Kulturë
Prend Buzhala: Seanca poetike
E diele, 05.07.2020, 08:00 AM
SEANCA POETIKE
(Kundrime
në raportet letërsia si terapi e ilaç dhe psikologjia ), 1
Nga
Prend BUZHALA
Poezia
e psikologjia sugjerojnë ndërlidhjen me njëra-tjetrën. Nëse poezia shpreh botën
e brendshme, shpirtërore; nëse poezia mjetin e saj kryesor të shprehjes
krijuese e ka fjalën; atëherë edhe fjala psikologji e ka po këtë përafrim
përmbajtjesor: psikë (psiko ????) dmth shpirt dhe "logos (?????)"
fjalë. Në antikë poezinë e shoqëruan me muzikë dhe vallëzim.
1.
Në
mistikat e moçme shërimi ndërlidhej me formula që shkruheshin a këndoheshin në
formë poetike. Në antikë, e ndërthurën kësisoj poezinë me muzikën e shërimin,
jo thjesht për argëtim apo kremte, por edhe për nevoja shpirtërore: si terapi
për jetën me depresion dhe me probleme emocionale. Edhe rrëfimet në formë
letrare që përdoreshin nga shërues popullorë, i jepnin fuqinë shëruese, prej
nga sot vijnë teknikat narrative dhe poetike në psikologji e në trajtimet e
shërimit psikik.
Është
letërsia ajo që e ballafaqon lexuesin përmes katarsisit aristotelian, me botën
e me realitetin e ndërliqshëm, nëpërmes përqendrimit të arti poetik e jo
drejtpërdrejt te jeta e individit "në seancë". Seanca poetike i ngjet
asaj psikike. Poezia ua krijon mundësinë pjesëmarrësve në seanca të tilla për
t'i shprehur ndjesitë e veta, për t'i artikuluar idetë, për të shërbyer si
katalizator për t'i shfaqur përjetimet, nga njëra anë, apo si nxitje kujtimesh,
nga ana tjetër.
Në
ORËN E TILLË LETRARE (le ta quajmë SEANCË POETIKE), lexuesi e dëgjuesi nuk
është i vetëm: ai bashkëndjen, duke e shfaqur ndjesinë e mendimin e tij; poezia
që flet "për dikë tjetër", ligjëron si ajo formula antike "de te
fabula narratur": lexuesi bëhet "klient" i "trapistit"
(psikologut, poetit), për t'i shqiptuar zërat e përvojave të përjetimeve,
emocioneve. Në literaturën bashkëkohore ka mjaft studime që i kushtohen Artit
të Terapisë së Poezisë (siç është BETH CAROL BOONE), që në studimin e vet
parqet tri nivele të certifikimit të terapisë së poezisë: Edukatorë të
Certertifikuar të Poezisë, Terapistë të certifikuar të Poezisë si dhe
Terapistët e regjistruar të poezisë.
2.
Na
bie ta dëgjojmë shpesh edhe shprehjen: letërsia si ilaç. Është fjala për
efektet që ka letërsia në aspektet kognitive e emocionale të personalitetit të
njeriut: se leximi dhe shkrimi i fiksonit letrar kanë efekte shëruese, kur
bëhet zgjedhja përkatëse e literaturës.
Në
rrjetin social komenti erdhi pikërisht si shqiptim i këtyre përvojave
emocionale, kongitive dhe shoqërore: aty ku zhvillohen prirjet, saktësia dhe
mirëkuptimi në perceptimin personal dhe atë të tjerëve; aty ku poeti, lexuesi
dhe komentuesi zhvillojnë mendjen krijuese, vlerësimin e vetvetes dhe të
vetëshprehjes; aty ku forcohen prirjet ndërpersonale të komunikimit. Është ai
proces ku arti është ventilator i përjetimit dhe i emocionit mbizotërues (të
tematikës e motivit), i zbrazjes së tensionit të brendshëm, i rigjetjes së
kuptimeve të reja, nëpërmes ideve të freskëta dhe informacionit të ri, dhe ku
lexuesi-komentues përballet me aftësitë, zotësitë e funksionin adaptues të
artit dhe kuptimit.
Nëse
në Antikë Apolloni ishte perëndi e poezisë, ai njëkohësisht ishte perëndi edhe
i mjekësisë, sepse këto dy fusha ndërlidheshin njëra me tjetrën. Në Bibël,
Davidi shëron egërsinë e Saulit, kurse një mjek romak përmendet se si shkroi
tragjedi e komedi për t’i shëruar pacientët me depresion psikik.
Në
shekujt e vonshëm, nëpër spitale, shkrimi letrar e poetik ishte një veprimtari
e pacientëve. Kurse në shekullin që lamë pas, përmendet poeti Eli Greifer (më
1928), i cili ka qenë edhe avokat dhe farmacist me profesion, dhe i cili
zhvilloi disa veprimtari për të treguar se si mesazhi poetik e didaktik luan
rol në shërimin e pacientëve dhe liron energji shëruese. Ai themeloi edhe grupe
psikoterapike, ku hyjnë poeti, mjeku, apo juristët në bashkëpunim me një
psikiatër.
Jo
pak krijues po ashtu theksojnë se si shkrimi është terapia e tij jetësore,
dashuria e tij e jetës, vatra e tij e gjallimit. Është trinia e tij e shenjtë:
art, shpirt, peizazh.
Poezia,
kësisoj, zhvillon një proces interaktiv: emocional, njohës dhe shoqëror. Meqë
vetë poezia ka në strukturën e vet paradoksin, gjithsesi që leximi i saj ka
edhe komentin.
(Prend N. Buzhala, 1 korrik 2020)