E marte, 10.12.2024, 04:45 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Vogëlima verore

E shtune, 20.07.2019, 09:15 AM


Vogëlima verore

Nga Blerim Rrecaj

Në kryeqytetëz po bëhet si në Durrës e në kryeqytet si në Ulqin po vazhdon të thuhet edhe sivjet në këtë stinë pushimesh në atdhe duke bërë krahasime vendbanimesh e vendqëndrimesh breg e jobregdetare. Kah s'mund të na shkojë gjuha, edhe te kryeqendrat dhe kryekaosistika e tanishme, që na ngatërron fijen e mund të na shpije te kënga: 'Lulëzoi fusha, lulëzoi mali, ose te: 'O bylbyl me pika, pika'. Çka ishim duke thënë? Jo kushedi se çfarë, e megjithatë po vazhdojmë. E pushimet si pushimet, na e sjellin nëpër mend një fjalë që kohë më parë e patëm parë në internet, se njeriut asgjë nuk i duhet më shumë se pushimi mbas pushimeve. Sërish na vijnë fjalë e shprehje, këtë herë këto: pusho se na lodhe, ose të pushojmë se u lodhëm. E shohim të arsyeshme siç edhe thuhet të ulemi pakëz a shumë, të zëmë ndonjë hije e të çlodhemi ca, edhe me vogëlima të vocrra a të mëdha që mund të paraqiten a parakalojnë spontanisht para nesh. Veç të bëjmë kujdes të mos i shkelim ndokujt hijen sepse siç thotë Mitrush Kuteli te "Abc-ja e kreshnikis", dikush kishte vrarë Zenelin për një të tillë arsyeje të kotë e krejt të paarsyetueshme. Kujdes, pra, paqe mes vete njëherë e më pas dhe me ata që e meritojnë, rishprehim këtë urim, duke dëshiruar çdo herë për mirë e për mbarë. E këtë herë, në këtë mesditë me diell, zëmë vend një një qoshk kryeqendre mes ndërtesash, njëri varg drejtë e një farë zone lokalesh biznesore ku dominojnë kafenetë e në anën tjetër ndërtesa banimi me një hapësirë parkimi ku në mesin e gjithë veturave hy e del ndokush. Qysh jemi duke pirë makiatot, ndonjë lëng a ndonjë gotë ujë veç kur fillon një zhurmë, e si pa prit e pa kujtu seç mbiu ky barkositës me makinë e uniformë ndërmarrjeje publike për të korr barishtet e këtyre hapësirave. Bashkë me aromën e barit shpërndahen dhe copëza të imta të barit të prerë e që ca prej tyre vijnë e na godasin pa pikë mëshire, për jo shumë kohë, ne të ulurve nëpër karrike në këtë rrip të ngushë verandash përpara këtyre lokaleve. Një copëz e gjelbër shkëlqyese bari, që kushedi mund të jetë shkëputur nga fletët e mëdha të barishteve që aq ngjajnë me fletë spinaqi, e një tjetër më e vogël sa pikë që është ndarë nga trungu i një fijeje hollake e të zakonshme bari e që mezi vërehet bijen në grackën e kësaj rrjete merimangash të endur mes dy vazove picigate me lule në murin jo aq të lartë që ndan e bashkon këto dy zona. Shikimi matanë na sjell dy vazo këtë herë rrumbullake të ngjitura për trungun e një druri, njëra nga to qëndron në kufirin mes trungut e gjetheve dhe lulet që kanë depërtuar pakëz më lart duken si fruta pemësh të pjekura e që vazhdojnë të piqen. Vije koha për të lënë këtë rriskë korridori për të dal më në dritë nga ndonjëri prej shtigjeve të shkurtëra që po i quajmë tunele urë e udhëlidhëse. Dhe në ecje e sipër tokës ca stërpikëza uji na godasin pa pikë mëshire, sikurse na ranë pakëz më herët copra barishesh, e këto pikëza uji depërtojnë përtej këtyre fijeve të shumta që kanë formuar këtë muri të gjallë gjelbërosh, e gypi që rrotullohet e lag barin por edhe pllakat e gurforta në këtë mesditë zhegu, që i lidhur me një zorrë ujësjellëse ngjan si gjarpër lumenjsh. Dielli me dritën e tij verore vë më në dukje morinë e 'vogëlimave' që sikur përpiqen të neutralizojnë madhështitë e llojllojshme, qoftë duke shndritur krahë fluturash e pilivesash. Vë në dukje kornetin që i mbeti në dorë atij fëmije pas rënies së kupës së akullores në kufirin mes rrugës dhe trotuarit...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora