Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: ‘’Nagënti’’ i plakut të Rrushajve ende nuk më hiqet nga kujtesa
E diele, 24.11.2019, 03:00 PM
“NAGËNTI” I PLAKUT TË RRUSHAJVE
ENDE NUK MË HIQET NGA KUJTESA
NGA KALOSH
ÇELIKU
Koment
Qazim Rrushaj[ E diele, 17.11.2019, 05:11 PM ]
Me kujton nje te kaluar mbi 50 vjecare. Isha
student; besoj se ishte Nentor, ndoshta edhe Janar; dite tejet e ftohte. Isha
duke kaluar Ures Gurit; nje djale i ri i veshur si mazi; po me lypte para.
Kisha do doreza te bukura, qe nje kusheri i im m'i kishte ble ne Bullgari. Duke
hequr dorzen qe te hape kuleten; njera dorze nga era e madhe me fluturoi;
derisa me mori edhe mua. I dhashe lypsit por humba dorezat edhe parat. Kisha
nje kusheri, kishte nje Ambeltore ne Bitpazar. Lypsit qe i kisha fale parat;
dorezat qe i kisha fale Vardarit, e kishte mbushur nje pjate te madhe me
tullumba edhe ambelsia te tjera. Kusheriri, ate djalosh e njihte shume mire
bile edhe familjen qe kohe pas kohe kishin qene myshterinjte e tij. Eshte
familje jo aq e varfer; ishin nga minoriteti jevxhite (maxhupe). Dhe andej Ures
se Gurit te Vardarit; lypesit nuk guxonin te shkojne atje; qyteti i modern dhe
e turperonin qeverine; policia i ngopte ne dru. Megjithe, fukarallekut, qe
kishin-Shqiptaret ne vecanti nuk lypnin gje nga kalimtaret.
(Shteti me më shumë lypës sesa banorë në Shkup.
E dielë, 17.11.2019, 01:19 PM)
Unë si fëmijë pesëvjaçar, ende
pa e shkelur pragun e Shkollës në Katund, shpesh me babain Emin Çeliku kam qenë te ju si mysafir në
katundin Drogomisht. Edhe atë, jo rrugës që kalonte nga Kolibaret, po nëpër
mal. Përmes dëllinjave, dardhave gorrice, Çiflikut të Xha Derallës, Përronit të Thanës dhe malit me lisa për të
zbritur në Katund. Shkaku, se: Sipas babait ajo rrugë malore ishte më e “shkurtër”
dhe e sigurtë për të arritur në Katundin tuaj, matanë malit.
I vogël kam qenë atëherë,
por më kujtohen shumë rrëfime të babait dhe vëllait për familjen tuaj
patriotike Rrushaj, që sipas babait u kishim edhe fis. Fatkeqësisht, edhe pse
ai edhe këtë ma kishte treguar, unë nuk e mbaj mend: nga ana e babait, apo
nënës?! Po, të njëjtin rrëfim e kisha dëgjuar edhe nga im vëlla Ramë Çeliku, që asaj kohe punonte si mësues në
Zajaz, dhe u kishte vizituar herë pas here në shtëpi.
Nuk më kujtohen edhe shumë
vizita miqësore që bënim asaj kohe të egër dhe të rrezikshme në familjen Rrushaj.
Por, e mbaj mend Plakun tuaj Xha Shaqirin, nëse nuk ia kam harruar emrin kaq
vite Larg. “Nagëntin” e tij me gjithë fishekë, që e mbaja nëpër duar, sa herë
që vinim tek ju si miq, dhe u bëra merak në të duke iu lutur të ma jap mua ta
marr me vete në shtëpi. Plaku i urtë, më përgjigjej, se: Pasi të rritem edhe
pak, “nagëntin” do të ma dhurojë mua ta mbaj në brez me gjithë fishekë.
Premtim, që nga Plaku i urtë nuk u realizua edhe sot e kësaj dite.
Tek tashti, e kuptoj pas
kaq viteve edhe unë si plak me mjekër dhe shkrimtar, ai tek unë herët e kishte paraparë “nagëntin” tim në
brez: Vargun me dy tyta. Krismën, që
unë do t’ia dëgjoj shumë vite më vonë tek Librat publicistik me satira dhe
reagime: “Trumbetat e Tellallit”
(1992), dhe “Kali Trojës nëpër “Bit-Pazar”
(1994). Vite më vonë, edhe tek librat: “Kur
thërret “vojvoda”, e pjellë Kurvë Partia”
(2008), “Xhadia” (2011), “Rrufjani”, (2012 ), “Lavdi “heronjëve” të Xhadisë” (2015), “Dudumi gërhet për Liri” (2016, 2018), “Pykë shelgu” (2018), dhe “Kali Shemës” pas porte” (2019). E unë,
edhe sot e kësaj dite, nuk e di pse asaj kohe ngulja këmbë për “nagëntin” e
Plakut të familjes Rrushaj mes maleve?!
Dhe, vitet pa u diktuar
iknin njëri pas tjetrit: Unë katër klasët e para fillore i kreva në vendlindje
(Cërvicë). Katër klasët e tjera të fillores në katundin Strellcë. Vjeshtë e
Dimër, përroni i tij duke zbritur nga malet, kur egërsoheshte na suleshte me
gurë e dru të na i rrëmbej librat nga dora. Shpeshëherë, me fletoret, librat e
leximit dhe lapsat në dorë mbi banga rrinim të lagur qull për t’i ndjekur
mësimet me orë, ditë, javë, muaj e vite. Vjeshtë e Dimër. E prisnim asaj kohe
me lotë në sy Pranverën. E, ajo për inatë tonin ishte Larg.
Mëkot, asaj kohe si nxënës e
vizitoja Bibliotekën e qytetit Kërçovës, shumë pak libra në
gjuhën shqipe, edhe ato të botuar në Beograd. Përkrah, vjershave të Librave
Këndimit me të cilët kishte mësuar im vëlla Ramë Çeliku, në kohën e Ernest Koliqit si ministër i
arsimit, mezi e gjeta një libër për fëmijë Druri
me rrënjët përpjetë. Edhe sot e kësaj dite, nuk e di kush është autori i
këtij libri e as përkthyesi. Libri, krahpërkrahu vjershave të Rilindasëve
Shqiptar, siç duket edhe m’i hapi dyert e fantazisë.
Ikën edhe vitet me Vjeshtë e
Dimër. Shi, breshër e borë. Stuhi pas porte. Pranvera, ende Larg. Vëllai më
regjistroi në paralelet e para të gjimnazit “Mirko Mileski” në Kërçovë për të plotësuar numrin e nxënesve shqiptar për hapjen e dy paraleleve të para në
gjuhën shqipe (1965/ ’66). Edhe pse, unë veç më e
kisha dhënë provimin pranues dhe isha regjistruar në Shkollën Normale “Zef Lush
Marku”, në Shkup.
Profesorët shovenistë
“maqedonas”, që ato paralele të para në gjuhën shqipe u hapën me shumë mund,
djersë dhe punë nuk i pritën zemërhapur, na kositën si barin në livadh, i lanë
dy paralelet në gjuhën shqipe me mbi 70 nxënës me dy-tre nxënës shqiptar. Edhe
ato, deshën s’deshën u regjistruan vitin e ardhshëm në paralelet maqedonase.
Histori më vete, është ajo e
dy paraleleve të hapura me shumë vështirësi dhe viktima të veteranëve të
arsimit në gjuhën shqipe (që, pas mbylljes tyre, gati të gjithë e lanë arsimin,
dhe u arratisën në Francë), kur të gjitha lëndët i kishim në gjuhën
“maqedonase” me përjashtim të gjuhës shqipe që na e jepte Esat Ymeri. Shkurt,
nxënësit shqiptar kishin një lëndë mësimi më tepër Gjuhën Shqipe, në krahasim
me “vëllezërit e tyre maqedonas” në të njëjtn shkollë dhe shtet të
“përbashkët”.
Asaj kohe pas kositjes të
pamëshirshme, nuk më kujtohet a mbeti
ndonjë nxënës shqiptar në paralelet “maqedonase”, por më kujtohet fare mirë se
Shaqir Sadiku dhe unë shokë fëmijërie të penës dhe klasës të gjimnazit do t’i
vazhdojmë mësimet: ai në Gostivar e unë në Shkup. Letërkëmbimet tona miqësore
dhe latrare të cilat do të vazhdojnë deri në regjistrimin tonë si studentë në
fkultetin Filosofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, edhe plot një vit në një
dhomë në Prishtinë. Vitet 1972 – 1975, përkrah studimeve u punësova si arsimtar
i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Drenas (Drenicë).
Vitet e ‘79/ ’80 u largova
edhe nga Prishtina, shkova ushtar në Knin (Kroaci). Pasi e kreva ushtrinë, u
ktheva në Shkup. Një vit ndejta pa punë. Mezi u punësova në malësinë e Shkupit
si mësues në fshatrat Tisovicë dhe Strugodicë (1981 – 1995). Vite
edhe kur do të përfundoj në një bisede informative (1993), shkaku librit me
satira dhe reagime « Trumebtat e
Tellallit » (1992), dhe i një denoncimi me njëzetë nënshkrime në polici. Fatkeqësisht, që të gjithë shqiptarë. Gjoja, se: jam i dërguar nga Kosova të veproj në këto anë, dhe Çështjen e shqiptarëve dua ta zgjidh me luftë. Dhjetëra mijëra marka i kisha dërguar Partisë Socialiste në Shqipëri dhe i kisha bërë disa takime të fshehta në Bullgari. Edhe, se: Unë isha ai kryesori. Kohë, kur unë nuk kisha as edhe pasaportë.
Letra dhe poezi patriotike,
që pas rënies të Shaqir Sadikut në burg, presionit të paparë që iu bë nga
utbashët e asaj kohe për të më futur edhe mua në grupin e “armiqëve” të popullit dhe shtetit (burg), Shaqir Sadiku i
mohoi me këmbëngulje, por unë nga frika e një “bastisje” të papritur nga
policia, i dogja letrat dhe poezitë e tia në zjarr. Shaqir Sadiku për së gjalli, nuk botoi asnjë
libër, përveçse poezive dhe shkrimeve publicistike në gazetat dhe
revistat letrare të asaj kohe. Unë, pas ikjes tij nga kjo botë, u përpoqa dhe i
mbëlodha aqsa munda disa poezi dhe shkrime nën titullin “Zjarr dhe Flakë” (2013) si botim i Lidhjes të Shkrimtarëve
Shqiptar, në Shkup. Jashtë këtij libri kanë mbetur edhe shumë poezi për fëmijë
të publikuara në periodikun e kohës, të cilat pritet të tubohen si vëllim më
vete nga ky autor i përndjekur deri në vdekje.
Dhjetë vite me gjithë
studime dhe punë, unë jetova në Prishtinë. Vite, edhe kur u largova nga
vendlindja, Kërçova. E vizitoja vnedlindjen herë pas here, por nuk më
dilte edhe aq kohë t’i vizitoj të afërmit e familjes: dajt, motrën, hallat dhe
miqtë e babait. E, ku më farefisin e largët.
Arsytim, që edhe nuk më
kujtohet se, a jemi takuar edhe me ty ndonjëherë në Kërçovë,
Shkup, ose Prishtinë. I bindur jam, se: Edhe sot po të të takoj në rrugë nuk e
besoj se mund të të njoh si farefis, pasardhës i familjes Rrushaj.
Shtëpi mikpritëse, ku i
kisha kaluar në “Liri” asaj kohe të rrezikshme edhe shumë netë Dimri me borë në
këtë familje bujare dhe patriotike…