E enjte, 29.07.2021, 08:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Sylejman Morina: Andrea Deshpali - Pas pandemisë dua ta vizitoj Kosovën e bukur

E marte, 22.06.2021, 08:55 PM


ANDREA DESHPALI: PAS MBARIMIT TË PANDEMISË DUA TA VIZITOJ KOSOVËN E BUKUR

Nga Sylejman Morina

Derisa në Jug të Italisë jeton një komunitet i madh i arbëreshëve (Sicili dhe Kalabri), të shpërngulur pas vdekjes së Skënderbeu t(1468), në Veri të Italisë jetojnë shumë familje arbneshe, të ikura nga Arbansi (Arbneshi) i Zarës, sidomos pas vendosjes së sistemit socialist në Jugosllavi. Rrjedhat historike të kohës, si presioni i pushtetit komunist, varfëria, paragjykimi për arbneshët, si pro italian etj., i detyruan shumë familje arbneshe të marrin rrugën e migrimit për në Itali e disa pastaj shpërndahen nga aty, kudo në botë.

Një fat të tillë kishte pasur edhe familja e Andrea Deshpalit, arkitekt e muzikant, i lindur në Milano, por që zemra i rrah për vendlindjen e prindërve të tij, Arbanasin (Arbneshin) e bukur.

Rrugës së migrimit i kishte prirë gjyshja

Gjyshja e Andreas nga ana e babait, Maria, ishte largua nga Arbanasi së bashku me një pjesë të familjes, më 1958 dhe kishte marrë  rrugën drejt Italisë, me tre djem dhe tri vajza, ndërsa një vajzë kishte mbetur në Zarë. Derisa Tulio, babai i Andreas kishte mbetur në Itali, dy  vëllezërit e tij ishin larguar nga Italia, njëri kishte migruar në Francë e tjetri në Australi.

Kështu shumë familje arbneshe që janë të shpërndara në shumë shtete të Evropës e në kontinente të largëta, ashtu edhe Deshpalët janë të shpërndarë në kontinente të ndryshme. Fillimisht, familja e Andreas ishte stacionuar në kampin e refugjatëve në Udine.

Nëna e Andreas kur ishte e re

Pas periudhës që kishin kaluar aty, familja e Tulios, nëna dhe motrat, vendoset në Milano. Babai i tij kishte arritur të sigurojë punë, por pas një kohe ishte kthyer prapa në Zarë për t'u martuar me vajzën arbneshe, Maria Mazija, me të cilën së bashku ishin kthyer në Milano. Familja e Andreas kishte qenë fqinje me familjen e profesoreshës së Universitetit Zarës Mr. Mirta Tomas.

Babai i tij nuk i kishte treguar shumë për jetën e kaluar në Arbanas. Mjerimi dhe vështirësitë e mëdha për mbijetesë i kishin krijuar një ”bllok” që kurrë nuk e kishte tejkaluar dhe kjo e bëri të mos fliste për të kaluarën e tij në Arbanas, duke e bërë shumë të vuajtur. Për fat të mirë, nëna e tij nuk e kishte përjetuar varfërinë si të babait, mirëpo ajo ka vuajtur për çdo minutë të kaluar në vendlindjen e saj. Sipas Andreas, ajo me të dhe familjen e tij gjithmonë i kishte ndarë përjetimet e saja. Nëna i kishte thënë: ”...se zgjedhjen që kishte bërë e kishte konsideruar si gabim, i cili e kishte munduar gjatë tërë jetës. Largimi nga Zara ishte gabimi i saj më i madh. Ajo jetoi me nostalgji për aromat, ngjyrat dhe afeksionet e vendlindjes”.

Lidhja me Arbanasin

Andrea Deshpali është i lindur në 1970, në Milano, ndërsa më 1977 familja e tij ishte shpërngulur  në Conegliano në Veneto. Çdo verë, me familje, që nga viti 1970 deri në fillimin e luftës kroato–serbe (1991-1995) i kalonin pushimet në Arbanas (Arbnesh). Gjatë asaj kohe, duke kontaktuar me arbnesh e kroatë, Andrea thotë: “...u mësova të flas kroatisht dhe arbnisht”.

Tulio Deshpali, Babai i Andreas

Krahas studimeve në arkitekturë merrej edhe me muzikë

Si shumica e arbneshëve që kanë talent për muzikë e që koha e ka dëshmuar, ashtu edhe Andrea kishte një talent të tillë. Për këtë dhunti të arbneshëve, prof. Sergjo Dokoza-Nikpali, ishte shprehur: ai që nuk di të këndojë, nuk është arbnesh.

Andrea kishte qenë udhëheqës i rok-grupit të njohur në Itali “Mystika”, edhe pse nuk ishte muzikant me përgatitje shkollore. Me këtë lloj muzike edhe kishin arritur rezultate dhe kishin bërë incizimet e këngëve të tyre të cilat ishin transmetuar në radiot e televizionet e Italisë.

Ai gjithherë kishte pasur dëshirë që në vendlindjen e të parëve të tij të shfaq një koncert. Fatmirësisht ajo dëshirë ishte realizuar në vitin 1995, kur me grupin e tij “Mystika” kishte pasur nderin të jap programin në sheshin “Petar Zoraniq” në qytetin e Zarës.

”Ai koncert shënoi një datë të rëndësishme në jetën time pasi ndjenjat e mia për atë që unë e konsideroj atdheun e origjinës sime, janë forcuar” pohon Andrea.

Fati ashtu kishte dashur dhe Andrea, në vitin 1996 ishte ballafaquar me një sëmundje të rëndë, e cila i kishte sjellë edhe ndryshime në jetën e tij. “Ndalova të merresha me muzikë dhe grupi “Mystica” u shpërnda. U detyrova të ndërpres studimet universitare, drejtimi i arkitekturës, por për fat të mirë takova Maurën, bashkëshorten time dhe me të së bashku u përballëm me jetën në një mënyrë të mrekullueshme”.

Andrea beson se çdo qeveri duhet të përpiqet për të promovuar përhapjen e muzikës dhe të gjitha format artistike dhe kulturore. Të gjitha kulturat janë të rëndësishme dhe duhet të promovohen në të gjitha nivelet, në mënyrë që të mos harrojnë kush janë dhe nga vijnë.

Muzika është art që prek prej më të riut e deri tek të të moshuarit. Nuk ka moshë, është një mënyrë për të folur për botën e dikujt, përmes instrumenteve muzikore tipike për çdo vend, gjuha dhe melodia tregojnë historinë dhe gjendjen shpirtërore të njerëzve të atij vendi. Sa herë që nëna e Andreas kishte dëgjuar muzikë kroate, ajo ishte mallëngjyer shumë. Ajo, nuses së djalit i kishte mësuar shumë fjalë të urta kroate, informacione për Zarën dhe për bukuritë e Arbanasit,... “sa që Maura arriti të krijonte imazhe aq të forta dhe plot emocione për vendlindjen e të parëve të mi, të cilën dëshironte ta vizitonte sa më parë”.

Kontakti me Walter Deshpalin vetëm me telefon

Me kushërinjtë e tij, fëmijët e Shime Deshpalit, nuk kishte arritur të ketë kontakt të drejtpërdrejtë, por vetëm me telefon. Andrea thotë se:  “Walter Deshpali kishte dëshiruar të më njihte dhe të krijonim muzikë së bashku, mirëpo për shkak obligimeve në Universitet nuk pata mundësi. Më erdhi keq që nuk që nuk u takuam, e për mua do të ishte nderë të bëja muzikë me një muzikant të shkëlqyer. Krenohem me familjarët e mijë Deshpalët që kanë arritur të kenë famë botërore”.

Në Arbanas ndjehem në shtëpinë time

Më vonë kur u kthehej në Arbanas, ishte me gruan Maura dhe fëmijët vajzën Misia dhe djalin Cesare. Për te :” Çdo vizitë është një emocion i mrekullueshëm sepse aty e ndiej veten që jam në shtëpinë time. Heshtja e mbytur e Arbanasit, aromat e tij, deti i mrekullueshëm dhe kujtimet e fëmijërisë sime e bëjnë atë një vend magjik dhe e kuptoj që i përkas kulturës së asaj toke. Jam e lumtur që gruaja ime e do Arbanasin dhe shpresoj që në të ardhmen të kaloj shumë më tepër kohë në vendin, të cilit i kam borxh  origjinën..”Arbanasin vazhdon ta vizitoj  që të takohet  me kushërinjtë e tij  dhe arbneshët tjerë, ndërsa  takimet e tilla e bëjnë  të ndihet se ka  përkatësi  të njëjtë me ata.

Andrea me gjyshen dhe  nënën e tij

Në Arbanas organizohet kursi i gjuhës Arbneshe

Andrea: “Arbnishtja gjithherë më ka magjepsur dhe jam i lumtur që nga pak po e flas: Kur shkoj në Arbanas dhe bisedoj me arbnesh po e kuptoj se ajo po humbet dhe për atë më vije shumë keq. Besoj që asnjë gjuhë nuk duhet të zhduket, si dhe asnjë kulturë. Për këtë arsye e shoh si shumë të rëndësishme organizimin e kursit të gjuhës arbneshe në Arbanas, po të kisha mundësi edhe unë do të merrja pjesë, sepse jam i bindur se do ta forcoja lidhjen me tokën nga e kam origjinën”.

Andrea thotë se ”Unë e përjetoj Arbanasin në mënyrë romantike, jam i lumtur me mendimin se një ditë mund të jetoja atje dhe të shijoja kënaqësinë e asaj ëndrre të cilën dua ta ndaj me gruan time. Nuk e di nëse do të bëhet e vërtetë, por vetë mendimi për të ma mbush zemrën me gëzim”.

Andrea merret me grafikë shtypje reklamash, sikur në gjitha sferat shoqërore e ekonomike pandemia ka lënë pasoja, po ashtu edhe në profesionin e tij.

”Shpresojmë se pas mbarimit të pandemisë, do të kem mundësi që të takohemi në Kosovën e bukur, që unë dhe gruaja ime shumë dëshirojmë ta vizitojmë dhe shpresojmë që kjo të ndodhë sivjet”.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora