Speciale » Alia
Lutfi Alia: Arbërit nga Piqerasi, themeluesit e Villa Badessa
E premte, 29.01.2021, 08:31 PM
ARBËRIT NGA PIQERASI, THEMELUESIT E VILLA BADESSA
Nga Lutfi
ALIA
Pas vdekjes të Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe pasi ranë Kruja (15
qershor 1478) dhe Shkodra (4 janar 1479)
dy bastionet e fundit të rezis-tencës heroike të popullit tonë kundër
hordhive barbare osmane, ambasa-dori i Venedikut Tommaso Malpiero dhe Sulltan
Mehmeti II - Fatihu, më 5 korrik 1479 firmosën aktin e pushtimit nga Pernadoria
Osmane të gjitha trojeve arbërore. (Topkapi
Sarayi Ar?ivinde Fatih II – Sultan Mehmede Ait belgeler Belleten, 53, 1950, pp
49 – 56, dokumenti E9695).
Pas pushtimit të Arbërisë, barbarët osmanë vranë me dhjetëramijëra banorë, shumë të tjerë i morën robër
dhe i dërguan në Anadoll, grabitën, dogjën, çdukën, shkatërruan shumë vlera
kulturore dhe artistike; shumë kisha i dogjën, të tjerat i shndërruan ne xhami;
ndaluan të flitej dhe të shkruhej në gjuhën shqipe, vepruan egërsisht për të
shkatërruar kulturën dhe artin arbëror, kërkuan të vrasin identitetin tonë
kombëtar.
Kjo dramë e historisë sonë, u pasua me një dhimbje tjetër, largimin e
shumë albanezëve drejt brigjeve të Italisë. Disa eksode njeri pas tjetrit,
largime në grupe të banorëve për të shpëtuar jetën dhe fenë, një kalvar pa
fund, ikje pa kthim dhe vendosja e përherëshme në troje të huaja.
Në vitet 1468-1550, nga trojet arberore u larguan mbi 250 000 banorë.
Ikanakët e parë ishin familjet fisnike, të ndjekur nga një pjesë e madhe e
popullit. Ishte ikje e detyruar, për t’i shpëtuar reprazaljeve, hakmarrjes
primitive dhe gjenocidit të arbërve, që kryenin barbarët osmanë. Grupet e
familjeve arbërore u shpërndanë në të gjithe territoret e Italise, por më shumë
u vendosën në rajonet qendrore dhe jugore.
Një ndër eksodet e
voneshme të arbërorëve është ai i vitit 1742, kur një grup i madh familjesh
himariote zbarkoi në Pulja. Sipas Don Bellizi, ishin familje nga Piqerasi,
Lukova, Likursi, Shen Vasili e Nivica-Bubar. Nje grup i familjeve nga Piqerasi
u vendosën në Villa Badessa (arbëreshët
e quajnë Badhesa) në komunën e
Roshiano, Provinca e Peskarës – Abruco. (Lino Bellizi. Villa Badessa, oasi orientale in Abruzo. 1a
Edizione, Tracce, Pescara 1994).
Villa Badessa, një oaz autentik arbëresh në Abruco, përbëhet nga familje nga Piqerasi,
të ritit bizantin, me traditat e lidhura me kishën ortodokse, me
pasuri kulturore dhe artistike të vendlindjes dhe me ruajtjen e gjuhës së
vjetër shqipe. Komuniteti albanezo – italian i Villa Badessa
tutelohet nga ligji Italian nr. 482 i vitit 1999, që sanksionon mbrojtjen eminorancave historike
linguistike (D. Bonamore. Lingue
minoritarie, lingue nazzionali, lingue ufficiali. legge 482/1999, Edit
Franccoangeli, Milano 2008).
Historia e komunitetit
arbëror në Villa Badessa, lidhet me dy rre-thana, së pari me kërkesën e
oficerave dhe ushtarëve himarjotë të rekrutuar në Regjimentin Real Maqedon, të cilët i kërkuan mbretit Karli
III i Napolit, të ndihmoheshin të sillnin familjet në Itali, për t’i shpëtuar
shtypjes dhe reprazaljeve turke, presionit për t’u islamizuar dhe sulme-ve të
vazhdushme të lebërve myslimanë, që i grabisnin banorët e krish-terë të
bregdetit.
Paskuale Kastanja tregon
se 25 rekruta dhe kapiteni Kostantin Vlasi i Regjimentit Maqedono – Ilir, i
refuzuan rrogat, me kusht, që Mbreti Karli Burbon të lejonte vendosjen e
familjeve të tyre në mbretërinë e Napolit. Natyrisht Mbreti Karli e miratoi
kërkesën e tyre, madje dhuroi 3000 dukate ari për shpenzimet e udhëtimit. (Pasquale Castagna, Villa Badessa: Il Regno
delle due Sicilie. Vol. XXVII. Napoli 1853, 132)
Grupi i ikanakëve të
vitit 1742 ishin nga Piqerasi. (Papas Andrea Figlia. Manoscritto ineditto di Papas A. Figlia. Scritto a
Napoli 12 giugno 1764). Në italisht emri Piqeras shkruhet Pichierri dhe
shqip-tohet Pikierri, i ruajtur si mbiemër nga disa familje arbëreshe në Abruco
dhe në Pulja, në komunën Faggiano – Faxhiano. Nga Piqerasi ishin 18 familje, që
u detyruan të braktisin vendlindjen pas sulmeve dhe grabitjeve nga myslimanët e
Golemit dhe Borshit, të cilët më 6 dhjetor 1742 e sulmuan fshatin, por pas 6
ditë luftimesh, u detyruan të largohen duke lënë 27 të vrarë, ndërsa nga
piqerasit vetëm dy të plagosur. (Papas A.
Figlia, idem. 1764)
Shtypja e egër nga
adminsitrata turke dhe sulmet e grabitësve, i detyruan këto familje ta
braktisin Piqerasin. Ikja e tyre u organizua nga Spiro Andrea. U nisën natën
nga Piqerasi kaluan në Lukovë, zbritën në gjirin mbi Sarandë, hypën në barkat
dhe lundruan për në Korfuz e më pas në ishullin Othone, ku do të prisnin
ankorimin e anijes veneciane, që do t’i transportonte në Brindizi.
Gjatë pritjes të anijes, dy vëllezërit Martini, morën një varkë dhe natën u kthyen në Piqeras ku morën ikonën e Shen Maria në kishën e manastirit Krimanove të fshatit. Kjo ikonë e shekullit XV, ruhet në kishën Shën Maria Assunta në Villa Badessa. (I diritti e le terre demaniali nel Comune di San Giorgio sotto Taranto. Lecce, 1890; p.10) (Giustiniaani: Dizionario Geografico – T. IV; p. 245) (Francesco Fazio S.J. La Madona Odigitria. Tipog. Italo – Albanese G. Petrota & Filli – Palermo. 1921)
Pasi zbarkuan në
Brindizi, u bë regjistrimi i arbëroreve, të cilët u bënë qytetarë të Mbreterise
së Napolit. Të prosardhurit i vendosën në kuaran-tenë, pasi atë kohë ishte
përhapur epidemia e murtajës, e cila vazhdoi deri në pranverën e vitit 1744. (Papas Andrea Figlia. Idem, 1764)
Pritja dhe sistemimi i
familjeve nga Piqerasi u organizua nga koloneli Xhiulio Kajafa, “kështjellari i
detit dhe i tokës i Brindizit”, i cili u kuj-des për furnizimin me ushqime dhe
për strehimin e banorëve të rinj. Ky grup familjesh qendroi rreth njëmbëdhjetë
muaj në Pulja, por duke mos gjetur një sistemim të përshtatshëm e pas një vere
të nxehtë e mungesës të ujit aty ku i kishin vndosur, kërkuan një sistemim më
të mirë, ndërsa një grup tjetër shkuan në Faxhiano, ku u bashkuan me familjet
himarjo-te të vendosur në këtë komunë në vitin 1507. Shumë burra nga ky
komu-nitet ishin mobilizuar në regjimentin Real Maqedon.
Kërkesës të familjeve
nga Piqerasi per t’u larguar nga Pulja, iu për-gjigj menjëherë administrata
mbretërore.
Më 12 tetor 1743, Josè Joaquìn
de Montealegre, duka i Salas dhe sekretari i dytë i Shtetit i Karlit III
Borbon, njoftoi markezin Antonio Kastilione, tutori i pronave jasht detyrimit
feudal i familjes Farnese në Penne - Abruco,
se Mbreti urdheronte, që familjet piqerase, të vendosen në tokat e Bakuko,
prona të Farnese, si dhe e
urdhëronte të ndërtonin barakat ku të sistemoheshin këto familje. Markezi
Kastilione organizoi punen, krijoi “librin ditor”, ku regjistronte shpenzimet
dhe punimet për kolonët albanezë” (Aniello
D’Iorio: inizi di un insediamento albanese nei feudi borbonici. Spaccato Reale.
9. Nov. 2016).
Më 28 tetor 1743, grupi
me 73 pjestarë i 18 familjeve të Piqerasit, nga Brindizi u nisën për në
Pianella të Peskarës në Abruco. Pas udhëtimit që zgjati dy javë, të shoqëruar
nga Demetrio Mikeli, Kostantin Vlashi dhe Gjon Pali, të martën e 12 nëntorit
1743, arrijtën në Pianella dhe u sistemuan në Bakuko, në pallatin Farnese, si
rezulton nga letra e sekretarit të dytë të Mbretërisë, dërguar markezit Antonio
Kastilione më 15 nëntor 1743.
Banorët e Pianellës
protestuan për vendosjen në trojet e tyre të piqerasve, sepse nuk donin që atë
pak tokë të kultivuar që punonin, ta ndanin me të ardhurit, por dhe piqeriotët
nuk i pëlqyen tokat e Bakuko. (Federico
Roggero. La colonizzazione di Bozza e Badessa negli atti demania-li della
Provincia di Teramo. Edizione. Scientifica, Neapel, 2014, pg. 546).
Në këto rrethana,
markezi Kastilione dhe oficerat albanezë të Regji-mentit Maqedon, vizituan disa
qendra të tjera banimi si Akuadosso, Santa Maria del Poggio dhe Rocca (Roka),
por edhe banorët e këtyre fshatrave refuzuan, nuk pranuan t’i ndanin tokat me
të ardhurit.
Për zgjidhjen e
konfliktit ndërmjet banorëve të Pianella me bujtësit arbërorë, ndërhyri mbreti
Karli III, i cili urdhëroi sistemimin e familjeve
albaneze në Villa Badessa dhe në Pian di Coccia (Koçia) të Pianellës në
Provincën e Peskarës. Mbreti urdhëroi banorët vendas që kishin marrë me qera
tokën mbretërore, tua dorëzonin në përdorim albanezëve. Në urdhërin e mbretit
theksohej: “... Familjet albaneze të konsiderohen
si gjithë nënshtetasit e tjerë - le
suddette famiglie di albanesi che indiffe-rentemente considera come tutti gli
altri suoi sudditi, così con maggior giustizia deve credersi che possa
farlo il Re, nostro Signore, come padrone diretto e dispotico di detti
territori col destinare alla coltura alle famiglie di albanesi”.
Njëkohësisht mbreti i qetësoi banorët e Pianelles duke i theksuar se albanezëve do t’iu jipen në përdorim tokat që nuk punohen nga venda-sit, iu njohu të drejtën të kullosnin bagëtitë në tokat mbretërore, çka më parë ishte e ndaluar, i lejoi të përdornin ujin e lumit Nora si dhe iu dha në përdorim disa mullinj në rrjedhën e lumit. (Lorenzo Giustiniani. Dizionario geografico-ragionato del Regno di Napoli. Tomo X, Napoli 1805, faqe 195). (Federico Roggero. Idem. 2014, pg. 548 -50) (Vittorio Morelli. Villa Badesse degli Abruzzi, colonia albanese del XVIII secolo, aspetti storici, antropologici, linguistici e religiosi. Ediz. Melarancio, Penne. Edizione Melarancio 2014, pp 43 – 45).
Ne fakt, mbreti Karli
III iu imponoi vendimin e tij banorëve të Pianellës, duke dekretuar kolonizimin
me familje albaneze të Pian di Coccia (Koçia) dhe Abbadessa, madje vendimi
shprehte projektin për krijimin e një bashkësie vetëm me albanezë, e ndarë nga
ajo e Pianellës. (Federico Roggero. Idem.
2014, pg. 552) Duka Josè J. de Montealegre e porositi markezin
Kastilione, t’i bindëte albanezët të pranonin tokat që iu dhuronte mbreti e të mos e humbnin këtë shans. (A. D’Iorio, 2016)
Në çensimentin e 13
nëntorit 1743, pra ditën e nesërme që familjet albaneze arrijtën në Pianella,
rezulton se trojet që iu dhuruan albanezëve ishin në Abbadessa (arbëreshët e
quajnë Badessa dhe Badesha) dhe në Pian di Coccia (Koçia), dy lagje që ndahen
nga lumi Nora. Këto toka ishin blerë nga fisniku Farnese, por pas vdekjes të
nënës së tij Elisabetta Farnese, kaluan në zotërim të mbretit Karl III Borbon,
i cili iu a dhuroi familjeve të ardhur nga Piqerasi albanez. (Lorenzo Giustiniani. idem, Napoli 1805,
faqe 201).
Në këto troje u vendosën
18 familje, si rezulton në letrën e Dukës Montealegre dërguar
markezit Kastilione më 15 tetor 1743, me listën e 73 personave (27 burra, 28
gra dhe 18 fëmijë), të regjistruar qytetarë të mbretërsisë së Napolit dhe me
emërat e kryefamiljarëve: Gjon Duka (23 vjeç), Demetrio Atanasi (dhjakoni) (30
vjeç), Gjon Spiro (18 vjeç), Dhimo Lessi (40 vjeç), Dhimo Andrea (60 vjeç),
Spiro Andrea (45 vjeç), Gjin Vranà (60 vjeç), Dhimo Gjoka (28 vjeç), Gjin Vrana
(35 vjeç), Gjik Gjoka Zhupa (25 vjeç), Martin Lessi (35 vjeç), Mikel Spiro (18
vjeç), Dhimo Varfi (50 vjeç), Gjok Gjika Guma (35 vjeç), Atanas Dhima (38
vjeç), Mikel Gjini Atanasi (30 vjeç), Mikel Gjini Gjika (30 vjeç)
papas Makario Nika (26 vjeç) dhe dy vëllezërit De Martino, që kishin
marrë ikonën e Shën Maries në kishën e manastirit të Piqerasit.
Një grup burrash nga Piqerasi, prej kohësh ishin rekrutuar në Regjimentin
Maqedon të mbretërisë së Napolit dhe krahas majorit Demetrio Mikeli, që ishte intendenti i regjimentit
dhe dy kapitenave Kostantin Vlashi dhe Gjon Pali, militonin dhe oficera të
tjerë si kapiteni Kosta Kemdro, kapiteni Mikel Mikeli, që ishin komandanta
kompanie dhe togerat Nikolla Zako, Spiro Jovani, Mikel Laze, Kosta Piksio dhe
Niko Martini, vëllai i madh i vëllezërve Martini.
Komuniteti albanez në
Villa Badessa, shërbehej nga klerikët e ritit ortodoks Makario Nika, nga
dhjakoni Demetrio Atanasi nga Piqerasi, nga prifterinjtë himariotë Gjon Nika,
Spiridon Andrea, Mikel Spiro Andrea, të cilët si shkruan Andrea Filia “me zell
dhe dashuri i shërbyen kësaj gregje të vogël albanezësh”. (Papas Andrea Figlia. Idem 1764).
Padronia e banorëve
arberorë në Villa Badessa është Santa Maria Theotokos - Shen Maria Assunta.
Në famullinë e Villa
Badessa, e cila bën pjesë në Eparkinë e Lungro të Albanezëve, kryhen ritet
ortodokse, por me disa risi të rekomanduara nga Koncili i Vatikani II. Kjo
famulli është themeluar në vitin 1744 kur u vendosën arbërorët nga Piqerasi. Në
kishën e Shen Maria Assunta ka shume ikona, afreske dhe mozaikë të artit
bizantin si mozaiku i Shen Spiridonit i shekullit XVIII dhe ikonostatsi.
Karakteristikat e riteve që kryhen në këtë kishë janë shpërndarja besimtarëve e
bukës së bekueme, e vezëve të ngjyrosura dhe e grurit të zierë gjatë
Pashkëve, që jipen menjëherë pas shpalljes “Krishti u Ngjall”.
Banorët tregojnë një legjendë të lidhur me ikonën e Shen Maries të marrë
nga kisha e Piqerasit, e njohur dhe Madonna Odigitria (nga greqi-shtja - Ajo që
tregon drejtimin e udhës). Sipas legjendës, djemtë që mbanin në krah ikonën,
ndjenin se pesha e saj rritej kur po afroheshin Pianella, sa i detyroi të
ndalojnë pikërisht në sheshin ku u themelua Villa Badessa”. (Chiara di Salvo. Progetto LEM,. febbraio
2010)
Më 4 mars 1744, u firmos akti formal i dhurimit të tokave arbëro-rëve, ku
theksohet: “… si trovavano già in questa terra [di Pianella] e collocate nel
palazzo della serenissima Casa Farnese sin tanto che avranno fabbricato in
detti territori le loro abitazioni e non altrimenti – ndodhen tashmë në këto
toka (të Pianellës) dhe banues në pallatin e serenissimës të fisnikërisë
Farnese, të cilët prej kohësh kanë punuar këto terrene dhe kanë ndërtuar
banesat e tyre”. Akti noterial u hartua në Pianella nga noteri Saverio
Fonso di Ortona a Mare, në shtëpinë e Don Karlo de Felici, në prani të
dëshmitarëve Avenerio Pantaleone, Domenico Cipriani e Giuseppe Bernabeo, të
Kontit Don Françesko Taddei dhe përgjegjësit të thesarit markezit Kastilione. (A. D’Iorio, idem; 2016; Federigo Roggero
2014).
Në dokument theksohet se Karli III Borbon i jep të drejtën albanezë-
ve të banojnë në Badessa ku iu jipeshin në pronësi pyjet e dushkut,
vreshtat e rrushit, ullishtat dhe shtëpia e fshatit, gjithashtu të banonin në
Piano di Coccia (Koçia), ku iu jipen në pronësi pjesa e pyllit të dushkut dhe
shtëpia për banim. (Lino Bellizi, idem
1994; Federico Roggero, idem 2014). Nga këto dokumenta rezulton se terrenet
e Badessa dhe Piano di Coccia (Koçia) ishin troje të pabanuara, nuk ishin
qendra urba-ne, por kishte vetëm nga një shtëpi në sejcilin nga këto terrene.
Me këto akte, mbretëria i dhuroi 23
familjeve arbërore 320 hektarë tokë, bagëti, kafshë pune dhe vegla bujqësie dhe
iu krijoi mundësinë të themelojnë fshatin Badessa. (Federico Roggero, idem 2014).
Në vitin 1748 nga Provinca e Himarës albaneze erdhën dhe pesë familje të tjera të
përbëra nga 23 persona, me kryefamiljarët Dhimo Pali, Gjik Pali, Gjok Pali,
Gjik Pali Mikeli dhe Gjik Athanasi (Archivio
di stato di Napoli). Mbreti Karli III, urdhëroi markezin Kastilione, që
grupin i ri ta bashkoi me 18 familjet e më parëshme, që ishin sistemuar ne
Badessa dhe Piano di Coccia (Koçia), kësisoj u krijua një bashkësi arebërore me
23 familje. Për të shmangur çrregullimet, konfliktet dhe pakënaqësitë me
banorët vendas, më 24 tetor 1753, markezi Kastilione, sejcilës nga 23 familjet,
iu dhuroi tokat e Pianellës të shoqeruar me akte formale nga noteri Daniele
Buccieri. (Lino Bellizi, idem).
Në vitin 1795, banorët e
ardhur nga Piqerasi albanez themeluan Villa Badessa. Në kuvendin tradicional të
kreyfamiljarëve arbëror, u vendos të ndërtojnë banesa për sejcilën nga
familjet. Fshati i ri u ngrijt në trojet e quajtur Morreicino, në sheshin
Monticello të Badessa.
Shtëpitë i ndërtuan
vetë, njelloj si ato të vendlindjes, me mure me gurë të marra nga shtrati i
lumit Nora, me çatitë e larta të dukëshme nga të gjitha lartësitë dhe luginat
rrrethuese. Çatitë i ndërtuan në dy shtresa, e poshtëmja e mbuluar me kashtë të
përzierë me argjilë (pra mjeshtrat arbëror në atë kohë praktikonin
termoizolimin), ndërsa sipër vendosnin binarë dushku, mbi të cilët rradhisnin
tjegullat. 23 shtëpitë u ndërtuan në dy rradhë, ndërmjet tyre ishte rruga
kryesore e qendrës së banuar dhe në krye kisha Shen Maria Assunta. Çdo shtëpi
kishte një kopësht me pemë frutore dhe të mbjella me perime e zarzavate sipas
stinëve. (Lino
Bellizi, idem 1994); (Vittorio Morelli idem 2104).
Gjatë dominimit napoleonik në Mbretërinë e Napolit, sipas projektit të
ndarjes administrative, bazuar në ligjin e 3 dhjetorit 1806, tre qendrat e
baanuaara Villa Badessa, Villa San Giovanni dhe Villa Oliveti, kaluan në
komunën e Roshiano. (Federico Roggero,
idem 2014).
Historiani A. Morelli, thekson se Giuseppe de Thomasis, komisari i mbretit
për ndarjen e pasurive shtetërore, kontribuoi në hartimin e aktit të
marrëveshjes të 10 prillit 1811 në Chieti (Kieti), ndërmjet Komunës Roshiano
dhe banorëve të Badessa, për rindarjen e tokave mbretërore në bazë të ligjit të
3 dhjetor 1806.
Përfituesit e tokave në Villa Badessa ishin banorët: Maria e veja e Lazarit, Martin Gjoni, Kostantin Milo, Çezar Spiro, Giovanni (Gjoni) i Lazarit, Nestor Zhuppa, Kostantin Spiro, Giorgio Gjon Dimia, Diamante Kosta, Vincenco Blasi, Athanas Kosta Duka, Zakaria Vlasi, Giovanni (Gjon) Andrea, Gjik Gjoni, Domenik Korsi, Mikel Gjika Pali, Mikel Dhima, Kostantin Zhupa, Domenik Lazari, Spiridion di Martino, Katerina di Giovanni Pali, Domeniko Zako, Giovanni (Gjon) Athanasi, Matteo d'Alesio, Regio Demanio, Giorgio Blasi, Spiridione de Mikeli, Kontesha Dimia, Athanas Pali, Silvestro de Micheli, Giovanni Blasi, Athanasi i Silvestro Kosta, LazarAndrea e Athanas de Mikeli. (Federico Roggero, idem 2014).
Në vitin 1843, gjatë udhëtimit nëpër Itali,
piktori i shquar anglez Edward Lear u ndal në Villa Badessa dhe ndër punimet me
pamje nga Villa Badessa, është një litografi me pejsazhin e një rruge fshati,
që kalon përmes pyllit me dushk dhe ullishtës dhe me një grup grashë me veshjet
karakteristike arbërore me guna.
Piktoria dhe shkrimtaria
anglosaksone Estella Canziani (Kanciani), në vitin 1911 vizitoi Abrucon dhe
rezultatet e studimeve etnografike, i botoi në veprën “Përmes Apenineve dhe trojeve të Abrucos”, ku ndër të tjera shkruan:
“Kisha dëgjuar të flitej për arbëreshët që banonin në fushat e Sulmona. Ata ne
Villa Badessa ruanin besime të vjetra të çudi-tëshme, besonin në drekësit (Driadat), në murgarat (shtrigat) dhe në fiatazat (zanat)”. Nga këto takime
mbresëlënëse, Kanciani realizoi një pikturë në vaj, dy gra arbëreshe të Villa
Badessa, nëna me vajzën. Portreti i nënës mizotërohet nga veshjet me rroba të
zeza. Ajo ishte grua e ve. Burri i saj kishte milituar në Regjimentin Maqedon
dhe ishte vrarenë betejën e Velletri. (Estella
Canziani.Attraverso gli Appennini e le terre di Abruzo, Synapsi 2009, f 131)
Në komunën e Villa Badessa jeton një komunitet me 396 arbëreshë, një thesar historik dhe kulturor pak i njohur. Si theksohet në enciklopeditë italiane të vjetra dhe aktuale, arbëreshët e Villa Badesse, për shumë shekuj e ruajtën kulturën etnike, kishën ortodokse, veshjet, doket dhe deri në vitin 1983 e ruajtën të folurën ne gjuhën e vjetër albaneze. I fundit badessiani arbëresh që filste gjuhën e bukur shqipe, kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vdiq në vitin 1983.
Aktualisht “Associazione Culturale Villa Badessa – Shoqata Kulturore Badhesa”, institucionet lokale dhe fetare në Villa Badessa dhe të komunës Roshiano, kanë miratuar disa projekte për mësimin në shkolla të gjuhës shqipe dhe të historisë të Shqipërisë, me synim te rikuperojnë gjuhën dhe kulturën materiale arbërore.