E merkure, 09.10.2024, 07:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Mbështetur në grimca ditësh

E merkure, 13.11.2019, 08:50 PM


Mbështetur në grimca ditësh

Nga Blerim Rrecaj

Një kokërr shiu që bie në njërin nga xhamat e pasmë anësor të makinës në lëvizje merr trajtë horizontale, sapo përplaset dhe kjo rri si vijë e ndërprerë asfalti prej prej tetë nëntë pikëzave që pakëz më vonë do treten e humbasin sikur të mos kishin qenë. Pas ca kohe pika të tjera shiu bien pingul në xhamin e përparmë, ndërsa në anësorët vazhdon të krijoj vija horizontale e aty-këtu dhe ndonjë paksa të pjerrët duke formuar një mozaik kristalor. Përsëri fillon të pushoj shiu, ndërsa qielli herë i hirtë si hiri i druve të djegura, e herë i përzier me kthjethtësi e vranësi si jogurt frutash bëhet fushëbeteja ku lodrojnë retë si spektatore, ku herë paksa të heshtura e ku më të përndezura, vazhdojnë debatin e nisur. Herë-herë fjalë, herë heshtje dëgjimore sikurse shiu i sotëm, që sa duket e sa humb duke lënë gjurmë lagështie, edhe në shtratin e një lumi që ia paskan nisur ta zgjerojnë. Përfundojmë dhe takimin e paracaktuar, dijmë se kush do zbres prej veture për të shfrytëzuar nënkalimin për të dal në bregun tjetër. Më tej edhe një ndalim. Për një zbritje tjetër. E pa e pasur ndërmend marrim rrugë drejt një pike turistike skijimi, tek e cila rrijmë shkurt, në mesin e ca vilave, e rrethepërqark tyre lisa të gjatë, një pamje e margaritartë vjeshte, me ujëra që zbresin e me gjethe që rrjedhin, me njerëz që drekojnë, hanë e pijnë mbrenda këtij lokali (resorti familjar)e me zogj e qe që bredhin jashtë, nëpër shtrojën e mëndafshtë të gjetheve që kanë rënë e po bijen, pak më tej në këtë rrugë po vazhdojnë punimet me punëtorë, e me bagerë të verdhë. E si pa pritur e pa kujtuar drejtohemi kah një tjetër pikë turistike për blic-vizitë, tek e cila s'paskemi shkel kaherë, e cila na pret krahhapur me diell, freski të ftohtë ere dhe me një qiell me re që herë nxihen e herë duken se do ia nisin një vaji, në lëndinat e pjerrëta, me vargje bjeshkësh krenare. Pas pak ecjeje seç zëmë vend në njërin restaurant dhe një fytyrë petalekuqe trëndafili duket si shami e vënë në xhaketën e një kompleti rrobash solemne, e kërcelli i tij i padukshëm është ngjitur lart duke depërtuar nëpër trungun e degët e këtij bredhi që duket se po uron mirëseardhje vizitorëve. E vazhdojmë të merremi me këso gjëra të vogla jete dhe pranojmë përkrahje nga dikush i njohur që na thotë se po që s'i shohim e përjetojmë këto do të na ikin edhe ato më të mëdhatë. Kthehemi kah erdhëm, nëpër rrugën e asfaltuar gjarpërore mes malesh, e më mirë na duket, ndonëse patëm dhe mundësi tjetër, ndërkohë që shtrihet muzgu e bie nata. E kur mbërrijmë n'qytet duam dhe e zgjasim pak ndejën në një qoshk të jashtëm të kësaj kafiterie, na vijnë dy çaja me nga një copë të prerë limoni, fresku hedh valle duke u përplasur tek ne e te avujt e gotave, duke futur pak kokën edhe brenda, atëherë kur kamarierët hapin derën për t'u shërbyer klientëve. Një takim me dikë që njohim. Ca fjalë. Një veprim bëhet pjesë e kësaj jete në vazhdim. Dikur përfundon dhe kjo e shtunë e lashtë, kushedi sa vjeçare, (gjumi sjell dhe ëndrra) për t'i lënë vendin të dielës së (pa)dielltë vjeshtake. Dhe çfarë të bëjmë, si të vazhdojmë më tej, është jehona jonë e radhës. Mbase duke u mbështetur në ndonjë rresht a ndonjë varg sikur ndonjë i moshuar që i mbështetet shkopit të tij, ose si ata që gjatë ecjes së lirë në natyrë mbështeten në dy shkopinjtë e drejtë të pakrrylosur. Dhe pas zgjimit, dalim jashtë mureve, si të kapërcenim ndonjë kufi a edhe vetë murin e Berlinit. Dhe dikur kam pasur një kartolinë të dhuruar nga vëllau mërgimtar me pamjen e këtij muri, brenda saj me një copë plastike ku qëndronte ajo copë guri e tij. Na zë shiu rrugës dhe konak na bëjnë ca streha. Edhe kjo strehë si zgjatim i kësaj barake katërkëndëshe që është paksa më e madhe se një kampshtëpizë. Më tej pika shiu janë ndalur e rrijnë varur dhe në gjemba të kërcenjëve të trëndafilave kokëqethur. Shiu pushon përsëri në këtë ditë pushimi. Ndërrojmë vend, duke qëndruar në dy-tri oborre shkollash, dy-tri hapësirave më pak të qarkullueshme, edhe në pistat e stacionit hekurudhor. Kthehemi. Duke ecur e shkelur edhe pellgjeve me ujë. Me një çantë ushtarake nëpër këtë rrëmujë. Një gjethe e verdhë seç ngjitet dhe bukur rri, në rrotën e mbramë të biçikletës në lëvizje. Vije dhe e hëna me ligjeratën e saj të parë, duke hedh sytë dhe në sllajd, si duke na thënë se çdo fillim është jo dhe aq i lehtë, dhe se teoria jo çdo herë, e fatkeqësisht, rrallë përputhet me praktikë, kjo ndodh gjithandej, edhe jashtë, e për te ne mos të flasim. Që sjell një mesazh, një ngjarje, një ndodhi që përmban shqetësim, satirë, ironi...Tash janë duke ecur dhe ky grumbull minutash të kësaj të mesnate të marteje. E duke kërkuar diç në njërin prej kërkuesve internetikë na del kjo thënie me të cilën po e mbyllim këtë që ia nisëm, e që thuhet që e ka thënë Paul Claudel, se: "Jeta është një avanturë e madhe drejt dritës..."



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora