E shtune, 05.10.2024, 01:17 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Nikolò Leonik Tomeo, Erasmiani i Italisë

E shtune, 11.07.2020, 04:36 PM


NIKOLÒ LEONIK TOMEO, ERASMIANI I ITALISË

Nga Lutfi ALIA

Pas vdekjes të kryetrimit Gjergj Kastrioti dhe pasi ranë Kruja e Shkodra, dy bastionet e fundit të rezistencës heroike të popullit tonë kunder hordhive otomane, Dozha i Venedikut dhe Sulltani, në vitin 1479 firmosën pushtimin turk të trojeve arbërore. Kjo dramë, u pasua me një dhimbje tjetër, largimin e shumë albanezëve drejt Italisë. për të shpëtuar jetën nga masakrat e hordhive otomane. Vetëm ne vitet 1468 – 1550, nga trojet tona u larguan mbi 250 000 banorë. Një kalvar pa fund, ikje pa kthim dhe vendosja në dhè të huaj. Të parët që ikën ishin familjet fisnike, të ndjekur nga një pjesë e popullit. Ishte ikje e imponuar, për t’i shpëtuar hakmarrjes primitive dhe gjenocidit të arbërve, që kryen barbarët otomanë.

Edhe ne dhè të huaj lulezoi shpirti, arti, letërsia dhe kultura arbërore, si dëshmohet me arbërorët e shquar, nder te cilet renditen Johannes Gazuli (1400 – 1465), Marinus Barletius (1450 – 1513), Marinus Becichemus Scodrensis (1468 – 1526), Nicolò Leonicus Tomeus (1456 – 1531), Michele Marullo Tarkaniota (1458 - 1500), Vittorio Carpacccio (1465 – 1520), Mikele Greci nga Vlora, arkitekta dhe skulptorë si Giorgio nga Shebeniku, Andrea Aleksi, Johannes de Durrachio dhe shumë e shumë të tjerë.

Në vitet 1600 – 1800 shquhen historianë, shkrimtarë, poetë, gjuhtarë arbëreshë, që iu dedikuan shkrimeve në gjuhën shqipe dhe historisë së vendlindjes, në veçanti evokuan periudhën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Në këto vite u shquan stratiotët e preferuar nga mbreteritë europiane, u shquan himarjotët ne Regjimentin Maqedono – Ilir të mbretërisë se Napolit, ashtu si u shquan shume klerikë arbëror si famulltarë, arçipeshkëv, kardinal dhe Papa Klementi XI. Ndër kardinalet do të veçoj Alfonso Maria Liguori (1696 – 1787), shenjëtorë, autori i këngës së fameshme të Krishtlindjes “Ti zbret nga yjet”. Familja e Alfonso Maria Liguori ishte nga arbereshët e ngujuar në Brindizi, por i ati si oficer në ushtrinë Mbretërore, u transferua me familjen në Napoli. (G.B. Calvello, S. Alfonso Maria de' Liguori, in "L'Omnibus pittoresco", 14 (20 giugno 1839), pp. 105-107).

Rreth jetës dhe veprës të arbërorëve në Itali kanë shkruar historianët shqiptarë, po më shumë kanë shkruar autorë të huaj, të cilët kanë nxjerrë në pah vlerat e tyre intelektuale, profesionale dhe akademike, që dhe në ditët e sotme na bëjnë të ndjehemi krenarë për arbërorët tonë, që e kanë ngritur lart prestigjin e atdheut.

Kur shkruajnë studiuesit shqiptarë, një kategori skeptikësh dhe nihilstash shprehin rezerva, bëjnë kritika duke i konsideruar vlerësime të ekzagjeruara, ndërsa disa kritizerë, sidomos kategoria filogreke dhe filoserbe, studimet e personaliteve shqiptare i emërtojnë shkrime nacionaliste. Në fakt studiuesit shqiptarë janë të matur në vlerësimin e aktivitetit të arbërorëve jasht atdheut, nuk shprehen me superlativa, por në se njohim studiuesit e huaj, konstatojmë se ata i kanë vleresuar më shumë, madje dhe me konsiderata tepër të larta, që e mbysin fantazinë shtjerrakeqe të skeptikëve, të nihihilsteve dhe të antishqiptarëve.

Janë shumë figura arbërore te shquara ne mesjeten europiane dhe nje prej atyre, qe spikat ne veçanti eshte Nikolò Leonik Tomeo - durresaku, profesor i filozofisë, i letersisë greke dhe latine ne Universitetin e Padovës dhe ne Venecie, arbërori i shquar, i mirënjohur dhe shumë i vlerësuar, por pak i njohur nga ne.

Paolo Xhiovio, shkrimtar, historian, biograf, mjek, ipeshkëv katolik dhe muzeologu më i famshëm italian, ndermjet shumë prtreteve te njerëzve te shquar të historise italiane, në muzeumin e tij kishte dhe portretin e Nikolò Leonik Tomeo, vepër e grafistit gjerman Tobias Stimmer Schaffhausen. Paolo Xhiovio, krahas një historisë të Gjergj Kastriotit, në një vepër tjetër të famëshmeElogies veris clororum virorum imaginibus, apposita quae in museo Joviano Comi spectantur. Venetiis, M Tramuzinum. 28 Augusti MDXLVI”, ne figurat e shquara ne shekujt XV – XVI, përfshinë tre personazhe të shquar arbëror, të shoqëruar me koment sintetik biografik dhe pikërisht janë Nikolò Leonik Tomeo, Marin Bicikemit dhe Mikele Marullo Tarkaniota.

Nikolò Leonik Tomeo, u lind në Venecia më 1 shkurt 1456 në një familje e ardhur nga Durrësi. Pasi përfundoi mësimet e para në Venecia dhe Padova, ndoqi studimet në filozofi dhe letërsi greke pranë maestro Demetrio Kalkondila në Firence e më pas në Milano. Periudhën e studimeve e kompletoi në Universitetin e Padova, ku si deshmojnë R. Regio dhe G Kalfurnio, me 7 maj 1485 u laureua in artibus (De Bellis, 1980, p. 39). Në vitin 1486 shkoi në Venecia ku mori pjesë në mbledhjet që zhvilloheshin në shtëpinë e F. Buonakorsi (Callimachus Experiens), që ishte dhe perfaqesuesi i Polonise ne Republiken e Venedikut.

Po atë vit u rikthye ne Padova, si dëshmojnë letrat në verën e vitit 1486 me Kasandra Fedele (Fedele, f. 5)

Tomeo ishte akademik, ligjërues në Venecia dhe profesor i filozofisë në Universitetin e Padova, ku ishte i pari ligjërues zyrtar i interpretimeve të teksteve në greqishte të Aristotelit.

Kësaj kohe, Tomeos i dedikohen disa dokumenta pronash toke dhe shtëpishë, por shumica e studiuesve thonë se ne fakt i perkisnin të vëllait Bartolomeo.

Tomeo qëndroi në Padova deri në 21 prill 1497, datë kur Senati i Venecias e ngarkoi të jipte mësime për Aristotelin ("Maxime in philosophia et medicina") (Arch. di Stato di Venezia, Senato, Terra, reg. 12, c. 201r).

Leksionet e zhvilluara ne katedrën padovane dhe në Venezia, evidencuan aftesitë e Tomeo për të pajtuar doktrinën e Platonit me të Aristotelit. Në fillimet e tij përkrahu idetë averroistike (mendim filozofik për interpretimin e teksteve aristoteliane, me komente të Averroè - filozof dhe mjek), një pozicion humanistik, që na kujton leksionet e E. Barbaro, që kundershtonin ato të bashkëkohesit P. Pomponazzi.

Tomeo ndoqi një kriter studimor ku ndëthureshin metoda filologjike me hulumtimet filozofike, të kryera në veprat e Aristotelit, pak të njohura atë kohe, kësisoj perfshiu në keto studime gjeneracionin e intelektualëve më të shquar si P. Valeriano, T. Gabriele, Bogherini, P. Gaurico, L.P. Roselli, L. Filalteo (ky i entusiazmuar nga leksionet e tij, botoi deshmitë për Tomeon ne Libri tres epistolarum, Pavia 1564, pp. 4, 65, 89-92).

Vlen të theksohet mjeshtëria Tomasiane në leksionet me një grup studiuesish angleze, mes tyre R. Pace, T. Linacre, W. Latimer dhe C. Tunstall, të cilët ndoqën mësimet e Tomeo për të kompletuar formimin humanistik me studime në Venecia dhe Padova.

Nga dëshmitë direkte dhe indirekte rezulton se për studimet filozofike, Tomeo frekuentonte bibliotekën Marciana, ku kishte marrë veprat e Pausania, Euklidi (Geometria), komentet e Simplicio (De anima), dorë-shkrimet me komente të Ammonio, Semplico dhe Filipono, studionte veprën “Llogjika” dhe “Politica” e Aristotelit e botuar me shekullin X , veprat e Euklidit etj. (Venezia, Biblioteca nazionale Marciana, Mss.Gr. Z., 225). Kodi “Llogjika” kishte qëndruar 30 vjet mbi skrivaninë e Tomeo dhe rikuperua vetëm ne vitin 1531 nga P. Bembo (cfr. Bembo, III, p. 299).

Në vitin 1502, Ipeshkëvi i Trevizo Imzot Bernardo De Rossi, e emëroi ne kolegjin e Montebelluna, me një rroge të larte, por Ai e refuzoi si shprehet në një leter miqesore derguar mikut te tij Marino Sanuto (Venezia, Biblioteca nazionale Marciana, Mss. it., cl. IX, 364 [7167], cc. 176v-177r, ku i tregon dhe për një takim me humanistin I. Mezzabarba. Mësimdhenia në Padova vazhdoi dhe vite ë tjera, si deshmon Tomeo, duke treguar per botimin e vepres: Aristotelis Parva quae vocant Naturalia, Venezia, B. Vitali, 1523, c. LXXXII). Botuesi i veprave të Tomeo ishte Bernardino Vitali, ai që botoi dhe veprat e Marin Barlecit.

Në vitin 1504, Tomeo shkoi të drejtoi katedren e letersise greke dhe latine ne Venecia, që kishte mbetur zbuluar pas vdekjes në vitin 1502 të B. Brugnoli. Emërimi ne Venecia ia rriti prestigjin, sidomos triumfoi mbi konkurencën e nje figure autoritare e njohur si humanisti Marko Musuro.

Tomeo qendroi ne Venecia deri në shtator të vitit 1506, vit që e la këtë katedër dhe u rikthye në Padova. (Arch. di Stato di Venezia, Notatorio del Collegio, reg. 15, cc. 139r, 173r).

Me kthimin në Padova, në vitin 1508 u detyrua të ndërpresi ligjëratat në Universitet, për shkak të luftës të Lidhjes Kambrai, një ndër luftat e mëdha në Itali ne shekullin XVI, një aleancë europiane, që synoi të bllokonte zgjerimin dhe forcimin e Republikës së Venedikut.

Në vitin 1508 u lidh me Erasmo i Rotterdamit, i cili shprehte konsiderata të larta dhe vlerësime për Tomeon, si rezulton në shumë raste në epistolarin e tij dhe me një letër dërguar Tomeos dhe Bembo në korrik 1529 ku shkruan për "duo praecipua huius seculi lumina – dy drita speciale të këtij shekulli" (Erasmo, VIII, p. 245).

Në Padova qëndroi gjatë, ku krahas ligjeratave në Universitet në kolegjin e filozofëve dhe mjekëve (De Bellis, 1980, pp. 44 s.), u impenjua në një aktivitet botues, që me kalimin e viteve bëhej dhe më intensiv, ndër të cilat po rendis me kryesoret:

Inerrantium stellarum significationes per Nicolaum Leonicum e Graeco translatae. Venezia 1516

Aristotelis Parva quae vocant Naturalia, Bernardino Vitali, Venezia 1523.

Trophonius, sive, De divinatione, 1524.

Bembo sive de immortalitate animae, 1524.

Opuscula. Ex Venetiis, Bernardino Vitali, Venezia 1525.

Conversio in Latinum atque explanatio primi libri Aristotelis de partibus animalium… nunc primum ex authoris archetypo in lucem aeditus. G. Farri, Venezia 1540.

Nikolò Leonik Tomeo vazhdoi aktivitetin si ligjërues në Universitetin e Padova deri në ditën që u nda nga jeta më 28 mars 1531. (E. Pastorello, L'epistolario manuziano. Inventario cronologico-analitico 1483-1597, Firenze 1957, p. 281). Emëri dhe vepra e tij janë të njohura dhe të vleresuara në mbarë botën.

Gjatë një bisede me mikun tim Luca D’Ascia, latinist dhe vatikanist, profesor i latinishtes në Universitetin e Barcelonës në Spanjë, më tregoi se në vitin 1990 kishte botuar një studim dedikuar humanistit shqiptar Nikolò Leonik Tomeo, ku e trajton në një aspekt të veçantë, tepër interesant, ka prezantuar aktivitetin e Tomeo si filozof i fesë dhe jo vetem kaq por e cileson Erasmusi i Italise. Studimi i tij titullohet: “Un Erasmiano italiano? Note sulla filosofia della religione di Niccolò Leonico Tomeo – Një Erasmian italian? Shënime mbi filozofine e fesë të Nikolò Leonik Tomeo”, botuar ne: Rivista di Storia e Letteratura Religiosa XXVI, 1990, pp. 242-264.

E lexova me vëmendje këtë studim dhe u befasova, por dhe u ndjeva krenar per Leonikun tonë, personalitet i shquar i mesjetes europiane, te cilin Prof D’Ascia e konsideron Erasmusi i Italise. Kete konkluzion Luka e bazon në vlerësimet qe i ka bërë vetë Erasmusi i Roterdamit, i cili e cilëson Ciceroniani dhe personalitet shumë i ndershëm, si shprehet me një letër derguar Jacopo Sadoleto (1477 – 1547), humanist dhe teolog, autori ndër të tjera i “De laudibus philosophiae”, sekretari i Papës Leoni X, kardinal dhe arçipeshkëvi i Carpentras.

Erasmusi i Roterdamit, i shkruan Sadoleto: “Tui vero pectoris tranquillam puritatem primum mihi deliniavit Nicolaus Leonicus, vir, ut apparet, integer et in Platonica philosophia feliciter exercitatus; deliniavit autem in dialogo quo te deprecando perquam sancte disserentem facit; quem dialogum si prius legissem (legissem autem si huc amici misissent in tempore) meus de orando deum libellus aliquanto minus ieiunus minusque humi repens prodisset – I pari që më shkruajti për integritetin e pastërisë tënde shpirtërore ishte Nikolò Leoniku, një person shumë i ndershëm, si është manifestuar për herë, i cili e ka trajtuar me kompetenca dhe argumenta filozofinë platonike dhe e ka bërë me një dialog, ku të përfshinë ty si një personazh që bisedon me devocion të madh rreth temës së lutjeve. Në se do ta kisha lexuar me herët ketë dialog (po të ma kishin dërguar asi kohe miqtë e mi), atëhere dhe vepra ime “De modo orandi deume vetmja lutje Zotit”, sigurisht do të kishte dalë më e pasuruar”. (Erasmi Roterodami. Opus epistolarum. A cura H. M, P.S. Allen Oxonii. In typographeo clarendoniano, 1906 – 47, t. IX, pagine 166).

Këto konsiderata dhe ky vlerësim, lidhet me admirimin që kishte Erasmo për filozofin Leonik Tomeo, i cili atë kohë, në Universitetin e Padovës kishte zhvilluar një cikël leksionesh me komente mbi Aristotelin, sipas tekstit greqisht, me një intermexo veneciane (1504 – 1506). Tomeo, qe ne fillimet e aktivitetit si lektor dhe deri në fund të jetës së tij kontribuoi në formimin e nje gjeneracioni te madh humanistash italianë dhe anglezë, të lidhur me Erasmo në kontekstin kulturor dhe filozofik. Leterkembimi i Nikolo Leonik Tomeo me Latimer, Pace, Thunstall, More dhe me Pol, janë dokumenta që shprehin interesin e tij per humanizmin erasmian.

Analiza dhe komentet për Plutarkun dhe Galenin, e prezantojnë Tomeon interpretues të shkelqyshëm të filozofisë platoniane. Autorët grekë “munisculis Aldinis formulus – aldina të vegjël para formulave”, të dashuruar me Utopistët, janë pikërisht autorët që komenton Tomeo ne studmet e tij. Përkthimi i përkryer në latinisht, i vlerësuar përkthimi Tomean i “Parva naturalia” të Aristotelit (Parva naturalianatyra e vogël, është titulli konvencional, që përdori Egidio Romano, për “Corpus minore” të veprës të Aristotelit, ne fakt një grup veprash, ku diskuton dukuritë natyrale, që sipas tij implikojnë trupin dhe shpirtin e njeriut).

Me këtë përkthim dhe me komentet filozofike, thekson Luka d’Ascia, Tomeo do të kishte gjetur vendin në anijen Hythlodaeus (tregim imagjinar i Raffaele Hythlodeus) dhe do ta kishte ngritur spirancën ne vitin 1523. Tomeu hartoi dhe një miscellanea erudita “De vera historia”, libri III, që u botua në vitin 1531 në Basilea dhe në vitin 1532 në Lion.

Tomeo e vleresonte Utopinë, për gjallërinë e risive, për elegancën dhe stilin, për seriozitetin në përmbajtje, por shprehte keqardhjen qe trajtohej si fantazi dhe jo si histori, si shprehet në letrën dërguar Pol, ku Tomeo i kujton dobishmërinë e Utopisë të trajtuar nga Tomas More.

Tomeo, njelloj si Giberti dhe Sadoleto, i dedikon Polo-s “Dialoge filozofike”, të botuara në vitin 1524. Per perkufizimin e karakterit të dialogut filozofik, Tomeo përdor fjalën e urtë: “Non chius sed cous e chius ad coum – askush kundër dhe kunder të gjithe”, dhe e krahason me lojën me dado, një shembull i bukur për të mësuar magjine (eruditio curiosa). Këtë trajtesë filozofike, Erasmusi e përdor në bisedën “Aristotelika 1529”, për të kritikuar Teodorin e Gazës për perkthimin e bobët të vepres “Historia Animalium” të Aristotelit.

Simpatitë e Tomeo për literaturën fetare, i pershtateshin gustos të Erasmus, si dëshmon kërkesa e tij drejtuar Erasmus për të marrë një ekzemplar me komentet e Shen Gjon Gojartit për letrat e Shen Palit. Si filozof i mirë, Tomeo nuk i injoronte mëkatet politike të Papatit, u gëzua per zgjedhjen e Papës Klementi VII, por vinte në dyshim vullnetin e tij për paqe, nga ana tjeter mbeshteste divorcin e Henerikut VIII me Katerina Aragona dhe pse ky veprim binte në kundërshtim me rregullat e kishës.

Duke u afruar me Erasmus nëpërmjet miqësive me anglezët, Tomeo vlerësohej nga humanisti i Roterdamit

dhe për miqesitë e shumta që kishte me figurat e shquara të humanizmit italian.

Deri në vitin 1524, kur armiqësia e Akademisë Romane kundër Tomeut kishte arrijt kulmin, Universiteti i Padova me Tomeun shfaqej para Erasmus në kah të kundërt me qytetin papal, fjalëshumë dhe ksenofob. Shkrimtarët si Bembo, filozofa si Tomeo, humanista e njerëz të kishës si Giberti, teologë si murgu benedektin Isidoro Kiari, kontribuan në mbajtjen e mjedisit Padovan të hapur dhe në rinovimin e marrëdhënieve me shtetet tej alpeve. Në këtë atmosferë, shquhej figura e filozofit Nikolò Leonik Tomeo, andaj me të drejte Luka D’Ascia thekson qartësisht: “Pra, në se ekzistonte një erasmian italian, sipas kritereve interpretuese të percaktuara nga vetë Erasmus i Roterdamit, Ai identifikohet me Nikolò Leonik Tomeo, përfaqesuesi i kulturës padovane duke filluar nga viti 1520”. Pra durrsaku ynë, Nikolò Leonik Tomeo ishte erasmiani italian.

Vijon ne numerin e ardhshëm.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora