Kulturë » Kozeta
Keze Kozeta Zylo: U kujtofsh përgjithmonë Uran Kostreci!
E hene, 12.07.2021, 07:00 PM
U kujtofsh përgjithmonë Uran Kostreci!
Nga Keze Kozeta Zylo
Sot është ndarë nga jeta luftëtari i
Lirisë Uran Kostreci i cili qëndroi i pamposhtur nga diktatura komuniste. Në homazh të tij po
sjelle esenë: “Ai iku me petka të
bardha drejt vdekjes”…, marrë nga
libri “Pabesia” ku pata fatin ta kem dhuratë si kujtim nga vetë autori.
Perëndi ki mëshirë për mua, në fshatin gjysmë të vdekur! U.K.
Sapo merr
në duar librin “Pabesia” me autor mësuesin e persekutuar, per 25 vjet resht
Uran Kostrecin ndjen se mban një gurë të rëndë dhe mezi prêt që ta përfundosh
sa më parë së lexuari, sepse së paku mund të çlirohesh, por në fakt ndodh
krejtësisht e kundërta, je ngarkuar më shumë…
Është një libër që
nuk e mora direkt prej autorit siç ndodh rëndom, por ky liber m’u dha nga mikja
ime, e dashuruara e letërsisë dhe e së bukurës, Valbona Çano, të cilës ja
kishte dhënë vetë autori me shënimin përkatës, ngase nuk kishte pasur mundësi
të më takonte. Ishte një dhuratë që m’u
dha në festën me nxënësit e shkollës shqipe në Diasporë, ishte më shumë se një
inspirim dhe ngacmim për të shkruar për ish mësuesin e persekutuar nga
diktatura, për 25 vjet z.Uran Kostreci.
Autori Kostreci në
këtë libër ka përdorur mjeshtërisht kontrastet e fuqishme midis natyrës dhe
mynxyrës që kishte pllakosur në fshatin me shtëpitë e rrënuara, trarët e nxirë,
muret blozë që kishte lënë lufta e tmerrshme.
Në kontrast me
shkretëtirën e shkrumbuar përshkruhet madhërishem nëna natyrë, e cila me rrezet
e diellit përshkëndit majat e bregoreve, ndërsa muzgu e mbulon ngadalë me
vellon e murrme të shkretëtirës.Flladi i ngrohtë aromatik dhe shushurima e
ujërave të ngjallin një qetësi nostalgjike dhe peizazhi të fal ëmbëlsinë e
çuditshme.
Nëpërmjet krahasimit
të goditur si tyta ogurzeza topi, jepen pemët e goricave që ndodheshin të
shumta në fshat.Autori ka vënë në plan luftën vëllavrasëse që u bë midis
shqiptarëve, luftë që u nxit nga dy kriminelët serbë Miladin Popoviç dhe Dushan
Mugosha, të cilët ishin miq të ngushtë të udhëheqjes komuniste.
Ndërkohë me një
ilustrim të dhimbshëm jepet se si në një familje gjatë luftës ishin të ndarë në
partira dhe për rrjedhojë ndodhte që dhe vëllezërit ishin në luftë për jetë a
vdekje.
Me realizëm të thellë
dhe sarkazëm therrëse janë dhënë dialogjet për sistemin komunist, ku kushëriri
i Radomit, Agroni një i rekrutuar nga komunistët kishte përqafuar idealin
komunist edhe pse Ramoja ballist i fliste se komunizmi në Rusi ka masakruar
miliona njerëz e po aq te tjerë i ka degdisur burgjeve të Siberisë.
Rrëfimi i Radomit në
këtë fillim shekulli duket si baladë rrënqethëse, ku vetëtimat mprehin sqepin
dhe vuajtjet e tyre nga barbarët vazhdojne të enden si mjegulla të përjetshme
bjeshkëve…
Hapat e ish të
vrarëve, të të zhdukurve, të të arratisurve dëgjoheshin të rënda mbi tokën e
zhuritur, ndërsa fytyra e hënës zbardhte si qefin mbi oxhaqet e gjysmë
shtëpive, ku aty-këtu dëgjohej mbytur klithma e vetmuar e ndonjë fëmije, që
dëshmonte se jeta vazhdonte në fshatin gjysmë të vdekur.
Radomi i sapoardhur
nga burgu nuk mund të duronte këtë gjendje të mjerë të fshatit, ai u kthye nga
ferri me një sy të nxjerë dhe me një dorë…
Ai u kthye nga
moçalet e kënetës, nga gardianët e burgut me sy të frikshëm si pika nate, që
mezi prisnin aktin e fundit, ku si nepërka fërshëllenin këngën e vdekjes, dhe
vezët e tyre i linin në fole...Ndërsa i varuri shikonte heshtur me dy pika
gjaku të ngrirë në sy...
Ai kthehet, por
tashmë në shtëpinë e zhuritur nuk e gjen gruan e tij me djalin, Shpresën e
bukur. Atë e kishte martuar i ati me një
burrë që kishte një përbërje politike të lartë.
Drama e familjes të
gërryen shpirtin dhe nga ofshamat e lexuesve duket sikur shkretëtira e shtepive
mbushet me banderola resh gati për t’u kthyer në shi...
Në honet e thella
diku në qendër të fshatit, mullinjte e zinj vazhdojnë të bluajnë cicërrima dhe
kocka të vdekurish, ku përroi i egërsuar i rrëmbyer i ngatërron nëpër myshqe të
ndryshkura.
Dialogu i Radomit me
xhaxhanë e tij Qazon në dyqanin e tij “Mballomatar” dukej nje dialog me
rrënkime, ku zogjtë trëmbeshin nga dallga dhe degët e thara të goricave plakë,
që ishin thinjur nga durimi i tejskajshëm i ardhjes së Radomit e shumë e shumë
të tjerëve.
Tragjike ishte kur
xhaxhai i Radomit mori vesh vdekjen e të birit shkaktuar nga pabesia e Axhemit
një ish mikut të tyre.
Ai nuk e duroi dot
torturën kur i hidhnin këlbaza në fytyrë në burg, ndaj ai i dha fund vehtes
duke ikur me petka të bardha drejt vdekjes.
I ati lëshoi një
klithmë të mprehtë sikur të ishte goditur nga plumbat për vdekje.
Mbas pak Radomi më shumë
për të përmendur plakun nga përhumbja, e preku atë lehtas me bërryl, e pyeti
për bashkëshorten e tij dhe djalin që fatkeqësisht të gjithë e dinin për
Radomin, se kishte vdekur.Ai donte të dinte ku ndodhej Shpresa, djali i vetëm i
tij, të cilit nga bebëza e syrit i rodhi një pikëz loti.Edhe pëllumbat përqark
guisnin në ankth dhe të jepnin shenjë që dhe ata do të vetëvriteshin në
agoni…Letra që ai i shkruajti Shpresës dukej sikur u valëvit në një degë
ylberi, me nuancat e kuqe të dashurisë.Pasi e rilexoi me fytyrën e qullur nga
lotët ajo pëshpëriti:
Ç’të paskam bërë o
Zot, që më ndëshkove kaq rëndë!
Kush e di sa herë
Radomi donte t’i jepte fund jetës, por e mbante ajo shpresë e fundit, që
prushëronte brenda zemrës së tij, ishte fytyra ëngjëllore e djalit që mezi
priste ta takonte.
Ndërsa tani Radomi i
kthyer gjysmë njeri i lutej asaj t’i krijonte mundësinë për të takuar djalin që
iu përkiste te dyve. Ai ishte ndaluar ta
rriste djalin e tij, pikërisht nga fantazmat e Makbethit apo duar magjistricash
që egërsisht edhe Hënën e kthenin në kafkë.
Shpirti i Shpresës u
plagos rëndë ndërsa Pleurati shkoi të takohej me të atin. Edhe zogjtë çurlikonin me cicërima të
pandërprera, kurse asaj nga larg i bëhej sikur dëgjonte tingujt e një romance
si dikur…Ata u takuan nën rënkimin e çative të shtëpive, ndërsa Pleurati i
vodhi nga sytë një fjollë të hollë drite për të ndriçuar ferrin… Pleurati ndjeu që u shkrinë sythet e akullt
të mungesës të të atit nga trokimi i lotëve me zemër të drithëruar edhe
përvëluar të një biri. Nga larg i vinte
si jehonë zëri i shuar i nënës…!
Pleurat…! Ajo u plandos në
dysheme si e vdekur kur i thirri për të treguar letrën …
Pleurat…! Ajo ishte e ngrirë si një kanarinë e burgosur
dhe prej andej lutej: “O Perëndi ki
mëshirë për mua…, ndërkohë mua si lexuese nuk më hiqej nga mendja vdekja e
Agronit djalit të “Mballomatarit” shkaktuar nga pabesia e mikut të tyre...
Ai nuk e duroi dot
torturën kur i hidhnin këlbaza në fytyrë në burg, ndaj i dha fund vehtes duke
ikur me petka të bardha drejt vdekjes.
Pabesia ka tragjedinë brenda...
5 Mars, 2011
Staten Island, New York