Kulturë
Rexhep Shahu: Antologjia e parë poetike ballkanike në gjuhën shqipe
E diele, 27.12.2020, 03:21 PM
“DIELL PA HIJE” - ANTOLOGJIA E PARË POETIKE BALLKANIKE NË GJUHËN SHQIPE
NGA
REXHEP SHAHU
“Diell
pa hije” - Antologji e poezisë ballkanike të shekullit XXI, me 52 autorë të
njohur nga 12 shtete të Ballkanit, shqipëruar me dashuri e përkushtim nga poeti
e studjuesi elitar shqiptar Ramadan Musliu, në muajt e fundit të jetës së tij,
përgatitur e botuar nga Shtëpia botuese e promovuese Klubi i Poezisë, me
mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, është libër që i ka munguar bibliotekës
shqipe dhe lexuesit shqiptar që nga fillimi i shkrimit, për shkak të urrejtjes.
Lumenjtë
e dashurisë në Ballkan, nuk kanë mundë t’i shembin digat e urrejtjes që kanë
ngritë shtete të ndryshme të udhëhequra nga makthe e ankthe luftrash që kanë
fituar humbje, shpërngulje e dëbime masive njerzish dhe e kanë mbjellë tokën e
bukës me varre.
Kur
mësova se nuk ka të botuar në gjuhën shqipe, të regjistruar në Bibliotekën
Kombëtare në Tiranë asnjë Antologji poetike të autorëve ballkanas, ndjeva një
ftohtësi dhe fillova të filozofoj naivisht për ta shtuar edhe këtë mungesë si
një shkak më shumë për urrejtjen e verbër, mosmarrëveshjet tragjike dhe
mungesën e një paqeje të qëndrueshme mes shteteve të ndryshme ballkanike.
Regjimi
komunist diktatorial që sundoi në disa vende ballkanike nuk i ka lejuar as i ka
nxitur, detyruar a përkrahur shkrimtarët të ngrenë ura dashurie mes ballkanasve,
s’i ka lejuar të ngrenë ura mes popujsh fqinj, ura me dy këmbë, se me një
këmbë, urat nuk janë ura…
Në
gjuhën shqipe, në bibliotekën shqipe ka Antologji nga anëekënd botës, por nuk
ka Antologji poetike ballkanike ku të jenë bashkë autorët e Ballkanit, të këtij
rajoni fatlum djep i poezisë së botës, fron hyjnor i Homerit, atdhe i
baballarëve të tragjedisë, në gurët, gjakun, lotin, malet e detet e të cilit i
ka rrënjët poezia e njerzimit.
Në
shekullin e luftrave e urrejtjeve të verbëra gjejmë justifikime pse nuk është
hartuar një antologji poetike e ballkanasve, gjejmë bashkangjitje me shtetet në
urrejtje e mëni edhe të ndonjë shkrimtari ballkanas, por edhe çudia çuditet që
urrejtja na u bë ves dhe as në dekadat e paqes nuk u bë një Antologji poetike ballkanike
modeste si kjo që po ia japim lexuesit të gjuhës shqipe.
***
Për
këtë Antologji të parë ballkanike me poetë nga 12 vendet e Ballkanit, (Bosnje e
Hercegovinë; Bullgari; Greqi; Kosovë; Kroaci; Mali i zi; Maqedoni e veriut;
Rumani; Serbi; Slloveni; Shqipëri; Turqi, renditur shtetet dhe autorët sipas
alfabetit të shqipes), jam i gatshëm të marr përsipër mbi vete të gjitha
qortimet e mundëshme, pasi kjo është antologjia ime.
Të
gjitha lavdërimet e mundëshme i takojnë dhe duhet t’i jepen nga lexuesi e studjuesi
poetit, studjuesit e përkthyesit Ramadan Musliu, i cili, duket e ka ndjerë këtë
peng tonin dhe për të na e larë mëkatin të gjithëve se nuk kemi bërë dot deri
tani një Antologji poetike ballkanike, në muajt e fundit të jetës së tij bëri
këto përkthime të mrekullueshme si kartolina dashurie për ne duke ngritë kështu
ura të mëdha e të sigurta miqësie mes vendeve të Ballkanit, ura nga do të
kalojë e sigurtë dashuria.
Poezitë
e zgjedhura e të përkthyera prej Ramadan Musliut nga poetë në zë të Ballkanit
të përfshira në këtë Antologji janë perla, hymne të jashtëzakonshme dashurie
për jetën, njeriun, metafora brilante, brenga e dhimbje therëse që turbullojnë
detet e rrafshojnë maja malesh.
Poezitë
e mrekullueshme të kësaj Antologjie të poetëve të Ballkanit si këngë e kumte
zogjsh që shtegtojnë te ikë e te ardhë pa pushim, na tregojnë kushedi për sa të
mijtën herë se jemi në të njejtin kalë prej mijëra vitesh në rendjen drejt
dashurisë, po për çudi gjithmonë dashurinë e kërkojmë larg e urrejtjen
gjithmonë afër, në qerpik, ajo na mbin në sy.
***
Gjatë
muajve të mbylljes e izolimit prej pandemisë Covid 19 në vitin 2020, Ramadan
Musliu ka përkthyer në gjuhën shqipe cikle poetike nga rreth 100 poetë
botërorë. Mes tyre 40 poetë ballkanas që ai i donte, ua njihte dhe pëlqente
krijimtarinë. Shumë prej tyre i kemi botuar dhe do t’i botojmë në illz, revistë
letrare e Tiranës.
Ramadani
si poet e studjues klasi e kishte zënë vendin e nderit në letrat shqipe dhe
ishte tërhequr në një farë mënyrë, nga përditshmëria, ku për shumë vite kishte
qenë lider me shkrime, opinione e analiza.
E
njihja që nga viti 1998 kur me dashuri i dha vend në gazetën “Rilindja” që
drejtonte në Tiranë një shkrimi për promovimin e librit tim të parë me poezi
“Mali i Hënës” që u bë nga Lidhja e shkrimtarëve në Tiranë.
I
kërkova një shkrim për Teki Dërvishin për ta botuar në revistën illz, revistë
letrare e Tiranës të cilën e botoj me mikun tim, Izet Duraku, që është drejtor
i saj dhe me humanistin Flamur Hoxha që është sponsor i saj.
“Viteve
të fundit, më tha, kam pushuar së bashkëpunuari me gazetat e revistat, por ja
që emri i Tekiut, mikut tim të shtrenjtë, më detyron ta thyej edhe këtë betim.”
E
botova shkrimin e tij si i domosdoshëm për figurën e shkrimtarit Teki Dërvishi.
Më
kishte dërguar për revistën poezitë e disa autorëve që kishte përkthyer dhe i
kemi botuar e do të vazhdojmë.
Në
fund të gushtit 2020 i thashë Danit që për përkthimet e autorëve ballkanas, më
llogarit edhe mua për ta botuar një Antologji të poezisë ballkanike me shtëpinë
time modeste botuese Klubi i Poezisë, veçse unë nuk kam mundësi të paguaj asnjë
cent për përkthimet.
Ia
përmenda se kam botuar Antologji me poezi turke me 101 poetë turq me titull
Puthje mbi Bosfor, Antologji me 80 poetë persë iranianë me titull Trëndafila
Persie, Antologji e tregimit shqiptar me 101 shkrimtarë, jam në proces për një
Antologji me 101 poetë shqiptarë, pres një Antologji me poetë rumunë e një me
poetë grekë. I thashë se unë botoj me tirazhe të vogla se nuk ka shitje por
librat që botoj ua dhuroj bibliotekave nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë,
Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe bibliotekave të institucioneve qëndrore si
Akademia e shkencave, Instituteve, Universiteteve shtetërore në të tria këto
shtete, etj.
“Ra
COVID-i dhe u bënë edhe këto përkthime se në rrethana të tjera as që do të më
ishte kujtue puna e përkthimit, më tha ai. Propozimi yt me pelqeu… Kërkesa ime
e vetme është që mundësisht nja 100 kopje të librit, (Antologjisë), me i marrë,
sa me pasë mundësi me ua shpërnda miqve dhe shokëve të shumtë. Po ashtu librit
duhet t'ia bëj një parathënie të shkurtë në mënyrë që të jetë sa më i plotë.”
Ramë
dakort me të gjitha dhe gjatë shtatorit unë e kisha sistemuar pak a shumë
Antologjinë. Prisja parathënien prej tij dhe do të diskutonim për autorët
shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e veriut që do të përfshiheshin në
Antologji.
Por
më mbeti mua parathënia dhe të gjitha gjërat e papërfunduara për Antologjinë,
pasi fatkeqësisht, me 22 tetor 2020, Ramadan Musliu, ndërroi jetë prej Covidit
të zi në moshë të re, 66 vjeçare, shumë para kohe sa e mendojmë jetën e
njeriut, duke lënë në pikëllim familjen, miqtë e të dashurit e tij. Duke lënë
pas një emër të madh, të paanashkalueshëm në kulturën dhe letrat shqipe, një
trashëgimi të rrallë që do të jetojë gjatë.
As
nuk guxoj t’i mendoj këto radhë si parathënien që do ta bënte Dani.
Më
mbeti veç të tjerave edhe si amanet kjo Antologji e pare poetike me autorë
ballkanas që po e merr në dorë lexuesi shqiptar me titull bogdanian Diell pa
hije. Shpresoj të jem i paqortueshëm nga Dani.
Do
t’ua ndaj dhuratë nga Dani 100 copë nga kjo Antologji miqve të tij që pak a
shumë i njoh.
Shpresoj
se edhe poetët nga vendet e ndryshme të Ballkanit që me dashuri e përkushtim i
zgjodhi dhe i përktheu Dani për këtë Antologji, do t’i jenë mirënjohës atij që
i bëri të flasin edhe shqip.
Faleminderit
Ramadan Musliu!
Çdo
lexues ka me të falenderue sa të jetojë ky libër i rrallë dashurie, kjo urë e
pashembshme shpirtrash e zemrash të poetëve ballkanas.