Kerko: a
Elvi Sidheri: “Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit
E diele, 08.03.2020, 11:00 PM
“Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit
Nga
Elvi Sidheri
Dalja
nga shtypi e studimit “Jehu i Përjetësisë” të Vera Pelaj, gazetare dhe
shkrimtare me përvojë në të dyja këto fusha me një profesionalizëm të theksuar
e përkushtim të dëshmuar tashmë, na ofron të gjithëve, dashamirës të veprës e
jetës së At Zef Pllumit, por edhe lexues të etur për ushqimin shpirtëror e
atdhetar të ngjizur nga mendja e ndritur e klerikut erudit patriot, mundësinë
për të gjetur në një botim të vetëm, shtjellimin gjithëpërfshirës të larmisë
frymëzuese të krejt përvojave jetësore, mendësore, kulturore, shpirtërore e
njerëzore të këtij kolosi të botës shqiptare të shekullit XX.
Pikërisht
ky është edhe kulmi i vlerave që ngërthen ky studim, një botim që vetvetiu për
shumëkënd do të shndërrohet në paradhomën e njohurive dhe shuarjes së ëndjes kureshtare
mbi trashëgiminë për brezat e ardhshëm të përçuar nga françeskani i madh,
njeriu i përulur (por kurrë i kërrusur, përkundër mizorive biblike të cilave do
t’u nënshtrohej nën vargonjtë e regjimit diktatorial monist), fetari i paepur
dhe shqiptari i mirëfilltë, mendja e praruar e At Zef Pllumit.
Autorja
Vera Pelaj, ka ditur që në këtë libër studimor të ndërfutet mjeshtërisht nëpër
të gjitha shtresat dhe nënshtresimet e vetëdijshme dhe të padukshme të mendimit
e botëkuptimit të At Zef Pllumit, duke ia dalë mbanë me sukses të plotë që
ndërkaq t’i ofrojë lexuesit edhe një sintezë të kthjellët të shoqërisë
shqiptare në diktaturë, gjithçka e kundruar çiltërsisht me sytë e pafajësisë së
klerit katolik shqiptar, të mishëruar në përvuajtjen shpirtërore dhe torturat
trupore që rraskapisin vegimin njerëzor të klerikut rrëfimtar.
Pakkush
gëzon këtë dhunti, që ta kuptojë, (bashkë)ndiejë dhe të njësohet me universin,
ndjesitë më intime, përvojat dhe shajnitë largpamëse të një krijese njerëzore
të zdritur mendërisht e fizikisht, si At Zef Pllumi, gjë kjo që e shndërron
këtë libër në një pasqyrë rrezatuese të mirëfilltë të mesazheve hyjnore,
kombëtare e thellësisht shqiptare që burojnë nga mendja dhe shpirti i lirë i
klerikut atdhedashës të cilit ky studim i kushtohet.
Dimensioni
tokësor, qiellor, sociologjik, letrar, atdhetar, rrëfimtar, dëshmitar, fetar e
gjithaq mendimtar i At Zef Pllumit, përmes shumësisë unike të secilës nuancë të
qenësisë së tij shumëplanëshe, është shpjeguar me një qartësi të admirueshme
nga autorja Vera Pelaj, duke mos shpërfillur asnjë karakteristikë, veçori apo
tipar të vetëm të këtij njeriu dhe veprës e mendimit të tij, duke arritur
kështu rrjedhimisht të sendërtojë një përmbledhje të vyer të thesarit që
nënkupton trashëgimia e njeriut të “fesë dhe atdheut”, klerikut të përndjekur
shtazërisht nga regjimi, fanarit të pashuar orientues të busullës qenësore të
thelbit të shqiptarësisë, direkut të drejtimit të duhur kulturor të këtij
populli.
“Rrno
vetëm për me tregue”, është pa asnjë mëdyshje trashëgimia e paçmueshme e At Zef
Pllumit për të gjithë ne shqiptarët, por gjithashtu jeta e tij, vuajtjet e tij,
flijimi i tij jetësor, përkushtimi i tij atdhetar e fetar, largpamësia e
mendimit dhe vizionit të tij për popullin dhe trojet e veta kombëtare,
meritojnë dhe kanë patjetër të nevojshme thellime të mëtejshme, sikundër ndodh
me përpikmëri në këtë libër, duke ia shtuar vlerat këtij studimi tërësor dhe
autores së tij pasionante.
Ky
studim sakaq, duke i mbetur në vijimësi besnik at Zef Pllumit në çdo yjësi të
veprës e trashëgimisë së tij për brezat e ardhshëm të popullit të vet, nuk
mungon t’i ofrojë lexuesit edhe një historik të përpiktë të Urdhrit Françeskan
në trojet shqiptare, të klerikëve të tjerë të shkrirë shpirtërisht, denjësisht
me fatin e mbrothësinë e kombit të tyre, të konditave historike, politike e
rrethanore të Shqipërisë përgjatë periudhave të ndryshme kohore, në të cilat do
të farkëtohej edhe personaliteti, mesazhi i përjetshëm dhe tregimi jetësor i At
Zef Pllumit.
Për
këto arsye, “Jehu i Përjetësisë”, përbën tanimë një “sine qua non” ndërlidhur
pazgjidhshëm me figurën e njeriut të cilit i kushtohet ky libër, i përpiluar,
punuar e shkruar me përkushtimin që mund të përvijohet veçse nga shtysa të
epërme, vetëm për njerëz të kalibrit të At Zef Pllumit.
Autorja Vera Pelaj shndërrohet kështu në fill përçues të vetvetishëm të frymës përtëritëse syçelëse atdhetare, hyjnore të ngjizur nga shpirti i pavdekshëm i klerikut të paharruar, duke na bërë të gjithëve dëshmitarë të përjetësisë të jehut të tij, që gjallon i paepur në secilën faqe e kapitull të këtij libri.