Kulturë
Bardhyl Maliqi: Edhe unë e vesha mjegullën e hollë
E diele, 13.06.2021, 09:47 AM
EDHE UNË E VESHA MJEGULLËN E HOLLË...
Shënime
për librin poetik të Kristo Çipës
Nga
Dr. Bardhyl Maliqi
Kristo Çipa, edhe unë e vesha mjegullën e hollë, e
bëra këmishë për vete dhe fëmijët e mi dhe vërejta se kjo këmishë u rrinte
bukur! Me dhjetëra herë e kisha parë mjegullën që mbulonte Pilurin, kur shkoja
apo kur kthehesha nga Vlora, por erdhi edhe dita që shkova në Pilur, hëngra
bukën e tij dhe piva ujë gurrash dhe natyrisht rakinë e rrushit gjysmë të egër,
laraman e kokërrfortë bashkë me aromat e fushës së Vanovës bashkë me erën e
malit të Çikës, të vaskove dhe të sherebelës.
Katër librat poetikë të Timo Mërkurit me këngë të
mbledhura në krahinën e Himarës i kam
lexuar qysh në përgatitje dhe goditjen e parë estetik për këngën
isopolifonikepiluriote e kam pasur me kohë. I kisha lexuar poezitë e Timos e të
Aleksandër Çipës, kisha vërejtur modernitetin e mjeteve shprehëse, motivet e
larmishme, aktualitetin e teksteve, madhështinë e ideve dhe humanizmin e mesazheve. Kisha
njohur dhe autorë tekstesh si ato të Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të kombit
Lefter Çipës, kisha dëgjuar këngë me tekste polifonike të Kristo Çipës,
këngëtar virtuoz e Mjeshtër i Madh, por nuk e dija se ishte edhe poet,
mjegullhollë e namusqar.
Në poezitë e librit të tij të katërt më bënë
përshtypje së pari hapësira dhe koha, që evokojnë këto motive. Janë bërë këngë
për tokën, për këngët e kurbetit e brengat e mërgimtarëve, për barin e për
lulet, për gurët e lotit, por dhe për figura të dashura historike, për
Skënderbeun e IsmailQemalin, për pleqtë e plakat të mbetura vetëm në fshat si
kërcunj të thinjur, për djemtë emigrantë, për nuset e vashat belholla. Por
dihet që bërthamat rrezatojnë, një rrezatim i tillë vjen përmes poezisë Gjeniu gjirokastrit apo Zambaku i Paramithisë. Koha e kësaj
krijimtarie vjen nga antikiteti me mitet e tij deri tek problemet e Shqipërisë
së sotme. Nga gjaku me dritësimetek shenjtëria e thjeshtësisë.
Edhe motivet e Çamërisë e të çamërishtes nuk janë të
huaja për KristoÇipën. E bukura është se e fillon qysh në kryeherë me dedikimin
e librit kur më shkruan se ja kushtoj
birit të Çamërisë dhe çamërishtes të mallkuar nga priftërinjtë, por të
bekuar nga Perëndia. Këtë e kam lexuar së pari tek NaimFrashëri, që duket se më
thotë mua “Eni vjen prej Çamërie, / me
një gluhë Perëndie”? Por te “Zambaku
i Paramithisë” në të vërtetë ai iu përkushtohet vajzave çame. E pyeta një
herë se nga i vinte kjo qasje dhe më tha se a e di ti që kemi dhënë e kemi
marrë nuse te njeri-tjetri? Në të vërtetë unë e dija. Nusja e vëllait të shokut
tim është çame, ndërsa nusja e kushëririt tim është piluriote. Kur ishte djali
i vogël i thoshte pilulake dhe ne qeshnim me lot.
Ja si i drejtohet ai vajzës çame, që vinte vetëtimë
si lumi kur del nga prita, e bukur dhe e
ftohtë, që brenda pusit të mërive di të mbajë ndezur kandilin: “Zambak i Parmithisë, / hapja shtegun
dashurisë. / Vjen si erë e t’i puth sytë / flet me gjiret nën këmishë. //
Bashkë me erën do vij vetë, / të ndajmë diellin nga retë. /Të hap zemrën
fletë-fletë, /kokën ta vë mbi gërshetë.”{ fq.109}
Por për vlerësimin e këtij libri shumëfunksional, pasi
të jep kënaqësinë e leximit, të këngës isopolifonike, pasi një pjesë e tij janë
tekste këngësh, por edhe kënaqësinë e debatit do t’i referohesha këngës së
parë, them këngës, pasi ajo është melodioze në vetvete edhe pa u kënduar.
Titulli shpreh dhimbje: “Toka ime e
dëshpëruar”. Dëshpërimi i tokës së Pilurit në të vërtetë i përket viteve të
para pas luftës së dytë botërore, kohë kur shumë familje piluriote u detyruan
të migronin në Sarandë, Vlorë e Tiranë. Nëse më parë kishte mundësira emigrimi
në kushtet e diktaturës së proletariatit kjo u ndërpre, siç u pre për 40 vjet
edhe migrimi, deri sa erdhën vitet e demokracisë. Ku emigrimi dhe imigrimi u
liberalizuan. Por mungesa e djeshme u
khye në mërzi të sotme. Në Pilur tani ka vetëm pleq dhe plaka. Pra u tejkalua
pritshmëria, duke sjellë një ekstrem tjetër. Atë të moskthimit, të zhbërjes së
fshatit Pilur. Kjo i dhemb tej mase secilit prej nesh, por më tepër Kristo
Çipës, ky është dëshpërimi tragjik i tokës së tij: “Emigrimi rrjedh si venë / edhe zogjtë e lanë folenë / ca yje të rrallë
që qenë /në qelq të qiellit u prenë.”
Është kohë e çuditshme, nata rri e nuk e njeh
mëngjesin, ditët janë njëngjyrëshe, mjegull dhe shi, pra vetë gri dëshpëruese “Mitet penduar po vdesin”, ndërsa jeta
për ditë e shkurtohet më tepër, shkon e shtrëngon mesin. Kështu edhe titulli i
filmit humoristik grek “Thanas, shtrëngo
rripin” duket sikur merr kuptim serioz. Pyetja që shtrohet është shumë
serioze. Mos vallë largimi i mjerimit ekonomik ka një kosto të jashtëzakonshme:
robërimin e trupit dhe të shpirtit?! Shqiptarë me fat tragjik të mbetur pa
atdhe! Brezat shpirtpushtuar po mohojë vetveten. “Këndej hiq e andej vuaj, / në të dy anët të huaj”. Ky është fati
tragjik i shqiptarëve të sotëm. U ngjet atyre që përshkruan Fishta në vitet ’30
të shekullit të kaluar që idealet i kishin në kuletë. Kjo i shpjegon të gjitha
të këqijat e sotme: emigrimi masiv, korrupsioni i pushtetarëve, droga, trafiku
i armëve dhe i qenieve njerëzore.
Pleq të vetmuar, të mbetur si hijet e maleve të
djeshme, që rrojnë me mallin e fëmijëve të vajtur jashtë dhe presin ta marrin
dheun mbi supe e të shkojnë në rrugën pa kthim. Kjo më kujton ditën kur u
nisa për në Vlorë, por takimi i anuluar
më gjeti në Himarë dhe do të kisha përfunduar në Pilur, por atje kishte një
vdekje dhe shpallja e Timo Mërkurit, që më ftoi të rrija në veprimtari bashkë
me Kriston se ishte dita kur ai shpallej:
“Nderi i Himarës”. Por i vdekuri duhet të priste i pavarrosur ardhjen e
fëmijëve nga emogracioni. Unë pata një dhëmbje tragjike, mbase se pilurotët e
mundshëm për takimin e Timos nuk erdhën, pasi duhej bërë ceremonia e
varrimit. Timua ka shkuar një jetë duke
mbledhur e duke studiuar isopolifoninë bashkë me Lefterin dhe Kiston. Dhjetëra
vajza, gra dhe burra piluriotë e kanë kënduar atë nëpër festivale, koncerte,
por edhe sipas rastit. Kjo është një qasje shpirtërore që s’ka nevojë për
grumbullime apo urdhra, ajo vjen vetë. E të mos vinte vetë nuk shkonte dot deri
në UNESKO që të bëhej thesar i trashëgimisë botërore!