E merkure, 09.10.2024, 01:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Kujtimi i bukur i një ekspozite në Pallatin e Kombeve, Gjenevë

E enjte, 07.11.2019, 09:45 PM


Kujtimi i bukur i një ekspozite në Pallatin e Kombeve, Gjenevë

Nga Alfred Papuçiu

1 Gushti është për zviceranët, siç është 14 Korriku për francezët dhe 4 Korriku për amerikanët, apo 28 Nëntori për shqiptarët. Zviceranët e përkujtojnë këtë ditë të shënuar qysh prej më tepër se një shekull, megjithëse ata përkujtojnë një ngjarje që daton prej vetëm mbi 728 vitesh. Në vetë shënimin e kësaj date për Konfederatën Zvicerane, është një zakon që ka të ngjarë të jetë qysh nga lindja e jetës në tokë. 1 Gushti na kujton besën e dhënë nga ana e tre kantoneve alpine më 1291, me qëllim që të përfundohej një aleancë e përjetëshme, akt themelues i Konfederatës. Përfaqësuesit e Schwyz (Shvicit), Unterwalden dhe Urit u takuan në lëndinën e Rutlit, mbi liqenin e Lucernës, për të uruar vëllazërimin dhe të vulosnin paktin e asistencës së përbashkët, në rast se liritë e tyre do të cënoheshin nga agresorët e huaj. Nuk është për t'u habitur që edhe sot, pjesa zyrtare e festës së 1 gushtit fillon në lëndinën e Rutlit, duke mbledhur një publik zviceran dhe të përfaqësuesve të kombeve të tjerë që jetojnë aty, duke përfshirë dhe shqiptarët. Aty flet Presidenti i Konfederatës. Ky është një rast edhe për të gjithë njerëzit politikë të së djathës, të qendrës dhe të majtës zvicerane, në të gjitha nivelet, këshilltarë federalë (ministra) si dhe kryetarë bashkie të komunave, për të mbajtur fjalime në gjithë Zvicrën. Kjo ditë përkujtohet në çdo komunë zvicerane, me fishekzare, fëmijët parakalojnë në rrugë, shpesh të zbukuruar me Kryqin e Bardhë, simbol i Zvicrës apo me simbolet e kantoneve. Banorët ndezin qirinj të dritaret e banesave të tyre. Njerëzit mblidhen si vëllezër, harrojnë hallet dhe shqetësimet e përditëshme, këndojnë, kërcejnë dhe drekojnë bashkë rreth një "barbecue" (zjarr ku piqet mishi në hell), me "fondynë" (djath i shkrirë) e famshme zvicerane dhe verën e bardhë të kulluar të Valesë (Valais).

Në atë ditë gushti u organizua në Pallatin e Kombeve në Gjenevë një ekspozitë e veçantë për të cilën do tu flasim lexuesve më poshtë.

Puna e palodhur është ligji i artit dhe i jetës, kurse arti është riprodhim krijues i realitetit. Për këtë arsye, artistët, poetët dhe shkrimtarët e vërtetë nuk presin as porosi, as porositës ; ata krijojnë sot, nesër dhe gjithnjë. Këtu e ka burimin zakoni për punë, lufta e vazhdueshme me vështirësitë, mbi bazat e të cilave lulëzon bashkimi i lirë i artistit me Muzën dhe me forcat e veta krijuese. E tillë është dhe piktorja e talentuar me origjinë shqiptare, Leda Albanese. Ishim ulur tek “Pavillon du Lac” pranë liqenit Leman, në Gjenevë dhe po bisedonim ashtu çiltër me të dhe me të shoqin dottore Giuseppe, dhe mikun tim Prof. Ksenofon Krisafi. Sapo ishim kthyer nga ekspozita “Homazh Zvicrës”, me vepra të piktorëve shqiptarë dhe zviceranë,  organizuar nën patronazhin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, nga ambasadorët Fransua Nordman dhe Ksenofon Krisafi, përkatësisht përfaqësues të përhershëm të Zvicrës dhe të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë. Fjalët e ngrohta të Zotit Orxhonjikidze, drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe të ambasadorit shqiptar ishin akoma në mendjet tona. Ekspozita reflektonte një mënyrë trajtimi të artit bashkëkohës, të arteve plastike dhe arteve të aplikuara. Ajo përmblidhte kultura dhe tradita të shumë rajoneve të Zvicrës. Për herë të parë aty në Pallatin e Kombeve, krahas Leda Albanese u përfaqësuan denjësisht edhe piktorët shqiptarë, miqtë e mij, i ndjeri Bujar Marika dhe Dolor Hasanaj. Prej tyre ruaj si relike të rralla piktura të tyre. Ekspozita, në tërësi ishte një homazh i sinqertë i shqiptarëve ndaj Zvicrës. Ndaj këtij vendi që shqiptarët e kanë zbuluar para shumë shekujsh. Si pararendës permendet një grup i fisit ilir të Dardanëve që jetonte në lashtësi në tokat e Kosovës së sotme. Pastaj, siç tregon dhe ambasador Ksenofoni erudit, i cili ka ka bërë një punë pasionante për të gjurmuar lidhjet midis Shqipërisë dhe Zvicrës që nga lashtësia deri në ditët tona, ata zbritën në rajonin e Gjenevës në kohën e Jul Qezarit dhe krijuan vendbanime, siç është njera që quhet Dardanji. Gjithashtu dihet se Zvicra, para mbi 140 vitesh ka qënë ëndërra e Rilindasve për organizimin e shtetit të ardhshëm shqiptar. Njëri prej tyre, Sami Frashëri shprehej hapur “Ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër të dytë”. Zvicra është bërë për mëse 200.000 shqiptarë nga Kosova e viset, nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, si dhe nga Shqipëria, si atdhe i dytë, i nderuar, i dashur dhe shumë i respektuar. Një numër i madh studentësh dhe pasuniversitarësh vazhdojnë studimet në Zvicër. Gjithashtu piktorë, si këta që ekspozuan në Pallatin e Kombeve jetojnë e punojnë në tokën helvete.

Kësaj radhe mendoj të flas për atë grua të urtë, të denjë për origjinën e saj, për piktoren dhe arkitekten Leda Albanese e cila jeton dhe punon në Bellinzona të Zvicrës. Leda Albanese, piktore dhe skulptore ka lindur në Romë në vitin 1949. Ajo është diplomuar në Liceun artistik dhe pastaj është laureuar për arkitekturë në Universitetin Sapienza të Romës. Pas shumë vitesh pune në arsim vendosi ti dedikohet plotësisht pikturës dhe arkitekturës. Paralelisht ajo i dedikohet dhe grafikës duke kryer disa vepra të saj në formë litografie.

Shumë shpejt u miqësuam dhe biseduam për mundësitë që egzistojnë që ajo të shkojë edhe në Tiranë dhe qytete të tjera, për të ekspozuar veprat e saj. Megjthëse ka mbaruar Universitetin “La Sapienza” në Romë për arkitekturë, për vite të tëra ju kushtua plotësisht pikturës dhe arteve plastike. Në të njëjtën kohë ajo realizoi me sukses disa vepra të saj në formë litografie. Flisnim dhe më tregonte me dashamirësi fotografitë me ekspozitat ku kishte marrë pjesë dhe me pikturat e saj që janë ekspozuar në mjedise të ndryshme, në Zvicër, Itali e gjetiu… Lexoja fjalët aq domethënëse të Claudio Strinatit, konservator i pasurive historike dhe artistike të Romës, i cili ndër të tjera e vlerësonte veprën e saj: “Me shprehjen e saj spontane, të qartë, të fortë dhe krejt analitike duket interesi i artistes sonë, plot me kulturë, por në të njëjtën kohë e drejtpërdrejtë, e sinqertë, pa hipokrizi intelektualizmi, por që paraqitet si vëzhguese e qartë e një bote me ndjenja dhe meditimi”.

Veprat e Leda Albanese janë vlerësuar shumë edhe nga kritikë të tjerë dhe historianë arti të njohur në gjithë botën. Një pjesë të tyre ajo i paraqiti me dinjitet në Pallatin e Kombeve në Gjenevë. Ndalem para pikturave të saj dhe vërej se tema e antikitetit është shumë e dashur për piktoren e urtë, të zgjuar dhe fjalëpakë. Ndoshta se dhe profesioni i saj si arkitekte ja ka nxitur më tepër këtë anë të veçantë, apo më mirë kuptimin e antikes e cila siç shprehet kërkimtarja e dëgjuar dhe historiania në arkitekturë, zvicerania Nicoletta Ossanna Cavadini: “…ajo i drejtohet të gjithë bashkëbiseduesve në formën e amforës, domethënë me një vizatim mistik plot kuptim dhe me vlera të shumllojshme”…

Studjuesi i shquar, Dalmazio Ambrosioni shkruan:” në modernitetin e saj ekziston kjo rimëkëmbje e klasicizmit: është ndoshta një nga utopitë që na duhen dhe që ne ende ndjekim sot dhe që kemi edhe brenda nesh, sepse në fund të fundit ne jemi fëmijë të atij klasicizmi. Në pikturën e saj ka shenja, shkrime, indikacione, dekorime, shtigje të gjurmuara në telajo sikur të prezantohet një pikturë me ta, në pikturën në sfond, dhe zhvillohet një diskutim i mëtejshëm në lidhje me ligjërimin themelor ... një mbivendosje e propozimit të ngjyrës dhe materies , e bukurisë, e dekorimit që të çon në bukuri, për të nënkuptuar që jeta është bërë gjithashtu nga eleganca, bukuria, pamja estetike, shënimet ditore brenda kapitullit të madh të historisë; dhe më duket se nën këtë aspekt Leda Albanese ka një vend të privilegjuar, do të thoja unike, të rrallë në fushën e pikturës zvicerane”.

Jemi ulur në restorantin “Pavillon du lac”, pranë Cologny/Kolonji/, ku janë vendosur artistë me fame botërore, biznesmenë të sukseshem dhe miliarderë të ardhur nga gjithë bota. Vazhdojmë të diskutojmë për pikturën, për Zvicrën, për Shqipërinë tonë që është aq e dashur, jo vetëm për ne shqiptarët por edhe për ata që ruajnë akoma kujtimet e të afërmve të tyre me origjinë shqiptare. Fjalët e Ledias, të një piktore të madhe por me pak fjalë, e thjeshtë, shkojnë tek kujtimet e të parëve të saj shqiptarë, për të cilët ajo ruan respekt të veçantë. Edhe dottore Giuseppe që është italian, i shtyrë nga origjina e gruas së vet shqiptare herë pas here shkon në Shqipëri dhe është “bërë si i shtëpisë”, tek Genci e plot miq e dashamirës të tjerë dhe me krenari tregon një leje qëndrimi që e ka marrë në Shqipëri me një adresë në një rrugë të Tiranës. Ai mundohet të ndihmojë shqiptarët që të kapërcejnë me sa më pak dhimbje periudhën e tranzicionit. Ngrejmë dolli për përvjetorin e ditëlindjes së Giuseppes, ngrejmë përsëri dolli për miqësinë midis popujve tanë fqinjë, për suksesin e ekspozitës “Homazh për Zvicrën”, tek Pallati me pretigj i Kombeve, ku veprat e Ledias zinin një vend qëndror. Ajo, megjithëse e shqetësuar për shëndetin e të shoqit, pranon shakanë time se “Giuseppe e ka gliceminë shumë mirë në bazë të aparatit tim matës të glicemisë » dhe e lë të shoqin të ngrejmë dolli bashkë me miqtë tanë.

Në atë çast rikujtoj fjalët e profesorit të nderuar zviceran, mbi 80 vjeçar, i njohur botërisht, dhe miku ynë më i mirë, Jean-Philippe Assal në studimin e tij të mrekullueshëm për “Nënë Terezën” tonë kur thotë:  “Fitimi i ndërgjegjes për potencialin personal të çdo njeriu, do të mundë ta ndihmojë atë që vuan të mobilizojë forcat e veta të fshehura kur duhet të përballojë peshën e një sëmundjeje. “Jeta është…” e Nënë Terezës është një kujtesë e admirueshme e këtyre burimeve të fshehura”…Dhe profesor Assali vazhdon me fjalët e Nënë Terezës: “Jeta është…një oportunitet, merre atë bukuri, admiroje atë lumturi të plotë, shijoje atë, bëje një realitet, një sfidë, përballo një detyrë…merito jetën, është jeta, mbroje atë”.

Ndalem për një çast tek shikimi i Ledas piktore tek Giuseppe, që shprehin atë dashuri që i lidh për jetën, për lumturinë, dhe tej “Pavillon du Lac” shoh se dielli po perëndon në një qiell të artë, të bukur, buzë liqenit Leman të Gjenevës.

Shkëmbi i Kavajës, 25 gusht 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora