Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Gjergj Fishta - Veprimtaria letrare
E shtune, 15.02.2020, 05:02 PM
JETA
DHE VEPRA E
AT
GJERGJ FISHTËS OFM.
ASHT PËRGJITHMONË:
MENDJA,
ZEMRA DHE SHPIRTI I
POPULLIT
SHQIPTAR !
Nga Fritz RADOVANI
4 Veprimtaria letrare...
Veprimtaria e At
Gjergj Fishtës, në fushen letrare ishte me permasa gjeniale, ku talenti dhe
aftësia e Tij e bani të njohun mbrenda dhe jashtë Atdheut. Ai ishte dhe asht
një Poet i përmasave që ka terheqë vëmendjen e shumë bashkëkohësve edhe në
Europë, por nuk mbet i tillë vetëm në fushën letrare, mbasi Ai, si Atdhetar i
vërtetë, veprimtarinë e Tij e shtrin edhe në lamën shoqnore dhe politike, ku
mbrojti me vendosmëni dhe guxim çashtjen tonë mbarëkombëtare.
Jeta e Tij në
shërbim të Formulës “Fe e Atdhe” e lidhi përjetësisht me brohoritjen në kupen e
qiellit për Atdhe dhe ofshamjen e thellë të Popullit Shqiptar, të cilit i
këndoi me aq mjeshtri në veprat e Tij të
pavdekëshme.
Sa ishte gjallë
arrijti majat ma të nalta të vlerësimit, sa u quejt Poeti Kombëtar i
Popullit Shqiptar, tue u vlersue dhe
nderue me një mirënjohje të madhe me shumë dekorata, medalje e tituj nderi:
Në 1911, Kunorë argjenti, nga Klubi “Gjuha Shqipe” e Shkodrës.
Në 1912, Dekoratën Ritterkreuz nga Mbreti i Austrisë.
Në 1913, Penë florini nga Qyteti i Beratit.
Në 1925, Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI.
Në 1929, Lector Jubilatus, prej Parisë së Urdhnit Françeskan.
Në 1931, Dekoraten Phoenix nga Greqia.
Zemra e Fishtës, një ditë, si llavë
vullkani, shpërtheu në kangët e pamort të Lahutës së Malësisë. Ato kangë ishin
jehonë malesh e betejash, pabesie e babëzitjeje, një kapërthim i egër
ndjenjash, siç ishte e ashpër, deri në dhimbje, vetë historia e këtij populli.
Lufta e tij: një çetë fatosash ndër shpella e në male, një grusht trimash në
grykë, një pritë skifterash në rranza, njeni në Kosovë, tjetri në Hot, këndej
kundër turkut, andej përballë sllavit, këtu i pabesi atje tradhëtari... Kush e
kërkon Lahutën një poemë simbas rregullave klasike, nuk njeh historinë e
popullit të cilit i këndoi.
Ka vërtetë një hark kohor në të cilin
zhvillohen ngjarjet e Lahutës, që kap vitet 1858-1913, por tue mos mujtë kurrë
me u quejtë aspak një kronikë, si me dashakeqësi e ka quejtë “ndokush”, ajo
asht përthyemje e ndjenjave që rrezatonin ngjarjet e kohës, ajo po, me plot të
drejtë, asht quejtë Epope e Kombit Shqiptar.
At Gjergj Fishta
dhe vepra e Tij, ja si u vlersue para vitit 1945:
“Koha e ardhshme
ka me dijtë me e çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur
vjershat e Tij të jenë përkthye ndër gjuhë ma të përhapuna.”
Prof. Dr. M.
Lambertz
“Fishta është
shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar.”
Lasgush Poradeci
“Kot përpien
grekët e sotem të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se
‘Lahuta.”
Faik Konica
“Lahuta e Malsisë’
mund të qendrojë përkrah veprave poetike ma të shqueme të popujve të tjerë.”
M. A. Freün von
Godin
“At Fishta, ky
gjeni me rrajë në tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së
thellë që kishte për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtnore të
kombeve të Europës, u ngjit deri ndër majat ma të nalta të kulturës.”
Prof. Dr. Norbert
Jokl
“Fishtën, poet me
temperament thjeshtë klasik nuk do ta frymëzonte asgjë më parë e më shumë se
Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut.”
Lefter Dilo
“Poemi epik
‘Lahuta e Malsisë’ asht një vade mecum i çdo atdhetari.”
K. Prennushi
“Sa qe gjallë,
Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të
Poetit Kombëtar...Vetëm katër – pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës
u përbaltën në mënyrë të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e
përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në
historinë e letërsisë shqiptare...”
Prof. Ndue Zef
Toma
Melbourne Shkurt 2020.
Vazhdon...