E diele, 13.10.2024, 05:26 AM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Medaljoni i Kastriotit në koleksionin Voltolina

E diele, 12.08.2018, 12:34 PM


MEDALJONI I GJERGJ KASTRIOTIT, ME NR. 66 NË KOLEKSIONIN VOLTOLINA

Nga Lutfi ALIA

Koleksioni i medaljoneve të Piero Voltolina, me portretin e Gjergj Kastriotit, deshmojnë se janë prodhuar në vitet kur Gjergji ishte Zot i Albanisë dhe kryekomandant i ushtrisë arbërore.

Medaljoni i dytë me portretin e Gjergj Kastriotit, i renditur me numër 66 në veprën e Piero Voltolina, është prodhuar në Romë.[5]

Në skedën historike autori shkruan:

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBERGVS

(1403 – 1468)

CONDOTTIERO. (Udhëheqës ushtarak)

EROE NAZIONALE ALBANESE. (Hero kombetar i Shqiprisë)

GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBEGVS ·:·

GJERGJ KASTRIOTA SKENDERBEGUS.

Skeda teknike e medaljonit N. 66

Autori: Anonim

Vendi i prodhimit: Roma.

Armand, III, p 165. E

Diametri: 46, 3 mm

Prodhuar me derdhje.

Metali: AE – C. R. N, Milano: përzierje argjendi, kallaj dhe bakri.

Bibliografia e medaljonit: Koleksion i Piero Voltolina-s.

Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001

Fan S. Noli, Scanderbeg, Argos, Lecce 1993

Për medaljonin Nr. 66, Piero Voltolina shkruan: “Bust në profil nga e majta, me mjekër të gjatë, me berretë të ulur para mbi ballë, i veshur me mantel të prodhuar me stofë të shtrenjtë”. Natyrisht, duke theksuar “mantel me stofë të shtrenjtë”, Voltolina i referohet përshkrimit në Enciklopedinë Trekani, pasi nga medaljoni nuk mund të vlerësohet cilësia e stofit. Veçse, siç na mëson Rabelais te vepra “Gargantua”, stofi, coha e kadifenjtë dhe manteli i purpurt ishin gjëja më e çmuar dhe e vlerësuar në Mesjetë nga personalitetet dhe figurat e shquara, duke qenë se pjesa më e madhe e banorëve të thjeshtë visheshin përgjithësisht me shajak të trashë ose me cohë të linjtë a të leshta.

Në kronikat e shekullit XV dhe si e pershkruan ne vitin 1457 ambasadori i Skenderbeut në Venedik Gjergj Pelini, veshja e Senderbeut dhe e shoqëruesve të tij, ishte me mantel të purpurt, andaj shpesh cilësoheshin “të pupurtët”, çka e nxiti Voltolinën ta theksoi këtë veçori, për më tepër se stofa e mantelit i dhurohej Gjergjit çdo vit nga Senati i Vendikut. [4, 8]

Portreti i Gjergj Kastriotit është punuar “pa delikatesë,” siç vë në dukje ndonjë specialist. Por ne kemi mendim të kundërt dhe konsiderojmë se ky medaljon duhet të jetë vepër e ndonjë gravuristi dhe artizani me emër. Evidentohet në të profili i fytyrës, hundëshkaba, lehtësisht spikasin buzët, veshi dhe sytë, ndërsa mustaqet dhe mjekra e gjatë janë punuar në bllok kompakt, pa detaje, na paraqitet me një fjalë një portret ndryshe nga tre medaljonet e tjerë.

Metali i prodhimit të medaljonit është marrë në Milano dhe përbëhet nga përzierje argjendi, kallaji dhe bakri, me mbizotërim të argjendit.

Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe me derdhje të metalit në formën sipas modelit te parapërgatitur.

Medalja është e rrumbullakët, me diametër 46, 3 cm, pra pothuajse dy herë më e vogël se tre medaljonet e para të viteve 1449 - 1461.

Në periferi, portreti qarkohet nga korniza në riliev të lehtë, me emrin dhe mbiemrin në trajtë rrethore në brendësi, të gdhendur pa ndërprerje, ndërsa në pjesën e sipërme ndërmjet dy emrave janë katër pika ndarëse, të vendosura në formë kryqi, pra me simbol katolik.

Në skedën historike Voltolina shkruan:

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBERGVS,

ndërsa në fakt në medaljon është gdhendur saktësisht Scanderbegus.

Kjo mospërputhje e emrit të gdhendur në medaljon me shkrimin në skedën, është krijuar nga Voltolina, i cili emrin Scanderbergus e mori nga një burim francez, që e kish “deformuar” emrin, duke e shkruar me prapashtesën Berg - Bergus, njëlloj si shkruhen emrat e fisnikëve flamingë e gjermanë.

Ky aspekt, iu ka shpëtuar shumë studiuesve të medaljonit, të cilët i kanë përqëndruar komentet në skedën e Voltolina, pa verifikuar mbishkrimin e gdhendur në medaljon, që është gdhendur saktë: Scandebegus.

Studiuesi Fotaq Andrea, i pari që konstatoi këtë mospërputhje, sqaron se autorët perëndimorë shumë herë emrin e Skenderbeut e shkruanin me dashje Skanderberg, pra me R të shtuar, për ta fisnikëruar më shumë, pra për t’i dhënë karakteristiaka perëndimore. [20, 21]

Në buzën e brendëshme të kornizës qarkuese dhe në buzën periferike të sfondit të medaljonit, mjeshtëri ka krijuar një qark dekorativ me granula të imëta, që ndryjnë në brendësi emrin dhe mbiemrin Giorgio Castriota Scanderbergvs.

Medaljoni Nr 66, ndryshon nga i mëparëshmi i prodhuar në Venecia, madje ka dallime, sepse ka përmasa dy herë më të vogla, është prodhuar me përzierje metalesh dhe në plastifikimin e portretit, mjekëra është në bllok, pa ondulacione.

Ky medaljon, në ndryshim nga gjithë të tjerët, në faqen e pasme ka një mbishkrim, me tekstin në gjuhë latine, të shtrirë në tetë radhë, me fjalët të ndara në rrokje në fund të rreshtit dhe i rrethuar me kurorë dafinash.

FI

DEI DEFEN

NSOR INDOMIT

VS ET T

HRACVM DO

MI  TOR INDO

MABILI

S

Teksti i plotësuar në formën e duhur:

FIDEI DEFENNSOR INDOMITVS ET THRACVM DOMINATOR INDOMABILIS

[MBROJTËSI I PANËNSHTRUESHËM I FESË, TRIUMFUESI I PAMPOSHTUR I THRAKËVE]

Kurora e dafinave në faqen e pasme - “Kurora e triumfit” - “Corona triumphalis”, shpreh fitoret me lavdi, që kishte korrur Gjergj Kastrioti në luftërat kundër pushtuesëve otomanë, kurse teksti shpreh vlerësimin për kontributin në mbrojtje të krishtërimit dhe në vazhdim ngre lart rolin e Gjergjit si strateg dhe komandant i shquar i arbërorëve në qëndresën dhe fitoret kundër ushtrisë otomane, duke e cilësuar Ngadhënjyes i pamposh-tur i thrakëve. Nuk ka asgjë për t’u çuditur pse autori i medaljonit ka vënë këtë cilësim për Skënderbeun.

Në kronikat e asaj kohe dhe në shumë vepra të Mesjetës, dihej që Gjergj Kastrioti ishte Zot i Albanisë, princi i Albania, princi i Epirit, princi i Maqedonisë dhe tërë kjo zonë mbante emrin e lashtë të Thrakisë, sidomos në hartografinë e kohës, andaj Skënderbeu trajtohej si përfaqësues i banorëve të Maqedonisë të Aleksandrit të Madh apo Thrakisë.

Fakt është se mjaft autorë e krahasojnë Gjergj Kastriotin me Pirron dhe Aleksandrin e Madh, sikurse shkruante Raffaele Maffei Volterrano: “Skenderbeu ishte burrë, pa pikë dyshimi pasardhës i denjë i Pirros dhe mbante me të drejtë emrin Aleksandër”. [26]

Duhet të rikujtojmë se vetë Skënderbeu, në letrën dërguar princit të Tarantos, e shpallte vehten një pasues  i Aleksandrit të Madh dhe i Pirros.

Teksti në faqen e pasme të medaljonit shfaq dy aspekte thelbësore të kontributit të Skënderbeut në ato vite:

a) mbrojtës i krishtërimit europian - Europei, aut qui domine cristiano consentur;

b) shembull qëndrese në betejat e tij në krye të arbërve kundër sulmeve të vazhdueshme të ushtrive barbare

të Perandorise Osmane.

Nga mënyra e formulimit të tekstit, nga prania e simbolit të kryqit dhe bazuar në cilësimin “Mbrojtës i krishtërimit”, na sugjerojne se medaljoni duhet të ketë qenë porosi e Vatikanit, posaçërisht nga Papa Piu II, me të cilin Gjergj Kastrioti prej vitesh mbante letërëmbim dhe raporte miqësie. Në një nga letrat e Gjergj Kastriotit, i propozonte Papa Piu II, të krijonte aleanc?n europiane, kundër Perandorisë Otomane, duke i theksuar: “Të bashkohemi, për të mbrojtur rrënjët e krishtera të Europës - Europei, aut qui domine cristiano consentur, si vë në dukje Papa Piu II në “Comentarii de rerum memorabilium” të vitit 1462, [28] si e thekson dhe Campano në “Comentarii” dhe P. Giovio në veprën dedikuar Gjergj Kastriotit. [27]

Në letrat dërguar princërve europianë, Papa Piu II u drejtohet me këto fjalë: “Të marrim shembull nga vepra e Zotit të Albanisë mbrojtësit të pamposhtur të qytetërimit perëndimor................ dalla gesta del Signore dell’Albania, difensore impavido della civiltà occidentale”.

Papa Piu II e vlerësonte Skenderbeun, andaj do ta emëronte kryekomandant i kryqezatës antiturke. [27]

Krahas kërkesës për ndihmë nga Ferdinandi II, ishte dhe këmbëngulja e Papa Piu II, që Gjergj Kastrioti të ndërhynte ushtarakisht për të shuar revoltën e baronëve të nxitur nga Anzhuinët, që kërkonin të rimerrnin fronin Ferdinandit II. Dihet që në atë kohë Gjergji sapo kishte përfunduar një paqe me turqit, andaj përfitoi dhe në verën e vitit 1461, zbarkoi në Itali. Sipas Voigt, kontigjenti i parë i ushtarëve albanezë, të komanduar nga Gjon Stres Balsha zbarkuan në korrik 1461, Kursa Skenderbeu, sipas Antonio Guidobonus, zbarkoi me një repart kalorësish më 12 gusht, ndërsa sipas Gregorio Lolli, më 25 gusht 1461. [31, 32]

Fakti është se në shtator të vitit 1461, Gjergji u prit në Vatikan nga Papa Piu II.

Takimi ishte i përzemërt dhe sipas traditës, Papa Piu II dhe Gjergji shkëmbyen dhurata. Në kronikat e Vatikanit rezulton se Gjergji i dhuroi një organo të prodhuar në Arbëri, ndërsa Papa Piu II i akordoi tituj onorifikë, i dhuroi medaljonin, i dha ndihma financiare dhe i premtoi se do të shkonte në Krujë për të kurorëzuar Gjergj Kastriotin Mbret të Albanisë. Papa Piu II, kishte premtuar disa herë, madje ishte shprehur dhe publikisht se do të shkonte në Krujë, për ta kurorzuar Gjergj Kastriotin mbretin e Albanisë, por nuk e realizoi këtë premtim dhe detyrim.

Pakti i paqës, që Gjergji nënshkroi me turqit, nuk ishte mirëpritur nga Papa Piu II, i cili po bënte të kundërtën, po përpiqej të organizonte kryqëzatën antiturke. Edhe Venediku nuk e mirëpriti dhe si gjithmonë ishte qejfprishur me Gjergjin. Vatikani dhe Venediku shihnin interesat e tyre dhe as donin t’ia dinin për sakrificat dhe vuajtjet e arbërorëve dhe përpjekjet e Gjergj Kastriotit për të jetuar në liri. [31]

Gjatë takimit, Papa Piu II disa herë i përsëriti kërkesën, që Gjergji të rifillonte luftën kundër Perandorisë Otomane. Presione i bënte vazhdimisht dhe Venediku. [27]

Gjergji u kthye në atdhe në fund të janarit 1462 dhe në shkurt i sulmoi turqit, madje pa u shpallur luftë. (Sismondi f. 234; Paganel f. 315; Pisko f. 92, cituar nga Pastor [31]).

Le të kthehemi te medaljoni, që i dhuroi Papa Piu II.

Për medaljonin Nr 66, Voltolina na informon se është prodhuar në Romë, por nuk jep të dhëna kush ishte piktori që e skicoi portretin, nuk na informon as për punishten e argjendarisë ku u realizua modeli dhe as për mjeshtrin që e prodhoi.

Megjithë këtë vakum informacionesh, konstatojmë se portreti i Gjergj Kastriotit i medaljes Nr 66, ka ngjashmëri me miniaturën me portretin e Skenderbeut në dorëshkrimin e vitit 1465 “De magistratibus, sacerdotiisque Romanorum”, të Andrea Domenico Fioccho-s, i njohur dhe me pseudonimin Luçio Fenestella.

Vepra e Fioko përmban diskutime rreth rregullave fetare dhe juridike të Romës antike.

Në fakt, Andrea Fioko, kishte vdekur në vitin 1452, por dorëshkrimi i tij i vitit 1443, u rikopjua nga skriba të tjerë, të cilët ia ruajtën të drejtën e autorit, madje në ridorëshkrimet e tjera dhe në mbi tremedhjetë ribotime të mëvonëshme, njihet “Dorëshkrimi i Andrea Domeniko Fioko”.

Dorëshkrimi i Fioko i vitit 1465 ka 32 fletë, me përmasa 30 x 20 cm, plus dy fletë të bardha në fund të tekstit. Nga stili elegant i shkrimit, duket se skriba, ka kopjuar dhe doreshkrimin e “Saturnalia Macrobius” (ndodhet në muzeun Victoria dhe Albert), që daton 14 gusht 1465, ndërsa doreshkrimi i Andrea Fioko “De magistratibus, sacerdotiisque Romanorum”daton 5 nëntor 1465.

Në miniaturën e parë të dorëshkrimit të vitit 1465, shihet një prift domenikan, i cili ia dorëzon dorëshkrimin padronit të tij, që sipas Reisinger: “Ai është Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”.

Në faqen e fundit të dorëshkrimit është miniatura me ngjyra e portretit të Gjergj Kastriotit.

Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu, në faqen e fundit të kodit “De Romanorum Magistratibus” i 5 nëntorit 1465.

Portreti i Gjergj Kastriotit në medaljonin Nr 66, është punuar me profil majtas ndërsa në miniaturën e dorëshkrimit të Fioko, është në profil djathtas, me mjekrën të thinjur e të gjatë, me berretën me ngjyrë skarlat, e ulur para mbisy, ndërsa poshtë nën berretë, shihet buza e kapuçit të bardhë.

Gjergj Kastrioti prezantohet i veshur me mantel ngjyrë të kuqe të purpurtë, me zbukurime floreale ngjyë të verdhë (të artë).

Sfondi i miniaturës është ngjyrë blu. Portretit i rrethuar me kurorë me gjethe dafinash, njëlloj si medaljoni Nr. 66 i prodhuar në Romë. Pjesa anësore e miniaturës është zbukuruar me një kornizë me vizatime floreale

shumëngjyrëshe dhe elegante, që përmban në brendësi dhe zambake të bardhë me tre petale.

Në sfondin e miniaturës, janë dy germa E dhe V, që sipas Reisinger janë inicialet e Epirota Victor (Epiroti fitimtar), ndërsa Ilia S. Karanxha mendon se do të thotë Epirotarum Vicecomes (Konti i Epirotëve). [29, 30]

Ngjashmëri e portretit në medaljon, me portretin në miniaturën në dorëshkrimin e Fioko, duhet të jenë kopje e një portreti të hershëm dhe autentik i Gjergj Kastriotit, të cilin skriba (shkruesi) e njihte andaj e integroi në brendësi të dorëshkrimit. Ndofta skriba ishte prift domenikan albanez ????

Kush ishte piktori i portretit të Gjergj Kastriotit, para vitit 1465, që u kopjua në ministurë ???

Krahas veprës të Kristofano Altissimo, i cili riprodhoi portretin e Gjergj Kastriotit të realizuar nga Xhentile Bellini ne muzeun e Paolo Xhiovio, dihet se në koleksionin e Arkidukës Ferdinand II i Austrisë ishin dhe dy kopje të portretit të Gjergj Kastriotit, njëri i pikturuar me profil nga e majta dhe tjetri nga e djathta. Kenner thotë se njeri nga këto portrete është vepër e Xhentile Bellinit, madje thekson, se ishte realizuar në vitin 1463, me kërkesën e autoriteteve të Venedikut, kur Gjergji shkoi Venecian dhe mori pjesë në ceremoninë e shpalljes të Gjoni II Kastriotit, Qytetar Nderi dhe antarë i Këshillit të Madh të Serenisima.

Nuk përjashtohet mundësia që portreti i Gjergjit në miniaturë, të jetë një riprodhim i portretit origjinal me autor Xhentile Bellini, hamendësim që përforcohet me ngjashmërinë që ka me portretet e Gjergj Kastriotit, të realizuar në ksenografi nga Tobias Stimmer, që si thekson George Vener, janë kopje të sakta të portretit origjinal të gallerisë të Paolo Xhiovio, por të punuara nga Stimmer me stilin barok gjerman.

Rreth autoresisë të portretit të Skenderbeut në miniaturën e Fioko, studiuesi Ilia Karanxha mendon se portreti në miniaturën e dorëshkrimit të Fioko, është riprodhim i një portreti origjinal të realizuar nga Gherardo Giovanni Maffei (1408 – 1466). Këtë ide, Ilia Karanxha e bazon në ngjashmërinë e portretit në miniaturën e Fioko, me portretin e Skenderbeut në veprën e Marin Barlecit, të vizatuar nga Raffaele Volterrano.

Studiuesi Karanxha vertetoi se portreti i Gjergj Kastriotit në veprën e Barlecit, nuk ishte i pari si mendohej, por kopje e një portreti të hershëm, që e lidh me miniaturën e Fioko të vitit 1465, e cila ishte kopje e portretit të realizuar nga Gherardo G. Maffei, gjatë takimeve me Gjergjin kur shkoi per vizita në Vatikan ne vitin 1461, kur Maffei ishte sekretari i Papa Piu II. [29, 30]

Ngjashmëritë e portreteve të Gjergj Kastriotit të medaljoneve Nr. 66 dhe Nr. 67 të koleksionit të Voltelina, me portretin e Gjergj Kastriotit të kopjuar nga Kristofano Altissimo, nga piktorët austrikë, me ksilografitë e Stimmer, me portretin e mundshëm të realizuar nga Gherardo G. Maffei ne vitet 1461 – 1465, si dhe me miniaturën e vitit 1465, na nxisin të sugjeroj, se të gjitha janë riprodhime të një portreti autentik të kahershëm të Gjergj Kastriotit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora