Kulturë
Emin Azemi: Anton Çetta në një dritë më të plotë
E diele, 27.12.2020, 11:54 AM
ANTON ÇETTA NË NJË DRITË MË TË PLOTË DHE MË UDHËRRËFYESE PËR AUTORË DHE STUDIUES TË TJERË
Shkruan:
Emin AZEMI
“VEPRA
E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË” e studiuesit dhe
shkrimtarit Anton Nikë Berisha, përmbush në masë të duhur detyrimin tonë ndaj
prof. Anton Çetës (1920 – 1995), duke e paraqitur këtë të fundit në një dritë
më të plotë, por edhe më udhërrëfyese për autorë dhe studiues të tjerë. Ky
libër është i rëndësishëm edhe për faktin që, përmes profilit të prof. Çettës,
ngrihet në nivelin e merituar trajtimi mbi letërsinë tonë gojore, një fushë kjo
padrejtësisht e anashkaluar nga shkrimtarët dhe studiuesit e ndryshëm.
Studiuesi
dhe autori i librit “VEPRA E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË
SONË”, Anton Nikë Berisha, duke qenë për vite tëra, një prej miqve e
bashkëpunëtorëve më të afërt të prof. Anton Çetës, pikërisht në 100 vjetorin e
lindjes së tij, sjell jo vetëm një këndvështrim të munguar deri më tani, por
edhe një indeks të gjerë të dhënash interesante mbi profilin e pasur të jetës
dhe të veprës së Anton Çettës. Ky libër është ‘skedari’ më i kompletuar për
jetën dhe veprën e një personaliteti, siç ishte Anton Çetta, i cili kësaj radhe
vjen i plotë, i shumanshëm dhe, mbi të gjitha, i liruar nga mitizimet dhe
folklorizmat e tepruar që i bëri bulevardizmi ynë publik.
Kjo
punë, pra, s’ka mundur të bëhet pa njohjet e thella dhe tepër përkushtuese të
Anton Nikë Berishës mbi veprimtarinë e pasur të Anton Çetës, që, siç del edhe
në veprën që kemi në duar, autori me argumente e referenca të shumta shkencore,
analizon dimensionet e qenësisë së letërsisë gojore nën prizmin e veprimtarisë
së prof. Anton Çettës , si mbledhës, si botues por edhe si studiues i
krijimtarisë gojore. Duke nxjerrë në dritë koloritin e pasur gjuhësor e
psikologjik të kësaj letërsie, Anton Çetta, sipas autorit të librit, dha një
nga ndihmesat më të mëdha që njeh deri më sot historia e letërsisë sonë gojore.
Studiuesi
Anton Nikë Berisha, ndonëse mik dhe koleg i afërt me prof. Çettën, megjithatë
arriti të ruajë distancën e gjykimit racional mbi këtë personalitet të shuar të
kulturës sonë, duke na ofruar një profil deri tani të paplotë, ose të trajtuar
njëanshëm, nga ata që rolin e pajtuesit të gjaqeve të prof. Çetës e kishin
mbivendosur si një hije ndaj veprimtarisë së tij gjysmë shekullore në fushën e
mbledhjes, botimit dhe studimit të folklorit tonë.
Cili
është kontributi kryesor i Anton Nikë Berishës me studimin tij “VEPRA E ANTON
ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË?”
Ajo
çka na imponohet si përshtypje e parë, është fakti se figura e Anton Çettës del
nga një narrativ i përhapur se ai ishte vetëm folklorist dhe pajtues gjaqesh,
duke e lënë mënjanë plotninë e profilit të tij prej mbledhësi, botuesi e
studiuesi të letërsisë sonë gojore.
Anton
Nikë Berisha me këtë vepër prish disi skemat e këtij narrativi dhe na sjell në
vëmendje një personalitet të shquar, i cili gjatë veprimtarisë së tij
gjysmëshekullore i ishte përkushtuar artit të fjalës së folur – letërsisë
gojore. Për Anton Çetën ky art kishte shumë rëndësi në jetën e përditshme të
njerëzve dhe, siç del edhe nga studimi i Anton Nikë Berishës, fuqia shprehëse dhe
komunikuese e fjalës riprodhonte raporte të reja midis atyre që e përdornin
atë, qoftë në kontekst pozitiv, në atë negativ.
Duke
gjurmuar thesarin popullor, që nga fillimi i viteve 50—ta , në krahina e rrethe
të ndryshme të banuar me shqiptarë, Anton Çetta, në mendësinë tonë kolektive
injektoi gjeografinë e pasur etno-psikologjike e gjuhësore të shqiptarëve, duke
filluar nga Drenica e Shala Bajgores, për të vazhduar pastaj në Dukagjin, në
Rekë të Keqe, në Rugovë e në vise të tjera të Kosovës si dhe në viset shqiptare
të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Ky nuk është vetëm një preokupim i thjeshtë
studimor i Anton Çetës, por edhe thelbi i një misioni që në qendër kishte
shpëtimin nga harresa dhe zhdukja e një arkivi të pasur me margaritarë nga arti
dhe mençuria popullore.
Nga
ajo që e thotë autori Anton Nikë Berisha kuptojmë se rëndësia kolosale e punës
hulumtuese të Anton Çettës është vendosja e lidhjes së pashkëputshme në mes të
krijimtarisë gojore dhe memories kolektive, sepse vetëm kështu u ruajt
kontinuiteti i gjallimit të shqiptarëve ndër shekuj.
Mbi
këtë paradigmë socio-kulturore, u ndërtua edhe strategjia krijuese e
shkrimtarëve të mëvonshëm, të cilët motivet dhe fabulat e tyre i mbështetën në
ngjarje e personazhe të marra nga letërsia gojore.
Për
të qenë më bindës në vlerësimin e artit gojor dhe në mbindërtimin artistik nga
ana e shkrimtarëve e studiuesve të ndryshëm, duke marrë për bazë pikërisht këtë
art, Anton Nikë Berisha sjell edhe një mendim të Anton Çettës që ia kishte
thënë atij: “Kryesorja në punën tonë janë materialet cilësore të mbledhura dhe
të botuara me kujdes. Ato kanë vlerë të përhershme. Studiuesit e fushave të
ndryshme, po jo vetëm ata, do t’u kthehen atyre përherë, sepse në to do të
gjejnë çështje të rëndësishme. Studimet dhe vlerësimet për to do të ndryshojnë,
materialet dhe vlerat e tyre do të mbesin”.
Libri
“VEPRA E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË” është i organizuar
sipas një strukture që ndjek ecurinë dhe zhvillimin e parabolës jetësore e
shkencore të prof. Anton Çetës, duke filluar nga kapitulli i parë, QENËSIA E
TRADITËS DHE DOMOSDOJA E NJOHJES DHE E STUDIMIT, pastaj ANTON ÇETTA POET PËR
FËMIJË, deri te kapitujt MBLEDHËSI DHE BOTUESI MË I SHQUAR I LETËRSISË GOJORE
SHQIPE, STUDIUES I VËMENDSHËM I LETËRSISË GOJORE, QENËSIA E NJOHJES SË
MENDËSISË DHE PRAKTIKA E PAJTIMIT TË GJAQEVE, PERSONALITET QË IA KUSHTOI JETËN
KULTURËS DHE BOTËS SONË, TË DHËNA MBI JETËN E ANTON ÇETTËS, për ta mbyllur me
pjesën aspak të njohur deri më tani për publikun e gjerë, siç janë PESË LETRA TË
ANTON ÇETTËS, përmes të cilave Anton Nikë Berisha paraqet thellësinë e profilit
të prof. Anton Çetës përmes korrespodencës që kishte pasur me të, ku spikat
kujdesi gati prindëror i profesorit ndaj studiuesit atëherë të ri, pra Anton
Nikë Berishës, (jemi në fund të viteve 70 dhe fillim të tetëdhjetave) si dhe
qëndrimi i tij intelektual e profesional mbi shumë tema e probleme që e
preokuponin atë në vitet kur ishte aktiv në terren dhe në studion e tij të
punës. Në këto letra, në shikim të parë private, shpaloset si një gonxhe e
fshehur pas petaleve, portreti i një njeriu që përpos pasionit për peshkim dhe
për sportin e boksit, kishte edhe qasjen e ngrohtë e spontane ndaj njerëzve që
e rrethonin, duke filluar nga anëtarët e familjes e deri te miqtë dhe kolegët.
Kornizat
e portretit shkencor e krijues të Anton Çetës, sipas veprës që kemi në duar,
del të tejkalojë përkufizimet zhanrore, për arsye se prof. Anton Çetta, në
laboratorin e tij krijues, përpunoi edhe verbin poetik, kryesisht kushtuar më
të vegjëlve, pikërisht me vëllimin me poezi, “Në prehën të gjyshes” të botuar
më 1955 dhe me poezitë e lëna në dorëshkrim me titullin “Vjeti gazmuer”, për
t’u thelluar në një fushë që ai e kishte për zemër: puna kushtuar letërsisë
gojore, e cila filloi më 1953, kur bashkë me Vojisllav Dançetoviqin dhe Kadri
Halimin botoi blenin “Kangë popullore të Kosovë-Metohisë” II. , pastaj “Tregime
popullore I. Drenicë” (1963).
Gjatë
punës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, prof. Anton Çeta, sipas të
dhënave të autorit Anton Nikë Berisha, nxiti dhe përmbushi gati në tërësi
projektin prej 25 blejsh me materiale të letërsisë gojore nga Kosova dhe trojet
shqiptare në Mal të Zi dhe në Maqedoni, pjesën më të madhe të përgatitur nga ai
vetë.
Brenda
punës së pasur të Anton Çettës duhet veçuar dhe vëllimin “Kërkime folklorike”,
ku janë përfshirë punimet kryesore të tij nga viti 1955. Mbi rëndësinë e këtij
vëllimi, Anton Nikë Berisha në librin e tij jep këtë vlerësim: “Disa prej
punimeve të përfshira në vëllimin ‘Kërkime folklorike’ janë të rëndësishme për
arsye se janë të parat në traditën tonë që hedhin dritë mbi dukurinë që
shqyrtohen, ndërsa disa të tjerë theksojnë një varg idesh e dukurish që
kërkojnë të shqyrtohen në mënyrë të gjithanshme”.
Një
vlerë tjetër që del në pah, ndërlidhet me pasionin e prof. Anton Çettës në
arkivimin e letërsisë gojore, duke themeluar në kuadër të Degës së folklorit të
Institutit albanologjik të Prishtinës, Arkivin e kësaj letërsie, ku u tubuan
rreth 50. 000 njësi të letërsisë gojore.
Nga
libri i Prof. Anton Nikë Berishës mësojmë edhe shumë detaje biografike të prof.
Çettës, që nga fëmijëria e tij dhe shkollimi i hershëm në Korçë dhe Tiranë, si
dhe studimet në Beograd dhe qëndrimet studimore dhe pjesëmarrja në seminare e
kongrese të ndryshme të botës, pa harruar edhe kontributin e tij në procesin
edukativ-arsimor në Universitetin e Prishtinës si dhe përkthimet e disa veprave
letrare të autorëve italianë, frëngë dhe serb e kroatë.
Ajo
që mbetet e pashkëputur nga veprimtaria publike e prof. Anton Çettës është
kontributi i tij madhor në aksionin e madh për eliminimin e hasmërive midis
shqiptarëve. Përvoja që prof. Anton Çetta e kishte fituar gjatë punë në terren
dhe gjatë përgatitjes së materialeve për botim të krijimtarisë sonë gojore për
vite të tëra, vetvetiu u bë pjesë e shpirtit të tij dhe pikërisht atë përvojë
dhe atë urti e zbatoi në afrimin e njerëzve dhe në pajtimin e gjaqeve.
Ajo
që mund të thuhet si porosi, pasi ta kemi lexuar veprën e Anton Nikë Berishës
mbi këtë dimension të Anton Çetës, është se ai përtej pajtimit të gjaqeve në
mes të shqiptarëve realizoi pajtimin kombëtar, si kusht i domosdoshëm për të
zhvilluar projektin e madh të ndërtimit të shteti, që nga faza e luftës e deri
te ajo e ngritjes e konsolidimit të institucioneve dhe shoqërisë në
përgjithësi.
“VEPRA
E ANTON ÇETTËS PËRLIGJ QENËSINË E TRASHËGIMISË SONË”, e studiuesit dhe
shkrimtarit Anton Nikë Berisha, përmbush në masë të duhur detyrimin tonë ndaj
prof. Anton Çetës, duke e paraqitur këtë të fundit në një dritë më të plotë,
por edhe më udhërrëfyese për autorë dhe studiues të tjerë. Ky libër është i
rëndësishëm edhe për faktin që, përmes profilit të prof. Çettës, ngrihet në
nivelin e merituar trajtimi mbi letërsinë tonë gojore, një fushë kjo
padrejtësisht e anashkaluar nga shkrimtarët dhe studiuesit e ndryshëm, por
mjaft e qenësishme në procesin krijues si dhe në ridimensionimin e së kaluarës
përmes një pasurie folklorike që po shkon duke u zhdukur pamëshirshëm.
Pikërisht i shqetësuar nga ky fakt, zë fill edhe preokupimi kryesor i prof.
Anton Çettës, puna kolosale e të cilit ka mbetur një gurë i çmuar në kalanë e
mbamendjes sonë kolektive.
Shkup, 22 dhjetor 2020