E merkure, 09.10.2024, 10:07 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Homazh për mësuesin dhe poetin Selim Adili

E shtune, 30.03.2019, 11:20 AM


In memoriam

LIBRI MËSUESIT PËRPAK

          DESH MË FUTI NË BURG

(Homazh për mësuesin dhe poetin Selim Adili)

NGA KALOSH ÇELIKU

Në fillim: Pak biografi për mësuesin veteran.

Selim Adili lindi në vitin 1929, në fshatin Sërbicë (Kastriot) të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në kohën Jugosllavisë së parë në gjuhën serbe, te mësuesi Milenko, ndërsa tetëvjeçaren në kohën e ,,Shqypnisë Madhe,, me mësuesin Mahmut Dumani. Në Shkup i kreu me sukses të shkëlqyeshëm edhe kurset pedagogjike që i organizonte asaj kohe Ministria e Arsimit Shqipëtar me në krye ministrin Erenest Koliqi.

Për herë të parë, mësuesi Selim Adili e mori regjistrin në dorë dhe doli përpara nxënësve më 1 dhjetor të vitit 1945 në shkollën fillore në Premkë.  Shkollë, e cila ishte hapur në vitin shkollorë 1942 - ‘43 me mësuesin e parë nga Shqipëria Vangjel Filo, dhe kishte pasur emrin ”Vrana Konti,” komandantit të Skënderbeut, që pati sukses ta mbronte Kalanë e Krujës. Shkolla, asaj kohe kishte pasur 6o nxënës, 40 djem dhe 20 vajza. Pra në shkollën e Premkës, Selim Adili zëvendësoi mësuesin e parë nga Shqipëria, Vangjel Filo. Dhe, punoi në këtë shkollë fillore deri në vitin 1949.

Pas vitit 1949 shkon ushtar nga ku pas shërbimit ushtarak, këthehet në vitin 1951. Emërohet mësues në shkollën fillore të fshatit Greshnicë, ku punon bashkë me Xhaxhi Balin deri në vitin 1953. Pastaj, vazhdon punën e mësuesit bashkë me Ramë Çelikun në shkollën fillore të fshatit Cërvicë.

Nga viti 1960 deri më 1970, punon si mësues në shkollën e Jagoll-Dolencës. Gjatë një kohe ka qenë edhe drejtor i shkollës për një mandat. Viteve 1970 deri më 1981, shkon për të punuar në Amerikë. Pas këthimit nga Amerika, vazhdon punën e mësuesit në shkollën e fshatit Trapçidoll. Në vitin 1982 transferohet te shkolla e Zabelit në Zajaz ku punon bashkë me Rexhë Rushit Zajazin, Sabri Dinin dhe Hajdar Limanin nga Zajazi. Në vitin 1985 pensionohet para kohe dhe këthehet perseri te djemtë e nipërit në Amerikë.  Dhe, sa herë që e merrte malli për vendëlindjen, vinte në Sërbicë (Kastriot) dhe takohej me shokët, kolegët dhe miqtë e shumtë të profesionit.

Me shkrime fillon te merret që në vitin 1953. Në fillim, shkruajti poezi për fëmijë dhe i botoi në revistat e atëhershme për fëmijë: “Fatosi” dhe “Gëzimi”. Në vitin 1991 nën përkujdesjen e shkrimtarit Kalosh Çeliku, arriti të botojë edhe librin e parë me poezi për fëmijë: Gjumë në katin e shtatë. Poashtu, SHGB “ASDRENI”, në Shkup ia botoi edhe librat me poezi për fëmijë: Fryn një erë, Nëpër shekuj – nëpër prita dhe Dy gjelat.

Gjatë qëndrimit tij në Amerikë, ai botoi edhe disa poema siç që janë: Mefailat e Zajazit, Sulltana e Qafës, Vallzon alfabeti, Xhemë Gostivari, Zogjët e Kërçovës, Mikesha e fshatit, Malet na thërrasin etj.

Selim Adili, iku nga kjo jetë në vitin 2019.

Dhe, vazhdon rrëfimi i “vëllazërim-bashkimit).

Vitet e pasdmonstratave të studentëve të ’81 -shit, u bënë të tmerrshme për arsimin dhe kulturën shqiptare. Përveç, përndjekjeve, dënimeve dhe burgosjeve të pishtarëve të arsimit, detyroheshim edhe orën e mësimit ta shkruajmë në dy gjuhë: maqedonase dhe shqipe. Mos flasim këtu për dëftesat dhe plotësimin e Librit amzës.

Vërtetë, kjo ishte një punë e rëndë dhe e rrezikshme asaj kohe për arsimin shqiptar, që shteti “përbashkët” nuk interesoheshte për mbajtjen e orës së mësimit, por për plotësimin e ditarit në gjuhën maqedonase.

Punë e vështirë ishte atyre viteve të punosh në arsim, kohë kur arsimi u politizua deri në palcë. Tekstet dhe lektyrat shkollore siteshin edhe më zi se ngas Partia Komuniste, nga Partitë “demokratike” Neokomuniste.

Pas Shërbimit ushtarak në Knin (Kroaci), në Garnizonin e Gjeneral Apostolloskit, u ktheva në Shkup pa vend pune, pa banesë. Edhe pse, dy vite e gjysëm kisha punuar si arsimtar i Gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Drenas (Gllogovc) të Drenicës. Patjetër, u detyrova të ikë maleve të Shkupit, ku demonstratat e studentëve të vitit 1981, më zunë në Malësinë e thellë të Shkupit. Fshat malor, që vitet e para udhëtoja me gjithë grua me motor, e më vonë me “xhip” Niva dhe pezho 309, që asaj kohe numroheshin në gishta, në Shkup. Shkak, që arriti edhe deri te dyshimi: Nga i marr paratë?! Për të arritur deri te vendi i punës, më tepër shpenzoja, sesa fitoja nga ajo rrogë mësuesi. Ende, nuk i dinin arat e Babait, në fshatin Cërvicë të Kërçovës. Ara, me të cilat më vonë i bleva edhe dy banesa, në Shkup.

Përndjekja u bë edhe më e tmershme duke përfunduar në një bisedë “informative” në polici e nënshkruar nga njëzetë “patriotë” shqiptar, se: Unë jam i dërguar nga Kosova që të veproj në këto anë. Dhjetëra mijëra marka i kam dërguar Partisë Socialiste të Shqipërisë duke i mbajtur disa takime të fshehta në Bullgari. Dhe, se: Unë jam ai kryesori. Çështjen Shqiptare dua ta zgjidh me luftë.

“Gabimi” im pa vetëdije, asaj kohe përpak desh më la edhe pa punë. Edhe, pse: Asaj kohe nuk kisha nevojë për punë e as për para, jetoja me arat e Babait. Vitin, që u punësova si mësues në shkollën fillore tetëvjeçare “Marko Cepenkov” në Zelenikovë, në fshatin periferik malor Tisovicë të Shkupit (1980 / ’81), unë Librin e amzës fundekrye e kisha plotësuar në gjuhën shqipe.

Drejtoresha maqedonase, kur e kishte parë Librin e amzës, gati u çmend. E zemruar m’u drejtua me fjalët: A, e di se çka ke bërë? Jo, iu përgjigja, nuk e di. Ku guxon në këtë kohë të rrezikshme, Librin e amzës ta mbushësh në gjuhën shqipe?!

Nuk e kam ditur zonja drejtoreshë. Unë kam punuar në arsim në Kosovë (Drenas të Drenicës). Atje Librin e amzës e kam mbushur vetëm në gjuhën shqipe. Dhe, meqenëse bashkëjetojmë si “vëllezër” në një shtet të “përbashkët” jugosllav, mendova se, edhe këtu Libri amzës mbushet në gjuhëm shqipe.

Drejtoresha e qytetit të Manastirit (Alfabetit të gjuhës shqipe), ku shovenizni maqedonas në ato anë ndaj shqiptarëve ishte më i “butë”, rrudhi krahët dhe doli e zemruar nga salla e arsimtarëve.

Fati im asaj kohe të rrezikshme, që drejtoresha e Manastirit nuk e bëri të madhe këtë “gabim”, që të arrij deri te Ministria e Arsimit dhe Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste, i cili asaj kohe ishte në aksionin e gjuajtjes të shtrigave dhe viktimave nëpër shkollat shqipe duke i përjashtuar nga puna dhe rrasur në burg mësuesit shqiptar, dhe zëvendsuar me mësuesë maqedonas pa e ditur as edhe nje fjalë të vetme shqipe.

“Gabimin” e dytë e bëra, pas vdekjes të shokut Tito, kur të gjitha institucionet në Jugosllavi: politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore, ishin të detyruar ta vizitojnë varrin e Shokut Tito. Unë dhe zonja ime Fatmira Çeliku që punonim në të njëjtën shkollë, unë me katër klasë të ulta të kombinuara, poashtu edhe ajo me katër klasë të larta të kombinuara në fshatin e largët malor Tisovicë të Shkupit, nuk shkuam në Beograd me kolektivin e shkollës ta vizitojmë varrin e shokut Tito.

Kolektivi i shkollës e kishte vërejtur mungesën tonë gjatë udhëtimit në Beograd, sidomos kolegët tanë “patriotë” shqiptar. Dhe, drejtoresha me kolektivin e shkollës, kur u kthyen nga Beogradi, përsëri gati u çmend: Pse, nuk erdhe me ne në Beograd?! A, e di se për “gabime” të këtilla armiqsore pasojnë dënimet partiake?!

Gjakftohtë iu përgjigja: Fajin e keni vetë si drejtoreshë. Ju, e dini se, unë punoj thellë në Malësinë e Shkupit, 18 km. larg rrugë malore nga shkolla qëndrore dhe 50 km. larg Shkupit. I izoluar nga familja, njerëzit dhe qytetërimi mes atyre maleve. Dhe nuk e di, as e marr vesh se kush lind dhe kush vdes në këtë shtet të “përbashkët”?!

Edhe, kësaj radhe shpëtova nga dënimi i Nënës Parti si “irredentist dhe armik” i shtetit të “përbashkët” jugosllav. Por jo, edhe nga përndjekja dhe dënimet e fshehta partiake. Përmasat luftarake ndaj arsimit shqiptar, u ashpërsuan edhe më shumë pas vdekjes të shokut Tito. Javë për javë, përveç orëve të mësimit, ishim të detyruar gjithë natën të mbajmë edhe kujdestari në lokalet e shkollës qëndrore, por jo në shkollat periferike ku e kishim edhe vendbanimin e strehimit.

Administrata, plotësimi i Librit amzës, ditarëve, dëftesave, vazhdonte ende në dy gjuhë: maqedonase dhe shqipe. Ndonjëri që nuk e respektonte “ligjin”, bënte rezistencë: e mbushte ditarin vetëm në gjuhën shqipe, dënohej në fund të muajit nga rroga edhe me mjete materiale. Unë, asaj kohe e pata vjellë “patriotizmin” e “vëllazërim – bashkimit”, duke mos dashur ta lodh veten me administratën politike, e mbushja ditarin vetëm në gjuhën maqedonase. Por, edhe me këtë hap t’imin “patriotik”, mora vërejte nga “vëllezërit” maqedonas: Patjetër, orët e mësimit duhet t’i shënoja edhe në gjuhën shqipe. Zemërimi e kaloi kufirin, u përgjigja: Pak rëndësi për mua ka se, në cilën gjuhë e shënoj orën e mësimit në ditar. Unë më shumë kujdes i kushtoj mbajtjes të orës mësimit, e jo administratës politike në klasë.

Edhe, 15 vite u arratisa mes atyre maleve, thellë në malësinë e Shkupit. Përderisa, një ditë (1995), vendosa  përmes një letre t’ia bëj me dije Ministrisë Arsimit, se: Unë nga dita e sotshme, vullnetarisht tërhiqem nga vendi i punës si mësues. Shkaku, se: Nuk pajtohem me politikën e juaj arsimore ndaj shkollave shqipe. E keni politizuar arsimin deri në palcë me antivlera, e shumë pak me vlera të arrira arsimore.

Tre vite më parë, veç më e kisha hapur edhe  SHGB “ASDRENI”, mos rri pa punë dhe emdem kot rrugëve. Në fillim, e regjistrova në emër të Gruas e cila me fakultet të kryer, ende ishte e papunë, e më vonë e mora mbi vete deri në fund të fshirjes me dhunë nga Regjistri Qëndror (2015) pa asnjëfar paralajmërimi dhe dënimi me një plaçkitje materiale me rreth 600.000 den. (dhjetë mije euro). Nuk pati problem, ende jetoja nga djersa e Babait. E mbaja gjallë Veten, familjen SHGB “ASDRENI”. E, nga viti 1997 edhe Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup.

Vite, kur u derdhën shumë para dhe djersë. Mes shumë librave, pas disa viteve u botua nën përkujdesjen time si redaktor letrar edhe libri i parë i mësuesit Selim Adili: Gjumë në katin e shtatë. Libër, i cili poetit i hapi rrugë krijuese, që më vonë nën përkujdesjen time si botues dhe redaktor letrar do të botojë edhe librat: Fryn një erë, Nëpër shekuj – nëpër prita dhe Dy Gjelat.

Kohë, që kurrë muk mund ta harroj edhe një kujtim të hidhur, që më ndodhi në Kërçovë. Gjatë rrugës me “xhipin” t’im kabriolet nga Kërçova për në fshatin e vendlindjes Cërvicë, te Kasolla e Ekremit më ndali “Policia rrugore”. Edhe, gjatë kontrollimit mes librave në bagazh, ma gjeti edhe librin e poetit Selim Adili me përkushtim, që posa kishte ardhë nga Amerika: Mefailat e Zajazit.

Policët kur e panë librin, m’u vërsulën me kërcnime: Po, këto Dy në fotografi, kush janë ?! Nuk e di u përgjigja gjakftohtë. E dini ju vetë, sot ma dha vetë autori. E keni në libër edhe përkushtimin me nënshkrim. Është, edhe poet. Çfarë poeti, ore! A, di ti se, kush janë këto ballistë?! Jo, nuk e di u përgjigja. Dy Mefailat e Zajazit janë, o “shiptar”. Faleminderit, zotërinj që m’i zbuluat këto Dy armiq të popullit, se: Unë, vërtetë nuk i njoha në fotografi.

Dhe, shpëtova nga “Policia rrugore”, vazhdova rrugën për në fshat…



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora