Kerko: a
Frank Shkreli: Rëndësia e vlerave morale sipas Martin Luther King-ut
E hene, 20.01.2020, 10:00 PM
RËNDËSIA E VLERAVE MORALE, SIPAS MARTIN LUTHER KING-UT
Nga
Frank Shkreli
Këtu
në Shtetet e Bashkuara 20 Janari shënon ditën kushtuar Martin Luther King-ut,
priftit protestan, aktivistit të drejtave të njeriut dhe udhëheqësit të
lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, nga viti 1954 e deri më 1968. Kjo ditë është festë federale, ditë pushimi
për shumicën e amerikanëve, që shënohet çdo vit anë e mbanë Shteteve të
Bashkuara, të hënën e tretë të Janarit, ç’prej vitit 1983. Martin Luther King-u njihet për rolin e tij
paqësor në avancimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut, duke
i promovuar ato me taktika dhe mjete paqësore, përfshir mosbindjen civile. Dita kushtuar Dr. Martin Luther King-ut është
ditë pushimi ashtu siç janë edhe festat e tjera federale kushtuar presidentëve
të Amerikës ose datave kyçe të historisë amerikane, siç është 4 Korriku, Dita e
Pavarësisë.
Në
kujtim Martin Luther King, në këtë ditë, media të ndryshme amerikane, i sjellin
publikut, fjalime dhe citime frymëzuese të këtij personaliteti të madh të
historisë së Shteteve të Bashkuara.
Citimet dhe fjalimet e tija, megjithëse shqiptuar gjysmë shekulli më
parë, tingëllojnë edhe sot e kësaj dite gjithnjë aktuale, profetike -- për të
mos thënë biblike-- jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror të Shteteve
të Bashkuara, por janë reflektuese dhe të përshtatëshme edhe për rrethana të
popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe të drejta universale të
përbashkëta të njerëzimit, pa marrë parasysh, racën, fenë ose origjinën etnike.
Në
një fjalim mbajtur në një kishë protestane të Detroit-it në vitin 1954, Martin
Luther King ka bërë thirrje për të ri-zbuluar vlerat e humbura në një shoqëri
siç ishte ajo e viteve 50 e 60 në Shtetet e Bashkuara. Në atë predikim, ai deklaroi se, “Problemi i
madh me të cilin përballet njeriu modern, është se mjetet dhe pasuritë
materiale me të cilat dhe për të cilat jetojmë, i kanë tejkaluar objektivat
shpirtërore për realizimin e të cilave duhet të jetojmë. Por nëqoftse dëshirojmë të shkojmë përpara,
nëqoftëse duam që ta bëjmë më të mirë jetën në botën në të cilën jetojmë, ne
duhet të shikojmë pas. Ne duhet të
ri-zbulojmë vlerat e shtrenjta që kemi lënë pas”. Martin Luther King, në fjalimin e bëri
thirrje të pranishëmve që të ri-zbulojnë dhe ri-vlerësojnë ligjet morale të
universitit, me qëllim,“Për të qenë të nderëshëm, të dashur dhe të drejtë me
gjithë njeërzimin”.
Njëri
prej fjalimeve me rëndësi, por që ndoshta nuk tërheq aq shumë vëmendjen si
fjalimet e tjera historike të njohura të tija — jo vetëm për nga përmbajtja por
edhe për nga oratoria e udhëheqësit të të drejtave civile — ishte fjalimi i
Martin Luther King-ut mbajtur në Katedralen Kombëtare në Uashington në mars të
vitit 1968, para se të vritej në prill të vitit 1968. Duke folur për atë që e ka quajtur si “revolucioni
i madh teknologjik”, si edhe për “revolucionin në fushën e të drejtave të
njeriut”, si rrjedhim i shpërthimit të lirisë në botë, ai ka thënë se,
“Kurdoherë që diçka e re ndodh në histori, sjell me vete sfida dhe mundësi të
reja. Për t’u përballur me këto sfida,
ne duhet të kemi një perspektivë më të gjërë botërore. Asnjë person nuk mund të jetojë i vetëm,
asnjë komb nuk mund të ekzistojë i izoluar.
Bota në të cilën jetojmë është, gjeografikisht, një botë, e pandarë. Sfida, pra me të cilën përballemi të gjithë
është që ta bëjmë botën një, në kuptimin e “vëllazërimit” dhe të
“bashkëpunimit” me njëri tjetrin, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ka thënë
Dr. King-u në fjalimin e mbajtur në Katedralen Kombëtare në Uashington në vitin
1968.
“Nëpërmjet
gjeniut tonë shkencor e teknologjik kemi krijuar një botë të afërt, një botë të
një fqinjësie të mirë me njëri tjetrit, por fatkeqësisht, nuk kemi treguar
angazhimin tonë të duhur ndaj vlerave etike dhe morale, ashtu që nga kjo
fqinjësi e mirë të krijojmë edhe një “vëllazërim” sa më të mirë me njëri
tjetrin. Por duam, a s’duam, jemi të
detyruar të bëjmë një gjë të tillë, ashtu që të krijojmë një vëllazërim dhe
bashkëpunim me njëri tjetrin -- për të mirën e përbashkët -- për realizimin e
vlerave të përbashkëta, të lëna pas, e të harruara, ka thënë ai. Duhet të mësojmë të jetojmë me njëri tjetrin
si vëllezër ose për ndryshe do të vdesim të gjithë si budallenj”, është
shprehur Martin luther King, sepse “të
gjithë jemi të lidhur me njëri tjetrin, kemi të njëjtin fat të përbashkët”,
ndërsa ka shtuar se, “Çdo gjë që afekton njërin prej nesh, drejt për së drejti
—ose indirekt, na prek të gjithëve.”
Martin
Luther King kishte paralajmëruar kundër atyre personave të cilët kur flisnin
për problemet shoqërore, thonin se me kohë të gjitha punët do të rregullohesin,
se duhej kohë për të zgjidhur të gjitha problemet me të cilat përballej
shoqëria. Ai është shprehur se ky lloj
justifikimi është përdorur mjeshtërisht nga ato që ai i ka quajtur “forca të
errëta” të shqoërisë, të cilat e kanë përdorur “kohën” për qëllimet e veta
shkatërruese dhe jo për realizimin e vlerave morale dhe ndërtuese për mbarë
shoqërinë. “Forcat e errëta”, ka
theksuar ai, e kanë përdorur më me efekt se forcat e vullnetit të mire,
justifikimin se koha do i shërojë të gjitha problemet, të metat dhe
pabarazitë. Por, ai ka paralajmëruar se
koha do ta tregojë, se “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për
dëmet që forcat e errëta dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre,
por edhe për heshtjen e tmerëshme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve
vullnet mirë ndaj këtyre forcave, të cilët rrinë duarkryq” përballë problemeve
me të cilat ballafaqohet një shoqëri, duke thënë se, “Prit, se koha do t’i
zgjidhë”, të gjitha sfidat e problemet shoqërore, me të cilat përballej Amerika
e viteve 50- e 60 të shekullit të kaluar.
Në fjalimin e tij në Uashington në mars të vitit 1968, King-u ka thënë
se asgjë në histori nuk ndodhë vet-vetiu. “Por, ngjarjet ndodhin si përfundim i
përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së palodhshme të individëve të dedikuar
ndaj kauzave të drejta…Pa punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme, koha,
në vet-vete, bëhet aleate e ngushtë e forcave të errëta e primitive të
stagnimit shoqëror, eknomik dhe politik”, është shprehur ai. “Koha për të
vepruar është, gjithmonë, tani, jo nesër, jo pasnesër, por sot. “Kështu që duhet të jemi bashkëpunëtorë të
kohës, duke qenë të vetëdijshëm se koha është gjithmonë e përshtatshme për të
bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”,gjithmonë për të mirën e përbashkët,
pa dallim ndaj askujt.
Ekspertë
të jetës dhe veprës së Martin Luther King, thonë se filozofia fetare dhe
politike e Dr. King-ut bashkon vlerat etike, morale dhe shpirtërore në një
sistem politik që i përshtatej, atëherë dhe sot, jo vetëm shoqërisë amerikane,
por edhe cilitdo vend që seriozisht dëshiron një demokraci të vërtetë dhe
gjithëpërfshirse.
Mesazhi
i Martin Luther King-ut para pak më shumë se një gjysëm shekulli, është
ri-zbulimi i vlerave universale, “vëllazërimi” dhe “bashkëpunimi” me njëri tjetrin
për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta në përputhje me vlerat universale të
njerëzimit – në bashkpunim midis forcave vullnet mira në nivel kombëtar dhe
ndërkombëtar – vlera siç janë respekti për jetën e njeriut, liria dhe drejtësia
e barabartë për të gjithë, pa dallim, dhe lufta kundër urrejtjes kudo qoftë në
botë. “Urrejtja është imorale! Urrejtja
gjithmonë ka qenë dhe është imorale. Ajo është imorale në Amerikë, është
imorale në Gjermani, është immorale në Rusi dhe është imorale në Kinë. Dhe urrejtja
ka qenë imorale 2000 vjetë pra Krishtit…”,dhe ashtu është edhe sot, është
shprehur Martin Luther King në një fjalim në Washington në vitin 1968
Të
drejtat universale të njeriut,liria dhe demokracia, barazia pa dallim race,
feje ai enticiteti, të dallohet e mira nga e keqja dhe të mbrohet ndershmëria
dhe drejtësia për të gjithë, janë vlera bazë universale që ka predikuar Martin
Luther King para më shumë se një gjysëm shekulli më parë, vlera të cilat
nevojiten të ri-zbulohen edhe në vitin 2020,jo vetëm në Amerikë por anë e mbanë
botës, shkruan sot analisti amerikan Colbert I. King për gazetën Washinton
Post.
2
Nëntor, 1983, Presidenti Ronald Reagan nënshkruan ligjin që cakton Ditëlindjen
e Martin Luther King-ut si festë kombëtare në kujtim të aktivistit amerikan të
të drejtave civile. (Foto nga Arkiva Kombëtare)