E hene, 09.12.2024, 07:06 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Baladë për ngushëllimin

E hene, 28.06.2021, 05:32 PM


BALADË PËR NGUSHËLLIMIN

Nga Prend BUZHALA

Aty ynë, kur na mungojnë më të dashurit tanë, dërgoje atje, në Botën e amshuar, tejmallin tonë, si zë i tejshpirtit. Dërgoji atje sytë tanë, kujtimet tona. Dërgoje pikën tonë të gjakut, grimcën tonë të frymëmarrjes, Fjalën Tonë të Zemrës.

Ndryshe, Paqja e Përjetësisë as atje nuk ka kuptim , nuk është e bukur pa ne. As në këndejbotë, pa ta, asgjë nuk ka kuptim.

1.

O Atë, të na falin pse trishtimi i humbjes nuk zhduket as kur vjen Ditë e Re. Dhe e presim Një Ditë,  kur do ta kemi  Shtëpinë e Përbashkët, atë vatër pa caqe, pa mure. Ende i dëgjojmë zërat e të dashurve tanë, kur na thonë:

vetëm te Shtëpia e Atit kemi kaluar.

E u themi:

lutuni për ne të këndejbotshmit, të këndejvuajturit, të këndejshqetësuarit.

A thua, a do të ketë edhe andejbotshëm përsëri Çaste të Ndarjes së tillë?

Vetëm në Tokë Ndarjet e tilla kanë kuptim, kur të dashurit na ikin pa lamtumirë.

2.

Të na falni, deri në orët e ndarjes nga ju, nuk e kemi ndjerë thellësinë e dashurisë ndaj jush.

Ishte ndarje e përgjithmonshme. Jo, jo. Jeni me ne e jemi me ju.

Është i njëjti mur: aty edhe ju i keni fytyrat tuaja, edhe ne e kemi aty hijen tonë. Kur ju kemi në zemër, ndiejmë pak ngrohtësi. Po vetminë nuk kemi si ta shërojmë. Është gjysma e zemrës që na mungon: i një vajze nga i dashuri i saj i rrëmbyer e i zhdukur: i një  nëne nga vajza e saj e therur me bajonetë, i një vëllai nga vëllai, i një fëmije nga prindi...

Libri për ju është shkruar, në mungesë. Një mungesë e barabartë me vdekjen.

Libri për ne të gjallët rrëfehet, i pashkruar. Një vdekje e barabartë me mungesën.

3.

Kur qëndrojmë gatitu a ulur te varret e tyre, na thonë: po gaboni, ne këtu nuk flemë,

ne gjendemi te një rreze dielli që bie mbi botë, te pikat e shiut që bien mbi drithëra e mbi barë, te një fjalë e urtë marrim frymë, te një emër i trashëguar ashtnie, te zgjimet e hershme mëngjesore, të qetësisë parajsore. Mund të na shihni te yjet,  te drita e tyre aq e butë, ndoshta te një fluturim shqiponje.

E na pëshpëritin: Ne nuk flemë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora