Kerko: a
Edison Ypi: Maratonomaku Rinush Idrizi
E enjte, 12.03.2020, 07:07 PM
Maratonomaku Rinush Idrizi
Nga
Edison Ypi
Rinush
Idrizi hynte në klasë furishëm, me frymëmarrje të shpejtuar, si dikush që vjen
nga larg për të sjellë një haber të mirë, si marotonomak, që haberin e mirë do
ta sjelli gjallë a vdekur, dhe dilte nga klasa si Sizif, i pakënaqur që
shkëmbin e rëndë sa herë e ngrinte telart aq herë i rrokullisej teposht.
Rinush
Idrizin klasa e dëgjonte e nemitur. Arratisjet e tij letrare përmes kërcimesh
pindarike nga detajet më të imta të prozës e poezisë së zgjedhur shqiptare dhe
botërore, te bëmat e perëndive të Olimpit ishin mahnitëse. E niste me Nolin, e
përfundonte me Danten. Fliste për Ndre Mjedën, dilte te Shekspiri. I bënte me
aq shkathtësi, aq natyrshëm, butë dhe bukur, këto kërcime, sa duke udhëtuar
nëpër Letërsi na dukej sikur udhëtonim nëpër botë, madje nëpër kohë.
Rinush
Idrizi ishte një lloj magjistari që klasën e bënte të binte në delir, në
ekstazë.
Rinush
Idrizi nuk zbatonte program mësimor nga Drejtoria, Ministria, Akademia, etj.
Leksionet e Rinushit ishin një çakërrdisje e këndëshme e pangjajshme me asgjë
pedagogjike zyrtare, konvencionale.
Komitetet,
mbledhjet, hovi proletar, klasa puntore, puna vullnetare, për Rinush Idrizin
nuk ekzistonin.
Rinushi
na e çorrodiste mendjen me herezira. Sipas Rinushit, ata që thonë se Poeti i
shkruan vargjet në momente frymëzimi, gënjejnë. Vargjet që lexohen ose
recitohen me një frymë gjatë pak minutave, janë dashur vite të shkruhen. Poeti
dhe shkrimtari janë njerëz me ndjeshmëri të lartë që nuk frymëzohen në çastet e
të shkruarit, por gjatë një kohe të gjatë, se Poeti është njeri që lodhet
shumë.
Fort
ngulmonte Rinushi mbi efektin që të shkruarit artistik ushtron mbi lexuesin.
Sipas tij, brenda këtij misteri që kurrë nuk do të zbulohet, ndryhet sekreti i
të shkruarit bukur. Është gjëja më absurde, thoshte Rinushi me nervozizëm, ta
komentosh një tekst duke thënë se "me këtë ka dashur të thotë katë, me
këtë tjetrën atë tjetrën, e kështu me rradhë".
Një
ditë Rinushi na rrëfeu se si në një universitet diku në Europë, pritej të vinte
një Profesor i famshëm që do komentonte një fragment nga Komedia Hyjnore.
Studentat mbushën Aulën. U bënë gati të merrnin shënime. Ra një heshtje sa
dëgjoheshin frymëmarrjet. Profesori erdhi. Me vete kishte Komedinë Hyjnore.
Hodhi një sy rretheqark. Priti pak çaste. E përplasi Komedinë Hyjnore mbi
tavolinë. Tha me zë të lartë; Dante nuk mund të komentohet ! Dhe iku.
I
kam të gjalla hyrjet e daljet e Rinush Idrizit nëpër vargjet e De Radës,
Mjedës, Serembes, si minatori brenda labirinteve nëntokësore të minierave të
floririt.
Rinushi
thoshte se autorët e vërtetë pasi e mbarojnë një vepër, i thonë turmës; U lodha
derisa e mbarova. Deri tani ishte e imja. Prej tash është e juaja. Merreni.
Lexojeni. Griseni. Bëni ç'të doni.
Tregonte
pafund për madhështinë e Heminguejt. Veçanërisht për "Plaku dhe Deti"
përkthyer nga Ismail Kadare. Aq të mahnitëshme i bënte komentet, sa e gjithë
klasa, "Plaku dhe Deti" e mësuan pothuajse përmendësh.
Rinushi
thoshte se Poet kemi vetëm 1, Lasgush Poradecin.
Kur
fliste për Prometeun dridhej sikur ta kishin lidhur atë vetë pas një shtylle
dhe i kishin vënë flakën.
Një
ditë Maratonomaku u fut vrullshëm në klasë me dëngun e fletoreve të hartimeve
të korigjuara. E përplasi dëngun mbi tavolinë pakashumë si profesori me mjekërr
Komedinë Hyjnore. Ngriti përpjetë duke e tundur njërën nga fletoret. Tha; Ky di
të shkruaj ! dhe shqiptoi emrin dhe mbiemrin e të nënëshkruarit.
Kaluan
vite. Unë që për gazetën Drita, revistën Nëntori, Zërin e Popullit, gazetën
Puna, dija vetëm se ekzistonin, nuk e mora vesh kurrë ku e internuan dhe si i
vajti filli. Më thanë se nga kjo jetë iku para kohe. S'mund të ndodhte ndryshe
me një maratonomak si Sizifi Rinush Idrizi.