Kerko: a
Edison Ypi: Ja si mbrohem
E merkure, 14.10.2020, 09:55 AM
Ja si mbrohem
Nga
Edison Ypi
Sëmuresh
dhe vdes nëse nuk mbrohesh nga llumi shqiptaresk.
Kur
shoh faqet e para të gazetave, më merren mentë, më vjen për të vjellë. Iki në
një katund. Takoj një fshatar që ka ndërtuar një vilë sa një kështjellë. I them
viganit të punës; Dëgjo Ibrahim, Të gjithë ikin, ti qëndron. Të gjithë rrinë,
ti punon. Të gjithë vjedhin, ti ndërton. Je Hero. Meriton një monument.
Dijetarët
shqiptarë të gjitha kohërave nuk e ka vënë kurrë në dyshim identitetin europian
të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mirpo se nga kanë dalë ca mutër që hiqen për
filozofa dhe po duan të na bëjnë me zor aziatikë. Ata pisa dua t'i pështyj në
surrat por më vjen ndoht. Dua t'ua marr erzin atyre mercenarëve, por kam frikë
se i bëj të famshëm. Dua t'ua fus thonjtë në fyt atyre haleve, por më vjen keq.
Për të shpëtuar nga ky taksirat, iki humb brenda pyllit të fundbotshëm të
fundbarkut të një mikeshe.
Kur
shoh ndonjë shkrimtar që nuk lexohet me librin e vet në dorë duke thënë para
kameras "letërsia është univesale dhe eterne" më vjen aq turp,
hutohem aq keq, sa s'di çfarë të bëj, dhe iki shetis fundbarkun e një tjetre.
Kur
shoh ca që udhëtojnë nëpër Dumre ose Zadrimë me xhamat e makinës të mbyllura,
nga inati vete bëj një shetitje në formë patkoi nga kërthiza te kurrizi i një
të trete.
E
kam ditur se përfaqësuesit e konservatorizmit janë njerëz seriozë, të
qytetëruar, të kënduar. Mirpo tanët janë ca trutrashë që të kallin datën. Për
të ardhur në vete nga krrupa që më ngjallin konservativët të cilët në këmbim të
drekave dhe darkave nëpër restoranta shesin nënë e babë, iki te një kasap për
të marrë përvojën e përdorimit të hanxharit për therjen e derrit.
Kur
dëgjoj ca sedentarë që edhepse nuk e kanë idenë ku bie Fush Arrzi, Lozhani u
duket larg, Trebinjën nuk e dinë se ekziston,
thonë "vendi ynë është i bukur", iki në Mokër në këmbët e një
ujvare ku magjepsem me shushurimën e ujit, tingujt dhe ngjyrat e pyllit.
Kur
nisin e mburren me premtime të parealizueshme, hyj në Youtube ku shoh
dokumentarë për lokomotivat me avull, Urën e Bruklinit, Luftën Civile në
Amerikë, kanalin e Suezit.
Kur
konstatoj se muzika e keqe dhe tekstet katastrofike nuk janë modë vetëm
shqiptare, ulem lexoj Pinokun.
Kur
mendoj se për tu lehtësuar shpirtërat e shqiptarëve duhet me prit derisa të
vdesi edhe i fundit soc-artist, më kapin të dridhurat, mbulohem me batanije, ja
fus gjumit, shoh në ëndërr disa nga gratë e mia; Voskopojën, Prespën, Lurën,
Pukën.
Kur
dëgjoj ndonjërin që kujton ndonjë batutë nga filmat shqiptarë, për të evituar
damllanë, iki shoh muzgun e përgjakur të Karavastasë.
Kur
dëgjoj që shajnë Skënderbeun, Ismail Qemalin, Nolin, iki në gjendjen civile ku
u gjej emrat e nënave, motrave, tezeve, hallave, kunatave, dhe ua shaj deri në
shtatë breza.
Kur
ndjehem i rrethuar nga libra që nuk lexohen, filma që nuk shihen, surretër që
nuk durohen, biseda që nuk përballohen, vë duart në kokë si te Klithma e
Munch-ut, dhe iki vrap te Gryka e Këlcyrës ku thith të gjithë ajrin e Luginës
së Vjosës nga Laskoviku në det.