E premte, 01.11.2024, 12:01 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Krijimet letrare të arbëreshëve

E hene, 17.02.2020, 07:00 PM


KRIJIMET LETRARE TË ARBËRESHËVE

Nga Xhelal Zejneli

EMIGRIMI I ARBËRESHËVE NË ITALI

Ngulimet masive të shqiptarëve në Itali filluan me pushtimin e Ballkanit nga Turqia. Ky eksod u shtua pas vdekjes së Skënderbeut (1468). Në vitet 1468-1478 valë refugjatësh braktisën Shqipërinë jugore, kaluan detin për t’u ngulitur në Basilikatë, Molize, Pulje, Kalabri. Në vitet 1532-1533, pas shtrirjes së Turqisë në More, shqiptarë të tjerë u arratisën nga Greqia dhe u vendosën në Sicili. Më vonë pati edhe emigrime të tjera. Një grup nga Piqerasi i Himarës u vendos në Badhesë afër Peskarës në vitet 1744-1746, kurse një grup tjetër u vendos në Brindizi di Montanja. Shqiptarët themeluan dhe ripopulluan mbi njëqind qytete e fshatra në Italinë jugore. Më tepër se gjysma, gjenden në malësinë e Kalabrisë. Sot janë rreth 50 qytete anembanë Mezzogiorno-s, ku ende flitet shqipja. Kjo bashkësi shqipfolëse prej rreth 90.000 vetash, gjendet në shtatë krahina: Abruce, Molize, Kampania, Pulje, Bazilikata, Kalabri dhe Sicili. Ato janë krahinat Peskara, Kampobaso, Foxhia, Taranto, Potenca, Kozenca, Katanxaro, Palermo.

LETËRSIA ARBËRESHE NË SHEK. XVIII

Vepra e parë e letërsisë arbëreshe “E mbësuame e krishterë” (“Doktrina krishtere”) nga kryeprifti sicilian Lekë Matrënga (1567-1619) daton nga fundi i shek. XVI.

Poetë të parë arbëreshë të shek. XVIII janë: Nikollë Brankati (1675-1741) nga Hora e Arbëreshëve, doktor i filozofisë. Poezia e tij u botua nga Dhimitër Kamarda, nga Xhuzepe Skiroi plaku si dhe nga Mikel Markiano. Poezi ka shkruar edhe Nikollë Filja (1682-1769).

Më 1730 u themelua kolegji (seminari) grek në Palermo të Sicilisë. Themelues ishte Gjergj Guxeta (1682-1756) nga Hora e Arbëreshëve. Në të u shkolluan shumë arbëreshë. Ndër studentët e parë ishte Nikollë Keta (1740-1803), i cili shkroi vargje fetare dhe laike në shqip dhe greqisht. Është autor i tingëllimës (sonetit) së parë shqiptare (1777). Hartoi një fjalor italisht-shqip, të cilin, më 1779 e zgjeroi në 640 faqe me rreth 10.000 fjalë.

Poetë të tjerë janë: Gjovani-Krisostomo Guxeta (1700-1770) nga Hora e Arbëreshëve, nip i Gjergj Guxetës; Nikollë Suli (vdiq më 1785), Xhuzepe Barça, Andrea Filja dhe Gjovani Thoma Barbaçi (1742-1791).

Poet i parë arbëresh i talentuar është Jul Variboba (1724-1788). Është i pari poet i vërtetë në mbarë letërsinë shqiptare. U shkollua në seminarin Korsini më 1732 në Shën Benedhiti, qendër e shkollimit të klerit grek. Në të u shkolluan shumë arbëreshë. Variboba vajti në Romë ku botoi poemën me 4717 vargje “Jeta e Shën Mërisë së Virgjër”, Romë 1762.

Poeti i fundit i shek. XVIII është Stefan Bafa (vdiq më 1808).

LETËRSIA ARBËRESHE E SHEKULLIT XIX

JERONIM DE RADA (1814-1903) – Është figurë e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shek XIX, më i mirënjohuri shkrimtar. Bir i një prifti ortodoks në Maq, në malet e Kozencës. Ndoqi kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër. Më 1834 u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në Napoli, por të riut i interesonin folklor dhe letërsia. De Rada është katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Mbajti letërkëmbim me Thimi Mitkon (1820-1890), me Zef Jubanin (1818-1880), me Sami Frashërin (1850-1904), me Dora d’Istrian (1828-1888) si dhe me studiues e shkrimtarë të huaj, të interesuar për Shqipërinë, si: me albanologun francez Ogyst Dozon (1822-1891), me baroneshën Jozefin fon Knorr (1827-01908) dhe me gjuhëtarin austriak Gustav Majer (1850-1900).

De Rada u inkurajua edhe nga poeti francez Alfons de Lamartin (1790-1869). U vlerësua edhe nga poeti francez Frederik Mistral (1830-1914).

Më 1856, vargje të De Radës u përkthyen në gjermanisht nga Hajnrih Kristof.

Nga Napoli u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Shqipen e përfshiu në programin mësimor. Më 1850 u martua me Madalena Melikio-n me të cilën pati katër fëmijë – Xhuzepe, Mikelanxhelo, Rodrigo dhe Etore. Të gjithë vdiqën sa qe gjallë poeti. Më pas i vdiqën edhe gruaja dhe vëllezërit. Më 1868 u emërua drejtor shkolle të mesme në Koriliano Kalabro. Në këtë detyrë qëndroi 10 vjet. Më 1892 u riemërua profesor në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër. Më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. Më 1897 mori pjesë në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër. Vdiq i vetmuar në vendlindje, në malësinë e Kalabrisë më 1903. Ëndrra e tij ishte Shqipëria e pavarur.

Vepra – Me De Radën fillon romantizmi në letërsinë shqiptare. Veprat poetike: poema liriko-epike “Këngët e Milosaos”, Napoli 1936; poema epiko-lirike “Këngët e Serafina Topisë”, Napoli 1839; poema epike “Skënderbeu i pafat”, Koriliano Kalabro 1872.

Daramat: “Numidët”, tragjedi historike, në italisht, Napoli 1846; “Sofonizba”, dramë historike, Napoli 1892.

Veprat shkencore dhe botime të tjera: “Parime të estetikës”, Napoli 1861; “Lashtësia e kombit shqiptar dhe afria e tij me grekët e latinët”, Napoli 1864; “Rapsodi nga një poemë shqiptare të mbledhura në ngulimet e krahinës së Napolit”, Firence 1866; “Sa liri e mirëqenie ka në shtetin me përfaqësues”, Napoli 1882; “Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe”, 1894; “Antologji shqipe e përkthyer në gjuhën italiane”, Napoli 1896; “Autobiologjia”, Kozencë 1898 dhe Napoli 1899; “Testamenti politik”, 1902.

Gazetat: Më 1848 botoi gazetën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), në shqip e italisht, e para gazetë në gjuhën shqipe. Më 1883 botoi gazetën Fiamuri i Arbrit (La bandiera dell’ Albania). Doli në Maq e Kozencë deri në vitin 1887.

“Këngët e Milosaos” – Është një baladë e gjatë romantike me 39 këngë, poemë liriko-epike që pasqyron dashurinë e Milosaos, djalosh fisnik nga Shkodra. Ngjarja zhvillohet në Shkodër në shekullin XV. Milosao është kthyer në shtëpi nga Selaniku. Te kroi i fshatit takon Rinën, vajzën e bareshës Kollogre dhe bie në dashuri me të. Dy të rinjtë e dashuruar u takojnë shtresave shoqërore të ndryshme, gjë që e pengon bashkimin e tyre. E ëma e Milosaos është kundër kësaj martese ngase i biri i përkiste shtresës së lartë. Përpos kësaj, ajo i kërkon të birit të lërë mënjanë dashurinë dhe t’i përkushtohet mbrojtjes së atdheut nga pushtuesit turq. Poeti e zgjidh problemin me deus ex machina (zgjidhje prej Zotit) – një tërmet shkatërron qytetin duke i shlyer kësisoj edhe dallimet klasore. Milosao ndodhet midis dy zjarresh: zjarrit të dashurisë, në një anë dhe kushtrimit për t’i dalë zot mëmëdheut, në anën tjetër. Dy të rinjtë martohen dhe jashtë vendit u lind një foshnjë. Lumturia martesore nuk zgjat shumë, ngase pas pak kohe, i biri dhe nusja e re, Rina - vdesin. Milosao ndërkaq, i plagosur në një betejë, jep shpirt në bregun e një lumi në Shkodër. Për ta ndërtuar poemën, poeti është bazuar edhe në letërsinë popullore shqiptare.

FRANÇESK ANTON SANTORI (1819-1894) – Lindi në Picilia (Santa Caterina Albanese) në krahinën e Kozencës. Në moshën 16-vjeçare i filloi mësimet për prift. Në vitet 1842-1860 jetoi në manastirin françeskan në San Marko Arxhentano. Më pas e la jetën e murgut dhe u kthye në Picilia.

Vepra – Është autor poezish, pjesësh teatrale, tregimesh, romanesh, përshtatjesh të 112 fabulave të Ezopit si dhe autor i një gramatike të shqipes. Poezia e parë e tij është “Këngëtorja arbëreshe”. Është një poemë kushtuar dashurisë dhe bukurive të natyrës. E ribotoi më 1975 studiuesi arbëresh Françesko Solano (i lidur më 1914).

Më 1848 Santori kompozoi një himn në shqip “Vallja e haresë së madhe” e cila u botua në revistën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia) të De Radës. Pason rrëfimi poetik në italisht, me disa pjesë në shqip “I burgosuri politik”, Napoli 1848. Pasojnë dy vepra fetare në shqip “Ruzaria e Shën Mërisë së Virgjër”, Kozencë 1849 – poemë fetare dhe “I krishteri i shenjtëruar”, Napoli 1855, 230 faqe vargje fetare.

Dramat – Emira”, e para dramë e shkruar dhe e botuar në shqip. U botua në nëntor 1887 në revistën Fiamuri i Arbrit të De Radës. Disa pjesë të dramës u botuan në “Antologjinë shqiptare” të De Radës, në vitin 1896. Më 1984 drama u ribotua nga Françesko Solano.

Santori shkroi edhe melodrama – komedi dhe tragjedi. Tragjedia “Jeroboam” dhe melodrama “Lekë Dukagjini”, të shkruara në vitet 1855-1860, të botuara më vonë nga Françesko Solano.

Hartoi edhe 1845 vargje satirike që dolën në dritë vetëm tani vonë. Santori në krijimtarinë e tij poetike tregon një lidhje të ngushtë me folklorin arbëresh.

Është autor i dy romaneve dhe i gjashtë tregimeve që mbetën të pabotuara sa qe gjallë autori. Romanin “Sofia Kominiate”, në shqip, me 282 faqe, e shkroi edhe në italisht. Romanin “Ushtari shqiptar” e shkroi në italisht.

Në tregimet e tij trajton motive nga jeta në fshat. Veprat e tij tani botohen me transliterim.

“Emira” – Në këtë dramë trajtohet një temë nga jeta e arbëreshëve të kohës së shkrimtarit: dhuna që ushtrojnë cubat në një fshat arbëresh dhe përpjekjet e autoriteteve të pushtetit për ta mbrojtur popullatën nga keqbërësit. Në dramë jepet edhe dashuria ndërmjet dy të rinjve – Emirës dhe Mirianit. Personazhe janë: Emira, Bardhi (babi i Emirës), Miriani, Gjergji (i ati i Mirianit), Kalina, Kallonjeri, Albenci (vëllai i Mirianit), Lipisia, Ligjëresha etj. Familjes së Mirianit cubat ia dogjën pasurinë. Babai i tij – Gjergji u gjet në një situatë më inferiore se familja e Emirës. Për këtë arsye, Gjegji i propozon Bardhit ta prishin miqësinë. Bardhi ndërkaq kërkon ta vazhdojnë miqësinë. Dashuria ndërmjet Emirës dhe Mirianit pengohet, si nga veprimet keqbërëse të cubave, ashtu edhe nga intrigat dhe xhelozia e Kalinës dhe e Kallonjerit. Kalina e dashuron Mirianin dhe është xheloze ndaj Emirës, të cilën e ka shoqe më të ngushtë. Ajo është xheloze ngase Miriani e dashuron Emirën dhe jo atë. Me intrigat e veta dhe me hipokrizinë e Kallonjerit, ajo synon ta prishë idilin e dashurisë midis Emirës dhe Mirianit. Kallonjeri, i shtyrë nga Kalina, sajon shpifje kundër Mirianit. Ata ia djegin shtëpinë dhe ia rrëmbejnë bagëtinë. Kallonjeri synon ta bindë Emirën që ta pranojë dashurinë e tij, ndryshe i kanoset se do ta rrëmbejë. Emirën e shpëton Albenci, vëllai i Mirianit, i cili e plagos Kallonjerin. Kallonjeri shpif te autoritet e pushtetit, kinse Gjergji dhe Miriani janë bashkëpunëtorë të cubave. Që të dy arrestohen dhe ndodhen para pushkatimit. Cubat e vrasin Kallonjerin, ndërsa Gjergji dhe Miriani lirohen nga akuza. Emira martohet me Mirianin, ndërsa Kalina martohet me Albencin – vëllanë e Mirianit. Në dramë shohim barinj, baresha, blegtorë. Autori i përfshin në dramë traditat, zakonet, këngët, vallet, veshjen e arbëreshëve dhe ritet familjare. Drama është ndërtuar sipas parimeve të romantizmit.

GAVRIL DARA I RIU (1826-1885) – Lindi në Pallac të Sicilisë. Studio në seminarin grek të Palermos. Më vonë kreu studimet e drejtësisë. Ushtroi detyrën e avokatit në Agrixhento. Në vitet 1867-1869 u bë prefekt i Trapanit. Në vitet 1871-1874 u emërua drejtor i periodikut La Riforma në Romë. U mor me poezi, me folklorin arbëresh, me filozofi, me arkeologji dhe me drejtësi.

Vepra – Ka shkruar poezi në italisht dhe një poemë fetare në shqip. Kryevepër e tij është balada romantike – poema “Kënga e sprasme e Balës”, Katanxaro 1906. Vepra të tjera: “Disa poezi”, italisht, 1847; poema “Ana Maria Kominiate”, italisht, me subjekt shqiptar, 1864; poezia “Të zezat tona”, italisht, 1870; veprat shkencore: “Mbi tipografinë e Gjirgjendit”, 1863; “Topografia e Palac Adrianos”, botuar më 1887 në revistën Fiamuri i Arbrit të De Radës.

“Kënga e sprasme e balës” – Është poemë romantike në katër pjesë që rrëfen për bëmat e Nik Petës dhe të Pal Golemit, heronj shqiptarë të periudhës së motit të madh – epoka e Skënderbeut, shekulli XV. Së pari u botua në periodikun Arbri i Ri nga studiuesi arbëresh Zef Skiroi. Doli e plotë në italisht e shqip në revistën La Nazione Albanese (Kombi shqiptar) më 1900. Subjekti i poemës përmban dy tema: dashuria ndaj atdheut dhe dashuria ndaj gruas. Ideja themelore e veprës është: Nuk mund të ketë lumturi individuale apo familjare kur kombi është në rrezik, kur atdheu është nën robëri apo nën sundim. Krahas dashurisë midis dy të rinjve, poeti flet edhe për luftërat e shqiptarëve kundër osmanëve. Poema flet për rolin e prijësit, për bashkimin e shqiptarëve rreth idesë kombëtare, për vitalitetin e shqiptarëve dhe për vetëmohimin e shqiptarëve për të mbrojtur mëmëdheun. Bala është dëshmitari i ngjarjeve historike të kohës së Skënderbeut. Bala i ngjan një Homeri shqiptar. Poeti thotë se nuk është autor i veprës, por vetëm një mbledhës i lëndës folklorike. Ai thotë se këngët e poemës janë kënduar në popull, njësoj si këngët e Iliadës Homerit. Këto këngë në poemë, nuk na i rrëfen poeti, por Bala. Me veprën e vet, poeti synon të ndërtojë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Poeti pasqyron në poemë tragjizmin e popullit shqiptar në luftën e tij kundër turqve, për të mbrojtur atdheun. Pasqyron heroizmin e shqiptarëve. Mbi varret e heronjve që u flijuan për atdheun, mbijnë lule. Jeta e tyre vazhdon edhe pas vdekjes. Për trimat e rënë në beteja, rapsodët thurën këngë, i bënë të përjetshëm në këngë. Mu si heronjtë homerikë të Trojës. Personazhe kryesore janë: Nik Peta dhe Pal Golemi. Të dy këta trima dashurojnë Marën, por detyrën ndaj atdheut e vënë në rend të parë. Heroikja te të dytë është mbi emocionalen. Mu si në këngët popullore kreshnike. Trimëria e tyre vjen në shprehje sidomos në betejën e Valkalit. Në poemë del edhe figura e Skënderbeut, por jo në plan të parë. Niku dhe Pali, dy shokë të ngushtë, grinden ashpër për Marën. Skënderbeu ndërkaq, i ndan vetëm me një vështrim. Mara është një e huaj, por i ka tiparet e një vashe shqiptare: e bukur, e mençur, dashnore, trimëreshë. Ajo ngjitet mbi shkëmb me thikën në dorë, duke u kanosur se do të vrasë veten dhe se nuk do t’i bjerë armikut në dorë. I zgjedhuri i saj është Pali të cilin e shpëton nga kurthi i të atit. Ajo përfundon tragjikisht duke ia lidhur plagët Nikut i cili ra në fushëbetejë, në altarin e lirisë. Skënderbeu dhe Ballabani janë personazhe historike. Nik Peta dhe Pal Golemi janë personazhe të cilët poeti i ka marrë nga letërsia popullore. Grindjen e dy të rinjve për një femër, rrëmbimin e vashës nga duart e armikut, kthimin e unazës nga ana e burrit të plagosur për vdekje, që ajo të mund të martohet, amanetin e trimave kur bien në fushëbetejë, mbirjen e pemës mbi varrin e trimit të rënë, poeti i ka huazuar nga letërsia popullore.

Në poemë mbizotërojnë figurat stilistike si: antitezat, krahasimet, metaforat, epitetet.

Metrika apo ndërtimi vargut të poemës – Poeti përdori vargun tetërrokësh që përdoret edhe në këngët popullore shqiptare.

ZEF SEREMBE (1844-1901) – Është poet lirik. Poet i ndjenjës, i vetmisë dhe i zhgënjimit. Lindi në Strigar, në krahinën e Kozencës të Kalabrisë. Ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit. Ra në dashuri me një vashë të fshatit të lindjes, e cila bashkë me familjes emigroi në Brazil. Më 1874 Serembe u nis për në Brazil. Në saje të një letre që ia dha Dora d’Istria (1828-1888), u prit në oborrin perandorak. Pas një kohe, u kthye në Evropë. Thuhet se gjatë kthimit nga Marseja për në Itali ka humbur shumë dorëshkrime. Gjeti ndihmën financiare të filologut dhe folkloristit  arbëresh Dhimitër Kamardës (1821-1882). Poeti vazhdimisht ndodhej nën depresion dhe ndjehej i shqetësuar. Më 1886 vizitoi ngulimet arbëreshe në Sicili. Më 1893 vajti në ShBA ku jetoi rreth dy vjet. Më 1895 botoi në Nju-Jork një vëllim me poezi në italisht. U kthye në Kalabri nga ku, më 1897 emigroi në Buenos-Aires. Vdiq në Sao-Paolo të Brazilit.

Vepra - Gjatë udhëtimeve të shpeshta ka humbur shumë dorëshkrime. Ka shkruar poezi, drama dhe një përkthim të Psalmeve të Davidit. Në të gjallë botoi veprat “Poezi italiane dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja”, Kozencë 1883, në italisht e shqip; “Kthimi i ushtarit, baladë lirike”, Nju-Jork 1895, në italisht; “Tingëllima të ndryshme”, Napoli 1897 – përmbledhje me 42 tingëllima (sonete) në italisht. Një poezi iu botua në gazetën Arbri i Ri Xhuzepe Skiroit më 1887. Nga poezitë në gjuhën shqipe, 39 iu botuan post mortem në përmbledhjen “Poezi”, Milano 1926, nga i nipi Kozmo Serembe. Nëpër arkiva të ndryshme iu gjetën edhe dorëshkrime të tjera.

Vargu i i Serembes, për nga karakteri është i pikëlluar dhe i trishtuar, ndërsa për nga frymëzimi, është patriotik dhe idealist. Nga shumë studiues, poezia e tij konsiderohet si më e mira poezi lirike në shqip. Poeti shkruan lirika për dashurinë dhe himne për vendlindjen. Italia ishte toka e lindjes së tij, ndërsa Shqipëria – toka e ëndrrave të tij. Shkroi poezi për bukuritë e natyrës dhe vargje me frymëzim fetar. Lirikat që i kushtohen atdheut të humbur, janë poezi romantike me frymë kombëtare dhe me ndjenjë të ndezur malli.

I dedikoi poezi Ali pashë Tepelenës, Dora d’Istrias dhe Domeniko Mauros.

Në vargun e tij ndihen ndikime nga poetët italianë Françesko Petrarka, Dante Aligieri dhe Xhakomo Leopardi. Disa lirika të dashurisë ia kushtoi vashës që kishte dashuruar, siç është poezia “Këngë malli”.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora