E enjte, 31.10.2024, 11:45 PM (GMT)

Kulturë

ITSHKSH promovoi ''Shtatë shpalime për Nënë Terezën'' të Anton Nikë Berishës

E merkure, 28.08.2019, 10:17 AM


Prof. Anton Nikë Berisha me këtë vepër tejet voluminoze është dëshmuar jo vetëm si njohës i reflektimeve shpirtërore që prodhon një figurë kaq sublime siç është Shën Nënë Tereza, por ai me studimet dhe veprat e tij ka vendosur një standard mjaft të lart në eksplikimin shumëdimensional të kësaj figure që i dha njerëzimit dashurinë dhe përkushtimin e duhur, që do të jetë modeli më i arrirë i interaksionit njerëzor, tha dr. Skender ASANI

Shkup, 26 gusht – Në kuadër të shënimit të Ditëve të Nënë Terezës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, sot në Shkup shënoi 109 vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, me ç’rast në vendin ku ndodhej shtëpia e familjes Bojaxhiu në shesh, sipas një tradite tash më disavjeçare, u vendosën kurora dhe lule të freskëta.

Gjithashtu në shenjë të kujtimit të kësaj figure madhore të njerëzimit, sot në ITSHKSH u bë edhe promovimi i kompletit të veprave ‘SHTATË SHPALIME PËR NËNË TEREZE’ të studiuesit dr. Anton Nikë Berisha. Me këtë rast drejtori i Institutit, dr. Skender Asani, duke folur për kontekstin dhe rëndësinë që ka figura e Nënë Terezës në fokusimin e autorëve të ndryshëm, ndër të tjera tha se veprat që po promovojmë sot brenda kanë një numër simbolik dhe autori i nderuar, shkrimtari dhe studiuesi Anton Nikë Berisha, sigurisht jo rastësisht e ka marrë këtë numër dhe e ka integruar në eksplorimin e tij të detajuar mbi dimensionet e gjera njerëzore e shpirtërore të humanistes së madhe Shën Nënë Tereza, e cila për ne shkupjanët është shumë e dashur.

Sipas Asanit, prof. Berisha me këtë vepër tejet voluminoze, është dëshmuar jo vetëm si njohës i reflektimeve shpirtërore që prodhon një figurë kaq sublime siç është Shën Nënë Tereza, por ai me studimet dhe veprat e tija ka vendosur një standard mjaft të lart në eksplikimin shumëdimensional të kësaj figure që i dha njerëzimit dashurinë dhe përkushtimin e duhur, që do të jetë modeli më i arrirë i interaksionit njerëzor.

Asani më tej i njoftoi të pranishmit se hulumtimet e fundit kanë rezultuar me sukses në sigurimin e dokumenteve shtesë nga arkiva të ndryshme evropiane që ndriçojnë historinë e sagës familjare të Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në Shkup si strumbullari i vetëdijes kombëtare shqiptare të fillim-shekullit të kaluar, kurse babai i Gonxhes, Kolë Bojaxhiu, ishte bartësi kryesor i kësaj vetëdije. Në këtë kontekst ai përmendi  edhe disa hulumtime në arkivat e Beogradit me dhjetëra dokumente e fotografi që plotësojnë mozaikun e njohurive mbi familjet katolike shqiptare të Shkupit. Ne si Institut me projektet tona të radhës do të vazhdojmë të ndriçojmë historinë e këtyre familjeve që shënuan arritje të lakmueshme emancipuese në kohërat më të vështira, atëherë kur qenia shqiptare ballafaqohej me sfidat  e ekzistimit, tha dr. Asani.

Të pranishëm në këtë promovim ishin edhe personalitete të shquar nga jeta kulturore e politike, ndër ta edhe deputeti Artan Grubi, ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, pasardhësi i kolosit  Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, shkrimtarët Prend Buzhala, Ibrahim Kadriu, Sabit Rrustemi, etj.

Deputeti Artan Grubi vlerësoi lart kontributin e autorit Anton Nikë Berisha në ndriçimin e figurës së Nënë Terezës, kurse përmendi edhe kontributin e institucioneve kulturore që po kujdesen në ruajtjen  kujtesës kombëtare. Sipas tij gjithë ky angazhim nuk ka mundur të ndodhë pa një aksion permanent politik, i cili ka bërë të mundur ndryshimin e realitetit në favor të ambicieve shtet-formuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Edhe ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj theksoi rëndësinë që ka Shkupi për historinë shqiptare, kurse ITSHKSH, sipas tij, po tregohet gjithnjë e më efektiv në dinamizmin e jetës shoqërore e kulturore të shqiptarëve në këto treva.

Njëri nga folësit kryesor në panelin e sotëm ishte shkrimtari Nexhat Rexha, i cili solli disa vrojtime të tij personale mbi veprën SHTATË SHPALIME PËR NËNË TEREZEN. Sipas tij autori Anton Nikë Berisha ka nxjerr në pah shumë-dimensionalitetin  e figurës së Nënë Terezës dhe këtë e ka arritur përmes një vëzhgimi të parimeve të rrugës së saj jetësore.

Duke folur për korpusin e veprave të Anton Nikë Berishës, shkrimtari Prend Buzhala vuri në dukje se, brenda kësaj tërësie monumentale, ka strukturuar vepra të dy fushave të shkrimit: të krijimtarisë imagjinative apo fiksionale, sikundër janë romanet “Nëna e Dritës”dhe “Ëndrra e erës” (titull i ri i romanit “Dritë në shtjellën e gërbulës- rrëfim i Nënës Tereze”, kurse te vëllimi i tretë përfshin poemat “Ujëvarë drite në zemër” dhe “Sytë e heshtjes”. Krahun tjetër, prej katër vëllimesh e përbëjnë veprat e letërsisë diskurseve, studimet, monografitë, trajtesat si “I desha njerëzit me dashurinë e hyjit” (doracak për Nënën Tereze, vëllimi i katërt), “Shën Pali dhe Nëna Tereze” (vëllimi i pestë), “Shën Maria dhe Nëna Tereze” (vëllimi i gjashtë), kurse vëllimi i shtatë përbëhet nga tri studime: “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, “Testamenti shpirtëror” dhe “Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”.

Kurse një njohës tjetër i veprës së Anton Nikë Berishës, poeti Sabit Rrustemi u ndal në disa aspekte që e bëjnë këtë vepër të rëndësishme. “Studiuesi ynë i rryer, romansieri i rrallë e poeti i veçuar për nga stili dhe shtjellimi artistik, Anton Nikë Berisha, përkushtimin e tij krijues e studimor për këtë figurë të madhe të njerëzimit e nis në mënyrë më të thelluar pikërisht në vitin kur u bë edhe lumturimi i Nënës Tereze nga Selia e Shenjtë, në fillim të këtij shekulli, më 19 tetor të vitit 2003. Do përmendur se Nëna Tereze, u bë frymëzim letrar qe gjysmë shekulli, më konkretisht që kur u laureua me Çmimin Nobel për paqe (1979 ), e para shqiptare që u nderua më këtë Çmim, po edhe e para grua që e gjithë bota e pagëzoi Nënë dhe e njeh si të tillë, nënvizoi Rrustemi.

Ndërkaq Mehmet Prishtina, në fjalën e tij rreth këtyre veprave ndër të tjera potencoi se dita e sotme (26 gusht) përkon me ditën e lindjes së humanistes sonë, bijës sonë, Nënë Tereza. Ajo lindi para para 109 vjetëve dhe përkon me ngjarjet e bujshme të Lëvizjes patriotike shqiptare, të fillim-shekullit të kaluar, lëvizje kjo që jo rastësisht ishte përqendruar mu në Shkup, kurse dera e bojaxhijve ishte bërë jo vetëm streha e hallexhinjve, por ajo ishte bërë edhe adresa e shumë takimeve të rëndësishme, në të cilat kishte marrë pjesë edhe kolosi ynë kombëtar Hasan Prishtina. Prandaj sot, kur promovojmë këto vepra kapitale kushtuar figurës së Nënë Terezës, na hapet një vizion i ri për ta shikuar botën ashtu siç e kishte pa Nënë Tereza. Prof. Anton Nikë Berisha është meritori kryesor që sot na ka bë bashkë në këtë ditë të madhe, kurse drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore, dr. Skender Asani, si çdo here, është promotor i shkëlqyeshëm i ngjarjeve që lidhen me kujtesën tone historike”, nënvizoi Mehmet Prishtina.

Në zbërthimin e aspekteve të tjera të veprës që promovohet sot, kontribuoi edhe shkrimtari dhe publicisti Emin Azemi.

“Një ndër metodat krijuese e studimore të prof. Anton Nikë Berishës është rimarrja, ose rishqyrtimi gjuhësor e stilistik i veprës së tij të shkruar më herët dhe vendosja e saj në një rrafsh tjetër të rishikimit, por gjithmonë në funksion të një dioptrie vrojtimi që do ta bënte atë vepër edhe më të freskët për lexuesin aktual. Kjo metodë, me pak përjashtime, u përdor nga ai edhe me rastin e ribërjes së korpusit të tij krijues e studimor në shtatë vëllime, me një titull mjaft sinjifikativ SHTATË SHPALIME PËR NËNË TEREZËN,  të cilat tani vinë me një koherencë të brendshme kuptimore dhe me një gërshetim harmonik zhanresh e stilesh krijuese, të përmbledhura në gjithsej 10 vepra. Përkushtimi tematik e problemor i Anton Nikë Berishës për të krijuar fabulat e tij narrative sa më interesante nxjerr në pah figurën e Nënë Terezës, në një dimension më kompleks dhe përtej konturave të ngushta biografike që i kishin imponuar autorë të ndryshëm, të cilët nuk e kishin patur kreativietin krijues e psikologjik të prof. Berishës për të depërtuar më thellë në shpirtin e kësaj altrusite të madhe me përmasa planetare”, tha Azemi.

Ndërkaq krejt në fund, vetë autori Anton Nikë Berisha, me të pranishmit ndau disa përshtypje e mendime, duke thënë me këtë rast se figura e Nënë Terezës është shumë pak e njohur ndër shqiptarë dhe sipas tij, gabimisht asaj i atribuohet vetëm epiteti bamirëse. Para se të jetë bamirëse, ajo ishte flijuese për të tjerët, tha Berisha, dhe këtë ai e mbështeti më faktin se Nënë Tereza asnjëherë në jetën e vet nuk i dha askujt asnjë cent me dorën e saj, por ajo dhuroi dashuri e përkushtim për të sëmurët, për skamnorët, për të vegjlit dhe për gjithë ata që ishin të mënjanuar nga kujdesi shoqëror.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora