Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Martin Gjokaj, viktima e parë shqiptare e pafajshme e ferrit komunist në Goli Otok
E hene, 05.04.2021, 06:44 PM
Martin Gjokaj, viktima e parë shqiptare e pafajshme e ferrit komunist në Goli Otok
Nga
Gjekë Gjonaj
Ditën
e Pashkëve u mbushen 72 vjet nga arrestimi i Martin Bacit Gjokaj, 18 vjeç nga fshati Muzheçk-Triesh nga ana e
policisë sekrete jugosllave, dhe nuk u kthye më nga burgu i tmerrshëm në Goli Otok
( Ishulli i Zhveshur), që ndodhet në brigjet e Dalmacisë veriore në mes
të detit Adriatik, si një
kështjellë natyrore me një bukuri të frikshme. Në Arkivin Shtetëror të Kroacisë gjendet
lista me emrat e të gjithë të burgosurve të internuar sipas Byrosë Informative, të cilën e ka bërë
“UDB-ja” federale. Në atë listë ( Dosja
nr.3975, data 2.07.1963) nënshkruar nga ndihmësshefi i Administratës së II-të ,
Jure Koshutiq gjenden emrat e 16.101 të burgosurve dhe të paraburgosurve. Sipas
listës, në të gjitha kampet e “Informbyro-së”, kanë vdekur 413 njerëz të
popujve dhe kombësive të ndryshme, mes të cilëve edhe shqiptarë.
Aty figuron edhe emri i të riut shqiptar-malësor , Martin Gjokaj.
Sipas hulumtimeve të bëra dhe në
bazë të dokumenteve që kam pasur në dorë , ky djalë në moshën e pjekurisë, në
lulen e rinisë, u burgos më 22
prill 1949 dhe vdiq më
12 tetor 1949, pas diç më pak
se 6 muaj qëndrimi në burgun famëzi Golli Otok, apo “Ferrin
komunist” siç e kishin quajtur të burgosurit, këtë vend ( ishull). Ky i
burgosur për motive politike, si shumë
shqiptarë të tjerë, akuzohet dhe ndëshkohet me burg, pa asnjë fakt e
dëshmi të dokumentuar, mbi bazën e
supozimeve se mund të ishte mbështetës i fshehtë i Bashkimit Sovjetik, ose
ndonjë shteti satelit të tij. Martini
sipas dokumenteve arkivore kroate
ishte ndër katër të ndëshkuarit e parë që vdiq në rrethana të pasqaruara
e të panjohura deri në ditët e sotme,
për arsye se e shpallin “ armik të popullit jugosllav”. Bazuar në këto
dokumente rezulton se ai ishte shqiptari i parë që vdiq në
Goli Otok. Në këto dokumente
nuk sqarohet ( thuhet) arsyeja e vdekjes, e as vendvarrimi i tij. Familja e tij nuk mori kurrë asnjë lajm për
kufomën ose për vendin e varrosjes së
Martin Gjokajt: vetëm një lajm të vonuar që vërtetonte se ka vdekur. Asgjë më shumë se kaq. Ai është viktimë
e pafajshme e një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav në burgun e
tmerrshëm në Goli Otok
Martini
Gjokaj lindi më 21 .o1.1931 në fshatin
Muzheçk, Triesh. Ai ishte djali i
vetëm i Baca Nikë Gjeloshit, bajraktar e
burrë i respektuar në Triesh e krahina të tjera shqiptare, i cili dallohej
me të gjitha virtytet pozitive të malësorit të ndershëm, fisnik, trim e
atdhetar. Edukatën e mori nga i ati, por edhe nga axha i tij Tomë Nikë
Gjeloshi, bashkëluftëtar i udhëheqësit
të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në Deçiq dhe mbrojtësit fisnik të trojeve shqiptare Dedë Gjo’ Lulit, të cilin
me Dekretin nr. 547 të presidentit të Shqipërisë Dr. Sali Berisha,
më 3.06 1993, nderohet me Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasës të Dytë,
me motivacion “ Luftëtar i shquar në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës nga pushtuesit serbo-malazezë në vitet 1912-1913 “. U rrit
dhe u edukua në frymën e dashurisë për
mbrojtjen e atdheut dhe çlirimin e tij
nga pushtuesit e kohës. Trashëgoi edhe shumë veti të mira njerëzore nga i
ati dhe burrat e tjerë të shquar të kësaj familje e
cila për veprimtarinë e saj kombëtare ishte në vrojtim të
vazhdueshëm të pushtetit
sllavo-komunist. Rritet me ngjarjet e
mëdha që kalonte kombi ynë, në periudhën
e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët pas rënies së
mbretit Ahmet Zogut, morën kontrollin në Jugosllavi dhe Shqipëri. Këto ngjarje, ndryshime e pushtime nga
sundues shekullorë , lanë vragë të
pashlyeshme në edukimin e tij dhe përcaktuan edhe fatin e tij të hidhur (
tragjik) jetësor. Ardhja e komunistëve në pushtet ia shkëputi
rininë e hershme dhe ia mori jetën,
duke ua thyer zemrën dhe shpirtin e lënduar përgjithmonë babait
Tomës dhe nënës , Lulë Perkaj nga fshati Luhar - Fundna.
Ishte kjo
periudha e përplasjes së Byrosë
Informative Komuniste dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë, respektivisht
konfliktit të Bashkimit Sovjetik dhe RSFJ-së, e cila filloi në vitin 1948, që më
vonë u
vlerësua si ngjarja, më vendimtare për shtetin dhe shoqërinë
jugosllave dhe kapitulli më dramatik në
historinë e ish-bashkësive të kombeve
jugosllave. Regjimi komunist nën
drejtimin e Titos burgosi njerëz të
dyshuar, të ashtuquajtur “ Inforbirovca- Inforbyroistë”, se mbështesnin ende liderin sovjetik
Stalinin. Pikërisht për këtë arsye regjimi komunist ngriti llogorin e Goli
Otokut me qëllim të grumbullimit të armiqve politikë të
Jugosllavisë, në veçanti për ata që kishin rënë ndesh me politikën e
Jugosllavisë përballë kampit socialist
të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Nga kjo politikë antishqiptare, e UDB-ës
jugosllave, e ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorët vendas për privilegje të vogla, u burgos edhe Martin Gjokaj. Ky djalë i bukur e njerëzor i cili
gëzonte autoritet sikur të burgosurit e tjerë që nuk “ riedukoheshin-
përmirësoheshin, përjetoi vuajtje
personale fizike e psiqike, tortura, rrahje,
shkelmime, flakaresha, etjen që të përvëlonte shpirtin, bartjen e
gurëve mbi supe, fshikullimën e
kamxhikut e tmerre tjera të
komunizmit titist.
Faksimili 1: Lista e të vdekurve në Goli Otok
Për
këtë tragjedi të familjes Gjokaj
dhe për vuajtjet e saj për herë të parë fletë hapur
Zef Kola, kushëriri i personazhit
të këtij shkrimi përkujtimor, me rastin 72 –vjetorit të vdekjes së tij në kampin e Goli Otokut
ku edhe i la eshtrat përgjithmonë
, i cili synon të zbardhë fakte të panjohura deri më sot për këtë viktimë të pafajshme të një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav,
këtij biri të shquar të kësaj familje me traditë të virtytshme dhe atdhetarie. Ja rrëfimi
rrënqethës i Zef Gjokajt:
“
Ishte Dita e Pashkëve, më 22 prill 1949. Milicia ( policia) e shtetit atë mëngjes troket në derën e shtëpisë së Baca Nikës. Ai e hapi derën dhe kur i shef
policët u thotë: “ Urdhëroni brenda në
shtëpi! Ata nxjerrin nga xhepi autorizimin
për arrestimin e djalit të tij të vetëm
Martinit. Baci, edhe pse e kuptoi arsyen e “ vizitës” së tyre të papritur u drejtohet me këto fjalë: “ Hyni brenda! Sot festojmë Pashkët. Pini nga
një gotë raki dhe hani nga një vezë të kuqe. E pastaj kryeni detyrën tuaj
shtetërore. “Policët i përgjigjen: “ Ne
kemi urdhrin të arrestojmë Martinin ,
edhe pse e dimë se nuk keni tjetër
djalë, po ne jemi të detyruar ta zbatojmë atë. Na vjen shumë keq se ne
para tre muajsh arrestuam edhe anëtarin tjetër të familjes suaj,
Kolë Gjonin”. Policia nuk e
prangos Martinin në sytë e prindërve e familjarëve të tjerë, sepse njëri prej
policëve nga dhimbja kishte thënë se edhe unë kam vetëm një djalë
.
Ndarja
e familjes, veçmas e prindërve nga
Martini ishte tepër e dhimbshme.
Secili anëtarë i familjes me lot në sy u
përqafuan, duke e zënë grykë, me të
birin e tyre të zemrës, dritën e vetme të syve
të prindërve të tij. Ndërsa,
Martini edhe pse i ri, qëndroi stoikisht duke i thënë familjes mos qani se
përsëri do kthehem në mesin tuaj. Mirëpo, për fatin e kobshëm të tij dhe të
familjes Martini u nis dhe nuk u kthye më. I la eshtrat në këtë gurishte përvëluese që e quanin Goli
Otokun. Babai i tij Baci ishte shumë i mërzitur. Nuk e mbanin këmbët. I
mbështetur për qoshen e kullës së vjetër i thotë të birit: “ Biro, udha e mbarë! Sytë e mi dhe të tuaj nuk do të shihen më!” Pas këtyre fjalëve Martini largohet për herë
të fundit nga kjo shtëpi-kullë dhe dërgohet në
burgun e Podgoricës, në një qeli afër qelisë ku ishte burgosur më parë
djali i axhës së tij Kolë Gjon Nika, mësues.
Të nesërmen, siç më ka treguar babai im Kola, Martinin e dërgojnë në burgun famëzi në Goli Otok, ku përjetoi torturat më
çnjerëzore të regjimit komunist. Për gjashtë muaj e gjithë familja ishim në ankth e të trishtuar për jetën e tij.
Gjatë kësaj periudhë kohore nuk
kishim asnjë lajm për gjendjen e tij shëndetësore. Lajmi i parë ishte i kobshëm. Në Zyrën e Vendit të Trieshit kishte mbërritur
telegrami për vdekjen e tij. Për këtë lajm paraprakisht kishte dëgjuar, Pjetër
Gjon Nika, djali i axhës së Martinit,
nga turma e trieshjanëve që udhëtonin për në Titograd ( sot Podgoricë) . Pjetri
kthehet nga rruga e nisur. Shkon në Zyrën e Vendit në Stjepoh, ku edhe
ia konfirmojnë lajmin e keq. Vjen në shtëpi. Njofton familjen. Të gjithë qajnë
e bërtasin. Nuk mund ta ndalin vajin e zëshëm për lajmin e zi. Pas pak
vjen në shtëpi Baci , babai i Martinit. Askush nga familjarët nuk
ka guximin t’i tregojë Bacit për
këtë tragjedi familjare. Ai e vëren se
ka ndodhur diçka dhe i pyet: Mos
ka ndonjë lajm të ri? -
Jo, jo, asgjë, i përgjigjen. -Mos fshihni nga unë, se sikur mos të kishte
ndodhur diçka e re do të kishit shtruar
sofrën për të ngrënë bukë. Më tregoni !
Pas këtyre fjalëve të Bacit, Pjetër Gjoni merr guximin dhe i thotë
atij se na ka gjuajt rrufeja dhe se
Martinin e kanë pushkatuar. – Mos ka ndodhur diçka tjetër se sa për
Martinin e kamë ditur se do ta vrasin ditën kur jam ndarë nga ai në oborrin e shtëpisë? – u përgjigjet Baci
dhe u lutet familjarëve të qetësohen e të qëndrojnë me krenari se shteti ka fuqinë e vet dhe s’kanë çfarë të bëjmë”, thotë Zefi. Ai tregon se lajmi i zi për vdekjen e Martin
Bacit u prit me keqardhje e dhimbje në Triesh.
Shton se tre vëllezërit e fshatit : Gjokajt , Gjonajt dhe Nikollajt për një vit u kthyen në zi dhe nuk
organizuan këngë e kremte familjare.
Kjo
histori e veçantë e kësaj familje , për
të cilën nuk është guxuar të flasin me
vite të tëra, është e ngjashme me shumë
histori të tjera të hidhura shqiptare që
kanë përjetuar krimet , vuajtjet dhe dënimet në burgun e tmerrshëm Goli Otok.
Faksimili
2: Lista e të burgosurve në burgun famëkeq Goli Otok