E hene, 09.12.2024, 01:51 PM (GMT)

Kulturë

Rrahim Sadiku: Zërat e kumtit poetik e njerëzor

E enjte, 01.07.2021, 06:11 PM


ZËRAT E KUMTIT POETIK E NJERËZOR

Prend Buzhala “Zërat jashtë vetvetes”, tregime me pak fjalë, SHB “Lena”, Prishtinë, 2021

Shkruan: Rrahim SADIKU

Përmbledhja ”Zërat jashtë vetvetes”, shikuar nga këndi kritik dhe nga këndqëndrimi krijues i Prend Buzhalës, është thirrje dhe grishje e vazhdueshme për krijim poetik, frymëzim që shtohet pa ndalur dhe imagjinatë pa fund. Kjo thirrje jehon në të gjitha rrjedhat e kësaj krijimtarie dhe shoqëron të gjitha ndryshimet, si ato që ndodhin në brendinë e në jashtësinë e poetit, ashtu edhe në botën rreth tij.

Koha e rrëfimit

Të titulluara si rrëfime jashtë vetvetes dhe të thëna me pak fjalë, këto proza poetike flasin shumë, shkojnë larg nga e zakonshmja dhe janë të tëra si një det me shumë kaltri e me plot fshehtësi. Nisin nga mungesa e lirisë dhe nga absurdi, për të hulumtuar në kafazin e universit, sidomos të kësaj pjese të tij, që quhet tokë, brenda së cilës përpëliten, zhvillohen e psherëtijnë miliarda jetë njerëzore. Vazhdon kështu ajo përralla e përheshme e jetës, përshkuar nga madhështia e çastit e nga gjatësia e kalimit nëpër vuajtje. Çasti dhe e amshueshmja mundin prozaikën, shpalosin terrin e dritën, tregojnë për botën “flakë e rrëmujë”. Kjo gjendje hap dyert e imagjinatës dhe mundëson udhëtimin “ku s’kishte asnjë rrugë”. Ecja asaj rruge ka qëllim njohjen dhe bëhet pikësynim. Është caku. E për të arritur atje hapet gjithnjë “një shteg i ri”. Ky shteg e shpie poetin te fjala, e cila përcjell kumtin dhe shkund edhe “turmën pa tru”, për të cilën, historikisht, “fjalët nuk thonë asgjë”. Megjithë pakuptimin e shpesht të të jetuarit, ëndrra e jetës zhvillohet, e padeshifrueshme dhe e mbarsur me dhembjen e vuajtjen në të gjitha kohët, si në lashtësi, ashtu edhe në epokën digjitale. Gjithnjë duke ikur e duke ardhur te rrëfimi, sepse “pa njerëzit nuk ka rrëfim”. Hyhet e udhëtohet kështu në shtjellën kohë, ku me ikjen e jetës e gjitha humbet “sa hap e mbyll sytë”. Kjo humbje, e cila sikur thot se “dita këndej nuk e ka përjetuar agun”, bëhet pjesë e errësirës dhe poetit i kujton ditët “kur mi lidhnin duart dhe linin gjurmë plagësh”.  Megjithatë, duket sikur njeriu ka “të drejtë vetëm për rrëfimin e fundit”.

Gjurmët e mungesës

Në tablot poetike, që krijon Prend Buzhala, gjithnjë vazhdon kërkimi dhe shtyrja e tij me mungesën. Ky kërkim dhe kjo shtyrje bëhen edhe kuptimi i fjalës poetike, me shumë brendi jetësore. Madje, mu te mungesa “shpërthenin valë lëkundjesh të forta”, sepse mungesa mund të jetë edhe mundësi. Kjo mundësi shtyn drejt përballjeve me të kaluarën, kthimin në vendlindje, ku asgjë s’është më si ishte dikur, ku janë ndërruar gjeneratat e kanë ndryshuar fatet. Kjo e shtyn të ndjehet si anije në det të trazuar, pa mundur të lëshojë ndokund spirancën. Në këto përpëlitje ballafoqen edhe e mira me të ligën, ujku e luani i bardhë dhe piktori. Në këtë përballje del mungesa e re, ajo e qetësisë. Dhe ajo e mungesës së plotnisë së jetës. Kjo mungesë sikur paloset shumëfish me vitet e shkuara. Për t’u shndërruar e gjitha në “tragjedikomedi planetare. Kjo mungesë mundësie ka bazë ndryshimin, i cili pa u ndalur shkakton krijime dhe shkatërrime nëpër kosmos.

Ballafaqimi me ikjen

Në të gjitha rrëfimet e kësaj përmbledhjeje, uni krijues i poetit është identifikuar me rrëfimtarin. Ky rrëfimtar i është më afër se vetja poetike dhe shkrihet me të menduarit e të imagjinuarit e tij. Kudo nxjerr kokë ikja. Ikja e rinisë, iluzuoneve, jetës. Ikja sikur është indi i jetës, e cila “shfaqet dhe ikën shpejt e shpejt, si një vesë”. Prandaj jeta bëhet edhe si ikje e pranueshme, sepse “ishte koha të ndahej nga kjo botë”. Fatkeqësisht, rrugët e ikjes janë të shumta dhe ato shpesh nisin nga ligësia, nga punët e këqija, nga epshet e nga keqpërdorimi i të tjerëve dhe i vetes. Takohemi me falin e ikjes dhe ikjen nga faji. Del se “vetëm gurët nuk kemi sesi t’i shpallim fajtorë”. Ikja bëhet edhe vrimë e shpirtit, dëshirë për të mos qenë pjesë e krimit. Ikja bëhet edhe pa lëvizur, edhe pa dashur, edhe nga mospranimi dhe mosdurimi i të vërtetës. Janë edhe shumë ikje që në themel e kanë shpresën, shpresën për të gjetur dhomën e lumturisë. Janë edhe ikjet mistike, ikjet imagjinatës dhe ikjet e dëshiruara, për të cilat poeti sikur ka caktuar “dhomën e vajtimit të heshtur”, ku përpëlitet shpirti njerëzor.

Vizioni i dritës

Kërkimi poetik dhe e veçanta e etjes për njohje e shtyjnë poetin të shohë botën e dritës dhe të errësirës, duke mbetur gjithnjë në kërkim të bukurisë e në dënim të shëmtisë, duke qenë gjithnjë i lidhur ngusht me vizionin e shpirtrores dhe ndritshmërisë. Kjo etje pandalshme për dritën dhe dritësimin e shtynë atë të thotë: “ndieja një zgjim për së brendshmi, po zgjohesha nga ëndrra e nga përralla, një lëvizje brenda vetes, një thyerje të re iluzioni…” Si dritësim vjen edhe luftëtari nga një pergamenë e vjetës, i cili “ringjallet e ngjallet dhe ju vjen te çasti më i lig.”

Duke ndjekur vizionin e dritës, autori nuk është romantik, madje në një rast thot: “Isha i lumtur që u çlirua gjithçka e bukur”. Pra dritësimi vjen edhe si kuptim i realitetit, si mohim i urrejtjes dhe si shpresë për gjetjen e rrugës së drejtë. “Gjithnjë e kam menduar veten si një shkëmb” – thot me një rast ai. Duke shikuar nga shkëmbi, ai mendon se jeta i ngjet një oqeani. Një bote oqeanike, që sjell shumë kumte poetike.

Shoqërimi me heshtjen

Frymëzuese për poetin është bota e heshtjes. E asaj heshtjeje që flet më shumë se fjalët e që hapet shpirtit thellë, shndërruar në gjakim. Ajo vjen si nevojë për të bisdeduar me vetën, për të analizuar botën dhe si reagim ndaj moskuptimit dhe keqdashësisë njerëzore. Vjen momenti kur heshtja të bëhet vete e dytë, atëherë kur njeriu mund “të jetë i lirë nga fjalët, nga zjarret e nga turmat”. Dhe atëherë vjen edhe qetësia, sepse “heshtja nuk ka kujt t’i rrëfejë histori e kallzime”. Heshtja mund mundimet e kota, duke sjellë qetësinë frymëzuese e duke hapur rrugët e mendjes. Ajo e ushqen meditimin, mbushëson rrëfimin dhe sjell krahasimin ashtu që “bota iu ngjet luleve”, pra mundëson që “mendimet të marrin rrjedhë të pafund”. Mundëson shlodhjen dhe nisjen kërkimit të vazhdueshëm, edhe të ri, poetik.

Përsosmëria e lirisë

Njeriu lind me gjakimin për lirinë, po edhe me etjen për të sunduar të tjerët, për të bërë pronë të veten edhe atë që nuk i përket. Kështu, njeriu i lindur për të jetuar i lirë, shkon shpesh e bëhet humbës i lirisë, lirisë personale e të të tjerëve. Ky dualizëm madhor, brenda qenies njerëzore bëhet shkak i dyshimit, artistik e njerëzor. Poetin e mundon humbja e kuptimit të lirisë në botën që e rrethon dhe etja për përsosmërinë e saj, të ëndërruar, nuk e lë të qetë. Ajo e shtyn të kërkojë e mundohet ta bind brendinë dhe jashtësinë e tij se liria është e pranishme dhe e thellë në botën njerëzore. Rrugës së kërkimi të lirisë së përsosur ai “i therr muajt, vitet, ditët”.   
Bindet se nuk mund të ketë liri aty ku drejtësia e ligji humbin kuptimin.  Detyrohet të mendojë për vdekjen e drejtësisë. Gjatë meditimeve bindet dhe thot: “e paskam gabuar kohën”. Vuan për lirinë, për humbjen e shpeshtë të përsosmërisë së saj. Kështu shohim në një pamje tjetër të personazhin e rrëfimeve. Ky personazh, pa emër dhe pothuaj i padukshëm, është vetja artistike e poetit. Kjo vete e dytë e njeh botën thellë, sidomos botën e zhgënjmit, po nuk do të pajtohet me këtë dhe shton: “do ta lus autorin të më paraqesë ashtu si dua unë e jo siç do ai”.

Brenda vetvetes

Madhështia e kërkimit brenda vetes është poetika më e realizuar e jetës dhe për jetën, sikur na thot vazhdueshëm Prendi. Këtë kërkim ai e lidh edhe me të zakonshmën, me një ditë pushimi me gruan, buzë lumit: “Ç’po më trazon ky lumë, me këtë zhurmë të mbytur, të rëndë, si frymëmarrja ime”. Ky trazim e shoqëron gjatë kthimit në shtëpi dhe ditëve në vazhdim, kujtimeve për kohën e luftës e për kohën e paqes dhe e ballafaqon me besimin e me mosbesimin, ia ngjall trazimin e shpirtit dhe mendjes. Shpesh ai “u përpoq të kujtonte vogëlsinë dhe madhështinë e tij të dikurshme”. Ndryrë e hapur brenda vetes “shkruante e secilin rrëfim e lagte me pikën e lotit” dhe sikufr dehej nga “kujtesa e së bukurës”, po edhe vuante nga ajo se “gjithnjë ishte shoqëruar me një litar”. Vuajtje janë edhe rrëfimet për burgun, për dyshimin pa pasur arsye të dyshonin në të, për peshën e fajit të pabërë dhe për vetminë. Brendisë së tij endet kjo botë e mashtrimit dhe e pajetuar dhe dyshimi për të mundësuar përjetimin e botës së amshuar. Sikur dëgjohet nga ajo brendi pohimi “po më duket se u takoj të dy botëve”. E “hijet enden nëpër rrugë”. Kurse atij i duhet të pranojë se “e kishte lodhur jeta: shtëpitë po mbeten shkret pa të rinjtë që po ikin jashtë, arat pa u mbjellë, pa u kujdesur kush për to”. Kështu hapen edhe plagët e jetës, ardhja e pleqërisë, përballjet me botën që merr shumë e jep pak dhe me një ëndërr që përbirohet vuajtjeve e shpresave.

Botë imagjinate

Gjithnjë e pranishme dhe shumë e largët, më e pakapshme se ëndrra, brenda këtyre tregimeve (me pak fjalë) shtrihet bota e imagjinatës poetike. Edhe realiteti, qoftë joshës apo trishtues, bashkëjeton me imagjinatën, kur “ta ofron kënqësinë e pamjes së një bisku të rrezes së diellit që bie mbi vesë dhe si e kundron atë, nuk ta ofrojnë njerëzit, madje as miqtë e ngushtë”. Shton “te e fundit, ekziston romantika e përjetshme e shpirtit”, “si kjo qartësi natyre e qielli, me kaq mister kozmik e krijues”. Dhe kësaj bote imagjinate i shtohet fiksimi për fyellin e humbur dikur, të cilin e kërkon dhe e kërkon gjatë gjithë jetës, sepse donte “pikërisht Fyellin e Humbur”. Ashtu si donte edhe “dashurinë e humbur në rini”. Të gjitha bëhen shtytje drejt cakut, për të treguar “se jam gjallë”. Po edhe kjo nuk e ngushëllon, sepse bota që ka përpara nuk e mundëson të përcaktojë në “ishte takim lamtumire apo takim fatal” ky. Por, për fatalitet sikur i fliste ajo “turma tek kalonte pranë tij indiferente”.

Si përmbyllje

Vijmë kështu deri te fundi i një bashkëudhëtimi krijim-lexim- mendim me veprën "Zërat jashtë vetvetes” të Prend Buzhalës. Nuk themi se e kemi shpalosur të gjithë, nuk themi se e kemi përimtuar të gjithën, nuk themi se kemi njohur të gjitha shtresimet artistike, medidative e imagjinative, brenda saj. Sepse kjo vepër, si veprat tjera të Prendit, ka shumësi teksti e nënteksti, figura e fjalëformime që mund të kuptohen shumëdimensionalisht e të përimtohen vazhdimisht. Kemi aty një imagjinatë të bujshme, një njohje të thelllë e të gjërë të krijimit, një botë shpirtërore plot pasuri që duken e që mund të duken, gjatë leximit. Kemi, mbi të gjitha, përvojën e shkrimit dhe pendën e palodhshme, që shoqëron mendjen shumë pjellore e gjithnjë krijuese, të këtij autori.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora