Mendime
Sami Islami: Moda e kapuçave
E shtune, 17.10.2020, 08:04 AM
MODA E KAPUÇAVE…
Nga
Sami Islami
Deri
para Luftës së Kosovës dhe para “demokracisë” së Shqipërisë londineze, edhe pse njerëzit magjistronin apo doktoronin
këto ngjarje përfundonin pa ndonjë publicitet të madh. Mjaftonte që një
komision i caktuar i fakultetit të jepte vendimin se ky apo ai kandidat ishte
i denjë të merrte një titull akademik; që ishte diçka vërtetë meritore. Se për
ata që kryenin thjesht një fakultet a shkollë të lartë, ishte diçka aq e
rëndomtë sa nuk çonte fare peshë.
Dhe
ja, kohë të reja dhe zakone të reja! Me “demokracinë”, u hap Shqipëria
londineze, u çlirua Kosova! Iku kush iku dhe mbeti kush mbeti. Pas luftës në
Kosovë erdhën ndërkombëtarët, për t’u treguar shqiptarëve, përveç tjerash,
edhe “kulturën” dhe të arriturat botërore!
Në këto kontingjente (si pjesëtarë të UNMIK-ut) nuk munguan as ndërkombëtarë
nga Bangladeshi, Pakistani Afganistani,
që kishin sjellë edhe pasta për dhëmbë dhe brusha për t’i “mësuar” shqiptarët
(të Kosovës) se si t’i lanin dhëmbët! Në
vendin tonë hyri kuca dhe maca si thonë. Sepse u hap dera…
Shqiptarët
e të dy anëve të kufirit; njëra pjesë e çliruar nga një sitem totalitar
komunist , kurse pjesa tjetër nga sundimi serb, të etshëm për demokraci dhe për
liri, nisën të hapin biznese ndër më të ndryshmet. Privatizimi filloi të
lulëzonte më shumë se në asnjë vend tjetër!
Në
mesin e këtyre bizneseve, u hapën kolegje, universitete private, kolegje këto
që edhe sot e gjithë ditën veprojnë në Kosovë. U hapen aq, sa vetëm Kosova bëri
më shumë universitete private se krejt Anglia! Mbinë universitetet dhe kolegjet
si këpurdhat pas shiut, si thonë! Tani nxënësit e shkollave të mesme, posa
diplomonin kishin mundësi për të “zgjedhur” kolegje ose universitete private sa
të donin. Po ama me një kusht: duhej të kishin lekë se privatizimi këto i ka.
Paguaje shkollën në daç të kesh “sukses”! Se pas kryerjes së këtyre kolegjeve a
universiteteve, a do të mundnin të gjenin punë apo jo, ishte çështje tjetër. Kolegjet dhe universitetet
filluan të mbushen me studentë. Në rend të parë, në këto universitete e kolegje u regjistruan dhe i “kryen”, madje morën edhe tituj akademikë, qeveritarët (ata që nuk kishin kryer asgjë
para lufës, po tash u kishte ardhë uji në mulli, pse të mos shfrytëzohej ky
rast?!), pastaj deputetët, pastaj fëmijët e qeveritarëve, biznesmenëve, e krejt
në fund, ndonjë studentë nga prindër me
biznese të vogla…
Për
dy-tri vitet e para të pas luftës Kosova u mbush me “doktora” e
“magjistra” të shkencave! Së pari
“doktoruan”, siç thamë, ministrat (se atyre u duhej t’i
kishin këta tituj, për të qenë të “denjë” të qëndronin në pozita më të larta shtetërore dhe, natyrisht,
të “dëshmonin” se ishin edhe më
të diturit !).…Pastaj “doktoruan” ose “magjistruan” gratë e disa ministrave dhe të deputetëve.
A,
mos të harrojmë të theksojmë , se qysh prej “përfundimit të studimeve” të
gjeneratës së parë, në Kosovë hyri në “mode” edhe një lloj ceremonie, ku të
gjithë studentët që i përfundonin studimet
kurorëzoheshin me kapuça (traditë e ardhur nga perëndimi , sigurisht!). Dhe interesant
se, që të gjithë që regjistroheshin në këto universitete private , të gjithë “i
kryenin” pothuaj përnjëherë studimet! Ajo çka nuk mund të anashkalohej ishte
periudha kohore. Këtu së paku nuk shkelej ligji, se për cilësi u pa puna! Nuk ka ngecje këtu, se Kosova po përparon
mirë! Sa hijeshi , kur i sheh gjithë këta “doktorë”, e “doktoresha” ,
“magjistër” , e “magjistresha” me kapuça ! Të lumtë ne që i kemi! Pa çka se nuk
dihet se ç’kanë nën ata kapuça!
Nejse.
Me
rëndësi është se ne po japim një “imazh” shumë të mirë botës me numrin e
“intelektualëve”. Këta burra dhe gra pastaj , meqë janë “të kualifikuar”, mund
të hyjnë në punë, madje pa konkurencë në poste më të larta të institucioneve
shtetërore të Kosovës. Shpesh më ka rënë t’i dëgjoj disa deputetë e ministra të
Kuvendit të Kosovës (në veçanti), të cilët “doktoruan” pas luftës në
universitetet private ose edhe “shtërore”, që me gjuhën që flasin, e që
sigurisht është edhe një lloj barometri
i ngritjeve intelektuale të këtyre “akademikëve”, të bëjnë të vjellësh. Kultura e shprehjes së
tyre nuk e kalon nivelin e një personi me
shkollë të mesme! Dhe kjo është ana e vërtetë e medaljes!
Po
ama këta “doktoruan”! Këta kanë edhe fotografitë, si dëshmi që shpesh i botojnë
edhe në media, pse jo edhe në rrjetet sociale, si në fb, apo twitter me kapuça katror në kokë që simboliozojnë
njerëzit e “ngritur” . Në rangun pak më të “ulët” janë kolegjet. U hapën në
gjithë Kosovën aq shumë “kolegje” sa që nuk e di kush të thotë saktë se sa
janë. Edhe këtu, si në universitete, “kriteri” ishte sa kishe
lekë dhe sa kishe “të njohur”. Nuk ka raste që dikush nga studentët të ketë
përsëritur vitin! Se edhe nëse ndonjë
prej profesorëve do të ngulte këmbë për të mos e “kaluar” ndonjë student, do të kishte efekte të
dyanshme “negative”; pronari i biznesit nuk do ta lejonte, se do t’i rrezikohej
atij biznesi, me gjasë edhe profesorit
rroga!
Këta
studentë e studente, kur i sheh duke shkuar në universitete, a kolegje fiton përshtypjen se janë duke shkuar sa për ta kaluar kohën. Më rastisi një herë
të jem para një kolegji në Prishtinë në kohën kur “studentët” shkonin në mësim
dhe u befasova , se nuk pashë studentë me çanta. Pothuaj të gjithë shkonin me
duar në xhepa! Derisa po qëndroja para kolegjit takoj një mik timin nga koha e
studimeve tona, shumë vjet të para luftës. Dhe derisa po bisedonim për punën e
studimeve, ai ma priti: “E kam një kusheri timin në këtë kolegj. Një ditë e
mora me veturë dhe e solla deri këtu. Kur u ktheva vërejta se e kishte harruar
një fletore me shenime në veturën time, të cilën, s’erdhi me e marrë kurrë! Një ditë i shoh në
internet se e gjithë gjenerata e
kusheririt tim kishte dilplomuar! Të gjithë kishin vu kapuça në kokë (djem e
vajza). Edhe kusheriri im kishte vu kapuçin në kokë! Të gjithë i kishin
“përfunduar” studimet!” Ky është realiteti i studimeve private edhe
sot e gjithë ditën! Dhe më e keqja është se ata
nesër do të hyjnë në vende të
ndryshme të punës që kërkohet shumë përgjegjësi profesionale! Cilësi se jo
mahi!
Ky
“revolucioni” i kapuçave, në kohën e këtij tranzicioni të tejzgjatur, ka shumë
të ngjarë që shpejt, si dëshmi për përfundimin
edhe të matures, pra shkollës së mesme, ( pse jo edhe të shkollës
fillore!), të hyjnë në modë kapuçat. Askush nuk mund të na ndalojë të kënaqemi
me “sukseset” tona! Edhe në qoftë se, sot për sot, për nga cilësia jemi në fund
të pusit, bile me kapuça jemi të parët!