Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Repriza e 'vëllazërim - bashkimit'
E merkure, 24.04.2019, 09:54 PM
REPRIZA E “VËLLAZËRIM - BASHKIMIT”
NGA KALOSH ÇELIKU
Herët nëpër shkrimet e mia publicistike e kam ngritur zërin për një dukuri politike, që e ndjek popullin shqiptar që nga koha e Jugosllavisë Krajlit, Baba Dovletit, Jugosllavisë të shokut Tito e deri te Maqedonia e Veriut. Politikë e dalldisur “madhore”, së cilës shqiptarët nuk ia kanë parë hajrin “vëllazërim - bashkimit”, e dëshmon këtë edhe historia nëpër shekuj. “Vëllezërit”, pas çdo lufte e kanë marrë pushtetin: Shtetin e “përbashkët”, pasurinë dhe Shtëpinë.
Shqiptarët, gjithë kohën janë marrë me flamurin, gjuhën dhe shkollat shqipe. Ndarjen e lugëve dhe enëve, e jo ndarjen e pushtetit, pasurisë dhe Shtëpisë. Dorën në zemër, u është hudhur nga një kockë në rrugë për ta lëpirë: Pashait, vezirit, vojvodës, ministrit, zv/ ministrit, drejtorit e zv/ drejtorit. Poste, për të cilët edhe janë kacafytur me njëri-tjetrin para kamerave televizive, syve të popullit shqiptar.
“Vëllezërit”, për kërkesat e tyre dhe “gabimet” politike i kanë dënuar edhe me burg në Goli Otok dhe Idrizovë. Herë pas here, pas zgjedhjeve lokale dhe parlamentare i kanë marrë edhe në rolin e argatit. Ose, siç thotë populli për gomarin: Nuk e kanë thirrë në dasëm, pse është i mençur ose i bukur, por t’u barti ujë dasmorëve.
Partitë Politike Shqiptare për interesa të veta familjare, miqësore e klanore, përsëri siç thotë populli u rrokën për herdheve të dashit, se: patjetër do t’i bien rrugës. Iu vardisën Reprizës së “vëllazërim - bashkimit”. U përçanë dhe u bënë pikë e pesë. Nuk dolën me një kandidat të përbashkët për president, por votat e popullit shqiptar i arratisën nëpër partitë politike maqedonase dhe shqiptare. Dukuri, që nuk ndodhi me dy partitë politike maqedone. Gabim i partive politike shqiptare, që hynë në kualicion ashtu të përçarë pa një kandidat të përbashkët që në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, jo në atë të dytin ku mund të vëndosnin edhe kushte politike.
Pavetëdije, ujin e çuan në tjetër mulli. Përsëri, në dobi të Reprizës së “vëllazërim - bashkimit”. Edhe pse, vetë populli maqedon është i lodhur me këtë parullë demagogjike neokomuniste. Arsye, që Partia më e madhe opozitare maqedone, në zgjedhjet e fundit presidenciale doli vetë në gara zgjedhore për president pa i ftuar shqiptarët në Shtetin e “përbashkët”. Hap i guximshëm politik, që sipas mendimit tim personal: Ne, mund të jetojmë së bashku në një Shtëpi të ndarë përgjysëm me pushtetin dhe pasurinë. Paralajmërim për një Kuvend Dydhomësh në një shtet. Por, jo edhe në një Shtëpi (Shtet), ku “Vëllai Madh” e merr gjithë Shtëpinë, pushtetin dhe pasurinë, e Vëllait të vogël ia ka lënë vetëm një dhomë sa për ta futur kokën në kasollën e bagëtive.
Ligje të përkryera të Natyrës, ë?! Vëllezër janë të një nëne, babe dhe gjaku, po vjen dita kur e ndajnë Shtëpinë dhe pasurinë. Nuk i ndajnë lugët dhe enët. E, as mobiljet. Nëse e ndajnë Shtëpinë dhe pasurinë, lugë e enë mund të marrin me qerre.
Përçudi, Partitë Politike Shqiptare edhe në Ditën e Sotshme ngulin këmbë, e duan Reprizën e “vëllazërim - bashkimit”?! Përgjigje, që këtyre politikanëve të arratisur, populli shqiptar ua dha në zgjedhjet e fundit presidenciale. Nuk doli në votime me përjashtim të një pakice që votat e tyre ia dhanë kandidatit shqiptar dhe dy partive politike maqedone. Shkurt e shqip: Nuk e do Reprizën e “vëllazërim - bashkimit”. Shkaku kryesor, që kësaj radhe nuk doli masovikisht në zgjedhjet presidenciale. Përmëtepër, gjithë jetën “vëllazërim - bashkimit”, nuk ia ka parë hajrin, po sherrin.
Reprizën e “vëllazërim - bashkimit” nuk e do populli shqiptar e as ai maqedon, po partitë politike për pushtet: interesa personale, familjare, klanore dhe miqësore.
Populli, thotë: Erdhën mendtë, po na ikën dhentë…