Kulturë
Shaban Arifaj: Shtjellimi i romanit “Zogjtë e qyqes”, i ngjan një filmi artistik
E marte, 06.07.2021, 06:29 PM
Shtjellimi i romanit “Zogjtë e qyqes”, i ngjan një filmi artistik
Nga
Shaban Arifaj, shkrimtar
Krijimtaria
letrare e Gani Mehmetaj, ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të
shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të
magjeps me rrjedhshmërinë, aq të vendos në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke
lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pa shkëputshme. Së fundmi me
romanin “Zogjtë e Qyqes”, Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të
paraqesë një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë krejt të veçantë.
Përmes gojës së kolonit serb, të cilin e paraqet në vetën e parë, ai arrin të
vijëzojë tërë vrazhdësinë e kohës me copëza romantike dhe reale jetësore të
kohës. Kolonët vijnë e shkojnë, por nuk mund të lëshojnë rrënjë në tokë të
huaj. Privilegjet ndaj tyre janë të kota, sepse as qyqja në folenë e huaj, nuk
mund të zërë vend.
Nga
ana tjetër, dromcat e dashurisë të paraqitura me besnikëri nga shkrimtari,
paraqesin jetën reale të kohës, po megjithatë si raste më të rralla, të cilat
realisht kanë ndodhur sipas parimit: “dashuria nuk njeh kufij e racë”.
Kështu,
shtjellimi i ngjarjes së romanit i ngjan një filmi artistik të metrazhit të
gjatë, me të gjitha tatpjetat e kohës, të paraqitura me besnikëri. Ganiu e
shtjellon aq rrjedhshëm ngjarjen, saqë lexuesi thellohet fuqishëm në brendinë e
saj, dhe imagjinon vetën e tij si pjesë të romanit.
Ganiu
ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij,
e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadarean të shkrimit prozaik.
Fondi
i fjalëve, prej të cilave disa edhe nga rrënjët e gjuhës sonë të bukur shqipe,
të cilat koha i ka lënë në harresë, apo janë zëvendësuar me fjalë të huaja,? stilin shprehës të shkrimtarit Mehmetaj e bëjnë me plot
figura stilistike dhe përshkrime jashtëzakonisht të fuqishme. Edhe çmimin
prestigjioz Kadare, e merr me plot meritë për një roman sa historik, aq dhe
dokumentar, por artistik mbi të gjitha.
Ganiu,
me energjinë e tij krijuese letrare e publicistike, shpresoj të na sjellë
krijime të tjera letrare e publicistike, por edhe të dramës, të cilën e ka
lëvruar me po aq sukses, duke dëshmuar se ai është dhe do të mbetet një emër i
shquar në letërsinë dhe publicistikën tonë kombëtare.