Kulturë
Pajazit Hajzeri: Dom Pashk Dani - Jeta e një meshtari
E marte, 13.07.2021, 08:27 PM
Vështrim për librin autobiografik “JETA E NJË MESHTARI” të Dom Pashk Dani
Nga
Dr. Sc. Pajazit Hajzeri
Të flasësh për jetëshkrimin autobiografik
të dom Pashk Danit, menjëherë të bie në sy çiltërsia e këtij kleriku, e këtij
shpirti të vuajtur si nxënës, si meshtar, si humanist dhe si studiues i
përkushtuar për Atdhe dhe Fe.
Me shumë sinqeritet dhe dashuri, dom
Pashku flet për fëmijërinë e vet, shkollimin, peripecitë në vend të huaj,
pritjen që i bëhet nga rrethi ku shkollohej dhe studionte. Është shumë falënderues
për familjen, prindërit, vllezërit dhe motrat e tij, që asnjëherë nuk e bënë të
ndihet i vetmuar, por gjithmonë i kishte krahë më të fortë gjatë gjithë të
kaluarës së tij deri në ditët e sotme.
Librin “Jeta e një meshtari”, dom
Pashku e ka ndarë në shtatë kapitju, të cilët janë të mirëlidhur në tërësinë
lëndore, koherente që ka synim kryesor pasqyrimin e veprimtarisë
gjithëpërfshirëse të derisotme të dom Pashk Danit. Pas një përmbajtjeje të
shkurtër për lexuesit dhe një parathënie të shkruar me shumë admirim nga z.
Tomë Mrijaj. Në kapitullin e parë dom Pashku shkruan për fillimet e tij si nxënës,
student dhe për jetën meshtarake si profesionist i ri i kësaj fushe. Po në këtë
kapitull flet edhe për takimet e para me përsonalitete, për përkrahjen,
mbështetjen dhe kurajon që ai fiton në profesionin e tij si prift.
Në kapitullin e dytë, dom Pashku
shkruan për sherbimin e tij në Mynih të Gjermanisë dhe shërbimin e qëndrimin e
tij në Australi. Ndërkaq, në kapitullin e tretë flet për kthimin e tij në
Kosovë, shërbimin në Stubëll dhe Mitrovicë. Një vend të veçantë në këtë
kapitull zë qëndrimi në Mitrovicë. Në kapitullin e katërt, dom Pashku flet për
qëndrimin dhe shërbimin e tij në Shqipëri, katër vjetëve sa ishte atje.
Kapitulli i pestë i këtij jetëshkrimi u
kushtohet dy vllezërve zemërmëdhenj binjakë meshtarëve don Alber dhe don Robert
Jakaj, të cilët e morën e afruan e mbi të gjitha i afruan mbështetje jetësore
në Famullinë e Dublibarës Komuna e Gjakovës. Kapitullin e gjashtë ua kushton
takimeve me përsonalitete me theks të veçantë takimit me Nënën Terezë në vitin
1978 dhe Papa Gjon Palin II në vitin 1997, në Vatikan. Ndërsa kapitullin e
shtatë, dom Pashku i bënë publike për herë të parë të përmbledhura intervistat
e tij të realizuara për TV, Radio dhe shtyp, gjithashtu përmend edhe takimet
dhe manifestimet e ndryshme të realizuara deri sa ishte në Dublibarë të
Gjakovës. Në fund fare, dom Pashku shkruan për atë që i kanë thenë miqtë e tij
nëpër vende të ndryshme që përcillen me një album fotografish të cilat e
pasurojnë shumë këtë jetëshkrim të dom Pashk Danit.
Shkollimin e mbaroi në qershor të vitit
1979, dhe prej atëherë iu përkushtua shërbimit si meshtar, Dom Pashku fillon të
shërbejë në famullinë e Velezhës, dhe vazhdoi si vikar i famullisë në Ferizaj
ndihmës i Dom Lush Gjergjit deri në vitin 1981.
Duke e parë vullnetin dhe përkushtimin
e dom Pashkut, dom Mark Sopi kërkon që dom Pashku të emërohet si ndihmësfamulltar
në famullinë e Zllakuqanit. Edhe këtu, dom Pashku e kreu misionin e tij me
shumë pasion dhe përkushtim, dhe u bë shumë i dashur për të gjithë ata që e
njihnin, punonin dhe vepronin me të.
Dom Pashku flet me admirim për dajën e tij
Tomë Mrijaj i cili e ftoi të vizitonte SHBA-t, ku e takoj me shumë
përsonalitete kombëtare e kishtare që punonin e vepronin me komunitetin
shqiptaro-amerikan në SHBA, si: Mons. Dr. Zef Oroshi, dom Rrok Mirdita e të
tjerë, dhe bëri vizita dhe takime të shumëta me komunitetin shqiptar të cilët e
pritën shumë mirë praninë e dom Pashkut në SHBA. Njëherit kërkuan që ai të
ndalet, të punoj dhe veproj në Amerikë. Vullneti shumë i madh i dom Pashkut që
të punojë me popullin e shumëpërvuajtur në Kosovë si rezultat i shtypjes sistematike
nga regjimi komunist e bëri të kthehet dhe veprimtarinë e tij si klerik,
humanist, aktivist dhe atdhetar ta zgjerojë dhe të veprojë në Kosovë.
Dom Pashku, ndër të tjera flet për rininë
e tij dhe punët që bëri si meshtar ne Pejë, Ferizaj e vende të tjera. Po ashtu flet
për afërsinë e tij me fëmijët, rinin, moshën e mesme dhe moshën e shtyrë. Pra,
megjitha grupet e shoqërisë ku punoi dhe shërbeu si meshtar. Interesant është
fakti që për gjashtë muaj sa qëndroi në Pejë i mobilizoi fëmijët dhe të rinjët
t’iu bashkohen aktiviteteve të ndryshme që organizonte dom Pashku, po edhe
shpërfaqë vullnet dhe talent në shumë organizime atraktive për këto grupe.
Qiltërsia dhe dashamirësia për njerëzit
që i takoi, që e ndihmuan, që e udhëzuan, për ata që i hasi të paktën vetëm për
një moment, dom Pashku flet me shumë admirim për ta. Njëri ndër ata që e
mbeshteti dhe e udhëzoi ishte Mons. Nikë Prela, për të cilin flet me shumë përgjërim.
Po me atë masë përgjërimi flet edhe për dom Lush Gjergjin me të cilin kishte
shërbyer afërsisht katër vjet radhaz në famullinë e Ferizajt ku i mori hapat e
parë të jetës meshtare.
Një falënderim të jashtëzakonshëm
shpreh për dom Mark Sopin, me të cilin punoi si kapelan në famullinë e Zllakuqanit,
punë të cilën e kreu rreth tri vjet me parime e përpikëri shumë të vlefshme te
dom Markut.
Vullneti i dom Pashkut për të shpërndarë
njohuritë mbi fenë nuk ndaloi kurrë, ai improvizoi klasë mësimi edhe tek
varrezat e Budisalcit e në Jagodë. Për
t’ju humbur vemendjen autoriteteve sllavo-komuniste. Mirëpo, edhe aty policët jugosllav
të kohës shkonin e legjitimonin dhe urdhëronin që mos të sillej shpesh andej këndej
tek varret, ani se dom Pashku ju thoshte se po shkon për lutje dhe me vete
kishte disa femijë të cilët po ashtu po shkonin për lutje për të vdekurit.
Rrëfimet e dom Pashkut, për Budisalcin
nuk përfundojnë këtu. Ai tregon se me sa mund e sakrificë ngriti famullinë e re
të ndarë nga Zllakuqani në një vend ku nuk njihte njeri, jetonte i vetëm, hante
e pinte, binte e zgjohej gjithmonë i vetmuar, por për të bërë një jetë më të
mirë ai kishte kërkuar ndihma nga bashkatdhetarët në Belgjikë dha nga fshatarët
e Budisalcit që të renovojnë shtepinë e kishës ku do të qëndronte. Gjatë këtij
tregimi është shumë mirënjohës për të gjithë ata që e ndihmuan duke i
përmendur: Zef Skelijn, dom Fran Sopin, Tomë Cakën, Zef Bardhecin, Kolë Dashin
e shumë të tjerë që e përkrahën dom
Pashkun.
Dom Pashku nuk lë pa përmendur edhe
ndërmjetësimin e tij në faljen e ngatërresave të familjeve të cilat me vite
kishin hasmëri mes veti. Ky fenomen, sa human aq edhe kombëtar, kishte marrë
hov të gjerë ndër shqiptarët, me aksionin e veprimtarit, dijetarit, humanistit
dhe studiuesit Anton Çeta dhe bashkëpuntorëve të tij.
Ndër aktivitetet e shumta që
organizonte dom Pashku ishin edhe tubimet, sesionet, simpoziumet shkencore,
ligjerata, kumtesa, debate të ndryshme me karakter fetar dhe kombëtar, veprimtari
të cilën e ka passion. Në tostudiues, hulumtues dhe njohës të fushave të
ndryshme shpalosin njohuri dhe mendime të çmuara në mbështetje të vlerave
kombëtare në trevat tona.
Dom Pashku rrezatoi ehe në botën e
jashtme, ku tregoi vlerat e tij si në aspektin e meshtarisë, ashtu dhe në atë intelektual
e atdhetar. Misionin e meshtarisë jashtë Kosovës, Dom Pashku e filloi në Mynih
të Bavarisë - Gjermani në fillim të vitit 1996 dhe ishte përgjegjës për misionin
katolik shqiptar në gjithë Republikën e Bavarisë. Në këtë mision, kishte edhe
vështirësitë e veta të cilat i shpjegon me shumë kujdes. Vështirësia e parë
ishte mosnjohja e gjuhës gjerame dhe detyrimi për të ri regjistruar studimet
universitare në Universitetin Sprachkur dhe Goethe Institut.
I vendosur dhe i vullnetshëm, pos shumë
angazhimeve me misionin fetar, dom Pashku arrin që brenda katër vjetëve ta
përfundojë Universitetin dhe ta profesionalizojë gjuhën gjermane e cila është e
interest kapital për dom Pashkun që të vazhdojë misionin e tij me komunitein
gjermano-folës në sferën e fesë, kulturës dhe shkencës.
Dom Pashku, gjithandej ku shkoi e veproi
la gjurmët e tij; në Mynih themeloi grupin e valltarëve me emrin “ILIRIA” me të
cilin paraqitej në gara ndërkombëtare që organizoheshin në Gjermani, siç ishte
rasti i paraqitjes në Marien Platz të Mynihut, ku merrnin pjesë 39
nacionalitete nga mbarë Europa, ku mori notën më të lartë në këtë aktivitet
kulturor
Njëra ndër veprimtaritë e shumta që dom
Pashku di të bëjë, është edhe organizimi i tubimeve, simpoziumeve dhe konferencave
shkencore. Kështu në vitin 2002, në sallën e Dhymbëdhjetë Apostujve të mbushur
përplot me studiues, mysafir edhe të ftuar të tjerë, u mbajt tubimi shkencor
kushtuar prof. Martin Camaj në bashkëpunim me Universitetin e Mynihut në
Katedren e Albanologjisë aty ku kishte kryer punen e profesrorit z. Martin
Camaj.
Takimet e nivelit të tillë nuk reshtin
nga dom Pashku. Kështu më 15 tetor 2003, me rastin e 300-vjetorit të mbajtjes
së Kuvendit të Arbërit në Lezhë, dom Pashku organizoi një Simpozium Shkencor i
cili pati jehonë shumë të madhe në Bavari, dhe u transmetua në TV dhe Radio në
të njëjtën kohë.
Është shumë miradashëse fjala e dom
Pashkut në Parlamentin e Bavarisë, kur i kërkoi shtetit Gjerman që të gjithë
shqiptarët e Kosovës që gjendeshin nëpër burgjet gjermane të lirohen, t’u
njihet e drejta e qëndrimit në Gjermani, e të mos i kthejnë në “Jugosllavi”
sepse atje i pret vetëm vdekja dhe asgjë tjetër. Po ashtu kërkoi që Gjermania
të intervenojë ushtarakisht në Kosovë që të ndalet terrori dhe gjenocidi mbi
popullsinë shqiptare. Ky fjalim entuziazmoi sallën zgjoi interes të madh tek të
pranishmit dhe duartrokitjet skishin të ndalur. Pas kësaj Ministri i Ushtrisë
së Bavarisë kërkoi me ngulm që të intervenohej ushtarakisht në Kosovë, kërkës e
cila u aprovua pas tre ditëve nga Parlamenti Gjerman në Berlin.
Të gjithë të burgosurit kosovarë të
nesërmen u liruan, ndërsa trupat gjermane pas pak ditësh marshuan drejt Kosovës
dhe u vendosen në Prizren.
Dom Pashku nuk i shqitet organizimit të
Simpoziumeve Shkencore. Me rastin e 450-vjetorit të MESHARIT të Gjon Buzukut
organizoi simpozium ku morën pjesë studiues nga shumë vende të Europës, si:
Rusia, Anglia, Hollanda, Belgjika, Italia, Austria, Gjermania, Shqipëria dhe
Kosova. Në këtë simpozium u shtruan tema nga më të ndryshmet nga albanologë të
vendeve përkatëse. Simpoziumi zgjoi iteresim të madh në Bavari dhe në mjetet e
informimit publik.
Dom Pashku, nuk lë pa përmendur as vizitën
katërditore në Kalabri të Italisë, i ftuar nga Universiteti i Kalabrisë në
Kozenca të Italisë. Në këtë vizitë u prit nga prof. Anton Nikë Berisha dhe
rektori i Universitetit së Kalabrisë prof. Francesco Altimari. Gjatë qëndrimit
në Kalabri dom Pashku vizitoi shumë vendbanime me arbreshë të cilët i kushtuan
një pritje të ngrohtë vllëzërore. Ushoqëruar çdo hap nga prof. Francesco
Altimari.
Me zëmrim shpirtëror dom Pashku tregon
për mbylljen e misionit katolik shqiptar në Bavari vendim i nxjerrë nga
Konferenca Ipeshkvnore e Bavarisë me arsyetimin se misioni katolik shqiptar nuk
mund t’i përbushë detyrimet e veta financiare dhe nuk duan që ta kenë barrë
edhe këtë mision të huaj në Gjermani. Me këtë rast dom Pashku flet edhe për
letrat, korrespondencat që ai kishte me Mons. Zef Gashin Arqipeshkëvin e
Tivarit gjersa ishte në Gjermani.
Pas një pune shumë të madhe, plot
entuziazëm dhe shumë frytdhënëse në Bavari të Gjermanisë, dom Pashku kthehet në
Atdhe. Pastaj vijimësia e misionit të
shenjtë do t’caktohet në Australinë e largët.
Në Australi dom Pashkun e pret miku i
tij me të cilin kishte studiuar në studimet teologjike në Sarajevë kroati z.
Mate Krizhanac i cili i ofron gjysmën e shtëpisë së tij dhe i ofron mundësi që
Dom Pashku të fillojë të mbledhë besimtarët katolikë shqiptarë në Australi. Po
ashtu z. Krizhanac i lë në dispozicion edhe kishën katolike kroate për
besimtarët shqiptarë. Ajo që të bie në sy është se dom Pashku gjithaandej në
misionet e tij nëpër botë gjithmonë dyert i kishte të hapura. I përkrahur nga
zemërgjerësia e njerëzve, ai arrin t’i kryejë me sukses misionet e tij.
“Hoxha i katolikëve”, ashtu siç
shprehej Dom Pashku për vetën në zonat e thella të Shalës së Bajgorës kur i
vizitonte, ndjen admirim të jashtëzakonshëm për qytetin e Mitrovicës. Mitrovica
ishte njëra ndër vendet më mikpritëse në çdo sferë të veprimtarisë që
zhvillonte dom Pashku, ani se famullia e këtij qyteti kishte vetëm 8 familje të
krishtera.
Të punosh, jetosh dhe veprosh si
famullitar në një zonë dhe në një komunitet katolik është shumë më lehtë,
ndërsa të punosh dhe veprosh në një zonë (qytet) ku i tëri është i besimit
islam me përjashtim të tetë familjeve dhe ta gjeshë gjithë atë ngrohtësi,
përkrahje dhe bujari nga kjo popullatë në çdo vend ku shkoi dhe e vizitoi dom
Pashku. Dhe nuk është habi pse dom Pashu ishte me kaq admirim për Mitrovicën dhe njerëzit e saj.
Dom Pashku ishte gjithëherë, i gatshëm
të merret me aktivitete kulturore. Trokiste në secilën zemër te çdo njëri, të
çdo grupmoshe. I mbledhte në organizimet kulturore e shkencore, ashtu si din
veç ai. Çdo gjë e bënë me zell e plot miqësi.
Sa vendos në Mitrovicë, dom Pashku, vizitoi
institucionet komunale. Pati takuar dr. Bajram Rexhepin, Kryetarin e Komunës i
cili i ofron bashkëpunim dhe përkrahje të parezervë klerikut, famulltarit,
studiuesit, humanistit të palodhëshëm e plot entuziazëm dom Pashkut.
Dom Pashku, nuk rreshti së vizituar
institucione të ndryshme, shkolla, familje, zona deri tek ato më të thellat në
rajonin e Shalës së Bajgorës. Me këtë rast ai takoi, njohn dhe shoqërua me
shumë njerëz të cilët i ofruan një mbështetje morale, që dom Pashkut i nevoitej
më së tepërmi për të shkuar tutje në synimet e tij.
Aktivitetet e dom Pashkut nuk ndalen
asnjë sekond të vetëm deri sa ai qëndroi në Mitrovicë. Në fillim ai organizoi
një takim “Ditët e Nënës Terezë”, i
cili u prit jashtëzakonisht mirë në Mitrovicë. Pastaj më 19.04.2008 dom Pashku
organizoi një Tubim shkencoro – kulturor me temën “Mitrovica gjatë shekujve me rrethinë”. Në këtë tubim shkencor u
paraqitën tetë kumtesa për historinë dhe të kaluaren e Mitrovicës. Njëri ndër
referuesit e këtij sesioni shkencor isha edhe unë. Gjatë pregatitjes së këtij
sesioni shkencor, pata rastin ta njoh personalisht edhe unë dom Pashkun me të
cilin asnjëherë nuk e shkëputem korrespondencën miqësore. Është nder ta kesh në
listen e miqëve një përsonalitet si dom Pashk Danin, njeri me virtyte të mëdha
atdhetare dhe humane siç është Ai.
Aktivitetet e dom Pashkut nuk sosën
asnjëherë. Fill pas kësaj organizon Festivalin “Ditët e kulturës Arbëreshe në Mitrovicë”, ku sjell një numër
artistësh nga Italia dhe bashkë me arbëreshët mbahen manifestime kulturore tri
ditë rresht. Me këtë rast ishte në festë i gjithë qyteti i Mitrovicës. Dom
Pashku merr mirënjohjet më të përzemërta nga krerët e institucioneve komunale,
atyre fetare, popullata e shumë e shumë falënderime për këto tri ditë feste për
qytetin e tyre. Dom Pashku kujton edhe një rast kur kryeimami i Mitrovicës, mulla
Asllan Murati, para të gjithë të pranishëmve e falenderon ngrohtësisht nga
zemra për organizimet shkencore e kulturore që po organizonte dom Pashku në
Mitrovicë.
Dom Pashku në Mitrovicë organizoi edhe
shpërndarjen e ndihmave për familjet skamnore në rajonin e Shalës së Bajgorës,
bashkë me KFOR-in dhe EULEX-in. Dom Pashku tregon për një përjetim interesant
në një fshat të thellë në Selac, kur dergon ndihma në ushqim dhe veshmbathje.
Me prezantimin si prift habit për të mirë banorët a asaj treve si një prift po
shpërndaka ndihma atje. Takimi i këtyre banorëve të konfeksionit islam ju lë
shumë përshtypje ta takojnë një priftë për here të parë, andaj dom Pashku për
ta zbutur këtë ndjesi ju thotë “Unë jam
hoxha i katolikëve” në mënyrë që ata ta kuptonin më lehtë se kush është
prifti.
Pas përfundimit të shërbimit katërvjeçar
në Mitrovicë, dom Pashku vazhdon misionin e tij në Shqipëri, saktësisht në
zonën e Zadrimës. Dom Pashku tregon për punën e palodhshme që bënte në famullin
e fshatit Grash të Zadrimes, edhe pse banonte 25 km larg nga aty në Vaun e
Dejës. Gjithmonë dom Pashku kishte qëllim, jo vetëm të punonte, por t’ia
kthente pronat kësaj famullie të konfiskuara nga shteti në periudhën e
monizmit. Këtë e realizon pas shumë seancave gjyqësore dhe peripecive të tjera.
Po ashtu, brenda një periudhe të shkurtër kohore arrin të ndërtojë shtëpinë e Famullisë
së Grashit, shtëpi të cilën nuk arriti ta shfrytëzojë për asnjë ditë, pasi që
dom Pashku detyrohet të kthehet në Kosovë pas plot katë vjetëve shërbim në
Shqipëri.
Dom Pashku, kthehet nga Shqipëria
shëndet dobët, pasi që kishte pësuar një hemoragji
cerebrale (gjakderdhje në tru) dhe ende nuk e kishte marrë vetën. Vendoset
në Famullinë e Velezhës, me ç’rast e pret dom Robert Jakaj i cili i ofroi banim
dhe kujdes derisa dom Pashku merr vetën dhe fillon aktivitetin e tij të
meshtarit. Prej këtu, dom Pashku dërgohet në Famullinë e Bishtazhinit për afro
8 muaj, nga aty dërgohet në Famullinë e Binçës ku çëndron 4 muaj. Pastaj
vazhdoi pa ndërprerë rrugëtimin dhe shërbimin kishtar nëpër vende të ndryshme,
komunitete të ndryshme, shtete dhe kontinete të ndryshme, ku dom Pashku punoi
dhe kontribuoi parreshtur.
Rrugtimit të dom Pashkut në këto vise
po përendon. Mirëpo, rrugtimi meshtarak i radhës për dom Pashkun është Amerika.
Në përfundim të përshkrimit të rrugtimit të tij misionar, dom Pashku përzgjedh të
falenderojë binjakët dom Albert dhe dom Robert Jakaj, të cilët i ofruan
mbështetje dhe e morën në Famullinë e Dublibarës, ku punojnë së bashku,
organizojnë takime, manifestime kulturore, simpoziume shkencore, se kjo është
ajo çfarë di më së miri të bëjë dom Pashk Dani, pa e përjashtuar edhe pjesën misionare
për të cilën është edukuar dhe shkolluar me vite të tëra.
Në këtë jetëshkrim, dom Pashku i
rikthehet edhe njëherë moshës rinore, kthehet në vitin 1978, gjersa ishte
student në Fakultetin e Teologjisë në Sarajevë. Me këtë rast gjatë rrëfen
visitën e Nënës Terezë në Jugosllavi. Ajo pati vizituar këtë Fakultet. Ishte
rasti i parë dhe takimi i parë me nënën e madhe të mbarë botës siç e quan dom
Pashku Nënën Terezë – Gongje Bojagjiu. Po ashtu nuk lë pa përmendur edhe
takimin me Papa Gjon Palin II, në vitin 1997 në një vizitë në Vatikan. Këtu dom
Pashku përshkruan bekimin e Papa Gjon Palit II, i cili i jep si porosi dom
Pashkun. Papa Gjon Pali II shprehet, “Merne
prej Papës bekimin dhe dërgoje tek shqiptarët e thuaju: - Papa është gjithmon
me ju”. Kjo ishte surpriza dhe habia më e madhe që dom Pashku as që e
kishte pritur në një takom spontan të rastit në Vatikan me Papën.
Në përfundim të librit, “Jeta e një
meshtari”, jetëshkrim për veten e tij dom Pashk Dani, publikon edhe intervistat
e ndryshme të zhvilluar për gazetarë, publicistë, TV, Radio dhe gazeta. Po
ashtu shkruan edhe për atë se çfarë thonë miqtë për dom Pashkun. Në fund fare
ka një “Pasthënie” të përgatitur nga Leonora Laqi. Libri përmbyllet me një
album fotografish ndër vite, me përsonalitete të ndryshme në takime dhe
aktivitete të shumta të organizuara nga njeriu që unë e quaj; njeriu i hekurt i
cili asnjëherë nuk di të ndalet në punën, përkushtimin dhe angazhimin e tij.
Rrëfimet janë tabllo pune – përpjekje
shterruese midis përparimit dhe errësirës. Rrëfimi për një popull të plagosur
rendë por që ec e nuk ndalet deri të bëhet zot i fatit të vet.
Pata fatin ta njoh edhe unë për së
afërmi dhe ta kem mik të çmuar dom Pashk Danin, të cilit i uroj jetë të gjatë,
shëndet dhe libri i radhës “Jeta e një meshtari 2” ta shkruaj pas shumë vitesh
me plot aktivitete të realizuara nga misionari, studiuesi, humanisti ynë dom
Pashk Dani.
Dr. Sc. Pajazit
Hajzeri
Mitrovicë: 20.02.2021