Mendime
Eshref Ymeri: Prisni, Zonja Vjosa, se ka dava Janina!
E diele, 04.10.2020, 09:18 AM
Prisni, Zonja Vjosa, se ka dava Janina!
Nga Prof.
dr. Eshref Ymeri
Në faqen e
internetit “Radio Evropa e Lirë”, të datës 11 shtator, u njoha me
intervistën e Zonjës Vjosa Osmani, me titull “Rrezik nga një Republika
Srpska në veri të Kosovës”.
Në atë intervistë
shtroheshin shumë probleme serioze për ekzistencën e Kosovës, si një shtet
sovran dhe funksional. Zonja Vjosa, si një politikane, e brumosur me vetëdije
të lartë kombëtare, ka folur me autoritetin e një intelektualeje të kultivuar,
për të cilën mbrojtja e interesave jetike të Republikës së Kosovës përballë
epsheve të pashuara shoviniste serbosllave, edhe më shumë se 20 vjet pas përfundimit
të luftës, është detyrë mbi të gjitha detyrat, është shenjtëri mbi të gjitha
shenjtëritë.
Për Marrëveshjen e
Vashingtonit janë shprehur analistë, opinionistë, publicistë, qoftë në
Republikën e Kosovës, qoftë në atdheun amë. Mendoj se peshorja e vlerësimit të
asaj marrëveshjeje ka anuar nga negativizmi. Por vlerësimi që bën Zonja Vjosa Osmani, është i një rëndësie
të veçantë, sepse ajo është një politikane me emër të nderuar në skenën
politike kosovare.
Nga intervista e saj
rezulton se Marrëveshja e Vashingtonit është një dështim i plotë i delegacionit
kosovar që drejtonte kryeministri Hoti.
Në atë intervistë,
Zonja Vjosa ka nxjerrë në pah disa qëndrime skandaloze të atij kryeministri.
Së pari, delegacioni kosovar paska pranuar që Republikës së Kosovës “t’i
referohet vetëm si Kosovo”, çka do të thotë se Prishtina zyrtare pranon
tërësisht qëndrimin e Beogradit se Kosova u dashka që të mbajë jo emrin “Republika
e Kosovës”, sipas Kushtetutës, po emrin serbosllav “Kosovo”. Në këtë
mënyrë, kryeministri Hoti dhe delegacioni i tij respektojnë plotësisht
kushtetutën serbe, sipas së cilës Republika e Kosovës është pjesë e Serbisë.
Një qëndrim i tillë i kryeministrit Hoti nuk mund të vlerësohet ndryshe,
përveçse si tradhti e kulluar.
Së dyti, kryeministri Hoti, sipas zonjës Vjosa Osmani, “është i vetmi zyrtar
publik i Kosovës, që ka pranuar deri më sot që të rihapet tema e Asociacionit
të komunave (me shumicë) serbe”. Dhe, çuditërisht, kryeministrit Hoti s’ia
bën syri tërr, që, me këtë deklaratë, po aq skandaloze, është ngritur kundër
vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, e cila nuk e pati pranuar
krjimin e atij asociacioni. Përsëri kryeministri Hoti ka kryer një akt tradhtie
të kulluar. Aq më tepër kur më 10 shtator, siç rezulton nga intervista e Zonjës
Vjosa Osmani, kryeministri Hoti paska deklaruar publikisht në Parlamentin
Evropian se “do ta zbatojë plotësisht Marrëveshjen për Asociacionin të vitit
2015”, çka është katërcipërisht në kundërshtim flagrant me vendimin e
Gjykatës Kushtetuese dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë
mënyrë, kryeministri Hoti ka shkelur rëndë rendin kushtetues në Republikën e
Kosovës, sepse, siç e thekson zonja Vjosa, ai, harbutërisht, paska deklaruar “unë
nuk flas kurrë për Kushtetutën”. Normalisht, në një shtet me dinjtet
kombëtar, në një shtet ligjor, ku mbi ligjin themeltar nuk mund të ngrihet
kurrkush, kryemistrin e vendit, pas deklaratave të tilla antikombëtare, organi
më i lartë ligjvënës e shkarkon menjëherë nga posti i tij dhe e padit në organet
e drejtësisë për tradhti të pastër. Fakti që Kuvendi luan rolin e soditësit të
paanshëm para qëndrimeve antikushtetuese të kryeministrit Hoti, dëshmon më së
miri se në Republikën e Kosovës nuk ekziston absolutisht shteti sovran dhe
funksional, se vendi nuk është i pavarur, se atje ekziston një republikë
bananesh, ku ligjin e bën pakica serbe dhe Beogradi. Prandaj, siç theksohet në
faqen e internetit “Syri” të datës 04 shtator, “në një fjalim para
zgjedhjeve presidenciale, kandidati demokrat për president të SHBA-së Joe
Biden, tha se Kosova duhet të jetë një shtet i pavarur, e jo pjesë e Serbisë”. Pra,
Kosova pavarësinë e ka formale, jo faktike, siç rezultoi nga Marrëveshja
e Vashingtonit. Kjo është një fatkeqësi e rëndë, ky është një mjerim i madh
politik jo vetëm për popullin shqiptar të Republikës së Kosovës, por edhe për
mbarë kombin shqiptar.
Me qëndrimet e veta
tradhtare ndaj krijimit të Asociacionit të komunave serbe, kryeministri Hoti ka
ndjekur dhe vazhdon të ndjekë me besnikëri hullinë e tradhtisë së Thaçit gjatë
periudhës së bisedimeve me përfaqësuesit serb në Bruksel, qoftë kur ishte
kryeministër, qoftë si president. Sepse krijimi i asociacionit në fjalë nuk
është gjë tjetër, veçse një strukturë me kompetenca ekzekutive, e cila nuk e
njeh autoritetin e Prishtinës dhe funksionon si një shtet brenda shtetit.
Kryeministri Hoti le
ta shtrojë në Parlamentin Evropian çështjen e krijimit të Asociacionit të
Komunave Serbe, se atje do të gjejë mbështetjen e fuqishme të brukselizmit, i
cili, si trashëgimtar i zellshëm i kasapëve të Konferencës së Londrës që
copëtuan trojet tona etnike në vitin 1913, nuk është ngopur ende me rrudhosjen
e tyre tragjike deri në ditët tona. Kujtoni këmbënguljen e brukselizmit për
kalimin nën juridiksionin e Malit të Zi të 8200 ha tokë shqiptare, me premtimin
për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës, premtim që nuk e mbajti
absolutisht, duke mashtruar në mënyrën më të pahijshme.
Në intervistën e
vet, Zonja Osmani ka prekur edhe çështjen e kishave serbe. Dihet që Beogradi ka
kërkuar me kohë dhe vazhdon të kërkojë me ngulm një status të veçantë për
kishat, manastiret dhe “pronat e tyre”, të grabitura në trojet e Dardanisë.
Etnia shqiptare, që kryeherazi, ka qenë, është dhe gjasat janë se do të
vazhdojë të jetë pa zot edhe në të ardhmen. Se po të kishte pasur zot, ardhacakët serbë nuk duhet
t’i kishte lejuar të grabitnin objektet e kultit katolik që filluan të
ngriheshin në Dardani në shekujt që pasuan pas Ediktit të Milanos të perandorit
Konstantin të vitit 313, kur ilirët, të parët në gadishullin tonë, përqafuan
krishterimin perëndimor. Por iliroshqiptarët, si etnia tragjikisht më e përçarë
në Gadishullin Ilirik, nuk ua vunë veshin kërkesave të Papa Benediktit XI dhe
Papa Klementit V, dërguar mbretit Milutin dhe Stefan Dushanit më 1346, duke
urdhëruar që të lirojnë kishat katolike, të uzurpuara në Graçanicë,
Artane, Janjevë, Pejë, Deçan dhe Prizren. Sikur Republika e Kosovës të kishte
zot, kërkesave të Beogradit për një status të veçantë të të ashtuquajturave
kisha dhe manastire serbe, duhej t’u përgjigjej me një kundërkërkesë për
lirimin e tyre, se ato janë kisha dhe manastire katolike, të cilat pushtuesit
serbë i shndërruan në ortodokse. Statusi i veçantë i kishave serbe që kërkon
Beogradi, është një objektiv me qitje të largët, për çka do të bëhet fjalë më
poshtë.
Siç rezulton nga
intervista, Zonja Vjosa Osmani ka një meritë të jashtëzakonshme në këmbënguljen
e saj për rivendosjen në vend të dinjitetit kombëtar të Republikës së Kosovës
në qëndrimin ndaj Serbisë. Në këndvështrimin tim, ajo është e para politikane e
formatit nacionalist, e cila ka bërë publike një të vërtetë tragjike për
vetëposhtërimin e kastës politike kosovare me lëshimet skandaloze që ajo i ka
bërë shovinizmit kriminal serb. Ajo ka deklaruar:
“…lista e koncesioneve të Kosovës do t’ju marrë ditë të tëra që ta lexoni,
kurse listën e Serbisë do ta lexoni për dy sekonda, sepse janë të vogla dhe,
për më shumë, nuk i ka zbatuar as ato pak që i ka bërë. Pra, Serbia nuk është
duke bërë fare, asnjë kompromis”.
Së dyti, ajo është e vetmja politikane që ka deklaruar se “Kosova bën kompromis
me vetë faktin që ulet përballë një agresori, i cili ka kryer gjenocid në
Kosovë”.
Vetë fakti i
pranimit nga kasta politike kosovare të kompromisit për t’u ulur në bisedime me
një shtet agresor, armik të betuar jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe
të mbarë kombit shqiptar, është lëshim vetëposhtërues, përderisa ai shtet armik
nuk e di se çdo të thotë institucion i pendesës publike për krimet e
kryera. Këtë lëshim kaq të rëndë, kasta politike kosovare e ka bërë, sepse,
faktikisht, ka pasur dhe vazhdon të ketë në krye mercenarë të regjur të
Beogradit dhe servilë të pështirë të brukselizmit, si Thaçi me bandën e tij.
Problemi më
shqetësues, sipas meje, që shtron Zonja Vjosa Osmani në intervistën e vet, ka
të bëjë me Veriun e Mitrovicës. shqetësim që bie në sy edhe në titullin e
intervistës “Rrezik nga një Republika Srpska në veri të Kosovës”. Nga
një gjykim gjakftohtë dhe objektiv, del vetvetiu përfundimi se Republika
Srpska në veri të Kosovës, faktikisht, është krijuar me kohë e me vakt,
paçka se ajo nuk figuron e pranuar publikisht dhe e zyrtarizuar. Themelet e
krijimit të asaj republike i hodhi tradhtari Thaçi, i cili, siç deklaron
Prof.dr. Enver Bytyçi, njohës i mirë i problemeve të Republikës së Kosovës dhe
i realiteteve kosovare në tërësi, ka deklaruar:
“Askush nuk i tha atij (Hashim
Thaçit - E.Y.) pse në qershor 1999 e ndaloi Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës të çlironte veriun e Mitrovicës dhe në vend që rojet serbe, urën ta kontrollonte
UÇK! A ishte ky akt i tij preludi i projektit të ndarjes së Kosovës, të cilin e
propagandon sot?!” (Citohet sipas: Prof.dr. Enver Bytyçi. “Hashim Thaçi në rolin e çakallit sipas
skenarit serb të Beogradit!”. Faqja e internetit “xhafershatri.info”. 24
maj 2019).
Pra, që prej qershorit të vitit 1999, veriu i Kosovës nuk
u vu kurrë nën juridiksionin e Prishtinës, qoftë para shpalljes, qoftë pas
shpalljes së pavarërisë. Prandaj edhe sot e kësaj dite, atje qeverisin sebët në
qejfin e vet. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i besuan verbërisht
shtabit të saj drejtues dhe, siç e kanë pasur traditë brez pas brezi
shqiptarët, atyre u mungoi aftësia vetorganizuese për të zbuluar tradhtinë e
Thaçit dhe të bandës rreth tij. Për pasojë të mungesës së vetorganizimit,
populli i Mitrovicës së Jugut dhe banorët përreth, nuk u ngritën më këmbë me
armë në dorë dhe të turreshin drejt Mitrovicës së Veriut, për t’u vënë drunë
serbëve, si bashkëpunëtorë të ngushtë të bandave të Arkanit dhe të Sheshelit që
kryen masakra të tmerrshme në mbarë Kosovën. Por atë që s’e bëri Hashim Thaçi
për çlirimin e Veriut të Mitrovicës, e bënë serbët, të cilët e çliruan Veriun e
Mitrovicës nga shqiptarët, banorët rrënjës të asaj treve, duke i dëbuar mijëra
syresh nga vatrat e tyre amtare. Si troje pa zot që kanë qenë mbarë trojet tona
etnike që prej lashtësisë, edhe në rastin e Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’u
dilte kush zot në qershorin e vitit 1999, kur Thaçi kreu aktin e tradhtisë
lartë ndaj Kosovës, akt që shpjegohet me rekrutimin e tij në vitet ’90 nga një oficer francez, siç e ka denoncuar
nacionalisti i diasporës në Gjermani Xhafer Leci, në një analizë me titull “Thaçi
nën hijen e Millosheviçit”, të botuar në faqen e internetit “Zemra
Shqiptare”, 22 prill 2014. Për shkak të tradhtisë së Thaçit, jo rastësisht
trupat franceze të KFOR-it u vendosën në Mitrovcën e Veriut. Për pasojë, -
thekson Xhafer Leci, - “përpjekjet
e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës, u penguan nga trupat
franceze më 3 korrik 1999”. Nuk mund të ndodhte ndryshe, nuk mund të ndodhte si në Kroaci, në një
vend me zot, siç ishte presidenti i nderuar Franjo Tuxhman (Franjo
Tudjman 1922-1999), i cili, si një
udhëheqës, i kalitur me ndjenja nacionalizmi të jashtëzakonshëm, bëri që
ushtria kroate, Republikën e Krajinës Serbe brenda territorit kroat, ta zhdukte
nga faqja e dheut midis 4 dhe 7 gushtit të vitit 1995.
Dhe çfarë ndodhi në
vitet në vazhdim pas tradhtisë së Thaçit? Publicistja Kimete Berisha, në një
analizë që pati botuar në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të
datës 04 maj 2020, sqaron se si, pa një marrëveshje me Kosovën, “Serbia po i
kthen në Kosovë serbët që kurrë s’kanë qenë në Kosovë, u ka ndërtuar shtëpia në
veriun e vendit, shumica e pronave të shqiptarëve në Veri janë blerë nga
qeveria serbe, kurse nga Lugina ikin shqiptarët”.
Për tradhtinë e
lartë që kreu Thaçi ndaj Mitrovicës së Veriut dhe mbarë Kosovës, për krimet e
tij të rënda, ka dëshmuar zotëria i nderuar me bindje nacionaliste Naim
Miftari, ish shefi i ZKZ dhe që ishte prezent në sigurimin e Thaçit atë ditë
kur ky i fundit shkoi në Mitrovicë. Ai, ndër të tjera, ka shkruar, duke iu
drejtuar Thaçit publikisht:
“Nuk shpjeguat rolin
tuaj në 2 dhe 3 shkurt 2000 kur e pastruat veriun e Kosovës nga shqiptarët, në
koordinim me shefin tuaj francez, Denjear Arnaud dhe me republikën e Serbisë që
kishte sjellë me autobusë paramilitarë, mercenarë dhe MUP-ovca (ishin vendosë
si pacientë kinse në spitalin e Mitrovicës) disa ditë më herët, kur edhe ishte
bërë plani për dëbimin, vrasjen, plaçkitjen, rrahjen e mbi 14.500 shqiptarëve
që jetonin në Mitrovicën e Veriut”.
Lexuesit atdhetarë,
me bindje nacionaliste, mund ta gjejnë të plotë reagimin e zotërisë së nderuar
Naim Miftari, ku mund të njihen edhe me shumë krime të tjera të Thaçit.
Reagimi tij titullohet: “Demantohet Thaçi, personi që ishte prezent në
sigurimin e tij, zbulon gjithçka se çfarë ndodhi në Mitrovicë”. Faqja e internetit
e gazetës “Bota Sot”. 09 qershor 2019.
Është me të vërtetë për të vënë kujën që Kuvendi i Republikës së Kosovës e
ka anashkaluar tradhtinë e rëndë të Thaçit dhe ka lejuar që ai të mbajë postet
më të larta në krye të vendit, si deri tani. Një gjë e tillë, me siguri, ka
ndodhur për arsye se Thaçi dhe banda e tij, me kohë, janë kujdesur tej mase që shumica e deputetëve të përbëhet nga
njerëz pa kurrfarë morali kombëtar, nga mercenarë në shërbim të Beogradit.
Lexuesit e nderuar le të kujtojnë rastin e deputetit Haxhi Shala, i cili një
ditë më parë ishte shprehur kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti.
Gjatë votimit në Kuvend, vota e deputetit Haxhi Shala do të ishte vendimtare,
se nëse ai edhe në Kuvend do të votonte kundër, qeveria Kurti nuk do të ishte
rrëzuar. Por Thaçi, bashkë me mercenarin e vet moralhumbur Ramush Haradinaj, i
shkoi natën në shtëpi Haxhi Shalës për t’i mbushur mendjen që të votonte pro
mocionit. Dhe Haxhi Shala e tradhtoi Kurtin, pa iu skuqur faqja. Nuk dihet
arsyeja e vërtetë se pse Haxhi Shala mbajti atë qëndrim të turpshëm: e bleu
Thaçi me ndonjë shumë të majme parash apo e kërcënoi? Në një analizë, kushtuar
rrëzimit të qeverisë Kurti, publicisti i njohur nacionalist shqiptaro-amerikan
në Nju Jork, anëar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Hafiz Shala, e pati
demaskuar mirë votën kundër të Haxhi Shalës, duke përdorur shprehjen e famshme “çdo
fis e ka një pis”.
Me humbjen e
Mitrovicës së Veriut, Kosova mbetet “pa kokë”, Ujmani dhe minierat e Trepçës
janë “truri” ushques i Kosovës. Por e keqja s’mbaron me kaq, sepse duhet pritur
se ka dava Janina (dardha e ka bishtin prapa).
Me krijimin e
Asociacionit të Komunave Serbe dhe me statusin e kishave “ortodokse” që
shtrihen në mbarë vendin, Republika e Kosovës mbetet edhe pa “mushkëri”. Pra,
ajo do të shndërrohet në një pseudoshtet-robot, pultet e komandimit të të cilit
i ka në dorë Beogradi. Dhe ç’duhet të bëjë paskëtaj? Derisa Kuvendi i Kosovës,
fill pas shpalljes së pavarësisë, nuk mori vendimin e dytë për hedhjen në
koshin e mbeturinave të Pakos Ahtisaari dhe nuk organizoi menjëherë zhvillimin
e referendumit për ribashkimin me atdheun amë, nuk mund të shpresohet kurrsesi
që Kosova mund të bëhet ndonjëherë e pavarur. Kryepeshkopi Irinej, i cili
qëndron vendosmërisht pas perdes së politikës shoviniste serbe, duke e njohur
mirë natyrën mercenariste dhe servile të kastës politike të deritanishme në
Kosovë, në raport me Beogradin, sidomos rolin e saj për shpopullimin e Kosovës
përmes varfërimit të njerëzve, nuk ka pasë deklaruar kot se Serbia do të
kthehet në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh.
A do të arrijnë
Vetëvendosja dhe formacioni i ri politik që do të formatojë Zonja Vjosa Osmani,
që, në zgjedhjet e ardhshme, të krijojnë një tjetër klasë politike me vetëdije
të lartë kombëtare, ta rikthejnë Veriun e Mitrovicës në gjirin e Kosovës dhe
t’i thonë publikisht minoritetit serb, që, nëse dëshiron të bashkëjetojë me
shqiptarët - mirë, nëse nuk dëshiron - të largohet për në Serbi? Ardhja në
pushtet e kësaj klase të re politike me dinjitet të lartë kombëtar, në
këndvështrimin tim, do të ishte baras me një shpallje të dytë të pavarësisë së
vërtetë të Kosovës, për të pasur një shtet me të vërtetë sovran dhe funksional
dhe për ta nxjerrë Hashim Thaçin para organeve të drejtësisë për tradhtinë e
rëndë që ka kryer në Mitrovicën e Veriut.
Analistët,
opinionistët dhe publicistët me vetëdije të lartë kombëtare, përsëri në
këndvështrimin tim, duhet të jenë të bindur përfundimisht për një gjë: nëse
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, në krye të një klase të re politike, nesër do të
vijnë pushtet, ata nuk duhet të zhvillojnë kurrfarë bisedimesh me Beogradin,
përderisa ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk kërkon ndjesë publike para
opinionit ndërkombëtar për krimet e kryera dhe nuk jep kurrfarë përgjigjeje për
të zhdukurit. Bisedimet, pa përmbushjen e këtyre tre kushteve, janë vazhdim i
vetëposhtërimeve të klasës së vjetër politike të Republikës së Kosovës para
shovinizmit serbokriminal.
Është në dorën e popullit shqiptar të Republikës së
Kosovës se për kë do të votojë në zgjedhjet e ardhshme: për klasën e vjetër
kriminale mercenariste, apo për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Nëse, në
shumicën e vet, populli do të votojë për bandën e Thaçit, të Mustafës dhe të Hotit, atëherë do të duhet të pranojmë se
ai popull ka parapëlqyer sundimin e shqiptarëve prej shqiptarëve, i cili, siç e
ka vlerësuar profesori i nderuar Vedat Kokona, ka qenë më i rëndë se sundimi i
huaj.