Kulturë
Mehmet Kraja: Dijet dhe studimet albanologjike kanë të ardhme
E diele, 27.06.2021, 05:57 PM
FJALE E MBAJTUR NE INSTITUTIN ALBANOLOGJIK ME RASTIN E HAPJES SE “JAVES SE ALBANOLOGJISE”
Nga
Mehmet Kraja
Të
nderuar miq, gjuhëtarë dhe studiues të të gjitha fushave të studimeve
albanologjike, pjesëmarrës të “Javës së Albanologjisë”
Ndonëse
jo gjithnjë në vëmendje të opinionit, me një këmbëngulje dhe idealizëm gati të
pashembullt, të nderuar miq, ju keni arritur të mbani për më shumë se dhjetë
vjet radhazi një aktivitet shkencor, “Javën e Albanologjisë”, e cila nuk është
vlerësuar sa duhet nga opinioni i gjerë, por as nga vendimmarrësit e
rëndësishëm të jetës shkencore dhe kulturore në Kosovën e këtyre viteve.
Natyrisht
që kjo rrethanë nuk duhet të na befasojë, sepse në këtë periudhë të vështirë të
transicionit nuk janë të shumtë njerëzit që gjykojnë drejtë për prioritetet
tona rreth nevojave identitare.
Por
nuk është vetëm kjo.
Më
lejonit të them me këtë rast, pa ekuivokë, se historia e Kosovës është histori
identiteti dhe dijet albanologjike zënë vend të rëndësishëm në këtë identitet,
ose, thënë më mirë, janë të përfshira në tërësinë e tyre.
Instituti
Albanologjik i Prishtinës, në këtë kuadër, që shumë dekada është ngritur në
simbol të dijeve albanologjike dhe të historisë identitare të Kosovës. Si
institucioni më jetëgjatë i albanologjisë në Kosovë, bashkë me Katedrën e
Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe më pas të
Filologjisë, si dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,
Instituti Albanologjik është konsideruar gjithnjë si bartës fondamental i
studimeve albanologjike në Kosovë dhe të tre këto institucione së bashku e kanë
bërë Prishtinën njërën nga dy qendrat më të rëndësishme të studimeve
albanologjike në botë.
Të
gjithë jemi dëshmitarë se Instituti Albanologjik i Prishtinës ka përjetuar po
atë që ka përjetuar edhe vetë Kosova në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në
deceniet e para të shekullit XXI: themelim, mbyllje, pushtim, rihapje,
ringritje dhe triumf përfundimtar mbi të gjitha ndalesat, robërimin dhe
kufizimet e mendimit identitar.
Me
pavarësinë e Kosovës shumë njerëz kanë menduar dhe vazhdojnë të mendojnë tashmë
se ka përfunduar epoka identitare dhe se tani kemi hyrë në një fazë tjetër, në
periudhën e globalizmit dhe të komunikimit kontemporan.
Pa
e mohuar vlerën asnjë agjende moderniteti, më lejoni ta konsideroj të gabuar
një qasje të këtillë, sepse, sikundër mund ta vërejmë, jo vetëm pse pas
euforisë së globalizmit shihet në horizont një rikthim në dijet identitare, por
në të vërtetë kulturat e avancuara as që e kanë braktisur atë ndonjëherë.
Ç’është
e vërteta, nën trysninë e vazhdueshme të modernitetit dhe të shkencave të
aplikuara, aktualisht dijet albanologjike po përjetojnë një anashkalim, për të
mos thënë nënçmim shoqëror, kulturor dhe institucional dhe se interesimi për
këto shkenca dhe dije vjen duke u zbehur dita ditës.
Por,
më anë tjetër, pavarësisht nga kjo rrethanë e pafavorshme, studiuesit e
albanologjisë duhet t’i avancojnë dhe t’i perfeksionojnë metodat e studimit,
t’iu përgjigjen sfidave të kohës, ndonëse në hapësirën e albanologjisë, si në
të gjitha fushat e studimeve të kësaj natyre, mund të veprojnë njëkohësisht, ta
zëmë, edhe gjuhësia historike, krahasimtare, strukturale, gjenerative,
kompjuterike, po edhe ajo e zbatuar.
Të
nderuar miq,
Vetë
fakti se ne jemi këtu, në një numër kaq të madh dhe me një numër prej 85
kumtesash dhe ligjërimesh, që do të prezantohen në këtë javë të albanologjisë,
flet qartë se dijet dhe studimet albanologjike kanë të ardhme.
Sukses!
https://www.facebook.com/mehmet.kraja