Mendime
Ibrahim Kabili: Indiferentizëm vrastar, shurdhëri e frikshme!
E diele, 27.09.2020, 01:25 PM
Indiferentizëm vrastar, shurdhëri e frikshme!
Nga
Ibrahim Kabili
Si
gjithnjë po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ende kam
shpresë, se diçka do lëvizë, diçka do ndryshojë për mirë, falë mbështetjes së
SHBA-së, Gjemanisë, etj. Kjo nuk mjafton, kur shikon sjelljen e klasës politike
atje në lidhje me arritjen e marrveshjes me Serbinë, bëhesh pesimist dhe shumë
mos besues. Çdo ditë e në vijim këto shpresa po shuhen dhe Kosova sipas gjithë
gjasave po humb me një shpejtësi të rrufeshme elementët e
"shtetformimit" të saj, falë "marrveshjeve" të dëmshme të
nënshkruara me Serbinë. Në lidhje me këto bisedime kanë bërë vërejtje,
sygjerime shumë politikanë, analistë dhe gazetarë të të ndershëm, patriot dhe
atdhetar. Me dashamirësi jam munduar dhe
unë të kontriboj modestisht për këto probleme, kam bërë disa shkrime kritike
për politikanët e Kosovës, institucionet, dhe shoqërinë civile. Për qasjen e
gabuar në lidhje me bisedimet Kosovë Serbi. Gjithashtu kam dhënë dhe
alternativa për zgjidhje, për të dalë nga kjo "tallava" e dirigjuar
dhe orkestruar nga Beogradi dhe Vuçiçi, për të ardhur deri te suksesi në këto bisedime,
që në mendimin tim nuk ka për të ardhur kurrë. Qofsha i gabuar! Shpresoj se do
ndodhë e kundërta! Po çfar ndodh me ne si shoqëri? Asnjë reagim, e njejta
situatë, i njëjti qëndrim, të njëjtat gabime, madje dhe më foshnjore, më
përulëse ndaj Serbisë. Këto sillen si të pa gabueshëm, të gjithditshëm, si
eruditë, apo si baballarët e kombit... E përball tyre, Serbia gjithnjë fituese!
E konsoliduar dhe me objektiva të qarta. Objektivi i saj, çbërja e shtetit të
Kosovës dhe e pavarësisë së saj. Heshtje dhe përulësi e palës sonë! A thua se
Serbia do lëshojë pe kësaj radhe? JO. Fare jo! Çfar mediokriteti infantil!
Përsëri heshtje, heshtje dhe trishtim, nga e gjithë shoqëria! Heshtin disa
media, heshtin "ustallarët" e vjetër, thonë ndonjë fjalë për konsum
të brendshëm politikanët qeveritarë dhe vazhdojnë avazin e vjetër të
vasalitetit me Serbinë. Heshtin institucionet, heshtin intelektualët, hesht në
shumicën e rasteve dhe opozita! Pse kështu?
Shumica
e mediave nuk i botojnë shkrimet kritike ose i botojnë me shënimin "ky nuk
është qëndrimi i redaksisë"! Sa keq për to! Kush na qenka qëndrimi i
redaksisë, ana e kundërt, mbështetja e Serbisë...! Përse kjo heshtje, që në
fund të fundit, vret? Kujt i shërbejnë
ato? Çështë kjo shurdhëri e frikshme? Kur do zgjohemi? Çfar tregon ky gjumë
letargjik si shoqëri? Ku janë komandantët që shkëlqyen në betejat e UÇK-së dhe
luftën për liri? Pse e humbën paqën në
këto 20 vjet ish komandantët në drejtimin
e shtetit të Kosovës? Pasuria! Ajo të verbon sytë, të shkëput nga baza
nga vjen. Shoqëria përse hesht? Kjo heshtje vret në çdo kohë. Kam qenë optimist
se një ditë do ketë një Nëntor të Tretë, për shqiptarët, për Kosovën! Siç po
shkojnë punët në Kosovë, paskam qenë i gabuar! Unë përsëri besoj, prapë
shpresoj, shpresa vdes e fundit. Me këto politikanë shpresa ka vdekur! Ato
duhen larguar, duhen larguar me çdo mjet demokratik! E si mund të vijë një
Nëntor i Tretë për shqiptarët, pa një "Skënderbe" apo pa një
"Ismail Qemal", kështu mud të vijë? Kurrë jo! Madje sot në këtë
"shekull" të shqiptarëve, me "ndihmën" shërbimeve sekrete
serbe dhe jo vetëm, Skënderbeun e "paskemi" me origjinë
"sllave". Pak veta, pak akademikë flasin, po kujt i shërben kjo?
Natyrisht Serbisë. Si mund të "denigrojnë" figurën më të madhe
kombëtare? Heshtje! Trishtim! Indiferentizëm vdekjeprurës! Ku janë futur
akademikët? Përse nuk e thonë fjalën e tyre shkencore ato? Ato marrin dhe para
nga taksat, përse heshtin?
Si
mund të vijë një Nëntor i Tretë për Kosovën kur nuk "ka më" Ismail
Qemal, Adem Demaç apo Adem Jashar? Për fatin tonë të keq, këto na mungojnë sot.
Kështu më rezulton mua. Po kur do mësojmë nga historia? Të gjithë popujt e
botës e kanë "mësuese" historinë, nxjerrin mësime prej saj. Ne, të
veçantë, se përfillim, nuk mësojmë prej saj! Sa keq për këto "politikanë"!
Ky është dhe turpi i tyre. Politikanët e Kosovës, abuzuan me shtetin në këto 20
vite, rendën pas pasurisë, harruan luftën legjendare të UÇK-së, harruan
dëshmorët dhe idealin e tyre, nuk mbajtën asnjë premtim, u treguan shumë të
dobët dhe mjaft inferior në bisedimet me Serbinë. Bënë mbi 35 marrveshje,
shumica në dëm të Kosovës. Pranuan në heshtje akuzat e Dik Martit, nuk bënë
asnjë padi ndaj Serbisë, ndaj kriminelëve të luftës, nuk vendosën
"autoritetin" e shtetit në veri. Një pjesë e politikaneve bënë plane
për ndarjen e Kosovës, i falën dhe 8.2 ha tokë Malit të Zi, krijuan dhe
Gjykatën Speciale etj. Sot me gjithëse kanë mbetur me gishtin e mesit në gojë,
prapë dërdëllisin, bëjnë thirrje për "çbërje" të Gjykatës
Speciale", të cilën e ngriti vetë Thaçi!
Po
shoqëria kosovare përse hesht? Kur do flasë? Atëherë do jetë vonë, shumë vonë,
tmerresisht vonë!
Çfar
bën kundërshtari, Serbia? Të qetë, sillen si burra shteti në realizimin e
planeve të tyre, kanë politikë standarte ndaj Kosovës, kanë platformën disa
shekullore në dëm të saj, kanë institucione të konsoliduara, kishat me prona
dhe përsëri bëjnë thirrje se "Kosova dhe Metohia" është zemra e
Serbisë. Vuçiç megjithëse e ka humbur përfundimisht Kosovën, përsërit se nuk ka
për ta njohur kurrë atë. Kjo ka qenë deviza e tij, nga fillimi i bisedimeve
deri në fund. Mendoj se kështu do qëndrojnë deri në fund, ndaj mos besoni në
iluzione të kota dhe mos toleroni armikun.
Po,
politikanët tanë në Kosovë, çfar qëndrimesh mbajnë? Këto janë pa bosht
kurrizor, dredharakë, me dy fytyra, të pa qëndrueshëm, pa vizion, pa dinjitet
kombëtar të pa përgjegjshëm në qëndrimet ndaj Serbisë! Mos u sillni kështu me
shtetin dhe popullin, të nderuar politikanë? Ju jeni të përkohshëm, dhe emri
nuk do t'ju përmendet më pas, ndërsa Kosova do jetë e përhershme. Mos luani me
të, dhe fatet e saj! Këtë mos kujtoni se do t'jua falë shqiptaria.
"Nëntorin
e Tretë" e solli UÇK-ja por ai mbeti në mes të rrugëtimit të tijë.
Udhëheqësi dhe drejtuesi i saj, Adem Jashari u vra, dhe sot Kosova lëngon, edhe
falë mungesës së tij! Kombe të tjerë për gjatë historisë së tyre kanë humbur
"njerëz" të tillë si Adem Jashari, kanë humbur herojtë e tyre dhe për
të çuar deri në fund veprën, amanetin, dhe
kauzën e tyre janë bashkuar, kanë shtërnguar radhët, kanë punuar në
ekip, dhe i'a kanë arritur qëllimit final të tyre, pavarësisë dhe
shtetndërtimit. A nuk është ky një model dhe standart që duhet ndjekur nga
politikanët e Kosovës? Ku pyesin këto për modele, vlera e standarte. Modeli më
i "mirë" për, to, është vjedhja, shkatërrimi i shtetit, lufta për
pushtet, mania për tu pasuruar, "bashkëpunimi" me kundërshtarin vetëm
e vetëm të mbajë pushtetin, lufta e ndyrë politike ndaj kundërshtarit politik,
siç qe rasti ndaj, Kurtit. Të gjtha këto modele nuk janë veprime e qëndrime
shtetarësh të denjë e të civilizuar, por veprime anadollake që i përkasin
mesjetës dhe atyre revolucioneve "fshatare" që dështonin ende pa u
nisur. Ende unë shpresoj në të kundërtën, pavarësisht se kjo kastë e vjetër
politike po e "vret" çdo ditë shpresën. Eshtë e kotë të besosh në të
kundërtën kur politikanët e qeveritë në këto 20 vjet, nuk kanë bërë asnjë
aktakuzë për kriminelët serbë të cilët kanë vrarë 13.000 vetë, kanë përdhunuar
mbi 20.000 femra, kanë zhdukur pa lënë
gjurmë dhe sot e kësaj dite mbi1600 të persona, kanë bërë gjenocid, kanë djegur
e shkatërruar Kosovën. Përse kanë vepruar e veprojnë kështu kjo kastë politike?
Po si është e mundur të besosh në drejtësi kur nga 39 persona të akuzuar e
dënuar nga Gjykata Speciale vetëm 4 persona janë serbë, 1 malazez dhe 34 të
tjerë janë shqiptar? Me këto shifra Serbia "kthehet" nga agresore në
viktimë. Për fat të keq tonin, ja ka arritur qëllimit! Sa keq për këto
politikanë, sa turp për to! Po viktimë është Serbia o "esadistë"? JO!
Ajo është agresore dhe armike e betuar për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.E pra,
me veprimet e mosveprimet tuaja, ajo ka fituar terren. Çfar bëjnë institucionet
e Kosovës, Akademia e Shkencave dhe
Arteve? Presin! Heshtin! Marrin rrogat! Ushqehen! Po institucionet fetare pse
heshtin ndaj çështjes kombëtare? Pse nuk shohin qëndrimet e patriarkut serb në
Kosovë? Apo e kanë syrin për në Turqi! Turqia ka ardhur këtu, me dy xhamiat e
mëdha, në mes të dy kryeqyteteve tona. Ku është çështja kombëtare për to? Ska
problem, kemi Turqinë, duam babën! Kohë, Qamil Xhamete, në vitet 20 të
shekullin 21! Po si ka mundësi që për çdo pjestar të UÇK-së ka dosje, ka
aktakuzë nga Serbia, dhe cilësohen si "terroristë" dhe këto
komandantët kapadaij nuk shqetësohen fare?
Po
si është e mundur që "komandanti legjendar" Thaçi, tani President, të
mos i mbroj ish pjestarët e UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, por i
lëshon ato në duart e Gjykatës Speciale? A nuk është turp për të dhe Qeverinë
të braktisin kreun dhe zevendësin e Organizatës së Veteranë të Luftës? Kjo
është drejtësia? Naturisht jo! Krerët e shtetit mjaftohen vetëm me nga një
postim në feizbuk. Dosjet që u dorëzuan në selinë e Organizatës së Veteranëve
të Luftës së UCK-së janë enigmë, por erdhën në tre ditë, dhe me paralajmërimin prej
tyre se do sjellim dhe të tjera! Natyrshëm lindin disa pyetje: Përse nuk u
ruajt nga policia Selia e Veteranëve?
Përse nuk u arrestuan "korierët", e më pas të sqarohej
situata? Përse nuk veproj Prokuria e Kosovës? Po shërbimi informativ? Ky është
shteti, këto janë shtetarët. "Fajin" na e paskan dy drejtuesit e
Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati dhe Nesim Haradinaj!
Sa turp për shtetin! Po, Gjykata Speciale nuk mban përgjegjësi për rrjedhjen e
informacionit, për dosjet e dorëzuara atje? Apo u desh preteksti? Po, u desh
ai, që të arrestoheshin dy figurat e nderuara të UÇK-së.
Fundja
përgjegjësia është individuale, çdo njeri le të përgjigjet para drejtësisë për
veprimet e tij, pas luftës. Një gjë
është e sigurtë Lufta e UÇK-së është e lavdishme. Ajo është vlerë, dhe vlerat
mbesin të tilla. UÇK-ja e bëri punën e saj, na e solli te, Nëntorit i Tretë, na
solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vazhdimin, ecurinë, formimin e shtetit,
funksionimin e tij e ka në dorë populli. Ai duhet të zgjohet nga gjumi
letargjik, kjo klasë politike është e dështuar, le ta marrë situatën në dorë
dhe me mjete demokratike të qaset ndryshe ndaj bisedimeve me Serbinë. Në të
kundërt, Nëntori i Tretë, është i dështuar për Kosovën! Marrveshjen e 4
korrikut nuk e shfrytëzuan në interesin tonë. Heqja e pikës 10, për njohje reciproke, me
këmbënguljen e Serbisë, qe gabim fatal për Kosovën dhe shtetin e saj. Unë,
megjithëse skeptik, madje shumë, sërish kam besim te SHBA-ja dhe BE- ja.
Shpresojmë që Kosova me mbështethen e tyre, ta fitojë dhe këtë sfidë të
vështirë, por jo të pamundur. Kjo arrihet me zgjedhje të lira, unifikim
qëndrimi mbar shqiptar, me një qeveri e politikanë të rinj e të devotshëm, dhe
jo me sojin i tyre që janë ende në pushtet. Shteti i Kosovës mund të jetoj
vetëm me kufijtë aktual, pa ndarje. Kosova si shtet dhe ekonomi mund të jetoj
me Ujmanin, Trepçen dhe Staritergun si resurse ekonomike të fuqishme. Kosova në
bisedimet e ardhshme me Serbinë duhet ti thotë prerë: Jo, Asociacionit të
Komunave me shumicë serbe me kopetenca ekzekutive. Ky do ishte fundi i shtetit
të Kosovës. Kjo duhet ndaluar.
Apeli
im për popullin e Kosovës dhe politikanët e rinj është: Zgjohuni nga gjumi,
mbroni shtetin e Kosovës, dhe mos lejoni bosnjëzimin e tij. Ky është momenti, rasti
dhe shansi për të ruajtur shtetin e fituar me shumë gjak dhe sakrifica
mbinjerëzore!
IBRAHIM KABILI
Tiranë më 27. 09. 2020