E enjte, 29.07.2021, 05:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Timo Mërkuri: Shorti i atentatit

E hene, 14.06.2021, 07:49 PM


SHORTI I ATENTATIT

Nga Timo Mërkuri

Kohët e fundit nuk kanë munguar zërrat e disa gazetarëve që atentatin e Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanin të kryer në datën 13 Qershor 1920 e quajnë një akt terrorist, të kryer nga vetë Avni Rustemi madje edhe të financuar nga disa bejlerë të Libohovës. Për sa i përket emërtimit “akt terrorist” unë mendoj se gazetarët që e përmëndin janë bazuar te vetë deklarata e Avni Rustemit si gjatë procesit hetimor ashtu edhe në gjyq se:” këtë vrasje e kreu pa paramendim ai vetë, pa asnjë shtytje tjetër, sidomos nga qeveria e Tiranës, e cila,..  ishte e interesuar që të eliminohej fizikisht ky tradhtar, tepër i rrezikshëm për fatet e Shqipërisë në atë periudhë”.

I-  Unë nuk do eksploroj terenin juridik dhe historik të ngjarjes, por do ju them se në fshatin tim Pilur dhe sidomos në familjen e tim eti në Sarandë zgjedhja e atentatorit dhe përballimi i shpenzimeve të udhëtimit të Avni Rustemit kanë një pamje tjetër. Ky këndvështrim ndryshe  lidhet me emrin e Kol Mërkurit, antar i kryesisë së Shoqatës Bashkimi Dega Vlorë dhe mik i ngushtë me Avni Rustemin dhe figura të tjera tribunale të Luftës së Vlorës. Për  figurën e Kol Mërkurit (xhaxhai i tim eti) në shtëpinë tonë flitej shumë rrallë dhe sidomos kur bujtnin  vëllëzërit e Kolës, xhaxhallarët e tjerë të tim eti me raste të ndryshme. Biseda zhvillohej edhe në vizitat gati të përditëshme të hallë Sofisë (Sofi Gërdhuqi), vajza e vetme e Kol Mërkurit që banonte në Sarandë pranë shtëpisë sonë., pior duhet të them se në të gjitha rastet im atë i ndërpriste ose i shmangte këto tema bisede dhe jo pa shkak. Arsyeja ishte se Kol Mërkuri, me gjithë kontributin e tij atdhetar u arestua në 2 Dhjetor 1945 dhe vdiq në internim në Krujë në 19 nëntor 1947. Pavarësisht nga kjo, duke qënë se gjatë luftës  së dytë botrore dhe pas saj Kola u rikthye në fshat për banim, ishte një periudhë jo e pakët që ai të tregonte historitë e aktivitetit të tij në Vlorë, sigurisht në reth të ngushtë vëllezërish e

Miqsh dhe sidomos tregime për Luftën e Vlorës, atentatin e Avni Rustemit, vrasjen e varimin e tij, mbështetjen e ndihmesën dhënë Halim Xhelos etj. Pilurjotët kanë një  gjë, çdo ngjarje të përjetuar e gdhëndin në këngë. Kështu shpjegohet që qysh në ato kohë këndohej për të me vargjet: “Kol Mërkuri fanilisti/Atdhetari me ide”. Personalisht e kam dëgjuar të kënduar këtë këngë si dhe një këngë tjetër, një varg i së cilës fliste për një  “Shorti i burrave me besë”. Me qënë se e dëgjoja rrallë, këtë e kujtoja një këngë familjare, ndaj u habita kur te portal “Piluri” u publikua një këngë e Piro Mërkurit, këngë që i kushtohej Kol Mërkurit dhe që kishte vargjet:Brenda Vlorës së flamurit/U hodh shorti i betimit/Mes tyre Kolë Mërkuri/Shoqata e dha vendimin. Realisht kjo këngë  doli pas 15 gushtit 2020 kur Kolë Mërkuri u dekorua me “Dekoratën  e Artë të Shqiponjës”, por mua më ngeli në mëndje  që edhe këtu citohej “shorti i betimit” i përafërt me “Shorti i burrraave me besë”. E lexova, por sipas zakonit tim, doja të bëja konfirmimin me dokumenta dhe burime të tjera, ndajë heshta.

II-Rasti e pruri që në ditën e dytë të  Festivalit të “Netëve të Bejkës së Bardhë” të takoj në Pilur Piro Mërkurin, i cili kishte ardhur nga Selaniku për të marë pjesë në Festival bashkë me të shoqën Ermioni Mërkurin. Ishte data 06 Qershor 2021 dhe po gatiteshim të zhvillonim promovimin e disa librave të autorëve të Bashkisë së Himarës dhe Piro ishte ulur bashkë me mua, duke patur në mes nesh Prof. Bardhosh Gaçe. Aty e pyeta Piron së se ka burime të tjera për këtë fakt, veç bisedave dhe kujtimeve të njerëzve tanë dhe disa pilurjotëve të moshuar.

_Kam unë- ndërhyri Prof. Bardhosh Gaçe- pse nuk e di ti? Shoqata nuk donte ta linte të shkonte Avni Rustemi në Paris, sepse Avniu duhej më shumë në Luftën e Vlorës, ku influenca e tij si kryetar i “Bashkimit” do shtonte rradhët e luftëtarëve.

Biseda rrodhi lirshëm: Duke qënë se shoqata “Bashkimi” nuk donte të linte Avni Rustemin të nisej, atëherë u vendos që të hidhej me shoërt kush do kryente atentatin. Takimi u bë në shtëpin e Ymer Radhimës në Vlorë dhe në takim morrën pjesë Halim Xhelo, Muharem Havari, Myqerem Hamzaraj, Nase Beni, Ramadan Armeni, Kolë Mërkuri, Balil Mete Pelari dhe sigurisht Avni Rustemi. Aty u seleksionuan kandidaturat, psh u përjashtua Nase Beni megjithëse ishte mjeshtër i përdorimit të armëve, sepse do niste lufta dhe ai do  komandonte çetën e përbashkët të Himarës (Vuno, Dhërmi) bashkë me luftëtarët e tij të lumit të Vlorës. Kështu pra, pas seleksionimit, u hodh shorti me letër me vrimë mes Avni Rustemit, Kolë Mërkurit dhe  Balil Mete Pelari dhe fati kishte caktuar Avni Rustemin, të cilit i ra shorti.

-Këto të dhëna –shtoi Prof. Bardhoshi ndodhen te ditari i Mihal Peço Dokos, që e ka i biri dhe do të ti vë në dispozicion.

Biseda u ndërpre sepse filloi promovimi i librave dhe Prof. ishte ndër të parët që do fliste.

I solla këto të dhëna vetëm me një qëllim, kundërshtimin e tezës që quan “akt tërorrist” atentatin e Avni Rustemit pasi ai ishte mbështetur në një vendim si atentat dhe në një përzgjedhje si atentator dhe kishte një motiv atdhetar si akt.Madje poeti Lefter Çipa flet edhe për dy shoqërues “konspirativë” të Avni Rustemit dhe citon edhe emrat e tyre, por mqse nuk kam gjetur konfirmime të dyta, burimore, nuk mund të shprehem.

Ndërsa për burimet financiare të udhëtimit të Avni Rustemit, duke kundërshtuar totalisht fjalët se u financua nga njëri prej bejlerëve të Libohovës, do flasim në një rast tjetër të afërt.

Sarandë, më 14 .06.2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora