E diele, 03.11.2024, 01:17 AM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Merita Kuçi - Vdes të bëhem dritë

E marte, 29.09.2020, 07:09 PM


MERITA THARTORI-KUÇI

Me një libër të ri: “Vdes të bëhem dritë”

Nga Kadri Tarelli

Pas kaq vitesh heshtje, më në fund poetja durrsake Merita Thartori-Kuçi po del me një libër të ri me poezi: “Vdes të bëhem dritë”, botim i Shtëpisë Botuese “FIDANI”, Prizren 2020. Jo si xixëllonjë, që ndriçon vetëm pak çaste dhe kënaqen fëmijët kur shikojnë një “fener” që lëviz lirshëm nëpër vreshta dhe kopshtie, por një dritë që të mbetet e t’u vlejë njerëzve, të rriturve dhe të diturve, për të ndriçuar mendjen dhe shpirtin.

I çuditshëm ky titull libri, ku ka kundërshti fjale dhe mendimi filozofik: vdekje dhe dritë, fikje si fund-çasti, për t’u bërë diell dhe dritë në përjetësi, një ëndërr dhe dëshirë pakufi. Dy të kundërta që mohojnë njëra-tjetrën, si pjesë e dialektikës së natyrës dhe njeriut. Që këtu duhet filluar leximi, nga titulli si udhërrëfyes për të shijuar një letërsi të mirë. Jam i bindur se më besoni, kur po citoj këto vargje: “Guxova të jem Diell,/E botës t’i bëhem mburojë,/T’i bëj sfidë errësirës./E t’i them: - Jam yll,/ S’ më shuan dot! Poezia “Prej guximit”.

Kur diskutojmë një libër, ka edhe mendime të tilla, se titujt janë të rastësishëm, si shkrepje aparati, si foto çastit dhe befasisht. Edhe unë i këtij mendimi jam, por ky vendim vjen pas një kuvendimi të gjatë me vetveten, kur mendimi piqet në kohë e në kokë dhe shkrep, si vetëtimë në qiellin me re, për poetin edhe në qiell të kaltër. Madje edhe vetë poetja ngazëllehet për gjetjen interesante dhe me kumt të gjerë, ku shkurt, vetëm me dy fjalë, thotë gjithçka: “U skuqën kokërrzat e tulta,/Lule delet çliruan fletët plot dëlirësi,/Çmimi i  luledeleve është i vyer,/Ndërsa botës, vdes t’i  bëhem dritë”. Poezia: “Vdes të bëhem dritë”.

Unë jam njohur me të gjitha botimet e saj dhe në shkrime kam përcjellë përshtypjet dhe ndjesitë, që çapiten lehtë në frymëzimin e kësaj poeteje, tashmë të pjekur artistikisht. Ku kalimthi vura në dukje: Poete Merita ka një huq disi të dallueshëm nga të tjerët. Kur biseda me poetë e shkrimtarë, apo me kolegët mësues e drejtues shkollash, bëhet disi pa interes, Merita nxjerr nga çanta një bllok të vogël e thotë pa të keq: dëgjoni tani një poezi që sapo e mbarova. Ajo fillon të recitojë, pa marrë akoma pëlqimin e të tjerëve. “Nuk mundet dielli, edhe pse vonë lind”! Kuvendim mbi librin “dielli i vonë” të poetes Merita Thartori-Kuçi. Prill 2017.

Ndërsa tani me këtë libër, mund të shprehem lirisht, se ka një ngritje cilësore në përqasjen dhe përcjelljen e frymës poetike, pavarësisht stilit të saj të preferuar, vargu i lirë, me shumë mendim të pjekur, me shumë figura letrare, që tingëllojnë bukur, lenë mbresa dhe mbeten gjatë në kujtesë.

Lexuesi, apo më mirë duhet thënë, i dashuruari me poezinë, si mbretëresha e ndjenjave dhe e fjalës së bukur, që në faqet e para do të vërejë, se poezitë janë me tematikë spontane, si te të gjithë poetët. Megjithatë “mbretëron” deti si pjesë e Durrësit, por edhe e shpirtit të saj durrsak, jo thjesht me poezi kushtuar posaçërisht, por edhe te shumë vargje të tjerë, mes strofave e metaforave, ku mendimi zbukurohet me figura letrare të huazuara nga kjo bukuri e magjishme. Ja disa vargje:  “Mos e zemëro Diellin,/Me gjuhën e erës kur përulet deti”. Poezia “Mos e zemëro diellin”. Ose: “Përballë dritës deti është një diamant,/Dhe unë përballë detit, një zanë,/ Zana përkund djepe foshnjash,/Unë mbledh valë për fat të bardhë. Poezia “Me detin”. “Pesë sekonda për të puthur detin,/Pesë sekonda për të qepur valët,/Në një sekondë veshur t’i mbash ti,/Pesë sekonda për të jetuar natën,/Një sekondë Sirenë, ëndërr e vajzërisë, “Lirikë për detin”, etj, etj.

Diku në mes të librit poetja Thartori e shpreh më së miri mendimin e saj për dashurinë, e bindur se ajo jeton përjetësisht në trupin dhe shpirtin e çdo njeriu. Aq sa, në citatin e një pikture të punuar bukur nga Bora (e bija), thotë mençurish: “…. Sepse dashuria është kurthi i përjetshëm që dëshirojmë të na e hijeshojë jetën deri në frymën e fundit”. Këtu më duhet të shtoj, se një gjetje e bukur për stolisjen e librit janë disa punime pikture të Borës, si një vend pushim i këndshëm për lexuesin, për t’u çlodhur dhe për të medituar qetësisht.

Siç vihet re nga ky perifrazim, ajo që mbulon një hapësirë të gjerë është tema e dashurisë, përjetuar me një romantizëm më shumë të ndjerë se të përfytyruar mendërisht: Jam diku mes reve,/ Mes një ndjenje harruar si shpagim,/ Ku zemra si koracë e vyer/ Ndjek një yll në rrëzim”. Poezia “Muzg”. E gjitha madje të përfshijë edhe një qytet të tërë: “Tek u përcillnin të vonëve dashuri,/Dikur blirët bënin hije,/ Diku lëvizje, diku dhimbje, veç shumë,/Po shumë dashuri”. “Qytet dashurish”. E Gjitha kjo me një kusht, si ligj i pa shkruar, që puthja të jetë e nxehtë, plot zjarr e prush, jo e vakët dhe e përhumbur, apo e falur si fëshfërimë: “Mos ma lëndo Zemrën,/Mos e jep puthjen psherëtimë!”.

E ndërsa guxon të përplaset me jetën, që shpesh, mos themi në shumicën e kohës nuk pajtohet me romantizmin, ajo proteston: “Guxova të jem prapë vajzë,/Të kërkoj të bukurën si një zog”, ku nuk mungojnë edhe çaste zhgënjimi, dështimi dhe dëshpërimi, për t’i thënë vetes dhe të tjerëve, se jeta është e ashpër me dashurinë dhe nuk mjafton vetëm guximi: “Pema ime u tha/ Si të ndalte një zemër,/ U  rrëzua,/ U  vra! Poezia “Gënjeshtër”.

Në poezitë e autores Thartori, ka shumë sinqeritet, duke thënë të vërtetën ashtu siç është, pa mëdyshje dhe pa vellon e zbukurimit dhe të mbulimit, të lodhjes, lëshimit apo të harrimit në rrjedhën e jetës, për t’u shprehur:  “Pa e njohur trembjen, frikën,/ Jam si më duan të tjerët,/ Me shijen e tyre më veshin, buzëqeshin,/Më ngjyrosin, përsosin, më lëshojnë”. Më pas bërtet, për t’u ngritur përsëri dhe bërë vetvetja, guximtare dhe e vendosur të përplaset, duke qenë e bindur se do të fitojë në këtë luftë ndjenjash, që s’ka fund: “Dhe atëherë,/ U kthehem hobeve të mia,/Ec detit, rërës rrëmoj, ndjek hapat,/ Ujis, mbjell lule, muzikë dëgjoj”. “Vizatim”. Për të vazhduar më tej me gjykim të pjekur dhe të mbështetur fuqimisht mbi truall të fortë: “Ka gjithmonë kohë për të vuajtur,/ Një kohë për t’u ngritur,/ Gjithnjë një kohë për t’u fundosur,/ Një kohë tjetër për t’u ndezur. “Kohë”.

Përvoja e jetës, tashmë në moshë të pjekur, studimi dhe njohja e një letërsie të mirë, shpesh si pjesëtare edhe në takime, konkurse e kuvende poetësh e shkrimtarësh, në Durrës, Tiranë, Prizren, Istog, Kosovë, Malt të Zi, etj, etj, mirësisht dhe miqësisht na kujton mësimet që vijnë nga pësimet, si një postulat i ardhur nga shekujt: “Pësimi bëhet mësim”, për të qenë i duruar, për t’i shpërfillur ngarkesat e tepërta që pengojnë ecjen përpara: "Kam mësuar në jetë,/ se si dhimbja mposhtet me durim,/ Se si miqtë shkojnë e vijnë trembur pasurish,/ Kam mësuar se teka mban veç një premtim,/ Brengat lërja detit, mundin tënd rinisë”. “Premtim”.

Në këtë udhëtim të këndshëm nëpër shtegun e dashurisë, që e hap dhe e shtron secili vetë dhe për vete, ndeshim në vargje plot frymëzim dhe dëshira të bukura, disa romantike, siç është shpirti i poetes, dhe disa si kërkesë të një testamenti të firmosur dhe të vulosur me bojën e gjakut dhe ndjenjave të zemrës, të veshur me fjalë të arta poetike. Dëshira të admirueshme për cilin do nga ne, që mendon dhe jeton në paqe me vetveten dhe me të tjerët.

Këtu më duhet të ve në dukje, se fjala “Paqe”, apo e “Paqtë”, është fjala më e përdorur në shumicën e vargjeve të këtij vëllimi poetik. Çuditërisht ndodh kështu, pavarësisht se vetë poete Merita, është shumë energjike në fjalë dhe veprim. Në këtë përfundim arrita, pasi kam lëçitur edhe faqen e fundit dhe jam i bindur, se poetes i pëlqen harmonia mes kolegësh të punës dhe të letrave, mes miqsh, shokësh e shoqesh të shumtë, me të cilët duhet të ndajë dhe ndan mendimet, përshtypjet, kritikat, mospëlqimet, por edhe vlerat e krijimtarisë, si shpërfaqje e dukshme e nivelit artistik dhe filozofik që përcillet. Nuk i duron qejf-mbetjet, ndaj “Paqja”, duhet të mbizotërojë në marrëdhëniet mes njerëzve. E gjitha e thënë në mënyre lakonike përmblidhet në këtë varg: “Në mot të paqtë e gjetëm fjalën”. Poezia “Për mot të paqtë”.

Në përfundim, ashtu si unë, askush nuk habitet kur lexon dëshirën e poetes, disi romantike por e bukur dhe plot harmoni me të gjitha poezitë e këtij libri, kur thotë: “Një copëz re të gjelbër,/ Ma varni mbi shpinë. Një copëz qiell e toke,/ Ma shtroni qilim”. Poezia “Dëshirë”, duke trashur zërin me ngulm për ta dëgjuar e mësuar të gjithë: “Ta dini, preferoj të mbetem grua,/ Që në fushëbetejë të ndez një qiri”. Poezia “Preferoj të mbetem grua”.

Albert Ainshtajn, kur përshkroi Forcën Universale të Dashurisë, pat thënë: "Dashuria është dritë, që ndriçon ata që japin dhe marrin. Dashuria është fuqi, sepse ajo shumëfishon të mirat që kemi, dhe lejon njerëzimin të mos shuhet në egoizmin e tyre të verbër. Dashuria shpaloset dhe zbulon. Për dashurinë, jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuri ". Por ai s’ kish si ta dinte, sepse nuk e njohu poezinë “Testamenti”, ku autorja plot besim, thotë:

“Zot!

Ekzistojnë vërtetë dashuritë?

………………..

Mos ik pa marrë dëshminë e dashurisë,

I vetmi testament që vlen”.

Urime poetes Merita Kuç-Thartori, për libra të tjerë me po kaq vlerë!

Kadri Tarelli

Durrës. Gusht 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora