Kulturë
Anastas Kostandini: Një portret real e ikonik i Skënderbeut nga Belini me rrezatim hyjnor
E diele, 27.06.2021, 06:00 PM
Një portret real e
ikonik i Skënderbeut nga Belini me rrezatim hyjnor
Letër e Mjeshtrit Anastas Kostandini, Taso, për Z. Fotaq Andrea
Përshëndetje
i dashur Fotaq!
Studimin
tuaj të gjatë dhe fort të dendur me informacione dhe fakte e lexova disa herë.
Jeni kuturisur me zotësi në labirinthe të mugëta të historisë mbi Kryeheroin
tonë kombëtar. Është nga ana juaj një
analizë e gjithanëshme e trajtimit të tablosë, për të cilën është kushtuar me
të drejtë gjithë ai studim, që më në fund ka dhe përfundimin tuaj të sigurt jo
vetëm për autorësine e pikturës, por dhe për zanafillën e Ikonografisë
Skënderbejane.
Jam
impresionuar nga bukuria e fortë e fytyrës në profil të Skënderbeut të
pikturuar nga i madhi piktor venecian Gentile Bellini, jeta e të cilit përkon
me bashkëkohësinë e Skënderbeut, kur duket se piktori i ri në moshë, por edhe
fort i njohur për epokën, na sjell portretin real të të madhit Skënderbe.
Në
dy portretet që më dërgove (Belinin dhe Altisimon) për të krahësuar
natyralitetin piktural, vë re së pari, vitet e largëta të realizimit të tyre
nga njëri te tjetri. Skënderbeu i Belinit shfaqet qartë si vepër e këtij
vizatuesi virtuoz, që rëfehet po aq fuqishëm edhe në vizatimin kushtuar
Epirotit Petro Bua Spada. Qartësia e të lexuarit të së vërtetës në raport
direkt me natyrën është këtu marrëdhënia me të cilën Belini krijon artin e
lartë. Kjo shfaqet edhe në të tjera vizatime, studime dhe skicime të tij, që më
bëjnë të mendoj për shtegun përmes të cilit ai i ushqen me jetë pikturat e
veta, gjë që shprehet shumë qartë edhe tek portreti i tij për Skënderbeun.
Ajo
që së pari më bëri përshtypje te ky portret është ngjyra e kuqe si rubin dhe e
shkrifët porsi flaka e zjarrit teksa
përdridhet në reflekset dhe ondulimet e veta. Gjithë fytyra bie e qetësohet mbi
një sfond të zi e të errët si llahtari i epokës kur Orienti po tmerronte
Perëndimin e krishterë. Ky raport kryesor ngjyror nuk duket aq natyralist se sa
simbolik dhe prag pikëpamjeje në të vështruarit e modelit prej vetë piktorit
Gentile.
Së
pari, ai ka pikturuar një përfaqësues legjendar të rezistencës së krishterë nën
simbolikën e flamurit Arbëror , flamur i dalë prej dy perandorive të krishtera
. Ndjehet shumë afër shija e helmet dhe tragjike e rënies së Kostandinopojës
dhe simbolit të lartë të saj, kishës së Shën Sofisë.
Tipar
origjinal i penelit të Bellinit duket se është
teknika e sfumaturës, që me sa duket, kishte filluar të çonte pikturën
në pikën kulmore të Rilindjes së lartë italiane.
Pikërisht,
te ky portret shonim se si pasqyrohet koloristika dhe si modelohet forma prej ngjyrave përbërëse dhe
të kursyera. Vetëm mjeshtëria e jashtëzakonëshme e vëzhguesit për të arritur
cilësitë e portretit në fjalë e krijon gjithë atë mister me shumë pak ngjyra.
Brenda dy raporteve kryesore ngjyrore ka dhe një tjetër ngjyrë pa të cilën
piktura, apo portreti nuk do ishte asgjë, dhe për më tepër nuk do ishte
pikturë. Fjala është për të bardhën e nënkësulës me të kuqen alle, që ndan
fytyrën. Po kështu, është edhe mjekra, përgjithësisht e bardhë, kur e krahason
me portretin e piktorit Altisimo, që qëndrojnë shumë larg njëra-tjetrës: ajo e
Belinit është mjekër e shkrifët, “e mëndafshtë”, siç e ke cilësuar ti, dhe ajo
e Altisimos, është mjekër si e shtëllungët.
Vërehet
dukshëm se drita është e orientuar nga lart, si të ishte një rreze dërguar nga
Zoti, që rigjallëron në mënyrë graduale dhe përhapet ëmbël mbi tiparet fort të
bukura dhe mrekullisht të proporcionuara. Ato tipare të kujtojnë bukurinë e
heronjve klasikë në profilin e hijshëm të skulpturave antike greko-romake, ku
raporti mes tipareve rritet fuqishëm prej ondulimeve gati abstrakte të mjekrës,
që pjesërisht ndriçohet prej rrezes së dritës. Ky moment me kujton paksa edhe portretin
e Moisiut të realizuar një shekull më vonë prej Mikelanxhelos.
Është
e vërtetë që "Shpesh idetë shkojnë më përpara se të dhënat konkrete,
dokumentare apo eksperimentale." Por, te portreti i Belinit, së pari,
është pohuar ideja kryesore e identitetit të fuqishëm të Skënderbeut, shkruar
në mënyrë domethënëse “SCANDER BECO”, dhe së dyti, portreti shfaq të dhëna po
aq të fuqishme ikonike – të dhëna këto esenciale dhe karakterizuese ku
shpaloset pastër tipologjia e plotë e figurës përmes ballit, hundës, syrit dhe
buzës. Këto tipare nuk janë vetëm dokumentare, por dhe të trajtuara në unitet
të plotë me cilësitë e tjera që nuk ka si t’i rrokë syri i lirë. Pra, shfaqet
këtu real e i vërtetë një portret sa karakterial, po aq dhe simbolik.
Përgjithësisht,
për shkak të dimensionit familjar e në format gati miniaturesk, portreti i
Skënderbeut të Belinit karakterizohet edhe nga një ekspresivitet dukshëm më i
madh e superior prej atij tjetrit, të mëvonëshmit, realizuar nga Altisimo.
Peneli është më i lirshëm dhe i pikturuar me një frymë, si të thuash, me
elemente të hershme të impresionizmit. Drita, e organizuar me një platformë
dramaturgjike, si në një skenë teatrore, përqendrohet në zonat e shprehjes së
lart, ku detaji më ekspresiv, më impresionues, veç tërësisë së ballancuar,
është syri i Skënderbeut. Po të krahasohet ky detaj me syrin e portretit tjetër
(të Altisimos) shohim se ai është shumë më i qartë në shprehjen dhe paraqitjen
e anës dramatike, dhe vështrimi i shfaqur në këtë mënyrë pasqyron qetësi
shpirtërore, duke e lartësuar personazhin historik dhe glorioz. Ky tipar i
syrit, që i bie të jetë i djathti nënkupton sigurisht krahun e djathtë të
kryetrimit, në sensin që, megjithëqë është një portret – kokë, prej tij mund të
imagjinojmë fare lehtë edhe shtatin e lartë të Skënderbeut. Prerjet
konvencionale që kanë gjinitë e pikturës, nuk janë kufizime të shprehjes
tërësore të subjekteve. Kjo është arsyeja që portreti si gjini, prej shumë
mjeshtërve dhe studiuesve është quajtur si "gjinia më e lartë dhe më e
vështirë e shprehjes pikturale."
Mizansena
e teatrit psikologjik në fytyrën e Skënderbeut ka aktorët e vet. Ata janë
tiparet, si syri i qashtër dhe profond, hunda me kurriz të lehtë që përfundon
hijshëm në harkimin e vet, balli i gjerë e fort i ndriçuar së brendshmi dhe së
jashtmi. Prerja e këtij balli prej kësulës gjak të kuqe duket sikur, veç të
tjerash, forcon dramatikisht dritën ballore edhe për efekt kontrasti, por edhe
nxeh, si në një furrë zjarri, mendimin e trazuar se tash kësula nuk është
thjesht një rrobë apo një veshje indiferente.
Pjesa
temporale mes ballit dhe veshit, ndryshe prej portretit tjetër të Altisimos,
ndahet me një shkallëzim dritë - hije. Pikërisht, kjo zonë e portretit bën
dallimin esencial mes dy këtyre shprehjeve. Nën-temporalja vazhdon me
zikomatikun, që i bie të jetë në qendër të portretit. Krahasimi i vazhdueshëm mes portreteve në
këtë rast është dukshëm i ndryshëm dhe tregon "origjinalin" prej
"jo origjinalit", dmth : atij që është bërë ndoshta drejtpërsëdrejti
me penel në një kohë më të shkurtër. Ose pastaj, mund të ketë ndodhur që
portreti të jetë pikturuar indirekt, pra, jo drejtpërdrejt nga natyra. Veçse,
kategorikisht jo nga fantazia apo nga kujtesa vizive. Me siguri që në këtë
rast, duhet detyrimisht të jetë përdorur një vizatim, një skicim i bërë prej
mjeshtrit drejtpërdrejt nga natyra, kur vetë Skënderbeu ka pozuar për disa
çaste gjatë vizitës së tij në Venedik.
Tiparet
e tjera shfaqen gjysmë të fshehura, si veshi, deri diku buza, nofulla e
poshtme, që nënkuptohet poshtë ondulimeve si rrëke ujrash të furishme të
mustaqeve dhe mjekrës që humbet poshtë, në misterin trupor. Tjetër zonë me
rëndësi, por e padukshme për shkak të errësirës, është edhe pjesa e
oksipitalit, ku përfundon kësula e kuqe e mbikrehës.
Shkallëzimi
jashtëzakonisht mjeshtëror i dritës në këtë portret bëhet sipas një principi jo
thjesht luminoz, por dhe për arsye konstruktive, që përcaktojnë veçorinë
individuale. Pra, nëse drita është përkthyer në ngjyrë, po ajo, pra drita,
përkthehet bukur edhe në formë. Portreti ndriçohet në mes të kuadrit dhe humbet
rreth e rrotull në të katër brinjët e kuadrit. Kështu, portreti nënvizon një
vizion universal si një vegim të vetë globit tokësor mes hapësirës jo
materiale.
Ky
portret që ka krijuar Belini, mendoj se ështe zanafilla e gjithë shprehjeve të
mëvonëshme dhe të panumurta rreth figurës së Skënderbeut. Nuk ka dyshim që
portretet e tjera janë gjithashtu shumë mjeshtërore por, na duhet të
nënvizojmë, se rrjedhin prej një origjinali të vetëm, pra, prej kësaj pikture
në format të vogël që i atribuohet me të drejtë
Gentile Belinit madhështor pas një studimi të plotë të dy autorëve Andrea
dhe Muka. Të gjitha portretet dhe figuralet e tjera skënderbejane, përfshirë
këtu edhe portretin krahasues të Altisimos, kanë, kush më shumë e kush më pak
embrionin ikonografik të pikturës gentiliane.
Tek
portreti i Altisimos ndjehet një afërsi e madhe imituese kundrejt këtij
origjinali të Belinit, por edhe portreteve të mëparshme të Skënderbeut. Ndjehet
gjithashtu edhe njëfarë korigjimi piktural, madje më i kujdesshëm në
përkryerjen formale të dritës, formës, proporcioneve dhe rafinimit të detajeve.
Megjithëkëto, portreti i Altisimos , ndjehet që është më i ftohtë dhe më
zyrtar, ndoshta dhe në formatin e zgjedhur. Ky portret që ndodhet në Galerinë e
famshme Uffici, duhet të jetë një porosi dhe veneracion ndaj kujtimit të
Skënderbeut, vdekur kohë më parë kur Altisimo realizoi portretin e tij. Pra,
unë e besoj atë që ju thoni për zbulimin e fytyrës së vërtetë të Kalorësit dhe
Atletit të Krishtërimit. Shkrimi juaj pasionant është i freskët dhe plot dituri
e vëzhgime të shumta. Është mjaft terheqës dhe ndikues në rendjen e madhe të
Shqiptarëve për të ringritur nga hiri historinë në faqen më të lavdishme të
tyre, epokën Skënderbejane, epokë që përjetësisht do të quhet shtylla
vertebrore e kombit tonë.
Opinioni
im mund të jetë i kufizuar, apo një shprehje e nuhatjes time artistike dhe
patriotike. Përmes zbulimit tuaj mbi këtë ikonë të qyteterimit europian, jam
thellësisht i frymëzuar nga një zjarr i ri i dijes, që më vjen si dhuratë prej
larg dhe po aq afër. Vjen prej gjenialitetit të penës tënde, i dashur Fotaq.
Për këtë, të falënderoj nga zemra.
Edhe
unë jam një kronikan artistik mbi figurën skënderbejane. Vazhdoj të punoj
përditë me mendje, penel dhe daltë ksilografie, që të them dicka nga pozitat e kohëve që jetojmë mbi temën e
madhe identitare dhe shumë aktuale, temën skënderbejane.
Të
përqafoj, i dashur Fotaq. Të uroj familjarisht shëndet dhe pasion jetëdhenes.
Ti tash ke endur gobelinën magjike të shqiptarëve aty, mu në zemër të Europës
sonë.
Taso.
Pogradec, 15 qershor 20215
________
1000 falënderime nga
zemra, i dashur Taso
Nga
Fotaq Andrea
E
falënderojmë publikisht nga zemra mikun tonë të dashur Anastas Kostandini
(Taso), Mjeshtrin piktor poradecar që di aq bukur të pikturojë edhe me fjalë,
po aq mirë sa me penel, duke i bërë portretit të Skënderbeut të Belinit një
analizë të përkryer, të thellë, plot argumente bindëse, të nxjerra qoftë nga
përvoja e tij e gjatë dhe e pasur si piktor i përplotë, që i ka rrahur me
sukses të gjitha gjinitë e pikturës, qoftë nga erudicioni i tij i gjerë e i
thellë, që e njeh historinë e pikturës - klasike dhe moderne - me themel dhe që
e ka ushtruar MJESHTËRISHT artin e pikturës, me dhjetëra vepra të shitura anë e
mbanë Europës e botës, në ekspozitat e shumta që ka hapur për dekada me radhë.
Taso
është po ashtu i njohur si bashkautor i mozaikut “Shqipëria”, realizuar mbi
fasadën e Muzeut Kombëtar Historik.
Është
Njeriu artist (me Nj të madhe), Njeriu i penelit sa të ëmbël aq edhe të
zhërvjelltë e të harmonishëm, me kompozime të fuqishme të temave të mëdha
historike të popullit tonë, por edhe me tablo romantike, realiste,
ekspresioniste e impresioniste, ku shfaqet herë-herë edhe një abstraksion lirik
e gjeometrik, me forcë shprehëse, me përthyerje të befta të linjave e
ravijëzimeve të pafunda që fshehin e mbartin në vetvete sensibilitet të lartë
artistik, e mbi të gjitha thjeshtësi, përkorë karakteri dhe shumë shumë dashuri
njerëzore.
Anastas
Kostandini, Furia skënderbejane, vaj, 1968.
Që
14 vjeç, kur gjyshja i dhuroi një seri bojërash, Taso rrëmben penelin dhe
realizon tablo për një sulm të furishëm të Skënderbeut mbi osmanët, duke e
vendosur në qendër Kryeheroin shqiptar me veladon shpalosur ere, si në flamur
që prin drejt fitoresh dhe me krahun e fuqishëm të Heroit që dërrmon hordhinë
pushtuese. Eshtë sërish po aq i ri në moshë kur Taso realizon edhe bocetin e
parë me portretin e Skënderbeut, Kryepersonazhit të tij artistik që nuk do t’i ndahet një çast për
mbi 60 vjet me radhë, që nga fundi i viteve ’60 e deri sot, duke krijuar një
fond të pasur me rreth 100 vepra e ilustrime artistike për figurën e
Skënderbeut.
Fjala
e tij, kompetenca e tij e fuqishme për zbërthimin psikologjik e artistik të
Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut është për ne
një fjalë e artë, një stoli më shumë që
i shtohet analizës sonë për portretin real e autentik të Skënderbeut nga i
Madhi Gjeni i Artit të Rilindjes Europiane Gentile Bellinit.
Edhe
një herë faleminderit Taso, miku im i hershëm e i shtrenjtë.
Fotaq
Strasbourg, 27 qershor 2021
Anastas
Kostandini, bocet i Skënderbeut, në fillim të viteve 1970