E enjte, 10.10.2024, 06:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Letër falenderimi Raimonda Moisiut

E merkure, 21.07.2021, 08:34 PM


LETËR FALENDERIMI RAIMONDA MOISIUT!

Nga Bardhyl Maliqi

E dashur Monda, edhe ti ashtu si unë e ke përjetuar me dhimbje largimin nga jeta të mikut tonë të përbashkët poetit Petrit Ruka, ndaj ti ke ditur të përzgjedhësh për të përkthyer në anglisht nga krijimtaria e tij e begatë një poezie brilante, jo thjesht njerëzore, për mbresëlënëse,  që ngre një problem të madh social dhe që fatkeqësisht na përket të gjithëve.

E kam fjalën për poezinë “Baba, ne ikëm!” shkruar kur nga fshati iku edhe banori i fundit.

Me rastin e largimit  nga jeta të Petritit ti përktheve pikërisht këtë poezi që e kam edhe unë shumë për zemër,  sepse unë kam përjetuar dhe përjetoj të njëjtën dhimbje shpirtërore. Duket, që kemi qenë bashkënxënës në shkollën tonë të dashur “Asim Vokshi” pasi shpesh ndjejmë dhe përjetojmë njësoj, Monda! Këtë e kam vërejtur edhe te intervista  për 60 vjetorin e ditëlindjes sime. Të mos ishe ti intervistuesja, intervista ime te “Tirana observër” nuk do të dilte kaq e bukur, gjithmonë sipas opinionit të miqve tanë, që na ndjekin në organet e shtypit.

Tani vërtet gjithë bota jeton një kohë arixhinjsh, siç thua ti Petrit, ndaj boshatisëm muret e shtëpive tona nga fotografitë e prindërve tanë dhe si kyç një palë lot vendosëm tek porta…”. Mbushëm ambasadat, gomonet e tragetet, u vramë e u sakatosëm kufijve, por jo vetëm ne. Gjithë Lindja, vendet e varfra dhe vendet e treta kanë 30 vjet, që përjetojnë të njëjtën dramë. Prindërit na mbetën kërcunj të vetmuar në vatrat pa zjarr. Ne vramë vendlindjen dhe jemi mbledhur vërtet si iriqë metropoleve, shpojmë,  plagosim e vrasim njeri-tjetrin. Mësojmë të jetojmë një botë manuale, plot simbole e dredhira.

Shpesh harrojë të shkojmë në vendin tonë edhe kur vërtet na jepet rasti, megjithëse edhe gurët e shtëpisë na thërrasin, pemët kanë mall për kacavjerjet tona. Në fëmijëri më dukej se Konispolin e veshnin dhe gëzonin lulet e bajameve, qysh në janar, pikërisht nga zërat tanë fëminorë, nga gëzimi ynë i pafajshëm. Nuk e di kush na e vrau këtë gëzim, apo mos jemi ne vetë vrasësit? A, harrova që jemi bërë miq në facebook, por njeri-tjetrin as nuk e përshëndesim në rrugë! Kutia e kompjuterit duket se është e madhe e nxë gjithë botën brenda, por në të vërtetë është një send krejt i zakonshëm, me vlera relative.

Dhe rrjetet sociale na bëjnë me sforco poetë, që marrim certifikata nga gjithë bota, më falni realisht prej gjithë rrenacakëve dhe mashtruesve të saj. Japim konferenca shtypi pas vdekjes, takohemi me alienë, e qajmë nënën on lajn nga qindra kilometra larg. Edhe këtu ku ndodhemi jemi bërë çep e këmbë, jemi ndarë për jetë e mot për një degë ulliri në fshat. Gjyshen që vdiq na e qajnë komshinjtë e saj, ata që duan të duken me çdo kusht, ndërsa ne rrimë si hunj gardhi në këmbë! Ne tani nuk na njohin as gurët më, pa le dajallarët apo xhaxhallarët!

Unë po e braktis përgjysmë këtë shkrim Monda, sepse kam shpesh ngulçe pikëllimi. Thotë mirë poeti ynë i ndjerë, Petriti, “s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot. Jemi bërë të aftë vetëm të thurim kanistra pikëllimi!”....



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora