Kulturë
Fritz Radovani: Daniel Gazulli tregonte...
E hene, 11.11.2019, 09:55 PM
Nga Fritz RADOVANI:
DANIEL GAZULLI
TREGONTE…
“Motra ia
goditi, sot me 14 t’
Marcit 1896”
(Tregim)
Ishte
Pashkë, pothuej fundi i vitit të parë në shkollën fillore.
Si
gjithë fëmijtë kurreshtarë, ndalesha e lexoja çdo gja.
Edhe
kur shkoja në Kishë me gjyshin, lexoja shkrimet mbi varre.
Gjyshi
ndalej pothuej gjithmonë tek varri i familjes, një varr i naltë prej guri të
gdhendun, gjithë ornamente, me dy dhoma varrimi; nxirte kutinë e duhanit dhe
dridhte një cigare duhan Sheldie, ai ma i miri. Mandej e linte cigaren pranë
Kryqit të madh, po prej guri, në krye të varrit, dhe futeshim në Kishë të
shihnim Meshë.
Shpesh
herë, kur mbaronte Mesha, shkëputesha nga dora e gjyshit dhe vrapoja për tek
varri të shikoja nëse ishte përsëri cigarja aty. Rrallë ndodhte që ta gjeja
përsëri.
Pyesja
gjyshin kujt ia kishte lanë atë cigare dhe kush mund ta kishte marrë, po ai më
përgjegjej gjithmonë: “Do ta kuptosh kur të rritesh.”
Atë
të Djelë Pashke kishim shkue ma heret dhe gjyshi po pastronte disa barna të
këqija rreth varrit. Unë, shumë kurreshtar, përpiqesha të lexoja çfarë ishte
shkrue mbi rrasë të varrit. Nuk e kisha aspak të lehtë, se shkronjat ndryshonin
mjaft nga ato që kisha mësue në abetare.
Vetëm
fjalinë e fundit arrija ta lexoja qartë: “Motra ia goditi, sot me 14 t’Marcit
1896”.
“Kujt
ia ka goditë këtë varr e motra, gjysh?”- e kisha pyetë një ditë.
“Gjyshit
tim” – më ishte përgjegjë ai.
Nuk
e zgjata ma, edhe pse kurreshtje më shtynte të pyesja, përse pikërisht e motra,
e jo vëllaznit apo të bijtë, sepse e dija që stërgjyshi im kishte pasë edhe një
vëlla tjetër.
Në
vjeshtë të atij viti na e lamë Krythën dhe u vendosëm në Shkodër.
Gjyshi
kishte shumë mall të kthehej në Sapë, të shëtiste nga një fshat tek tjetri, të
takonte motrat e tij, të takonte miq të vjetër, por sidomos të vinte këtu, në
Varreza, e të ndalej gjatë, të dridhte cigare e ta linte mbi varr, të bisedonte
me za të ultë diçka që unë nuk e kuptoja e nuk e merrja me mend me cilin
fliste. Nganjëherë rrinte shumë gjatë në varrezë, dridhte disa cigare dhe i
rreshtonte pranë Kryqit të varrit.
Tashma
isha rritë e kishte ardhë koha ta pyesja:
“Përse
ia goditi pikërisht e motra varrin gjyshit tand e jo vëllaznit apo bijtë?”.
Gjyshi
më shikoi gjatë. Me vështrimin e tij sikur më mati shtatin, që tashma dilte
ndonjë cantim mbi të, edhe pse porsa kisha mbushë pesëmbëdhjetë vjeç.
***
“Kur
vdiq gjyshi, nisi rrëfimin e tij të ngadalëshëm gjyshi im, kam qenë 25 vjeç e i
martuem me gruen e parë. Ti e di se mue më kanë vdekë dy gratë e para, mandej u
martova me gjyshen tande.”
E
dija sigurisht që gjyshi kishte qenë i martuem tri herë e se gruen e parë, me
të cilen kishte jetue vetëm gjashtë muej, e kujtonte shpesh e me dhimbje.
“Ishte
i vetmi burrë që kishte mbetë në shtëpi. Ku të shkonte, ishte 83 vjeç dhe
vuente nga bulçimi. Kush ishte për pushkë, në shtatë e shtatëdhjetë vjeç,
kishte dalë kaçak, se Valiu i Shkodres kishte nda mendjen me na shue të
gjithëve.
A
i shikon, m’u drejtue gjyshi tue hedhë shikimin varreve përreth, janë të gjithë
varre të reja. Ma i vjetri asht i familjes sonë. Po kjo Kishë e këto varre kanë
sa nuk mbahet mend. Kishte ardhë, pra, vetë valia prej Shkodre me dy taborre.
Ishte betue me na nxjerrë fare të gjithë sa ishim. Nisi atje ku e dinte se na
dhimbte ma shumë. Shkatrroi varret. Kishte sjellë me vete do magjypë prej
Jemenit e për një natë tanë natën shkatrruen varret, theyn Kryqa, deri eshtnat
e të shuemëve i nxorën përjashta. Ishin edhe dy burra katundi, Përgjinësh u
kanë pasë thanë, që nuk kishin dalë kaçakë, e që mihen në varre me jemenët. Nuk
ka ma Përgjin tash, kanë dalë fare. Jo që të dalun fare kanë qenë gjithmonë.
Gratë që e kanë pa atë mënxyrë thonë se nuk ka gja ma të shëmtueme në këte
botë. Gjithë ky vend mbushë me kocka njerëzish”.
U
ndal e drodhi një cigare tjetër. Ngadalë, shumë ngadalë. E uli po shumë ngadalë
në rranxë të Kryqit. “Kur e moren vesht njerëzit, u sulen turr e vrap për në
varreza. Sa kishte dalë drita. Njerëzit po them unë, po vetëm gra ishin, se na
kishim dalë kaçakë.
Gra
dhe babë Ejëlli. Tetëdhjetëetre vjeç e me bulçim, mezi merrte frymë.
I
doli para xhabia me nizamë. “Ju do të hyni këtu të pastroni vendin kur të
mbarojmë na!” – , i tha ai babë Ejëllit.
“Këta
janë varret tona”, ia ktheu babë Ejëlli. “Ktheu ti qen plak në shtëpi, se po i
ve jemenët me të varrosë për së gjalli!” – iu kërcënue xhabia.
“Nuk
asht punë që s’bahet, por mbasi t’i kam mbarue edhe unë do punë” – ia ktheu
qetë babë Ejëlli. Mandej nxori dy alltitë me mulli dhe filloi prej xhabisë. Një
me shtatë e lau veten. Jemenët moren ograjat.
Nizamët,
që shoqnonin xhabinë, u sulen mbi gra. Me bajoneta. Katrinën, due me thanë
gruen teme të parë, e shpuen tej përtej me bajonetë. Ishte gjashtë muejsh
shtatëzanë.
Krisi
pushka prej Lezhet e në Shkodër, po në Krythë nuk mundi me hy asnjë.
Valia
kishte sjellë nizam të madh dhe e kishte rrethue Krythen në katër anët.
Hallëmadhja
ime, motra e gjyshit, vendosi mos me i varrosë të vëllanë e të renë pa u goditë
varrin. Pagoi pare të madhe, solli mjeshtra e për një ditë e një natë goditi
varrin me dy dhoma, për babë Ejllin dhe gruen time, Katrinen.“
U
ktheva e lexova edhe njëherë mbi rrasë të varrit: “Motra ia goditi, sot me 14
t’ Marcit 1896”. Ndërkohë gjyshi kishte dredhë një cigare tjetër dhe e uli mbi
varr, rrazë Kryqit.
“Këndej
asht varrosë babë Ejlli?” – e pyeta, tue vu ore se cigarja nuk ishte në mes të
varrit, po djathtas Kryqit. “Po, foli ai si me vete, nga ana e detit asht
varrosë Katrina, kurse nga ana e malit babë Ejlli”.
Ka
kalue gjysëm shekulli qysh atëherë.
Kur
shkoi në Krythë, ndalem gjithmonë tek varret. E nuk harroi të la një cigare mbi
varr, djathtas Kryqit, nga ana e malit, andej nga asht varrosë babë Ejëlli.
Janë cigare të gatshme, nuk janë duhan Sheldie, nuk e di a do t’i pëlqejë babë
Ejëlli, po kot e kam marak, se më duket sikur më buzëqeshë atje prej Qiellit, i
kënaqun që po i la një cigare.
***
Shenim nga F.R.: Kujtesë.., në vitin e shtatë të mungesës së
Mikut tonë Danielit.
Melbourne, Nandor 2019.