Kulturë
Bashkim Saliasi: Një vepër me vlera studimore nga autori Agim Qoku
E merkure, 24.07.2019, 07:11 PM
NJË VEPËR ME VLERA STUDIMORE NGA AUTORI AGIM QOKU
Nga
Bashkim Saliasi
Fundi i muajit
maji. Një kafe me mikun tim Viron Kona, i cili më foli gjerë e gjatë për
botimin e librit të autorit z. Agim Qoku “Shëmili një rrugëtim në
shekuj". Ai më tha: “Me porosi të mikut tonë të përbashkët Agim
Qoku po të dhuroj ketë libër. Ti Bashkim ke shkruar monografinë e fshatit tënd
dhe duhet të ngjalli interés, - shtoi Vironi me dashamirësi . Më se e vërtetë,
librat studimorë dhe historikë më tërheqin më shumë sepse më shtynë kurioziteti
për të mësuar veçanërisht për paraardhësit,aq më tepër që, siç vë në dukje
z.Qoku: “Zona e Çermenikës fsheh thesare, por askush deri tani nuk është
interesuar që të bëj studime të thelluara”.
Jam në dijeni të
historisë që flet për Aranit Komnenin, sepse pothuajse çdo muaji marrë gazetën
e shoqatës “Zani Çermenikës”, dhuratë nga Vebiu që ka kafenenë “Xherri” në
Babrru-Fushë dhe kam lexuar disa shkrime radhazi nga studiuesi Avni Alcani, që
bën fjalë për fisin e Komnenëve.
Kurioziteti më
shtyu që të mos e harroj në bibliotekë, por pasi mbarova një libër që e
përgatita për botim: “20 vjet Shkolla Vëllazërimi”, mora nga rafti
botimin e Agim Qokut, “Shmili një rrugëtim në shekuj” dhe nisa ta lexoj me
vëmendje të madhe.
Më është bërë
zakon që parathënien ta lexoj pasi të kem mbaruar librin dhe kështu veprova, se
ndryshe do humbisja kuriozitetin për tematikat që Agim Qoku trajton në këtë vepër studimore me
vlera historike, jo vetëm për trevën e Çermenikës dhe vet fshatin Shmili, por
për gjithë zonën e rrethit Elbasan.
Autori me një
pjekuri letrare, por edhe njohës i mirë i biologjisë, agronomisë dhe historisë
e nis rrëfimin e vet me shpjegimin e toponimeve, monografinë e zonës së
Çermenikës dhe fshatit Shmili, duke e
njohur lexuesin me florën dhe faunën e zonës si dhe burimet ujore.
Në këtë terren të
ashpër me klimë të ftohtë në dimër dhe klimë të nxehtë në verë rriten shumë
lloje bimësh barishtore dhe frutore, të cilat shfrytëzohen nga banorët e zonës
për të rritur mirëqenien e tyre.
Flora dhe fauna e
pasur e këtyre viseve ka bërë që banorët
të jenë shtatlartë, trima dhe shumë punëtorw. Agimi duket se e merr për
dore tregimin e historisë së zonës së Çermenikës dhe kryesisht fshatit Shmili.
Ai si një prind i mirë që merr për dore fëmijën e porsa ngritur në këmbë dhe i
tregon rrugët e jetës, me penën e tij i ngre zonës së Çermenikës dhe fshatit të
vet Shmil një shtatore që ke qejf ta sodisësh.
Si një arkeolog i
specializuar në vlerat e veprave historike Agimi njeh lexuesin dhe studiuesit
me vlerat dhe super-vlerat që kanë këto objekte të lëna në harresë.
Me mjaftë
delikatesë ai trajton në veprën e tij besimin e bashkë krahinasve të vetë,
doket dhe zakonet, të cilat kanë një vlerë të shtuar jo vetëm për brezin që
jeton sot, por edhe për brezat që do vijnë.
Nuk jam historian,
por mua më tërhoqi vëmendjen studimi i realizuar nga Agim Qoku i periudhës së
Ilirisë dhe sidomos periudha e Aranitëve dhe Skënderbeut, Kanuni Skënderbeut në
Çermenikë dhe Shmil, Kuvendi i Dukagjinit më 15 shkurt 1602 etj, Shmili e
Çermenika nga kuvendi i Dukagjinit deri në reformat e Tanzimatit.
Z. Qoku, duke qenë
një, studiues i rregullt dhe me kulturë të gjerë njohëse të letërsisë dhe
shkencave të përafërta me të si historia, gjeografia, muzika etje, skalit me
penën e tij mjaftë bukur vlera dhe tregon se pavarësisht se është një terren i
thyer, por në të kanë jetuar dhe jetojnë njerëz që zëri tyre është dëgjuar jo
vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën siç është rasti i dy figurave shmilas
Ymer Tushës dhe Hasan Alisë në kohën e kryerjes së reformave të Tanzimatit nga
Perandoria Osmane...
Në kapitullin
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit,
kontributi shmilsave”, autori tregon për mbështetjen që i dha zona e Çermenikës
dhe fshati Shmil Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, një vlerë kjo e shtuar për
banorët e kësaj treve.
Arti i
portretizimit të personazheve që kanë kontribuar në vite për lirinë dhe
mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi serb, Agimi e tregon me shembuj
konkret dhe i bazuar në studime të kohës, sikundër është rasti i Demir Lekës që
udhëhoqi Çermenikasit në dy lufta kundër serbëve…
Në libër gjejmë
kontributin e Shmilasve në Luftën e Vlorës, periudhën e monarkisë 1924-1928,
luftën Nacionalçlirimtare, Shmili gjatë viteve 1945-1966, Shmili gjatë
periudhës së kooperativës bujqësore
1967-1992, Shmilasit në ndërrimin e sistemit etj.
Në kapitullin
“Konsiderata mbi demografinë në Shimil”, autori e nis studimin e tij që nga
viti 1443 dhe Shimili më 1643 dhe bazuar në një studim të hollësishëm arrijnë
të pasqyrojë familjet Shimilase më 2019.
Autori me të
drejtë ngre një problema tepër të mprehtë për kohën tonë, plagën e
emigracionit, ku theksi vihet te ndërrimi emrit dhe kombësisë nga
bashkëfshatarët e vet, plagë e rëndë jo vetëm për zonën e Çermenikës, por për
mbarë Shqipërinë. Kjo thekson autori çon në humbjen e ndjenjës njerëzore, ku
shpirti shitet dhe blihet për para.
Autori lëshon
kushtrimin dhe jep alarmin që si një kambanë e fuqishme të kumbojë në veshët e
njerëzve që ti thërrasin mendjes dhe të ruajnë identitetin e tyre dhe mos
shiten e blihen si skllevër.
Ai shkruan: Ruani
emrin dhe dashurinë për vendlindjen, si një nga ndjenjat më të pastra
njerëzore, ndryshe do pësoni fund tragjik si paraardhësit tuaj që ikën në Turqi
e gjetkë dhe nuk dihet se ku janë, mbetën në dhera të huaj...
Ajo që më tërhoqi
gjatë leximit të librit të Agim Qokut është së pari: -gjuha e poetit me një
fjalor të pastër dhe një ndërtim të rregullt të fjalive, ku mendimi del
natyrshëm dhe të mbetet në mendje.
Së dyti: studimi
magjik i ngjarjeve, origjinaliteti i hulumtimeve dhe studimit të autorit mbi
literaturën bazë që tregon për pjekurin artistike-letrare dhe studimore të
Agimit.
Sa më shumë i
afrohesh fundit, aq më shumë mbushesh me emocione, të cilat përcjellin mesazhe
me supervlera për vendlindjen, për folenë e shpresës, për familjen e shoqërinë,
si dhe për doket dhe zakonet e trevës ku
Sa më shumë i
afrohesh fundit, aq më shumë mbushesh me emocione, të cilat përcjellin mesazhe
me supervlera për vendlindjen, për folenë e shpresës, për familjen e shoqërinë,
si dhe për doket dhe zakonet e trevës ku çermenikasit dhe shimilasit u lindën
dhe hodhën shtat.
Botimi i veprës
monografi nga autori Agim Qoku është një meritë e tij. Është kollaj të shkruash
monografinë e një individi, por të shkruash për historinë e zonës dhe fshatit
ku ke lindur e jetuar është përgjegjësi të cilën autori e ka marrë në
konsideratë me vullnet të lirë dhe dashamirësi të plotë.
Në librin që nëse
do keni fatin ta lexoni do shikoni se arti i fjalës shkrihet me studimin
shkencor. Thellësia e studimit shihet me gjerësinë e problemeve të trajtuara në
këtë vepër letrare me vlera historike.
Agimi me botimin e
këtij libri ka dhënë një kontribut të çmuar duke ndier përgjegjësinë ndaj
truallit ku lindi dhe u rrit, në të cilin kaloj vitet më të bukura të rinisë,
për ta mbajtur gjallë zemrën e shpirtin e truallit të bashkëkrahinasve të vet.
I uroj mikut tim
shimilas, z Agim Qoku suksese në botime të tjera dhe shëndet e mbarësi në
familjen e tij.
Urime, veç urime.
Bashkim Saliasi Tiranë, më 04.06.2019