Kulturë
Shefqet Dibrani: Fati i Hajries në romanin Malësorja
E hene, 05.07.2021, 04:40 PM
FATI I HAJRIES NË ROMANIN “MALËSORJA”
(Zoga Papraniku, <Analizë e romaneve:
RRUGA E SHTËPISË SIME; TOKË E PËRGJAKUR; MALËSORJA>. Universiteti i Evropës
Juglindore, Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e
Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Lënda: Letërsia bashkëkohore. Tema është paraqitur
para prof. dr. Hamit Xhaferi, Tetovë 2016.)
Shkruan Shefqet
DIBRANI
llimi
i rrëfimit
Studimi i Zoga
Papraniku, është punim me konotacione shkencore, kryesisht në përshkrimin e
ngjarjeje me disa nuanca emocionale të aspektit sociopsikologjik. Si duket
punimi është në nivelin fillestar, prandaj autorja nuk është zgjeruar në
hulumtime të tjera. Për arsye se punimi i saj akademik përkufizohet në
trajtimin e tre romaneve të Nazmi Rrahmanit, e ky studim, siç thamë është bërë
brenda kornizave të një programi shkollor në nivel universitar.
Edhe kjo studiuese, trajtesën e saj e lidh me personifikimin e Hajries dhe fatin e
femrës shqiptare në Kosovë e më gjerë. Ky personifikim materializohet duke
përshkruar, ose duke i theksuar vuajtjet e saj në ato rrethana, si grua fati i
së cilës ishte ai që ishte, por autorja nuk
harron pa theksuar se përveç vuajtjeve të shumta që kishte Hajria, ajo ishte
nënë, që ka dhembje për birin e saj, dhe jetonte me frikën e hakmarrjes në mes
bijve të saj, frikë e dhembje këto që ia rëndonin edhe më tej vuajtjet.
Edhe pse tema që
zhvillohet brenda romanit nuk ka për qasje shkollën dhe arsimimin, përvoja
jetësore sikur e kishte bërë Hajrien më të veçuar se sa gratë e tjera. Këtë element
e ka vërejtur edhe Zoga Papraniku, e cila shkruan: “Rrëfimin e historisë së
vet para djalit Hajria e quan roman, një roman të pashkruar, kjo për dy arsye:
asnjëherë fëmija nuk mund të njohë aq shumë thellë historinë e prindit të vet,
aq më tepër në këtë rast kur i biri i Hajries është rritur larg prehrit të
nënës së vet - Kjo e bën dhe më tragjike dramën që fsheh Hajria përbrenda.
Drama e Hajries merr përmasa të mëdha shoqërore. Me dhimbjen e vet ajo përpiqet
të kundërshtojë botën e egër të mentalitetit e të dhunës mashkullore. Po deri
në këtë fragment protesta e saj është e heshtur. Asaj s’i mbetet gjë tjetër
veçse të shikojë qiellin e përhimtë.”[1][1]Edhe kjo studiuese, ngjarjen e ka vendosur “para Luftës së Dytë
Botërore”[2][2] ndërsa drama jetësore e Hajries zhvillohet siç shkruan ajo “në një
fshat të Gollakut, mes Prishtinës dhe Podujevës,”[3][3] konstatime këto që i hasim
pothuajse nëpër të gjithë librat shkollorë dhe universitarë që për trajtim kanë
romanin Malësorja. Motivet, kryesisht janë përshkrime të thjeshta dhe
autentike të ngjarjes, e ngjashme me ato që thuhen në roman, pa bërë përpjekje
për të nxjerrë ndonjë përkufizim a interpretim ndryshe që do t’i shërbenin
letërsisë, po më shumë librave shkollorë të cilët si temë mësimi e studimi kanë
këtë vepër letrare. Me një fjalë autorja mbetet besnike dhe e saktë në rrëfimin
e saj pa pretendime e sforcime të tjera letrare e artistike, pa gjetje të reja
dhe pa ndonjë vlerësim të përparuar, e të përpunuar të cilat mendojmë se
ekzistojnë brenda këtij romani.
Zoga Papraniku, shkruan
se “Hajria që ka duruar dhe heshtur gjatë tërë jetës e që shpreh pozitën e
gruas në atë mjedis, kur ballafaqohet me këtë realitet tragjik, ndërhyn, e ngre
zërin dhe arrin ta bindë djalin e dytë që të heq dorë nga vendimi për vrasjen e
vëllait, që është në fund të fundit triumfi moral i Hajries.”[4][4]
Ajo, shkruan se “romani
Malësorja është rrëfim i degëzuar mbi jetën e personazhit kryesor, Hajries, por
dhe rrëfim mbi një numër bartësish të tjerë të ngjarjeve që së bashku sajojnë
tablonë reale dhe realiste të një mjedisi kosovar.”[5][5] Tamam siç e kemi theksuar edhe diku
tjetër se ngjarja zhvillohet diku në “mes dy luftëravebotërore”[6][6] ndërsa “formimi i Hajries ndiqet
sipas linjës së brendshme të shpalimit, nga motivet, pretendimet, vizioni i saj
i brendshëm, kryesisht i ndrydhur, i heshtur, dhe jo nga veprimet e saj”[7][7] e cila në ato rrethana patriarkale,
përplot vuajtje, dhe me mundësi tepër të kufizuara, ajo do të arrijë të
vetëdijesohet për pozitën e saj nënshtruese, diskriminuese dhe mjaft
poshtëruese, që ka të bëjë edhe me pozitën e gruas në shkallë kombëtare, në ato
rrethana, kur është shkruar apo është pozicionuar zhvillimi i ngjarjes.
Emocionaliteti i rrëfimit
E gjithë trajtesa e
kësaj studiueseje merret me anën emocionale të personazhit kryesor dhe me
interpretime në nivelin e përshkrimit të saktë pa u lëshuar në hulumtime e
interpretime të tjera të mundshme të “rrëfimit psikologjik” siç është
shprehur ajo, për të përfunduar se “romani mbi fatin e Hajries, degëzohet në
një mori rrjedhash jetësore që derdhen të gjitha drejt rritjes së
personalitetit të saj dhe drejt sfidës ndaj konvencioneve tradicionale me
pasoja tragjike”[8][8] duke përmbyllur mjaft saktë si
konstatim sociopsikologjik temën e saj për romanin Malësorja, punim ky i
cili kompletohet edhe më mirë, përmes dy romaneve të tjera të cilët i ka pasur
për trajtim brenda këtij studimi akademik.
*Marrë nga libri i
autorit: “KARAKTERI dhe ARKETIPInë romanin MALËSORJA tëNazmi
Rrahmanit”, faqe 339-342. Botoi Sh.B. “FAIK KONICA”, Prishtinë 2021.
[1][1]Zoga Papraniku, <Analizë e romaneve:RRUGA E SHTËPISË SIME; TOKË E PËRGJAKUR; MALËSORJA>. Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Lënda: Letërsia bashkëkohore. Tema është paraqitur para prof. dr. Hamit Xhaferi, Tetovë 2016.
[2][2] Po aty, punimi i cituar,
[3][3] Po aty, punimi i cituar,
[5][5] Po aty, punimi i cituar,
[6][6] Po aty, punimi i cituar,
[7][7] Po aty, punimi i cituar,
[8][8] Po aty, punimi i cituar,