Speciale » Alia
Lutfi Alia: Kunavia në Regnum Albaniae - Mbretëria e Albanisë (1272 – 1368)
E shtune, 17.08.2019, 07:00 PM
KUNAVIA NË REGNUM ALBANIAE – MBRETËRIA E ALBANISË (1272 – 1368)
Nga Lutfi ALIA
Me Shtetin e Arbërit (1190 – 1216), princat e dinastisë
Progoni krijuan një komunitet arbëror të fortë politik, administrativ, fetar
dhe kulturor, kësisoj Arkondia e Albanisë, nga njësi e thjeshtë adminsitrative
bizantine, u shndërrua në bashkësi e konsoliduar trevash etnike albaneze. Në
Shtetin e Arbërit perfshiheshin trevat e Krujës, Kunavisë, Matit, Pultit,
Mirditës dhe Dibrës. Kryeqendra ishte Kruja. Dinastia Progoni kontribuoì në
krijimin e një formacioni shtetëror perëndimor dhe në plazmimin e klasës
feudale albaneze, kryesisht katolike, me edukim sipas modelit napolitan dhe
francez. (K. Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë 2014, f. 64 – 67).
Shteti i Arbërit nuk u ngacmua nga Dhespoti i Epirit
Mihal Engjell Komneni, i cili synonte rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine, që
ishte shpërbërë në vitin 1204. Dhespoti Mihal nuk kishte interesa ta prekte Shtetin
e Arbërit, madje e shfrytezoi si aleat kundër Venedikut, që kishte aneksuar
qytetet e Albanisë bregdetare dhe të Greqisë nga Korfuzi deri në Korinth. (K.
Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë 2014, f. 104 – 107).
Në këtë kohë, Marin Valaresso - duka i Venedikut në
Durrës, u ndodh përballë sulmeve të dhespotit të Epirit, por dhe të
kundëershtimeve të Dhimiter Progonit, që me të drejtë pretendonte Durrësin. (Uspenskij
F. I. Istorija vizatinskoj impperii. Vol. I, Sanct Peterburg 1913).
Dhespoti Mihal Komneni, i shfrytëzoi të gjitha rrugët
diplomatike, ekonomike dhe ushtarake për të vepruar kundër feudalëve
perëndimorë. Për konkretizimin e marrëveshjes tregtare me Venedikun, të
nënshkruar më 20 qërshor 1210, dërgoi ambasadorë dy ipeshkëv arberorë, Simeonin
e Kunavisë dhe Theodorin e Çermenikës, të cilët i përkisnin kishës bizantine.
Në letrën e dytë (faqe 114 dhe faqe 140; CX: Vol. I), të marrëvshjes të
dhespotit Mihal Komnena, me Dozhën Ziani të Venedikut theksohet: “Nuncios meos
virum venerabilem Theodorum Cernicensem et Symeonem Cunalis, magnitudini vostre
porraei, concessitis mihi et heridibus meis et nomine feudi dedistis terras que
vostri juris suni quas ego tenebam quando Marinus Vallaresus vir nobilis dux
Dyrrachi venit ad me”. (Acta et Diplomata. Vol. I. Doc. 140).
Me këtë marrëveshje, Dhespoti Mihal Komneni i bëri
lëshime Venedikut, por nga ana tjetër perfitoi në kurriz teë arbërve, duke i
aneksuar tre provincat e Arbërisë jugore: Çamërinë, Kolonjën dhe Mallakastrën.
(Emanuele Antonio Cicogna. Della iscrizioni veneziane. Vol IV. Venzia 1834.
f. 540)
Pas këtyre arritjeve, Dhespot Mihali e prishi aleancën me
Shtetin e Arbërit dhe në vitin 1212 e pushtoi Durrësin, në vitin 1214 dhe
Shkodrën, por më pas u detyrua ta braktisi. Në këto rrethana konflikti, princi
Dhimiter Progoni e shpërnguli qendrën e Shtetit në Geziq të Mirëditës, dhe për
t’iu kundërvënë dhespotit të Epirit, lidhi aleancë me mbretin George të
Diokleas. (K. Frasheri idem. F. 107).
Në vitin 1217 Shteti i Arbërit nuk përmendet në dokumentat
dhe në kronikat e kohës. Pas rënies së Shtetit të Arbërit, trojet tona u bënë
arena e konflikteve tipike bizantine dhe e përplasjeve të kishës perëndimore me
atë lindore, për të fituar kishën arbërore.
Në vitin 1217, trojet arbërore u pushtuan nga dhespoti i
Epirit Teodor Engjell Komneni, ndërsa ne vitin 1230 u pushtua nga bullgarët e
perandorit Ivan Aseni II. Ndërhyrja e bullgarëve nuk u tolerua nga Johan Duka
Vataces, perandori bizantin i Nikeas, i cili në vitin 1253 e pushtoi Arberinë.
Me perandorin bizantin u bashkua Gulami, sundimtari i Arbërisë. Në këtë
periudhë Arberia ishte trevë autonome. (K. Frasheri, idem, f. 129)
Në vitin 1254, perandori pasardhës Teodori II Laskaris,
caktoi komandantin ushtarak bizantinin Kostantin Havaroni në krye të provincës
së Arbanonit, duke i shkelur të drejtat e autonomisë të Arbërisë, që ia kishin
njohur parardhësit. Perandori Teodori II Laskaris dërgoi pretorin Georgii
Acropolitis për të vëzhguar situatën në viset arbërore. Në kronikën e tij,
Akropoliti thotë se bashkë me parinë e vendit vizitoi Durrësin, kaloi nëpër
viset e gjëra të Kunavisë, kaperceu malin Malam Petram (Mali i Keq, kufiri
verior i Kunavisë), përshkoi Matin, kaloi në Diber dhe pas tre muaj udhëtime
arrijti në Perlep, ku mori lajmin, se arbërorët ishin ngritur në kryengritje
dhe se kishin zën rob komandantin Kostantin Havaronin. Në kronikën e
Akropolitit theksohet: “Dyrrachiique negotiis compofitis, in viam deducor,
& Chunavia emenfa & montem, quam
Malam Petram cognominant, permeans, Matem progredior, inde que Derbem appello
cum univer?is, qui in itinere obviam fa&i funt, quique veloppida , vel
privatos exercitus, vel publicarum etiam rerum fummam peragerent ?ermonem
con?erens & per Cytzabim tranfiens Prilapum cóntendi”. (Georgii
Acropolites, Historia bizantinae. Venetiis. Ex Typographia Bartlolemei
Javarina. MDCCXXIX) XX, 17. Doc. 39. f. 59 – 60)
Konfliktin mes dhespotit të Epirit me Perandorin Bizantin
të Nikeas, e shfrytëzoi mbreti i Siçilisë Manfred Hohenstafen, i cili pasi
pushtoi qytetet bregdetare, e shtriu pushtetin në brendësi të trojeve Albanisë.
Me inkursionet e Manfredit filloi një periudhë e re e
ndikimit të feudalëve perendimorë në historinë e Albanisë. Një ndër vendimet e
rëndësishme të Manfredit ishte bashkimi i Durrësit me provincën e Arberisë dhe
emërimit të fisniku albanez Andrea Vrana, qeveritar ushtarak i Durrësit dhe i
Albanisë: Capitaneus Arbani et Dyrrachii. (P. Xhufi 1997,
p. 1233-1256). Klasa feudale me identitet arbëror, i asimiloi vlerat e
shoqërisë militare dhe kalorsiake perëndimore dhe bashkë me feudalë të kulturës
bizantine, në shekullin XIV u bashkuan dhe kundër-shtuan presionet e
perandorisë dhe të kishës ortodokse serbe.
Manfredi Hohenstafen mbeti i vrarë në betejën e Benevento
në vitin 1266 dhe fronin e Italisë jugore (Mbretëria e Napolit dhe e Siçilisë)
e mori Karli I Anzhuin (i biri i mbretit të Francës Luigjit VIII).
Pas rënies të Shtetit të Arberit (1216) dhe të princit
Gulami më 1255, në skenën e historisë tone doli Mbreteria e Albanisë - Regum
Albaniae, me mbret Karli I Anzhuin. Mbretëria e Albanisë (1272 – 1373), u
shpall zyrtarisht si formacion politik më 21 shkurt të vitit 1272, nga Karli I
Anzhuin, por në fakt, termi Regnum Albaniae u përdor nga kancelaria
Anzhuine, në traktatin e Viterbos, më 27 maj 1267, të nënshkruar nga Papa
Klementi IV dhe Karlit I, ku me këtë akt u përligjën fushatat militare të
Karlit I në Ballkan dhe pushtimi i trojeve arbërore. (Acta Albaniae 1913,
vol. I, doc. 268)
Në shkurt të vitit 1271, flota e Karlit I pushtoi
Durrësin. Kalimi i Durrësit nen zoterimin e Anzhuineve, erdhi në mënyrë
spontane dhe me miratimin e prijësave lokalë dhe të përfaqësueseve të klerit
katolik, që luajtën rol themelor në propogandën dhe në traktativat diplomatike
të mbretit Karli I Anzhuin, me sundimtarët arbëror të Albanise. (Ducellier
A. 1981, p. 238 – 239). (Carabellese 1911, p. 49, nota
2).
Historianët É. Léonard, P. Xhufi, G. A. Ducellier, Del
Giudice, E. Carabellese, M. Šufflay, A. Kiesewetter D. G. M. Monti, G.
Campobasso etj, theksojnë: “Ishin ipeshkvët, kontët, baronët, ushtarët dhe
qytetarët arberorë, ata që e zgjodhën dhe e pranuan Karlin I si mbretin e
tyre”.
Marrja e Durrësit në vitin 1271 ishte konkretizim i
negociatave me princat arbëror, të ndërmjetësuara dhe të mbeshtetura nga
klerikët benedektinë dhe françeskanë. Në këto traktativa, kontribuan dy klerikë
albanezë, murgu Nicola d’Albania, të cilit mbreti Karli I i akordoi një
shpërblim vjetor prej 12 onçe ari, për meritat në kalimin e qytetit të Durrësit
nën sovranitetin anzhuin; si dhe prifti Giovanni di Durazzo (Gjon Durrsaku), i
cili gjatë vitit 1271 udhetoi disa herë në Pulja, si mediator ne bisedimet
ndermjet dy paleve, per kalimin e Durresit nën varësinë e mbretërisë anzhuine:
“... ad predictas partes Durachii pro nostre maiestatis exequendis serviciis
remeare”. (Gianvito Campobasso. Alcune fonti per lo studio del Regnum
Albaniae degli Angiò : documenti, epigrafi, araldica e visual
evidences. 2016. Melangès e l’ècole Francaise de Rome).
Në vitin 1272, Karlit I Anzhuin u shpall mbret i Albanisë:
“Carolus I, dei gratia Rex Siciliae et Albaniae”. Kryeqyteti i Regnum
Albaniae ishte Durrësi. Në një dokument të vitit 1272, rezulton se Karli I
Anzhuin, emëroi mëkëmbësin e tij të përgjithshëm në Albania Kinardo Gaxoni, të
birin e admiralit Filipp, zot i Vlorës dhe i Korfuzit: “Carolus I dei
gratia Rex Siciliae et Albaniae et cetera. Gazoni Chinardo militi suo in regno
Albaniae vicario generali dilecto ... De tua prudencia et fidelitate plenam
fiduciam obtinentes, amovendi et puniendi tam in Regno Albaniae quam in
exercitu et extolio nostris destinatis ad ipsum regnum omnes officiales, tam
castellanos”. (Acta Albaniae 1913, vol. I, doc. 268) (Acta
Albaniae, op.cit. n. 14, vol. I, doc. 270).
Pushteti i anzhuinëve në
Albania, vazhdoi rreth një shekull. Gjatë kësaj periudhe, Albania ndjeu
zgjedhën dhe ndikimin napolitano-francez, madje zbatonte doket dhe rregullat ad modum
Franciae, që u përvehtësuan nga elita albaneze, me synim të krijonin
qendrime dhe sjellje kulturore të njejta, ose të ngjashme me ato të oborrit të
Anzhuinëve. (Gianvito Campobasso. Idem.)
Si e thekson historiani
Campobasso, ambicjet e Karlit I, për aneksimin e trojeve ballkanike, ishin
nxitur dhe mbështetur nga Selia e Shenjtë, sepse Papati e shihte Karlin si një
instrument për organizimin e kryqëzatës kundër shizmës të ortodoksisë serbe dhe
me synim për një bashkim konfesional të ortodoksëve “shizmatikë” nën primatin
roman. Mbështetjen Papale, anzhuinët e shfrytëzuan për të ligjëruar veprimet
ushtarake në lindje, si dhe për të përfituar tituj të lartë fisnikërie. Me këtë
politikë Papale, u bashkua dhe kleri katolik albanez, që nxiti dhe favorizoi
kalimin e Albanisë nën zoterimin e Anzhuinëve. (Gianvito Campobasso. Alcune
fonti per lo studio del Regnum Albaniae degli Angiò : documenti,
epigrafi, araldica e visual evidences. 2016. Melangès e l’ècole
Francaise de Rome).
Gjatë sundimit të tij,
Karli I Anzhuin nxorri disa diploma, ku shprehte karakterin paqësor të
politikës se tij në marrdhëniet me fisnikët albanezë dhe pasardhësit e tyre,
duke përdorur formula diplomatike për “bashkimin” e Albanisë me mbretërinë
anzhuine pa kurrfarë dhune dhe shtërngimi: “Nosque et heredes nostros absque
aliqua violentia seu cohactione in perpetuos dominos recognoscere...” (Acta
Albaniae 1913, vol. I, doc. 268).
Me mbretin Karli I
Anzhù, katolicizmi u zgjerua dhe u konsolidua në trojet arbërore, duke filluar
në veri me Pultin, Mirëditën, duke vazhduar me Matin, Krujën, Kunavinë, Dibrën,
ne lindje vazhdoi deri në Ohër e Kostur, ne jug në Himarë dhe deri në Butrint,
ku shtriheshin kufijt e mbretërisë (K. Frasheri idem).
Në Durrës ishin
përqëndruar organet administrative, komanda ushtarake (me komandant marshallin
francez Guillaume Bernard) dhe Kryeipeshkevia. M. Šufflay dhe Karabellese,
bazuar në dokumentat papnore të vitit 1272, përcaktuan shtrirjen e Regum
Albaniae. Kufiri verior perfshinte Pultin, Mirëditën, Lezhën, Ulqinin dhe
Danjen (nën zotërim te protosevastorit Guljelm Blinishtit, dhe të baronit
Calojohannes Blinishti), në juglindje përfshinte territoret në zoterim të
Mentul Muzaka - konti i Këlcyrës; ne lindje ishin trojet e Ohrit dhe te Dibres
(ku sundonin baroni Pal Matrenga dhe baroni Pal Gropa); në qendër bënin pjesë
Durrësi (kryeqendra), Kruja (në zoterim të kapitenit Andrea Vrana); Kunavia nën
zotërim të markezit Martaseos, Çermenika në zotërim të kontëve Ladislavi dhe
Andrea Muzaka - mareshalli i Regum Albaniae; Berati në zotërimet e Gjin Muzaka;
ndërsa kufiri jugor ishin malet Akrokeraune, Himara dhe Butrinti.
Në dy diploma, që kishte
nxjerr kancelaria mbretërore më 20 dhe 21 shkurt 1272, Karli I Anzhu iu premtoi
fisnikëve arbëror mbrojtje (protectionem suam) dhe njohjen e
privilegjeve, të normave dhe të dokeve "të mira" të mëparshme, pra
pranonte kodin arbëror. Njohja nga ana e krerëve arberorë, të sovranitetit
anzhuin nuk ishte "dorëzim" pa kushte, por një ujdi e arritur në
mirëkuptim, si shprehej vetë mbreti Karl I, gjithëçka u krye "pa
kurrfarë dhune dhe shtrëngimi - absque aliqua violentia seu cohactione”.
Mbreti Karli i I Anzhu
dhe pse iu premtoi fisnikëve arbëror mbrojtje dhe autonomi, i shkeli premtimet,
madje për të shmangur revoltat, mori peng disa fisnikë dhe i internoi në Itali.
Ne vitin 1278, në kështjellën e Terni-t burgosi Dukën Tanush Dukagjini (Dux
Ginus Tanusius Albanensis); ndërsa një grup tjetër fisnikësh arbëror ishin
të burgosur në Anversa, nder ata Duka Tanush Skura (Dux Tanusius Scura),
i cili me 5 fisnikë të tjerë, u arratisën dhe u kthyen në atdhe.
Në vitin 1273, Albania u
trondit nga një tërmet i fuqishëm, sidomos u ndje në Durres ku shkatërroi
banesat e qytetit dhe shkaktoi mbi 25 000 viktima. Rrënimi i qytetit i detyroi
banorët të transferohen ne Berat, ku qëndruan deri në rindërtimin e një pjese
të banesave. Për rikthimin e banorëve në Durrës kontribuan në veçanti fratenit
minorë të urdhërit Françeskan, të pranishëm në qytet që nga vitit 1248. Pasojat
e tërmetit në Durrës përshkruhen në kronikën e pelegrinit Simeon Simeonis. (Gianvito
Campobasso. 2016. idem).
Ky termet tronditi dhe
trojet malore të Kunavisë, ku rrënoi shumë banesa, shkaktoi viktima dhe dëmtoi
kishat e manastiret, sidomos katedralen dioqezane të Shën Dhimitrit. Katedralia
e rindërtuar, u konsakrua me emrin e Shën Gjon Pagëzorit (Sanctus Joannes
Batista), çka dokumentohet në bulën e Papa Klementi V, e vitit 1311, për
emërimin e Imzot Gulielm Montegrano, ipeshkëv i Dioqezës shufragane të Kunavise
në Mbretërinë e Albanisë. Ndryshimi i emërit ka nje motiv bindës, sepse Shën
Gjon Pagëzori është mbrojtësi ndaj fatkeqësive natyrore, ndaj tërmeteve dhe
stuhive, mbrojtës i barinjëve dhe i përpunueseve të leshit, i prodhuesve të
shpatave etj, etj. Titulli i Shën Gjon Pagëzorit, u pranua dhe u nderua nga
malesorët e Kunavisë, të cilët ishin kryesisht blegtorë, pasi bujqësia zinte
pak vend në jetën e tyre, si për kushtet klimatike, por dhe të terrenit të
ashpër malor e me shumë pak tokë për kultivimin e drithrave.
Në shekujt XIII - XIV,
Albania përjetoi qytetërimin perëndimor në tërë rrafshet e zhvillimeve
politike, ekono-mike dhe shoqërore; respironte kulturë europiane, ishte pjesë
integrale e Europës. Shpallja e Mbretërisë së Albanisë, ndikoi që paria
vendore, të fitoi status politik dhe status fisnikërie të njejtë me të vendeve
perëndimore. Titujt e fisnikërisë ishin të trashëgueshëm, pavarësisht nga
jetëgjatësia anzhuinëve në territoret tona, pavarësisht se në vitet e më pasme
do te kishte apo jo një mbret. Një herë e shpallur, mbretëria mesjetare e
Albanisë, nuk mund të shpërbehej më, andaj dhe titujt e fisnikëve u trashëguan
nga brezat pasardhës. Kultura europiane ishte e mishëruar dhe në
heraldikën arbëror, e cila ishte sa origjinale, aq dhe pasqyrim i heraldikës
europiane dhe të asaj anzhuine, e shprehur me stemat, me flamujt, me medaljonet
dhe me kodikët e fisnikëve.
Stemat e para heraldike
të dinastive dhe titujt e fisnikërisë arbërore, u shfaqën në shekullin XII me
princat Progoni të Shtetit të Arbërit. Në periudhën e Mbretërisë së Albanisë
stemat heraldike u perdorën gjërësisht nga fisnikët arbëror, të cilët i
braktisën titujt bizantinë dhe përdorën tituj perëndimor. Në traktatin e vitit
1295 të gjenovezit Galvano Levante Januensis, përmenden antarët e familjeve
fisnike albaneze me titujt respektivë perëndimor si kont, baron, kalorës etj:
“Illustribus heroidibus Albaniae dominis Bardo Matrango, Alexio Comit, Comiti
Johani, et cavallieri Demetrio Olfano,
Demetrio Scura, filio Zacharia Scura, Johanis Sbramu-no, Canastio
Belvestio, Michaeli Cachoruga et omnibus aliis baronibus de natione Albaniae
neophitis, per revonationem fidei orthodoxe et reconceliationem ex proposito
bono ad sanctoi Romanem Ecclesiam”. (Ch. Kohler. Mélange pour servir
à histoire de l’Orient latin e des croisades. Paris 1906, f. 222 – 223).
Në shekullin XIV,
familjet patronomike të Mbretërisë së Albanisë, përdorën simbolet heraldike
anzhuinëve. Zambaku me tre petale (Fleur de lis) i anzhuinëve francezë, ishte i
pranishëm në stemat heraldike të disa dinastive fisnike arbërore dhe pse
asnjeri prej zotërve të këtyre familjeve nuk ishte kurorëzuar mbret. Stemat e
princave Topia, Muzaka, Skura, Kastrioti, Frangu etj, e kanë komponent zambakun
tre petalesh, ashtu si kanë shqiponjën me një apo dykrenëshe, me një ose me dy
kurora mbretërore, pavarësisht se familjet e tyre nuk ishin me origjinë
mbretërore, as nuk ishin kurorëzuar mbretër nga Papa, as nga Patriarku i kishës
Ortodokse, si ishin ligjet dhe normat e mesjetës.
Filologu erudit Faik
Konica, duke iu referuar periudhës të Mbretërisë Anzhuine të Albanisë thekson:
"Gjuha albaneze duhet të jetë shkruar në shekullin XIII, kur në 1272,
Karli I Anzhu, u zgjodh mbret i albanezëve me kryeqytet Durrësin. Ai dërgoi në
Durrës mëkëmbësin G. Chinardo, për të organizuar Mbretërinë e Albanisë dhe
kuptohet, duhet të ketë organizuar gjuhën administrative në arberisht”. Konica
mendon se në këtë periudhë ekzistonte dhe një lloj letërsie laike e herëshme
albaneze e mesjetës, e formës me rrëfime kalorësiake, apo përmbledhje
historishë popullore, sipas modelit të botimit italian "Cento novelle
antiche".
Mbreti katolik Karli I
Anzhù, i preu lidhjet me Konstantinopojën dhe e konsolidoi lidhjen e kishave
arbërore me Romën, por pa ndryshuar ritin kishtar tradicional bizantin. Si
kuptohet kthesa u krye nën trysninë e faktorit politik të anzhuinëve, të cilët
me përhapjen e katolicizmit, synonin te rikrijonin Perandorinë Latine të
Lindjes, atë që ishte shembur në vitin 1260.
Karli I Anzhuin vdiq në
Foxhia me 7 janar 1285, duke ia lënë fronin të birit Karli II Anzhuin (1285 –
1309). Pas vdekjes të Karlit II, në fron hypi i biri Roberto Anzhù (1309 –
1343), mik i Petrarkës dhe i Bokaçios. Me vdekjen e Robertit, në fronin e
mbretërisë së Napolit hypi e mbesa Xhiovana I Durazzo, të cilën e rrëzoi nga
froni i nipi Karlo, duka i Durrësit dhe Zoti i Albanisë, që u shpall mbret i
Napolit me emrin Carlo III di Durazzo. Karlo III Durrsaku ishte i biri i
Luigjit III – duka i Durrësit dhe i Margarita Sanseverino. (Salvatore
Fodali. Dizionario Biografico degli Italiani. 1977, vol. 20).
Karli I Anzhuin synoi të
pushtonte Ballkanin, per te krijuar nje shtet të madh në orbitën napolitane,
por ëndërra e tij nuk u vazhdua nga Karli II, i cili i ndodhur para konflikteve
të brendëshme, sidomos të Vespri Siçiliane, u detyrua t’i braktisi këto
ambicje, për faktin se forca ushtarke dhe financiare e mbretërisë u dobësuan në
vitet 1285 – 1302. (Carabellese 1911, p. 33, nota 1. Léonard 1967,
p. 243-246. Frachery 2005, p. 15, nota 32).
Mbreterit anzhuin, kanë
merita se e organizuan Mbretërinë e Albanisë sipas modelit napolitano-francez.
Ata kontribuan në plazmimin e fisnikërisë albaneze me kulturë perëndimore dhe
në konsolidimin e katolicizmit në popullatën arbërore. Një ndër masat e
rëndësishme administrative ne organizimin e shtetit ishte hartimi i statuteve
qytetare, një proçes paralel i shtrirë në të gjithë mbretërinë, që filloi me Consuetudines
Barenses (Kushtetuta e Barit, Itali), vazhdoi në Albania me statutin e
Ulqinit në vitin 1280, me statutin e Shkodrës të vitit 1349, të Vlorës në vitin
1357, të Tivarit në vitin 1369, të Durrësit në vitin 1392, të Drishtit 1397,
etj. Drejtimi i mbretërisë dhe i shoqërisë me norma juridike të parashikuara në
statutet qytetare, dëshmon për nivelin e zhvillimit social-kulturor dhe politik
perëndimor të Albanisë në shekujt XIII - XIV.
Në vitin 1294, mbreti
Karli II i dha të birit Filipit drejtimin e Principatës Tarentine, të
principatës të Akaia, të dukatit të Athinës, të mbretërisë së Albanisë dhe
Vlakisë: “principatu Achaie, ducatu Athenarum, regnio Albanie, provincia
Wlachie ac ceteris locis imperii seu partium Romanie tam in terra firma quam in
insulis ex quacumque causa iuro vel titulo nobis nunc competunt et possent
competere in futurum”. (Léonard 1967, p. 373. Nicol 1994,
p. 24-32)
Princi Filip sundoi nën
koronën e Anzhuinëve, por me ambicie, për të krijuar një principatë
indipendente, me shtrirje strategjike në vendet tej detit, duke perfshirë
Albaninë dhe vendet e tjera Ballkanike. Për të realizuar këto qellime, Filipi
shfrytëzoi dhe martesat, kështu fillimisht u martua me Tamarën e Epirit, ndërsa
më pas me Katerina Valua Kurtenei, trashëgimtaren e ish-perandorisë Latine të
Lindjes. Pas marteses, Katerina vizitoi Albaninë. (Ducellier, La
façade ,pp. 323-59, in part. pp. 326-47, pp. 338). Kuptohet se kjo
vizitë i sherbeu për të planifikuar një aleancë të re martesash të fisnikëve
arbëror me Anzhuinët, duke krijuar bazat për fuqizimin e pushtetit të familjeve
albaneze. (Perrino: Affari pubblici , pp. 91 - 94; Curzi, S.
Maria , pp. 71 - 78, f. 89). Duke analizuar pemën gjeneallogjike të
Anzhuinëve, Léonard konstatoi se konti Andrea Topia u martua me të bijën
natyrale të princit Filip dhe jo me të bijen e mbretit Robert, si ishte thënë
më parë. (Émile-Guillaume Léonard 1967, p. 373)
Princi Filipi i Taranto u tregua aktiv për
forcimin e pushtetit në trojet arbërore, andaj së bashku me dukët e Durrësit,
organizuan vizita diplomatike dhe ekspedita ushtarake. Në një akt zyrtar të 5
shtatorit 1304, në gjuhën latine, i lëshuar nga adminsitrata anzhuine e princit
Filip, rezulton se është një marrëveshje me prijësat arbëror, të cilëve u
njihte privilegje të veçanta. Në këtë dekret janë përfshirë trembedhjetë
bashkësitë e trevave arberore: Albos, Spatos, Catarucos, Bischesini, Aranitos,
Lecenis, Turbaceos, Martasesos, Scuras, Zeneuias, Bucceseos, Logoresccos,
Mataseos. (Acta Diplomata. Vol I, Doc. Nr 563). Në këtë listë mungojnë Muzaka
dhe Topia, me të cilët, princi Filip kishte bërë më parë marrëveshje
bashkëpunimi, duke i njohur privilegjet dhe autonominë, në shkëmbim të
besnikërisë së tyre ndaj Princit Filipi Tarantin. Në listën e trevave është
përfshirë Markaseos i Kunavisë, me sundimtar markezin Martaseos.
Në vitet e sundimit të
Anzhuinëve, Durrësi mori zhvillim duke u shndërruar në qendër administrative,
kulturore dhe fetare, me kryeipeshkëvinë e Durrësit që kishte në varësi 14
dioqeza shufragane.
Në vitet e para te
shekullit XIV, nje pelegrini i quajtur “Anonimo Latino”, e përshkruan Durrësin
të shtrirë brenda mureve të kështjellës,
në periferi me toka pjellore dhe tufa bagëtish, me banorët të besimit katolik
dhe nën sundimin e Princit Tarentin: “Est enim hec Albania regio satis lata
et magna. Terra est fertilis in carnibus, caseis et lacte, in pane et uino non multum
habundant, sufficienter tamen habent. Habent tamen unam ciuitatem que
uocatur Dyrrachium et est Latinorum. Ab ea enim habent pannos et alia
necessaria. Partem huius regni cum ciuitate Dyrrachena predicta tenet nunc
princeps Tarentinus, filius regis Sicilie, et hoc ex uoluntate libera illorum
dominorum de terra qui ipsum, propter naturalem amorem quem habent ad Gallicos,
sponte et libere eum in dominum receperunt.
Ky përshkrim
(descriptio) i anonimit latin, ashtu si kronika e vitit 1320 e pelegrinit
Simeon Simeonis, tregojnë përkatësinë politike të Durrësit anzhuin, duke
theksuar se banohej nga latinë, greke, hebrej dhe barbarët vendas, që flisnin
gjuhën albaneze dhe se popullata ishte pakësuar si pasojë e termetit të rëndë,
që kishte goditur qytetin: “Durachiam, civitatem olim famosam et in mari et
in terra potentem, et imperatori grecorum subjectam, nunc autem principi
Romanie fratri regis Jerusalem. Ipsa autem civitas est in murorum ambitu
amplissima, et in edificiis vilis et exigua, quia quondam terre motu fuerat
funditus eversa, et in ejus eversione ditissimi ejus cives et inhabitatores
propiis palatiis oppressi fuerant, ut dicitur, bene XXIIII millia, et mortui
sunt : nunc autem in populo est sterilis, qui est ritu et habitu et lingua
divisus ; habitatur enim latinis, grecis, judeis perfidis, et barbaris
albanensibus”. [Nashmith (a cura di), Itinerarium, pp. 246 - 282, in
part. p. 252.92]
Vula e princit Filipi
Tarantino, me stemën heraldike të anzhuinëve
Regnum Albaniae
përmendet dhe në dokumentat e kancelarisë Papnore të vititt 1317, në bulat e
Papa Gjoni XXII, të dyja bulat të lidhura me Kunavinë. Më 10 maji 1317, Papa
Gjoni XXII i drejtohej Imzot Guljelm Montegrano, ipeshkëvi i Kunavisë, i
Kryeipeshkëvisë së Durrësit të Regnum Albaniae, me urdhërin të paraqitej në
Avinjon, ku ishte transferuar selia Papale. Kjo bulë, ka vlera historike si
dokument, me të cilin Papati e njeh zyrtarisht Regnum Albaniae, por dhe
sepse lidhet me historinë e Kunavisë, si pjesë integrale Mbretërisë së
Arbërit edhe si dioqezë, ku po rritej roli i kishës katolike.
Me bulën e dytë më 27
shtator 1317, Papa Gjoni XXII i drejtohet Imzot Ndreut (Andrea Croensis -
Andrea Krutani), ipeshkëvi i Krujës dhe administratori apostolik i
Kunavisë, të cilin e ngarkonte me detyrë të organizoi kryengritjen antiserbe,
por dhe me misonin e legatit: “Të konfirmoi emërimin e At Gjon Rubeut në
famullinë e kishës së Shën Nikolla në Petrosa të dioqezës së Kunavisë”. Petrosa
është fshati i sotëm Lena në Martanesh. Sipas Millan Šufflay, famullia e Shën
Nikolla në Petrosa të Kunavisë, ishte shumë e pasur dhe siguronte në vit të
ardhura me rreth 60 gulden të arta, një shumë sa të ardhurat e dy ipeshkëvive
të vogla,. (M. Šufflay. Situata e Kishës në Shqiperinë paraturke. Botime
Françeskane. Shkodër 2013, f. 125)
Konteksti i bulave të
Papa Gjoni XXII në vitet 1317 - 1320, lidhen me kryengritjen kundër serbëve.
Plani për kryqezatën
kundër serbëve, u perpilua nga Anzhuinët me mbështetjen e Papës Gjoni i XXII, i
cili në letrën e 12 maj të vitit 1319, dërguar princit Filip, e siguron se
ishte i gatshëm për çfarëdo lloj iniciative, pasi kësisoj mendonin dhe Karli I
Roberti - mbreti i Hungarisë (1308-1342) dhe Mladeni II - Bani i Kroacisë dhe i
Bosnjës.
Në vitin 1319, malësorët
e Kunavisë u bashkuan me imzot Ndreun, udhëheqësin e kryengritjes kundër
shizma-
tikut Uroshi II, revoltë
që vazhdoi edhe kundër carëve të tjerë pasardhës. (M. Šufflay. Sitauat e
Kishës në Shqiperinë paraturke. Botime Françeskane. Shkodër 2013, f. 58)
Sulmet serbe kundër
trojeve arbërore dhe politika e tyre agresive për konvertimin e banorëve në
ortodoksë, i detyroi prijësit e trojeve veriore të Albanisë, të kërkojnë
ndihmën e Papës. Në letrën, që delegatët arbëror i dorëzuan Papës Gjoni XXII,
theksonin terrorin serb ndaj arbërorëve: “...quam dura est tyrannica servitute
ab Rege schismatico premerentur illi populi ...” Në qershor të vitit 1319, Papa
Gjoni XXII, miratoi planin për kryqëzatë kundër mbretit serb. Me letrën e 17
qershorit 1319 Papa Gjoni XXII, kete vendim ua njoftoj fisnikëve albanezë
Guljelm Blenishtit (protosevastor), Guljelm Aranitit
(protholegatur), baronit Pal Matrangës dhe baronëve të tjerë të mbretërisë
së Albanisë, si dhe Ladislavit - konti i Albanisë, Mentul Muzaka (konti i
Këlcyrës), Andrea Muzakës (Mareshalli i Regnum Albaniae), Theodor Muzaka
(protosevastori i mbretërisë së Albanisë), Vladislavit konti i Dioklea. (Farlato
et Coletti, Illirici sacri, vol VII, pp. 63 – 64).
Anzhuinët, me pas e
humbën besimin e Papës Gjoni XXII, për shkak të lidhjeve, që ata krijuan me
Serbët shizmatikë dhe me bullgarët. Mungesa e harmonise dhe bashkpunimit të
Papatit me anzhuinët, e pengoi realizimin e kryqëzatës së planifikuar për të
cilën u thirrën fisnikët e Arbërisë.
Në gjysmën e parë të
shekullit XIV, trojet e Albanisë u pushtuan nga serbët. Politika e Stefan
Uroshit II (1282-1321) kundër katolikëve të viseve arbërore, u intensifikua
gjatë sundimit të Stefan Uroshi III (1322-1331) dhe Stefan Dushanit
(1331-1355). Këta tre sovranë e fuqizuan mbretërinë serbe, përkrahën kishën
ortodokse me peshkopin Sava (djali i vogël i mbretit Stefan Nemanja), me të
cilin e ka zanafillën hierarkia e kishës greko–sllave, e pasuar me
kryepeshkopin Arsenije I.
Letrat e Papës drejtuar
klerikëve dhe fisnikëve arbëror, synonin të arrihej bashkimi i të gjitha
forcave politike e ushtarake albaneze, për çlirimin nga sundimi i serbëve, të
cilët si thotë studiuesi Pëllumb Xhufi, ata përdorën të gjitha politikat për
shkatërrimin e strukturave social-politike të Albanisë të asaj kohe, së pari
duke i zhveshur shtresat e larta nga pasuritë dhe duke imponuar politikën e
serbizimit, që fillonte me konvertimin e popullatës në ortodoksë. Asimilimi
kishtar, asimilimi kulturor dhe së fundi asimilimi etnik, ishin shtresa të të
njëjtit proces serbizimi i politikës serbe.
Kjo situatë e ndërlikuar
në Albania, është prezantuar nga kardinali Guido de Bologne, në një
letër të 25 majit 1350, dërguar Papa Klementi VI, ku përshkruan me shqetesim
masakrimin e arbërve nga serbet.
Kjo periudhe, përkon me
prishjen përfundimtare të marëdhënieve të Serbise me Papatin dhe me fuqitë
katolike, sidomos me mbreterinë Anzhuine të Albanisë dhe të Hungarisë. (M.
Šufflay. Situata e Kishës në Shqipërinë paraturke. Botime
Françeskane. Shkodër 2013, f. 58)
Në vitin 1355, ra Mbretëria
e Albanise. Princat arberor mobilizuan popullin kundër pushtuesve serbë e njera
pas tjetrës u çliruan provincat dhe u themeluan principaatat. Ne vitin 1367, u
themelua Despotati i Arta e me pas principatat e Balshajve, Topiajve,
Arianititëve, Muzakëve, Kastriotëve, Dukagjinëve etj.
Durrësi, vazhdoi të
drejtohej nga pasardhësit e dinastisë Anzhuine deri ne vitin 1368, kur u
pushtua nga princi Karl Topia, i cili formalisht konsiderohej vasal i
Anzhuinëve të Napolit, por në çastin e duhur, i shkëputi lidhjet dhe e pushtoi
qytetin e Durrësit, pa i përfillur protestat e anzhuinëve, ankesat e Papatit
dhe shqetësimet e zakonëshme të Venedikut, që i trembej daljes së feudalëve
arbëror në detin Adriatik.
Princi Karl Topia,
fillimisht arriti t’i bashkoi nën sundimin e tij territoret nga Mati deri në
Shkumbin, troje te cilat dikur kishin qenë zotërime të atit Tanush Topia dhe të
ungjit Andrea Topia, kesisoj shpalli dhe u be zoti i Principates se Arberit. Në
vitin 1370, Topiajt zotëronin një pjesë të mirë të brezit bregdetar, trojet
ndërmjet lumit Drin, Mat, Shkumbin dhe Seman, nga ku i kishte larguar me forcë
Muzakajt, zotërit e mëparshëm. Në Arbërinë qendrore, Principata e Topiajve
përfshinte Matin, Krujën, Bendën, Kunavinë, Çermenikën, Polisin, Elbasanin,
Myzeqenë, ndërsa ne lindje kufizohej me zotërimet e Andrea Gropës, që
shtriheshin nga Dibra deri në Oher, madje Karl Topia përfshiu qytetin e Ohrit,
ne zotërimet e tij. Princi Karl Topia arriti të bashkonte te gjitha trojet e
Arbrit të vjetër dhe te njihej “zot i gjithë vendit të Arbrit (Albanoit)”.
Në vitin 1374, Princi
Karl Topia, i premtoi Papës, se ai vetë, fisnikët dhe populli i arbërit, do të
perqafonin katolicizmin. Duke e vlerësuar pushtetin e Karlit dhe lidhjen me
kishën katolike, Papa Grigori XI, i dha Karl Topisë titullin "Grande
Comte d'Albania - Kont i madh i Albanisë”.
Gjatë sundimit të kontit
Karl Topia, kisha katolike e dioqezes se Kunavisë u fuqizua. Gjatë shekullit
XIV, në katedralen e Shën Gjon Pagëzorit të dioqezës shufragane të Kunavisë,
shërbyen pesë ipeshkëv katolikë: Imzot Gulielm Montegrano, Imzot Gjon Hojo
(Johannes de Hojo), Imzot Pietro, Imzot Françesku OFM dhe Imzot Beninjus OFM.
Në gjysmën e dytë të
shekullit XIV dhe fillimin e shekullit XV, mbretërimi rreth një shekull i
Anzhuinëve në Albania, ishte vetëm një kujtim i largët. Në vitin 1409, duka
Ladislao di Durazzo (Ladisllav Durrsaku), pinjolli i fundit i anzhuinëve, ia
shiti Venedikut zotërimet dalmate.
Pavarësisht nga ky
divorc, kultura anzhuina vazhdoi të mbijetoi në organizimin feudal të
principatave arbërore, në jetën e familjare dhe shoqërore të fisnikëve, në raportet
fetare me kishën katolike të Romes dhe në shkëm-bimet tregetare me Puljan dhe
Venedikun.