Kerko: a
Blerim Latifi: Strategjia e Pashiqit është e gjallë dhe në veprim
E diele, 05.07.2020, 12:53 PM
Blerim Latifi:
Ivo
Banac, historiani i famshëm kroat, profesor në Yale University, paska vdekur dy
ditë më parë. Libri i tij “Çështja nacionale në Jugosllavi- origjina, historia,
politika” përbën ndoshta studimin më të mirë shkencor për periudhën midis dy
luftërave botërore në Jugosllavi. Një pjesë e studimit i kushtohet edhe
statusit politik të shqiptarëve të Kosovës në atë periudhë. Në kapitullin “
Kaçakët”, lexojmë këtë pjesë : “Me rikthimin e trupave serbe në vitin 1918 të
gjitha shkollat shqipe në regjionin jugor u mbyllën. Fillimisht autoritetet u
përpoqën të nisin asimilimin e të rinjëve dhe fëmijëve shqiptarë, duke ua
lejuar atyre edukimin vetëm në gjuhën serbe. Për këtë qëllim u sollën mësues
muslimanë nga Bosnja, të cilët kishin orientime të qarta proserbe. Por kur u pa
se shkollat serbe jo që nuk po i serbizonin shqiptarët, por po i pajisnin ata
me shkathtësi intelektuale, që nesër mund të përdoreshin kundër pushtetit serb,
atëherë Beogradi hoqi dorë nga edukimi i shqiptarëve në gjuhën serbe dhe nisi
politikën e orientimit të tyre në edukimin fetar. Autoritetet serbe mendonin se
përhapja e shkollave fetare muslimane, mektebeve ( shkolla fillore) dhe
medreseve ( shkolla të mesme), të njohura në gjuhën popullore si “shkolla
turke”, do të bënte të mundur që shqiptarët të mbeteshin në prapambeturi dhe në
injorancë”. Banac, në të njëjtin kapitull, citon një burim zytar të kohës, në
të cilin theksohen qëllimet e këtij programi të pushtetit serb: duke i zhytur
shqiptarët në prapambeturi, injorancë dhe budallallëk, ata do ta humbin forcën
për t’i bërë rezistencë pushtetit të Beogradit. Shpjegimi i Banacit është se
Serbia investonte në dimensionin fetar të shqiptarëve të Kosovës, me qëllim që
të pamundësonte zhvillimin e vetëdijes kombëtare dhe nacionalizmit shqiptar në
mesin e tyre. Për këtë qëllim në vitin 1924 në Shkup u hap Medreseja e Madhe e
Krajl Aleksandrit. Qëllimet e saj ishin që të shkollonte imamë shqiptarë, të
cilët pastaj do të shpërndaheshin në të gjitha trevat shqiptare në Jugosllavi
për të përhapur besimin se shqiptarët e këtyre trevave parasegjithash ishin një
mbetje e Turqisë osmane. Meqë nuk mund të serbizoheshin, shqiptarët duhej të
turqizoheshin. Vetëm shqiptarë nuk mund të mbeteshin.
Kjo
ishte strategjia e Pashiqit, strategji e cila ende sot është e gjallë dhe në
veprim.
02-07-2020