Kulturë
Albert Zholi: Flet këngëtarja e mirënjohur, “Mjeshtre e Madhe”, Paro Ziflaj
E enjte, 14.01.2021, 01:41 PM
Flet këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore dhe polifonike, “Mjeshtre e Madhe”, Paro Ziflaj
- Kudo më kërkojnë këngë polifonike, kënga që
ma indetifikon si komb
Në rreth 55 vite në skenë kam kënduar rreth
450 këngë polifonike dhe 105 këngë popullore
- Në vite kam bashkëpunuar me kompozitorët
Adrian Hila, Gramoz Kozeli, Genc Malaj, Vani Rushiti, Edmond Zhulali, Alban
Hoxhaj
-Më këtë Pandemi shtëpinë e kam kthyer në
studio muzikore
Nga Albert
Z. ZHOLI
Edhe pse situatë Pandemie, Parua e ka kthyer
shtëpinë në studio muzikore. Duke qenë njëkohësisht dhe kantautore ajo shkruan,
këndon, hedh vija muzikore, duke e mposhtur këtë situatë. Tashmë ka gati disa
këngë të cilat po i incizon me formacione të ndryshme muzikore. Në vitin 2016
nga Presidenti Nishani mora titullin “Mjeshtre e Madhe”. Në rreth 55 vite në
skenë ka kënduar rreth 450 këngë polifonike, 105 këngë popullore. Si kantautore
ka në repertor 100 këngë. Ka bashkëpunuar me kompozitorët Adrian Hila, Gramoz
Kozeli, Genc Malaj, Vani Rushiti, Edmond Zhulali, Alban Hoxhaj, etj.
Bashkëpunim me këngën popullore ka me grupin “Djemtë e Vjosës” dhe me
këngëtarët Silva Gunbardhi, Dule Malindi, Adriana Kureta, etj. Kam qenë
pjesëtare dy herë në “Maratonën e këngës Popullore” të organizuar nga TV
‘Klan’.
-Situatë e vështirë për artin,
kryesisht për këngëtarët. Çfarë bën Parua në këtë situatë?
-Ne jemi mësuar me njerëz, me aktivitete, me koncerte.
Jemi mësuar gjthmonë në lëvizje brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo situatë na ka
izoluar por sërish unë nuk rri. Shtëpinë e kam kthyer në një studio, ku shkruaj
tekste. Këndoj dhe ideoj këngë të reja mbi këto tekste, apo tekste të tjera që
më sjellin njerëz të ndryshëm. Pra intesitetin e punës e kam normal, se kërkesa
për këngë të reja kam shumë, por kryesorja është se më mungon publiku. Më
mungojnë fansat. Më mungon skena. Tani kam gati disa këngë popullore, por edhe
polifonike. Punoj edhe në stuio për këngë të veçanta duke ruajtur kushtet e
Pandemisë. Dukem si një bilbil i mbyllur në kafaz, por që kënga më jep forcë
dhe ide të reja.
-Cilët janë kompozitorët dhe
këngëtarët që ke më shumë bashkëpunime dhe cila është tabloja e punës, apo më
mirë të themi e arkivit tuaj 55-vjeçar në skenë?
-Në vite kam bashkëpunuar me kompozitorët
Adrian Hila, Gramoz Kozeli, Genc Malaj, Vani Rushiti, Edmond Zhulali, Alban
Hoxhaj, etj. Bashkëpunim me këngën popullore ka me grupin “Djemtë e Vjosës” dhe
me këngëtarët Silva Gunbardhi, Dule Malindi, Adriana Kureta, etj...Në rreth 55
vite në skenë, kam kënduar rreth 450 këngë polifonike, 105 këngë popullore dhe
si kantautore kam në repertor 100 këngë. Kam qenë pjesëtare dy herë në
“Maratonën e këngës Popullore” të organizuar nga TV ‘Klan’. Në vitin 2016 nga
Presidenti Nishani mora titullin “Mjeshtre e Madhe”. Pra ndihem e motivuar, me
plot miq dhe mikesha, e rrethuar me ngrohtësi dhe kujdes. Kur ke miq të mire,
fëmijë të mire, jeta bëhet e bukur. Dhe pse djalin e kam larg, ai me fëmijët e
tij është në çdo minutë pranë meje, pasi mjetet e komunikimit janë të shumta
dhe më duket sikur i kam në shtëpi në çdo kohë. Më mungon puthja në mëngjes e
nipërve, por largësinë nuk e ndjej pasi në celular kam qindra foto dhe
regjistrime me ta. Sot e rrethuar me kaq shumë miq më duket sikur vitet kanë
ngelur në vend, sikur ato janë thjesht numra.
-Nga Tepelena në Tiranë. Pra keni
kohë që jeni vendosur në kryeqytet, ju mungon Tepelena dhe si ndiheni sot në
kryeqytet ku dhe morët titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe”?
-Ishte një lëvizje që e solli koha. Sot
artistët e gjejnë veten më mirë në kryeqytet. Ndaj dhe unë e kam gjetur shumë
mirë veten në Tiranë. Tepelena më mungon shumë, por arti do hapësirë, do
komunikim do ambiente, ndaj mund të them se sot ndihem më mirë për artin këtu
në kryeqytet këtu arti është shumë masiv. Tirana të krijon shumë mundësi për
aktivitete. Tepelena është qytet i pastër, i bukur, me natyrë përrallore, me
ujë kristal, me mish të rrallë, por i mungon pjesa aktive e artit. Unë pa art,
pa muzikë nuk mund të rri. Të dyja në një kohë nuk mund t’i kesh, dhe Tiranën
dhe Tepelenën. Por unë edhe në Tepelenë shkoj shpesh.
- Për çdo ditë këngëtare të reja..
A ka treg për të gjitha, apo vetëm për këngëtaret e bukura? Ke xhelozi ndaj të
rejave që më shumë bien në sy për bukurinë?
– Koha ecën se ndalon dot. Me kohën ka dhe
ndryshime dhe këngëtare të reja. Mund të them se secila kënëgtare e re në
mënyrën e vet ka kërkesat e saj, ka simpatizuesit e saj. Pra tregu është i
hapur dhe përderisa të gjitha këndojnë, do të thotë që tregu u ka hapur dyert.
Asgjë nuk është e prerë me thikë në art. Arti ka shumë hapësira dhe ai që guxon
dhe ka talent e gjen veten. Unë e pranoj konkurrencën dhe shumicën në treg. Nga
ana tjetër dua të them, se çdo kush e do të bukurën. E bukura mbetet e bukur,
mbetet joshëse. E kujt nuk i pëlqen e bukura? Edhe gjella më e thjeshtë po të
jetë me një garniturë të bukur, po të jetë me një mënyrë të serviruri
artistikisht hahet me ëndje. Personalisht i respektoj këto këngëtare. Ato nuk
kanë zërin shumë të bukur, por janë shumë të bukura vetë. Pra plotësojnë atë që
u mungon. Me këtë dua të them se do të ishte më mirë ti kishin të dyja, por
zoti nuk ti jep të gjitha. Unë i respektoj këto femra. Asgjë nuk është
perfekte. Ato guxojnë dhe përmirësohen.
-Keni një repertor për të patur zili, që rrallë
këngëtare e kanë. Por për ju vetë cilat janë këngët më të preferuara që i
kërkojnë Paros të këndojë në aktivitete, festa, dasma apo dhe në emisione të
ndryshme?
-Unë kam këngët e mia të veçanta si në
polifoni edhe në këngët popullore, por të them të vërtetën më shumë më kërkojnë
polifoninë. Deri dje mendoja se polifonia është këngë e thjeshtë, këngë që nuk
do shumë angazhim artistik. Por tani që kam kërkesa dhe në raste të veçanta nuk
kam kthyesin, pritësin apo ata që mbajnë iso si duhet, shikoj se kënga stonon.
Tek polifonia është kthyesi. Në polifoni rolin e kthyesit nuk e bën kushdo,
madje ka rëndësi po aq sa marrësi. Rolin e kthyesit e bëjnë shumë pak, ata janë
njerëz të lindur të trevës së Labërisë. Këta njerëz, këngëtarë të polifonisë
mund ti gjesh në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër. Me ato karakteristika zëri të
veçantë. Kthyesi luan atë rol që luan tastiera tek kënga e muzikuar, që do
kohën kur të fillosh ose kur ta ndërpresësh këngën. Pra kthyesi luan rolin e
ritmit të këngës si tastiera. Sot jam e bindur plotësisht se polifonia nuk
bëhet pa kthyesin profesionist. Kthyesi është lezeti i këngës dhe këtë e kupton
çdo njeri që e këndon polifoninë dhe që e ndjek atë në vijimësi. Kur fillon
isua duket sikur nuk ka rol, por veshi i stërvitur e kap atë. Pra si ruhet
ritmi i muzikës, ruhet dhe ritmi i polifonisë nga kthyesi, ndryshe nuk del
polifonia. Nuk them se çdo kthyes duhet të jetë perfekt, por kur nuk është me
ty gjithmonë, ai kthyesi profesionist, ti e ndjen që kënga nuk ecën si duhet,
paçka që shumë nga publiku nuk e kupton. Pra ky është roli i kthyesit. Ai të jep
kohën e duhur në polifoni nis nuk e kap kënga dështon, bllokohet kënga. Ajo,
oooooooooooo-ja, e zgjatur të jep kohën, masën se kur duhet të hysh sërish në
këngë. Pra të jep kohën e kalimit nga strofa në strofë. Këtu dua të them se
janë të lidhur, marrësi, kthyesi, duhet të jenë në sinkron.
-Pra polifonia sot kërkohet po aq sa kënga popullore?
-Në zonën e Labërisë, po. Ndoshta është dhe
ajo që shumica më njohin me ato këngë të dëgjuara, të bukura, të cilat kanë
lënë gjurmë në këtë trevë. Shumë kanë nostalgji për të shkuarën, e kujtojnë me
shumë dëshirë. Por unë këndoj me aq dëshirë dhe pathos si këngën popullore dhe
polifoninë. Tek polifonia shkrihem, tek kënga popullore plotësoj veten.
-Ku është e kërkuar Parua jashtë?
– Unë kam qenë në shumë shtete të botës. Që
nga Amerika, Italia, Gjermania, pa diskutuar Greqinë që jam si në shtëpinë
time. Pra jam kudo e kërkuar dhe e mirëpritur, por nuk shkoj kudo. Ka vende të
largëta që tashmë nuk i preferoj.
-Të kanë kërkuar në ndonjë vend të këndosh
këngën e Enver Hoxhës “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”?
-Po, ma kanë kërkuar, por nuk e kam kënduar.
Kënga është art kolektiv, unë shkoj në aktivitete me pjesëmarrje të madhe dhe
kështu do të kishte qejfmbetje. Nuk dua të prish atmosferën. Secili ka dëshirat
e veta dhe nuk dua ti lidh me politikën aktivitetet. E di që në rast se do e
këndoj do ketë qefmbetje, madje dhe zënka.
-Je penduar që ke kënduar këtë
këngë për Enver Hoxhën?
Asnjëherë. Unë jam artiste, nuk bëj politikë. Unë këndoj çka më ofrojnë dhe
përbëjnë art. Preferencat janë individuale. Në atë kohë unë nxirja në pah
vlerat artistike të grupit, të zërit dhe pak rëndësi ka kujt i këndoje. Por di
që atë kohë, ajo këngë për vite të tëra u bë hit. Nëse dje do dilje në skenë
dhe merrje duartrokitje, të nesërmen të jepnin këngë të vështira. Unë nuk bëja
zgjedhje. Unë bëja art. Zgjedhjet i bënin të tjerët, drejtuesit. Ajo këngë
ishte shumë e vështirë, jo kushdo mund ta këndonte. Pra e tillë ishte koha, e
tillë ishte situata.
-Kam dëgjuar që Enver Hoxha ju ka
përmendur në një vepër, e mbani mend çfarë ka cituar?
-Di që pas asaj kënge shumë miq dhe shoqe të
Komitetit të Rinisë, më thoshin që Enveri ka shkruar për ty. Madje ka shkruar
gjatë për grupin e Bënçës. Me atë çka ato më thonin, (se vetë nuk i kisha
veprat) Enveri kishte shkruar pak a shumë kështu:
“Dëgjoj grupin e Bënçës. Aty është një vajzë dhe një djalë që i japin tonin
grupit. Njëri ja merr dhe tjetri ja kthen këngës. Vallë të jenë burrë dhe grua?
Jo! Të jenë motër e vëlla? Jo! Këta janë thjesht disa të rinj që i ka bashkuar
kënga polifonike dhe këndojnë me zërin e shpirtit. Kënga e tyre të jep forcë,
të bën të këndosh dhe ti me ta. Pra kanë zë qiellor.”
-Kush është komplimenti më i madh
që ke marrë për këtë këngë?
-Janë shumë, por ajo që më ka mbetur në mendje është e një shoqeje që ma
thoshte me zë të lartë, ti Paro je e veçantë, je e vetmja që ke bërë Enverin të
qajë. Mund të thuhen shumë, mund të diskutohen shumë për atë kohë, por unë
hodha shtat dhe u bëra këngëtare në atë kohë dhe nuk mund ta mohoj. Çdo sistem
ka të mirat dhe të këqijat e veta, ndaj dhe unë nga ai sistem kam marrë anët më
të mira. Vlerat e një epoke nuk mohohen, të tjerat i përjashtojmë me kohën.
-Po Nexhmije Hoxhën e ke takuar dhe çfarë të ka
thënë?
-E kam takuar vetëm njëherë kur vajtëm për ta
ngushëlluar pas vdekjes së Enverit. Erdhëm nga Tepelena në Tiranë. Kur na takoi
Nexhmija na tha: Ju jam mirënjohëse, Enveri e dëgjonte shpesh këngët tuaj, jo
vetëm këngën e tij, por tërë këngët e grupit tuaj. Këngët tuaja atë e rinonin.
Ky ishte takimi i parë dhe i fundit.
–Klipi i fundit më i klikuar?
-Po. Klipi që është shumë i klikuar është
“Nuse moj, t’u bëftë nëna”. ..dasmë s’kemi parë e s’kemi parë/ çifti pastë
këmbën e mbarë … kam bërë dhe një këngë tjetër duet “Lart nga maja e malit” .
-Thonë që nga vokali Paro është si
30-vjeçe, ka ndonjë sekret?
-Jo, asnjë sekret. Zërin ma ka dhënë natyra,
ma ka dhënë zoti. Unë mundohem ta ruaj. Pra për këtë vokal pëlqehen këngët e
mia, për këtë vokal mua më ftojnë kudo. Tjetra është se unë kam dashuri për
artin, për këngën. E adhuroj muzikën dhe i jap shumë dashuri dhe ajo ma
shpërblen me të njëjtën monedhë. Të isha pak më e re në këto vite besoj se do
kisha dhënë më shumë. Sot ka më shumë hapësira, ka lëvizje, ka mënyra të
ndryshme të komunikimit dhe reklamës, ndaj po të isha e re besoj se do kisha më
shumë rezultate. Pra do kisha bërë art të vërtetë.
-Si i mbani lidhjet me djalin në
Holandë?
-Po sot komunikimi është i paanshëm. Flas
disa herë në ditë. Ka dy djem që flasin shqip. Dhe pse ka nusen holandeze,
fëmijët flasin njëlloj si gjuhën holandeze po ashtu dhe gjuhën shqipe. Kjo më
gëzon shumë, se kur shkoj aty ose kur vijnë ata këtu, miremi mirë vesh, madje
shumë mirë. Fëmijët dhe nusja e pëlqejnë shumë Shqipërinë. Vijnë çdo vit në
Himarë, Ksamil, Sarandë. U pëlqen shumë bregdeti ynë. U pëlqen shumë Tirana,
por më shumë dielli shqiptar. Pra kjo e diellit është specifike pasi aty është
vend i ftohtë.
-Po Parua ka menduar ndonjëherë të jetojë në
Holandë?
-Jo, kurrë. As e mendoj. Nuk e ndërroj
Shqipërinë me asgjë. Këtu kam miqtë, farefisin, kam të afërm këtu, kam ata me
të cilët punoj. Këtu kam këngën. E shumta kur shkoj qëndroj 15 ditë dhe
mërzitem.
-Ju disa këngë i keni bërë vetë. Parua është dhe poete?
-Unë s’jam poete, por i dua poezitë, sepse
ato janë tharmi i këngës, janë mjalti i këngës. S’mund të jetë kurrë e bukur
një këngë që nuk ka tekst të bukur. Ajo mund të pëlqehet, por kurrë s’merr
notat më të larta të vlerësimit. Ndaj dhe poetët janë udhërrëfyesit e këngës, e
notës së saj.