Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Kush mendoi për Shqipni?!
E marte, 04.02.2020, 09:01 PM
KUSH MENDOI PER SHQIPNI ?!
Nga Fritz RADOVANI
PLOT 35 VJET…Presidenti Ronald REAGAN me
2 Qershor 1985, në Shtëpinë e Bardhë, i dorëzon Nanë Terezës “Medaljen e
Lirisë”.
Në vitin 1985 kujtoj një dishka shumë interesante për një
President të ShBA, që kam pa në TV. U tregue sesi atë ditë Presidenti Reagan
dhe zonja e Tij Nensy kishin pritë në shtëpinë e tyne të pushimit Nanë Terezen.
Ishte momenti kur Nanë Tereza po delte nga rezidenca e Tij... Erdhi një veturë
tek dera e shtëpisë, që kishte dy tri kambë shkalla. Presidenti i dha dorën
Nanë Terezës dhe zbriti ato dy kambë shkallë, hapi derën e mbapme të veturës
dhe me dorë në dorezën e derës priti derisa zonja Nensy, po perfundonte
përshndetjen me Nanë Terezen. Kur Nanë Tereza u nda dhe arriti tek dera e
veturës, dera vazhdonte me kenë prap e mbajtun nga Presidenti Reagan, trupi i
madh i të cilit ishte përkulë në shenjë nderimi ndaj Shqiptarës Nanë Tereza.., dhe
me një buzqeshje të Tij sa dashamirëse aq edhe të sinqertë, i bani nderimin e
fundit tue i mbyllë derën dhe tue qendrue gatitu derisa makina iku dhe nuk u pa
ma...
Jam i sigurt se Presidenti Reagan në mbrendsinë e vet
ndryente dishka misterioze
“Perandoria e së keqes” shkatrrohet simbas porosisë së
Presidentit të ri: “Me mediat e lira, shoqni civile, partitë politike dhe
intelektuali i mirfilltë. Fjala e Tij historike mbyllej: “Le të nisim
përpjekjen finale drejt ma së mirës: Kryqëzatën për Liri”.
Popujt e dikurshëm të Europës plakë mendonin vetëm dy
fjalë: “Bukë e Frikë”!
Vetëm Presidenti Ronald Reagan asht Ai Burrë që arriti me
njohë të fshehtat e diktaturës komuniste; ishte Ai që mendoi që në vitin 1956
kur ishte artist në Holivud, për Lirinë e këtyne vendeve që ishin nën atë
diktaturë barbare e shfarosëse të njerzimit, tue formue “Shoqninë për Lirinë e
vendeve të robnueme nga diktatura komuniste”.
Historia e Presidentave amerikanë të mbas Luftës së Dytë
ka dy ngjarje të ngjashme dhe shumë interesante, që përkojnë njena me tjetrën.
Presidenti i madh Xhon Kenedi, porsa rrezikoi ekzistencen e komunizmit e filloi
hapat për eleminimin e tij, me 22 Nandor 1963, vritet me atentat. Historia
vazhdon rrugën e saj e nënshkrueme nga Rusvelti në 1945.
Presidenti Reagan, porsa merr postin e Presidentit
amerikan me 20 Janar 1981, i 40 –ti i ShBA, plot 69 ditë mbrapa u gjuejt me
gjashtë plumba dhe mori një plagë mjaft të randë. Ai shpëtoi për mbrekulli.
Mbas pak ditësh ishte në Shtëpinë e Bardhë, në tavolinën e punës... Fëtyra e
Tij e zverdhun buzëqeshi ... Bota e marrakotun nga atentati gëzon!
Kjo ngjau pikërisht me dy Presidentët që rrezikonin kenjen e komunizmit në Botë. Ishin dy Presidentët amerikan që nuk u pajtuen asnjëherë me robnimin komunist të Jaltës...
Si sot kujtoj: Janë këta dy njerëz të mëdhaj per të cilët më kanë rrigue lotët pa e kuptue pse, kur unë kam ndigjue vdekjen e Tyne... Për Presidentin amerikan Ronald Reagan, si dhe për Papen Gjon Pali II...
Teologët e mëdhaj të Botës shpesh përsërisin një thanje:
“Krishti me 12 Apostuj, ka ndryshue një Epokë”.., dhe Ajo, sot quhet Epoka mbas
Krishtit...
Mbas 20 shekujsh janë prap 12 shkronja “Ronald Reagan” që
kanë shpetue në Botë mbarë njerzimin nga rrenimi i pandalshëm prej komunizmit
barbar e shkatrrimtar!
Edhe kjo quhet “Koha mbas ramjes së komunizmit...”
Ishte viti 1911, kur Shqipnia zgjohej nga gjumi i randë i
robnisë turke dhe me 6 Prill 1911, Dedë Gjo Luli ngrinte Flamurin e Gjergj
Kastriotit në Deçiq...
Ishte viti 1911 atëherë kur në Shtetet e Bashkueme të
Amerikës, me datën 6 Shkurt, ka le një “meteor” në Tampico, Illionis, dhe
askush nuk besoj se mujti me parashikue se çfarë do t’i sillte kjo foshnje
mbarë njerzimit! Po shembej një perandori e madhe robnuese otomane, dhe pa i
dalë ende shpirti ndër grahmat e fundit mbi germadhat e saj, mbarë Bota u çue
me ndertue “selitë”e veta, me emnat e rij plot drita kandilash e vezullime
shpatash, bajonetash, helmetash, spaletash e fronesh.., ku “lufta për pushtet
personal” në një kohë rekord, arriti e zbuloi diktaturat ma të mnershme që ka
mujtë me pa dhe me provue njerëzimi ndër 20 shekuj.
Ishte një Botë që po çthurej, sa moralisht, aq edhe
mendsisht. Kujtoni sot sa dritdhanëse ishin ata shtete ku u shfaqen ato
diktatura dikur, aq u errësuen e i sollën Botës terror, frikë, pasiguri, vrasje
dhe gropa vorrezash të përbashkëta në tri lufta që u zhvilluen prej tyne vetem
mbrenda 70 vjetësh, nga viti 1914 e deri.., kur “Muri i Berlinit” .., një nga
shemtimet ma të mëdha Europjane të kohës “moderne” ra me datën 9 Nandor 1989.
Mbas Luftës së Parë dhe të Dytë Botnore, njerëzimi
mburrej me “vorrezat” e miljona të vramëve që i sollën “Lirinë”, ndërsa pjesa
ma e madhe e tij, bash mbi vorrezat e “dëshmorëve të Lirisë”, vendosi
“diktaturën komuniste” të tipit stalinjan sovjetik. Mbas popullit rus në vitin
1917, që humbi përjetësisht madhështinë e tij, në fundin e vitit 1944 e deri në
kapitulimin e Japonisë dhe mbas 1949, me triumfin e komunizmit në Kinë, pjesa
ma e zhvillueme e dy kontinenteve të Europës dhe të Azisë, u rroposën në
humnerën komuniste. Nën krismën e armëve të “fitores” mbi fashizmin dhe
nazizmin, në Shkurt të 1945, atëherë kur Rusvelti dhe Stalini përqafoheshin tue
i futë njenitjetrit ndër xhepa “copat e letrave” me emnat e shteteve që bane
kurban në Jalta, “pa i pa” Çërçilli.., nuk zgjati shumë dhe filloi “Lufta e
Ftohët”, e pafund, që ende sot nuk mbërrijë me kuptue këtë epitet, që i vuni
Bota, gjoja e qytetnueme dhe e lirë! Ajo u nda në dy blloqe...
Në mes të këtyne, ishte “perdja e hekurt”, me të vërtetë “e
ftohtë”, që mbështetej mbi “piramidat” kufitare të shteteve që rreshtoheshin
mbas saj në dy krahët.
Sejcila anë terhiqte me tela me ferra me sigurue mos
ramjen e tyne që ishte ngarkue me miljona kw. rrymë elektrike në piramidat e
shemtueme të ndamjes së shteteve.
I vetmi vend ku ndërpritej kjo “perde e hekurt” ishte
“Muri i Berlinit”, një shëmtim komunist mbi të cilin valvitej “flamuri i
marksizem – leninzmit stalinjan fitimtar”, që ishte simboli i “lirisë
sovjetike”, me të cilin Nikita Hrushovi, renditi veten diktator “modern” mbas
luftave okupuese me tanket e stampueme me drapen e çekan, që marrshuen mbi
popujt heroikë të Budapestit e ma vonë të Pragës. Miljona e miljona njerëz
zvarriteshin të uritun nën tanket e robnisë komuniste, që parakolonin në
paradat e dhunës e të vdekjes para tribunave të diktatorëve.., në ato ditët e
“festave të çlirimit”. Shqiptarët, mbasi vrasin e shfarosin njenitjetrin,
shpallin edhe një luftë vëllavrasëse, me të cilen diktatori Enver Hoxha siguron
përjetsisht atë kolltuk të flliqun, mbi ma shumëse 450.000 viktima të vramë, të
zhdukun dhe të masakruem, ndaj të cilëve shpallë edhe “luftën e kllasave” për
shfarosjen edhe të mbasardhësve të tyne.., ndoshta krejt e veçantë dhe e
pashpirt si në asnjë vend tjetër komunist të Europës Lindore. Mendja e njeriut
vjen dita e ditës tue zvoglue vizionin e saj... Shpresat e Popullit sa vinin e
shuheshin...
Presidenti Reagan ndër shfaqjet e para të Tija në TV,
kujtoj një ide që pat shpjegue në lidhje me rritjen e aftësisë që ShBA, në të
ardhmen, duhej të dominonin mbi BS në garën me “Luftën e yjeve”... Kuptohet që
për mue ishte dishka krejt e panjohtun, por më çuditi mendimi gjenial i Tij, që
në opinjonin botnor ky President vinte nga skenat e filmave kaubojës.., dhe,
fliste për dishka që shumë kujt i dukej një aventurë e një “artisti” ma shumë
sesa projekt i një Presidenti, madje, edhe i SHBA.
Vetem kur i madhi Ronald Reagan ka thanë: “Regjimet që janë
mbjellë me bajonetë dhe janë kultivue vetëm
me diktaturë, nuk lëshojnë rrajë!” Filloi ngjallja e shpesave tona!
Reagan shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e
përkryeme: “Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm: Inkurajimi i
infrastrukturës së demokracisë:
Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike,
universiteteve, të cilat do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e
tyne”.
SA MILJON NJERËZ PYESIN SOT:
Sa popuj fituen Lirinë...me 9 Nandor 1989...
Sa njerëz fituen të Drejtën me kenë “njeri”...
Sa piramida nuk lahën ma me gjak Rinije...në kërkim të
Lirisë...
Sa kampe shfarosje u shpërthyen njëherë e përgjithmonë...
Sa burgje mbetën vetëm qendra muzeale vuejtjesh e mjerimi...
Sa qendra torturash nuk u lejuen ma me vazhdue
shfarosjen....
Sa hetuesë mbetën pa “punë” aty ku u vendos demokracia...
Sa kriminelë mbetën pa vra njerëz për kënaqësi ...
Sa familje u çveshën nga rrobat dalluese të “luftës së
kllasave”...
Sa mija e mija njerëz filluen me marrë frymë lirisht...
Sa mija e mija njerëz fillue me harrue fjalën “frikë” nga
sigurimi...
Sa miljon vetë nuk kanë frikë me lutë Zotin...
Sa miljon njerëz nuk janë ma të interrnuem...
Sa miljon njerëz bijnë me fjetë pa frikë se i troket dera
natën...
Sa miljon njerëz filluen me kuptue fjalën “Liri”....
Sa miljon qej ujq nuk shkyejnë ma njerëz...
Sa miljon ml. tel me ferra nuk rrethojnë ma njerëzimin...
Sa miljon vetë nuk mendojnë ma veç me ngranë...
Sa miljon vetë sot adhurojnë emnin RONALD REAGAN...Miljona e miljona vetë ndër shekuj...do të
kujtojnë me respekt “12 shkronjat Ronald Reagan” …
Shpëtimtarin e madh të njerëzimit
nga “rilindja” e komunizmit barbar e gjakatar ...
Melbourne, 4 Shkurt 2020.