nga ishte Sinani? Nëse
ai bëri Sulejmanien e famshme në Stamboll dhe ishte kryearkitekti i Perandorisë
Osmane, pasardhësi i tij në këtë post ka qenë pikërisht Mehmet Sedefqari, një
arkitekt nga Elbasani, autori i Xhamisë Blu po në Stamboll. Prejadhja e
Sedefqarit nuk dyshohet në Turqi. Po mbas elbasanasit? Erdhi një tjetër
kryearkitekt tanimë nga mali i Tomorrit, arkitekt Kasëmi. Në vakëfnamenë e tij
(testamenti), ai do thotë shprehimisht : “Unë
jam nga Grëmshi i Tomorricës”. Kështu pra u krijua një traditë ndërtimi
arkitekturor në perandori nga arkitektët shqiptarë. Sipas Gjergj Frashërit,:“prej arkitekt Kasëmit është zbuluar një
xhami dhe hamam në fshatin e tij të lindjes”. Kështu përfundon ligjëratën e
tij poeti Xhevahir Spahiu, në lidhje me tre kryearkitektët gjenialë shqiptarë
të perandorisë multietnike osmane. Një fakt që e mbështet prejardhjen shqiptare
të tre kryearkitektëve, është edhe termi “kalldrëmet shqiptare”, që përdoret
edhe sot në Turqi, dhe që simbolizon mjeshtërinë shqiptare për ndërtimin dhe
ustallarë (mjeshtrat) shqiptarë, dhe për kalldrëmet e bukura që stolisnin dikur
qytetet tona.
Karriera artistike e Arkitekt Sinanit
Si arkitekt Mimari, nisi të njihet pas
ndërtimit të urës mbi Lumin Prut në Moldavi më 1538. Këtë urë, Sinani e
projektoi dhe e ndërtoi brenda 13 ditëve që t’i shërbente Ushtrisë së Sulltan
Sulejmanit(të ashtëquajturit "Kanuni" ose "Ligjvënësi") i
cili merrte pjesë në fushatën e Kara Budanit. Që nga kjo betejë Sulltan
Sulejmani e mbante Sinanin afër dhe pak më vonë e emëroi kryeartitekt të
perandorisë osmane. Kultura evropiane, Sinanin e ka krahasuar me Mikelanxhelon dhe e thërrisnin
"Mikelanxheloja i Orientit". Sinani si kryarkitekt, punoi edhe gjatë
kohës së sundimit të Selimit II dhe Muratit III. Pra ka punuar me 3 perandorë.
Projektet e tij dhe që i zbatoi vetë apo nën drejtimin e tij ndahen ne
tri grupime:
a-Ndërtimet e Kultit,
b-Ndërtimet
Ushtarake,
c-Ndërtimet Civile.
Gjatë karrierës së tij në disa dekada,
arkitekti projektoi objekte të mëdha që
me kohë shërbyen si simbole të perandorisë si: Xhamia Shehzade Mehmetit
(djali i vdekur i Sulltan Sulejmanit), xhamia Sulejmanie në Stamboll si edhe
Selimijen në Edrene. Për shërbimet e larta ndaj perandorisë osmane, mori titullin “Koxha Sinan” që do të thotë,
Sinani i Madh.
Nga arktitektet e
kohës moderne, të ditëve tona, ai vlerësohet si mjeshtër në përdorimin e gurit
dhe për akustikën e objekteve.
Historia e arkitekturës e
ka ndarë aktivitetin e tij në tri periudha:
1-Faza e çirakllëkut(ndihmës arkitekt), ku
hynë Xhamia e Shehzade Mehmetit në Stamboll.
2-Faza e kallfës(mjeshtrit)gjatë së cilës
ndërtoi Sulejmanien Madhështore,në Stamboll në 7 vite, kushtuar Sulltan
Sulejmanit.
3-Faza e ustallëkut ose Krye-mjeshtërit,
Sinani ndërtoi Selimijen në Edrene, kur mbretëronte Selimi i Dytë.
Arkitekt Sinani ka meritën e ndërtimit të ujësjellësit``40``çezmat
(Kërkçeshme) në Stamboll. Ai që çoi ujin në gjithë Stambollin, vdiq me buzë e shpirt
të tharë për një pikë ujë.
Sinani ndertoi 92 xhami,52 mesxhide (xhami të
vogla),55 medrese, 7 daryl-kurra(shkolla për kuran), 20 tyrbe, 17 imarete
(vende ku shpërndahet ushqim për të varfërit),13 daryshifa (spitale), 6 rrugë
uji, 10 ura, 20 karvansaraje (hotele), 36 saraje, 8 bodrume, 48 hamëme (banja
avulli) dhe gjithsej bëjnë 384 vepra. Në Shqipërinë Otomane të asaj kohe,
Arkitekt Sinani ka ndërtuar xhaminë Muradie -Vlorë, xhaminë e Plumbit- Shkodër dhe
kalanë e Vlorës te stadiumi “Flamurtari”, sot nën pallatin e ndërtuar në ditët
tona.
*Vepra e Mimar Sinani, arkitekti i bërë
copash Ballkanit...
Ishte djalë i ri kur Sinani hyri në
radhët e jeniçerëve, ku luftoi për vite të tëra. Gjatë betejave në shtete të
ndryshme si në Egjipt, Irak, Rodos, Krime, Beograd, e deri në Vjenë, ai njohu
arkitekturën e tyre dhe mësoi autodidact, duke mbajtur shënime. Më pas lundroi
në Korfuz dhe Pulje të Italisë. Viti 1538 shënoi një kthesë në jetën e tij. Projektimi
e ndërtimi i urës në Moldavi, në 13 ditë, ndikoi te sulltani, i cili e vlerësoi
shumë. Ndaj kërkoi që ai të qëndronte pranë tij. Qysh aty nisi karriera e lavdishme e
Sinanit, i cili ndërtoi rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e deri në Vjenë.
Me punë dhe talent të pakrahasueshëm, Sulltani e emëroi kryearkitekt të oborrit
perandorak. Sinani ia ndryshoi faqen Stambollit. Xhaminë Sulejmanie(
Stamboll) e projekoi dhe e ndërtoi në 7
vite. Për shërbimet u quajt Koxha Sinan (Sinani i Madh). Ai njihej për thjeshtësinë dhe vullnetin për punë. Arkitektët evropianë, e kanë
quajtur:
“ jashtëtokësor”, ose “kulmi i punës me
gurë”. Ai merret si një nga shembujt e mjeshtërisë më të mirë të akustikës deri
në atë kohë. Me punën e tij kolosale ai u shërbeu 3 sulltanëve. Jo vetëm ishte
i zgjuar, por dhe me dinjitet, gjë që e bënte të veçantë personalitetin e
tij. Si njeri me karakter të
papërkulur,ai përherë mbronte tezën, njohuritë dhe punën e tij. Ndaj ishte i
pabindur dhe në mosmarrëveshje me 3 sulltanët për të cilët punoi. Për shkak të
dhuntive të tij gjeniale, afërsisë me sulltanin, privilegjeve që gëzonte,
shkaktuan zili në oborrin perandorak.
Ishin shumë smirëzinjtë që shpifnin kundër tij. Arritën deri sa i çuan fjalë
sulltanit se, Sinani bënte qejf në xhaminë e Shehzade Mehmetit, kushtuar djalit
të vdekur të Sulejmanit. Sulltan i Madhërishëm shkoi në xhami dhe e gjen
mjeshtrin në mes të xhamisë ulur këmbëkryq duke pirë nargjile (lloj duhani turk
që pihet me një llullë të gjatë). Ai turret drejt Sinanit, i cili me qetësi
ngrihet në këmbë. “Për këtë të paguaj unë ty?``,-pyeti Kanuni ndërsa ai iu
përgjigj:“Dëgjo! Ai i fryn nargjiles së
tij, ndërsa shushurima e saj shpërndahet nëpër gjithë xhaminë,”- me shumë
takt e mençuri ai i tregoi sulltanit se po maste akustikën e xhamisë, ku zëri
dëgjohej në çdo kënd të saj. Dihej se mikrofonat dolën në kohët moderne.
Sulltan Sulejmani vërtetoi sesa pa vend ishin thashethemet kundër Sinanit. Një
fushatë kundër tij nisi edhe kur atij iu dha urdhëri të dizenjonte dhe të zbatonte
projektin e quajtur “40 çezmat”(Kërkçeshme),që do t`i sillte ujë gjithë
Stambollit. Ziliqarët i fryn sulltanit në vesh se. I shtyrë nga thashethemet,
Kanuni përsëri i kërkoi sqarime Sinanit, i cili e qartësoi dhe së fundi e solli
ujin në Stamboll. Ky projekt i synuar që nga Perandori Bizantin, Justiniani, në
shek. VI pas.Kr. Sulejmani i thotë arkitekt Sinanit të kërkojë ç`të dojë për
shërbimin e tij dhe për ujin që shoi etjen e kryeqytetit perandorak.
“-Madhëri,
punën time Ju e paguani me para dhe unë s`kam të drejtë të kërkoj asgjë”,
- iu përgjigj Sinani.
-Nëse
ti nuk ke dëshirë të zgjedhësh diçka, atëherë është dëshira ime, ajo, që do të
të ofrojë diçka,”- tha sulltani, dëshira e të cilit nuk mund të thyhej.
-Madhëri,
dëshira juaj u plotësoftë! Do doja që nga ujësjellësi i Stambollit, të më vinte
një çezmë edhe në konakun tim”.
-Qoftë
e thënë dhe e bërë!”- Sulejmani dha urdhër me gojë që të bëhet, por nuk e
dha me shkrim si dokument zyrtar. Kryearkitekti deri në moshën 97 vjeç, piu ujë nga çezma e tij. Ankesat e njerëzve
të këqij, të mësuar me thashetheme, shkuan deri tek sulltani.
Në këtë kohë në fronin perandorak ishte
Murati i Tretë, nipi i Sulejmanit. Këshillëtarët e sulltanit u ankuan duke
shpifur se Sinani merrte ujë në rrugë jo të ligjshme. Në moshë të madhe,
kryearkitekti 97 vjeç, u gjykua para parisë së Stambollit dhe u shpall fajtor
për çezmën që kishte në konak. Me gjithë kundërshtinë e mjeshtrit se çezmën e
kishte dhuratë nga Sulltani i Madhërishëm, Murati i tretë nuk e besoi dhe urdhëroi
t’i pritej uji. I moshuar,i fyer
publikisht, dilte më rrallë nga shtëpia, çezma e mëhallës (lagjes) ishte shumë
larg, mjeshtri nisi të vuante nga etja. Sa ditë kalonin gjendja e tij rëndohej,
deri sa zuri shtratin. Një natë korriku të vitit 1490, ndërsa lutej për një
pikë ujë, sa për të shuar zjarrin që e digjte, përpëlitej në shtratin e vdekjes
pa ia ofruar askush. Arkitekt Sinani, që shoi etjen e një qyteti, dha shpirt i
zhuritur nga etja për një pikë ujë mes harrimit dhe mosmirënjohjes njerëzore.