Kulturë
Botohet pjesa e dytë e studimit për romanin ''Malësorja''
E hene, 21.06.2021, 04:30 PM
Shtëpia botuese “Faik Konica”,
në Prishtinë, botoi edhe pjesën e dytë të studimit letrar, <KARAKTERI dhe
ARKETIPI, në romanin “MALËSORJA” të Nazmi Rrahmanit>, me
autor Shefqet Dibrani.
Libri si strukturë qartëson më mirë ndikimin e romanit “Malësorja” në
procesin edukativo arsimor në Kosovë, qasje kjo mjaftë e kompletuar, në të
cilën është trajtuar epiteti “Malësore, si arketip që personifikoi
Kosovën”, pastaj shtjellohen disa nga figurat
letrare dhe stilistike që karakterizojnë këtë roman, shprehjet figurative,
tiparet, tipizimi dhe tipologjia e personazhit letrar si dhe klasifikimi i
karaktereve dhe kategorizimi i tyre. Në vijim janë trajtuar specifikat e
arketipave në romanin “Malësorja”, të kundruar nga prizmi i psikanalizës së Karl
Gustav Jung. Bibliografia e botimeve nëpër vite, fjalorthi dhe shprehjet
frazeologjike e kompletojnë edhe më tej studimin në fjalë. Në këtë vepër
janë trajtuar edhe librat me studime: “A-Zh, romanet e Nazmi Rrahmanit”, nga
Sabri Hamiti, “Malësorja, ose arti i interpretimit”, nga Zejnullah
Rrahmani, si dhe “temat e diplomës” në studimet akademike nga Zoga
Papraniku, “Analizë e romaneve: Rruga e shtëpisë sime, Tokë e
përgjakur, Malësorja”, dhe studimi nga Lulzana Aliti, “Pozita dhe fati i
gruas në veprat e Nazmi Rrahmanit”, ku bashkë me të dhënat statistike për
prezantimin e romanit në sistemin bibliotekar dhe arsimor, si dhe përfshirjet e
tij në nivelet universitare e kanë kompletuar më mirë këtë studim për romanin
“Malësorja”.
Në parathënie të librit është theksuar se: Karl Gustav Jung,
ndoshta është disidenti më i famshëm i psikanalizës klasike. Ai u largua nga
idetë e Frojdit me të cilin kishte bashkëpunuar
një kohë të gjatë, për t’i hulumtuar rrënjët stërgjyshore dhe për të
studiuar si askush tjetër “pavetëdijen kolektive”, qasje që janë cilësuar
me ide revolucionare, të cilat e kanë bërë atë të njohur në fushën e
psikanalizës, sidomos me “12 arketipat jungianë mbi personalitetin.” Siç
ka theksuar vet autori, duket se studimi nuk
ka të bëjë me krahasime nga fusha e psikanalizës, aq më pak me dallimet në mes
psikanalizës së Sigmund Frojdit, dhe ato që i ka zhvilluar më pas Karl
Gustav Jung, as me krahasime të tjera letrare, por ka të bëjë vetëm me mënyrën e qasjes dhe mundësitë e thelluara të
interpretimit. Ndërsa shpjegimet tjera përkitazi me figurat letrare, me
karakteret dhe arketipat e romanit kanë
karakter edukativ, sa për të lehtësuar kuptimin e figurave dhe
nocioneve. Në një plan tjetër, disa ide në
aspektin teorik përkitazi me strukturën e tekstit nuk janë risi as në
këtë studim. Me këto shpjegime është marrë më parë edhe profesor Zejnullah
Rrahmani, pasi edhe ai ka krahasuar tekstin letrar dhe strukturën e librit me
objekte arkitektonike, ndërsa Sh. Dibrani, i ka përdorur për të qartësuar disa
lloje (tipa) të arketipave, qoftë si teori, e qoftë si kuptime letrare.
Prandaj, edhe teoritë e Karl Gustav Jungut, në këtë studim janë shfaqur si
mundësi e zgjerimit të mendimit letrar, përkatësisht janë mënyrë e pikëpamjes
për personazhet e romanit, jo si psikanalizë,
në kuptimin kompleks e psikologjik, por si mënyrë e përkufizimit në
shqyrtimin e tekstit letrar.
Pasi Arketipi ka të bëjë me origjinalen, romani “Malësorja”,
e plotëson këtë kriter, si njëra ndër veprat e para origjinale në prozën shqipe
në Kosovë. Së këndejmi, romani si arketip,
parë në kuadrin e letërsisë shqipe, dhe të kontekstit kohorë, veçmas në
raport me shkollën shqipe në Kosovë, është
vlerë arketipale, e përputhshme me teoritë e psikanalizës me të cilën
është marrë Karl Gustav Jung. Në anën tjetër, dihet se kombet e përparuara i
ringjallin simbolet e tyre të vjetëruara, andaj është kjo edhe një arsye
shtesë, pse autori ka marrë në shqyrtim romanin “Malësorja”, vepër kjo
që ka ridimensionuar simbolin e gruas, të cilës shkrimtari Nazmi Rrahmani i jep
epitetin Malësore. Pikërisht duke u mbështetur në idetë e Karl Gustav
Jungut, përmes këtij studimi është trajtuar vlera e arketipit Malësore
në letërsinë shqipe për të nxitur ide në revolucionarizimin e mendimit letrar si shkollë dhe edukatë pedagogjike.
Karl Gustav Jung, i ka
quajtur arketipat si modele të lashta të personalitetit, karakteristika që janë
trashëgimi e përbashkët e racës njerëzore. Së
këndejmi, dihet se arketipat gjenden në të gjitha gjinitë letrare, pra
edhe në romanin “Malësorja”. Kuptimi i saktë i nocioneve mbi karakteret
dhe arketipat, është njëra nga vlerat më të fuqishme në mendjen e shkrimtarit.
Pra, të kuptuarit e këtyre modeleve të lashta do
të ndihmojë më mirë për të kuptuar literaturën moderne, sidomos për ata që synojnë për t’u bërë shkrimtarë
modernë të realizuar mirë. Kjo mënyrë e bën shkrimtarin e ri, më të aftë për të
sjellë vepra të rralla, siç është romani “Malësorja” i Nazmi Rrahmanit,
për kohën e tij, prandaj studimi ka të bëjë me mundësinë e interpretimit
ndryshe të veprës letrare dhe njëkohësisht për të nxitur idetë depërtuese në
psikologjinë e personazhit dhe të veprës e cila botohet, me rastin e 80
Vjetorit të lindjes së Autorit dhe në 56 Vjetorin e botimit të romanit
“Malësorja”, roman ky që ka hyrë si arketipi më pozitiv i Shkollës dhe
Arsimit Shqip në Kosovë, ashtu si duket edhe ky studim do të jetë një arketip
më vete në fushën e studimeve dhe të kritikës letrare.
Pjesa e dytë e librit kap 410 faqe, në të janë përfshirë ballinat e
romanit, (botuar nëpër vite), faksimile të shumta dhe bibliografi e veçantë, të
cilat bashkë me “fjalorthin” e bëjnë studimin me interes dhe tejet specifik. E
botoi Sh. B. “Faik Konica”, Prishtinë 2021.