Kulturë
Resmi Osmani: Bedri Myftari që na mungon
E merkure, 06.11.2019, 10:33 PM
BEDRI MYFTARI QË NA MUNGON
Nga
Prof. Dr. Resmi Osmani
Shkrimtari,
poeti, publicist dhe veprimtari shoqëror e politik Bedri Myftari, erdhi ne jete në 23 dhjetor
1938, ne fshatin Sklav të Çamerisë dhe iku nga jeta, më 8 nentor 2013 ne
Tiranë. Po ti lidhësh me një drejtëz, ditardhjen dhe ditikjen nga jeta në dimërat
e të dy viteve, segmentet që përbëjnë 75 vitet e jetës së tij,në aritmetikën e
tyre, kamë më shumë dimër, të ftohtë dhe
acar, mjegull e furtuna dhe më pak
diell e ngrohtësi, oh sa pak ditë të bardha dhe ca më pak lumturi, nëse ajo
mund të quhesh e tillë.
* * *
Fëmijëri
e vështirë. Që gjashtë vjeç, tok me prindërit, të ndjekur nga plumbat zervistë,
marrin arratinë për në Shqipëri, vendosen në Fier. E kam në sy si sot.Fieri
asohere ishte qytet i vogël dhe ne të komunitetit çam e njihnim njeri-tjetrin.
E shihja kur shkonte në shkollë, me veshje të sajuar që i lozte në trup, një
çantë beze për librat, i zbehtë nga kequshqyerja si gjithë ne të tjerët, me
flokë të tallazitur, por sytë të kthiellët, të qeshur, me dritë e qartësi. Kur
mbaroi shtatvjeçaren prindërit u transferuan në Tiranë. Bedriu hyri në
teknikumin Financiar.
* *
*
Mosha
e artë e rinisë. Ndjeu që brenda shpirtit, mendjes dhe zemrës i gurgullonin këngët, poezia, ato kerkonin të
shpërthenin ,të delnin jashtë tij, të fitonin qytetarinë dhe tu flisnin
njerëzve me bukurinë e artit, ndjeshmerinë e shpirtit, lirizmin, me zërin e
jetës, mënçurinë e mendimit, tu rrëfente
se jeta është e bukur dhe si e tillë ajo duhet jetuar.I ulur para letrës së
bardhë, ai ndjeu magjinë dhe bukurinë e të rrëfyerit.Shkroi tregimet e para. Në
to ishte shkrimtari i ardhshëm që premtonte. E punësuan në gazetën “Zëri I
Rinisë”, të kësaj kohe, në gjysmën e dytë të viteve 60-të, janë dy vëllimet me
tregime:”Fluturzat e bores”,1967 dhe”Mbrëmjet e qytetit tim”1969, që u
vlerësuan me çmimet e dyte e të tretë në konkurset kombëtare. U pranua antar i
Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqiperisë”.U konsiderua si një ndër
talented premtuese nga brezi i ri i prozatorëve.
* * *
Ata
ishin një grup të rinjsh, entuziastë, të talentuar, që i bashkoi dashuria e
përbashkët për artin, për një art ndryshe, të ri, si në formë dhe përmbajtje,të
lirë,me frymëmarrje të gjerë, që t’i fliste zemrave njerëzore me bukurinë e
fjalës dhe transmetimin e mendimit për lirinë dhe dashurinë, të çliruar nga
dogmat dhe vargonjtë e realizmit socialist zyrtar e të detyrueshëm, me të
vetmen alternativë: ”ose me ne, ose kundër nesh”. Bilal Xhaferri, Suzana
Selenica, Roland Gjoza, Kristaq Dhamo, Sadri Ahmeti, Namik Mane, Zyhdi Morava,
mblidheshin në shtëpinë e Bedriut në Laprakë ,diskutonin lirisht deri natën
vonë, ekspozonin mendimet, pohonin dhe kundërshtonin, jepnin ide, bënin
vrejtje, recitonin dhe lexonin krijimtarinë e tyre, shpallnin një konkurs të
brendshën se cili krijim do të ishte më i miri. Entusiazëm dhe vrull rinor, i
nxitur nga talenti dhe frymëzimi.
Syri
i ciklopit të Sigurimit të shtetit vigjëlonte, veshët e tij përgjonin. I pari,
pas nje diskutimi në Lidhjen e Shkrimtarëve, u godit Bilal Xhaferri , që u
syrgjynos në baltërat e kënetave të durrësit.Më pas erdhën arrestimet. U stis
“Grupi i të rinjve kundër partisë në art dhe letërsi” Kryetar i këtij gjoja
grupi armiqësor, u shpall Bedri Myftari. Pas hetimeve të zgjatura e nën
torturë, erdhi gjyqi farsë dhe dënimi me burg.Të gjithëve u hiqej e drejta e
botimit për njëzet vjet. Ai përjetoi ferrin e burgut dhe kampeve të punës.
Pasburgu,
ishte një vijëmësi e atij dënimi që do ta ndiqte çap pas çapi, një burg pa
mure, por gjithsesi burg me mungesën e lirisë, e ndiqte pas kudo hija e
sigurimit të shtetit. Trupdrobitur e me shëndet të shkatrruar punoi punëtor
krahu në ndërmarrje të ndryshme të Tiranës, në të ftohtit e acartë dhe zhegun
përvëlues, i parë shtrembër, me damkën e armikut të pushtetit. Kur u
transferova me punë në Tiranë, qëllonte që ta shihja.E njihja për fytyre, e
dija kush ishte ,por s’njiheshim për së afërmi. I vetmuar, i heshtur,
shtatimët, ecte i menduar per kushedi se ku. Më dhimbsej. Lirinë e të menduarit
s’ia hiqnin dot, kurse ate te botimit, ia kishin hequr per 20 vjet!Por më të
rënda se plagët dhe dhimbja e trupit , ishin
plagët e shpirtit.
* * *
Ra
muri i Bertlinit. Uragani i lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, rrëzimi i
komunizmit. Edhe pse kishte hyrë në moshën e tretë, për Bedriun nis një rini e
dytë.Thithi me gjithë mushkritë ajrin e lirisë, ndjeu ti përtëriheshin forcat,
dëshira për jetë dhe për të qënë shoqërisht i dobishëm u bë forcë dhe nxitje
për tu përfshirë në proceset e reja të transformimit.Iu kthye gazetarisë, në
gazetën ”Kosova” kryeredaktor në “Tribunën demokratike”, kryeredaktor në “Bota
shqiptare” dhe i gazetës”Çamëria” erdhen një varg shkrimesh ne fushën e
publicistikës. E ndërkohë, nga burimi i pashterrshëm i talentit si një ujvarë
rrodhën krijimet e tij të një pas njëshme. Në harkun kohor 1994 – 2007, panë
dritën e botimit katër romane, tri libra me poezi,dy vëllime me përralla,
vëllimi me trgime dhe një tjetër me novella. Për vlerat,artin e të shkruarit,
tematikat e trajtuara në prozë, bukurinë mahnitese dhe lirizmin e poezive, fantazinë
dhe mesazhet e përrallave, duhen studime të veçanta, që besoj se kritika
letrare me kohë do t’I bëjë objekt të saj.
Si
bir i Çamërisë martire, Bedriu e ndjente si detyrim shpirtëror, moral e qytetar
që t’i kushtohej kauzës së çështjes çame dhe pranoi të vihej në krye të
“Shoqatës Atdhetare Patriotike Çamëria”ku dha ndihmesë të çmuar për
popullarizimin dhe ngjalljen e shpresës së komunitetit çam për realizimin e
aspiratave të tyre.
* * *
E
quajtura mosha e tretë. Pensioni. Një tryezë në kafen e hotel Tiranës. I veshur
me sqimë:Kostum,kwmishw e bardhw, kravatw, përherë i rruar. Personeli e dinte
që ajo ishte tryeza e Bedriut. Rrall mungonte. Filxhanin e kafes përpara,
gazetat e ditës dhe blloku i shënimeve. Aty asnjëherë i vetëm. Shokë e miq nga
Çamëria, të njohur, shkrimtarë e artiste,Bedri Alimeti, Qazim Shehu etj. Biseda
miqsh për artin, për poezinë. Këmbeheshin batuta, hidh e prit, Bedriu kishte
humor të hollë e të këndshëm. Kësaj tryeze, në vitin 2010, me raste,iu bashkova
edhe unë. I dhurova librat e para. I lexoi dhe më përgëzoi, veçanërisht për
romanet historikë. Duke vlerësuar dhe besuar në talentin dhe gjykimin e tij
artistik,iu luta të shqyrtonte dhe redaktonte tregimet e mia të bërë gati për
botim. Ishin njëzet e pesë tregime. I lexoi me laps në dorë, për secilin dha
vlerësim dhe bëri shënime në faqen e fundit, të cilat i reflektova. Ato
shënime, i ruaj si një relike e kujtim
të tij dhe i kam bërë publike në një shkrim të veçantë.
Më
dhuroi me autograf tre nga romanet e veta dhe dy vëllime me poezi. Ai se kishte
zakon të fliste për vete, për ato që kishte hequr, rininë e vrarë dhe jetën e
gjymtuar. Kur më dha librat, më tha mendueshëm: “lexoji, aty jam unë.”
Iku
papritur e pa vuajtur,nga një goditje në zemër, ndaj të gdhirë të 8 nëntorit
2013. Lajmin ma bëri të ditur me një telefonatë Enver Kushi. E përcollëm me
dhimbje për në banesën e fundit. Ishte nje ditë me diell.
Prehu
ne paqe te amshuar, miku ynë, ne që të njohëm nuk të harrojmë.
Tiranë,më 6 nëntor 2019
* * *
Krijimtaria e
shkrimtarit Bedri Myftari:
Fluturzat
e borës, tregime, 1967
Mbrëmjet
e qytetit tim, tregime 1969
Kronika
e vdekjes, roman
1994
Rojtari
I varrezës, roman
1995
Ti
je Eva, poezi 1996
Dashuria
e parë, tregime
1997
Pranvera
që s’kthet më, poezi 1999
Bardh
e zi, publicistikë
2000
Dashuria
fatale, publicistikë
2000
Përralla,
2004
Vajza
e rojtarit të pyllit, përralla
2003
Zonja
e ambasadorit, novella
2006
Simfonia
e erërave, poezi
2006
Pas
Kasta Divës, roman
2007
------0------