Kulturë
Resmi Osmani: Xhungla
E hene, 15.07.2019, 09:35 PM
XHUNGLA
Nga cikli”Koha e çudirave”
Tregim nga Resmi
Osmani
Kristo Lozhani, sipërtmarrës dhe pronar I firmës “Lozhani konstruksion” i
pushtuar nga dëshpërimi dhe zemërimi, ecejakej pa pra aq sa e lejonte hapësira
e zyrës. I dukej vetja si i ndryrë në kafaz.Gojën e kishte të hidhët nga
dëshpërimi dhe përbrenda i zjente zemërimi. Sapo ishte kthyer nga kantieri. Po
bëhëj një muaj pa punë. Makineritë e parkuara: kamjonat e rëndë, buldozërët,
rulat, çisternat e ziftit, dukeshin si ca kafshë të stërmëdha të rëna në gjumë.
Koha kishte ngrirë. Një heshtje varreze. Manovratorët, e mbetur pa punë,
dukeshin rrallë. Edhe ata ishin të
dëshpëruar dhe të papaguar, prisnin lajme për një punë të re. Punëzeza! S’dukej
gjëkundi. Dhe pse e gjithë kjo?Para një muaji edhe pse kishte paraqitur kosto
më të ulët nga kërkesa, kishte humbur
tenderin për asfaltimin e rrugeve të brendshme të njësisë pesë. E kishte fituar
firma”Struga sh.p.k.”
Njësia e tenderimev, ishte shndërruar në xhungël, ku konkuruesit shqyenin
njeri-tjetrin. Nuk fitonte ofruesi me i mire por ai qe paguante me shume nën
dorë. Ndihej brurima e luanit , e çakenjve dhe hijenave që i vinin rrotull, por
ai fitonte ngaherë. Shtrigani i vjetër, inxhinier Struga, edhe pse ishte
tërhequr nga biznesi që ja kishte trashëguar të birit, përdorte lidhjet e tij
të vjetra e të shumta dhe dinte ta lyente rrotën që vërtiste mekanizmin e tenderimit dhe punët i shkonin
fjollë.
Kristo ishte e treta herë që përballej me të dhe të trija herët kishte
humbur. Helmi i dështimit ishte mbledhur pikë-pikë dhe rrufeja e zëmërimit që e digjte përbrenda, diku duhej shkarkuar.
E kishin thënë latinët e vjetër;”Hominis et homine, lupus est!” Mori nga bufeja
shishen e uiskit, e zbrazi në gotë dhe e piu me hurba të vogëla. Pija e fortë
ia ngrohu lukthin e akullepsur dhe ndjeu sesi ngrohtësia prehëse iu shpernda
nëpër damarë dhe i kthjelloi mendimet. Kishte dëgjuar të thoshin se hakmarrja
është një pjatë që shijohet e ftohtë. Kishte kaluar muaji dhe besonte që
tashmë ishte ftohur dhe duhej shijuar.
Mendoi që për ta trembur, t’i niste një SMS me përmbajtjen”Hiq dorë nga
tenderi që fitove, përndryshe ti dhe yt bir jeni të vdekur” Dreq!S’lshte
gjë që bëhej. Do kerkonin tabulatet dhe do ta gjenin. Hakmarrja duhet të ishte
ndryshe. Kishte kohë që e mendonte. Ajo ishte gatuar djallëzisht në mëndjen e
tij të pështjelluar dhe do të plaste si bombë. Do të ishte një gallatë
tragji-komike!
Thirri inxhiniere Mirën. Ajo hyri me
ndrojtje. Kristo e shikoi si të mos e kishte parë herë tjetër. ”I rroftë
emri, se as e mirë as e bukur: gjoksdërrasë, fytyrë lëpirë,flokë shtupë. Femër
pa feminilitet që s’kishe ku ti hidhje sytë” mendoi ai. Ja kishte bërë
peshqesh një deputet të cilit s’ia kthente dot fjalën. “Sa për profesioniste,
hiqi kapelen: s’ia gjen shoqen, vlen sa më i miri.” Prandaj ai edhe e mbante.
Inxhinierja priste në këmbë.
-E njeh inxhinier Strugën?
-Po. Më ka patur studente. Na jepte rezistencën materiale.
-Dhe si e mban mend?
-I aftë, autoritar, por i drejtë në vlerësime. Nuk falte as të birin. E
pata udhëheqës teme për diplomën. Më von, pasi ngriti firmën e ndërtimit, nuk e
kam takuar më.
-Ajo firmë është e zeza dhe mjerimi ynë. E treta herë që fiton tenderin.
Për shkak të atij shtrigani plak, jemi pa punë e me miliona të humbur. Në prag
të falimentimit. - Pasi heshti pak, shtoi:- ka për të ma paguar! Fjalët e
fundit i shpëtuan, se s’deshi ti shqiptonte para Mirës. Hakmarrja ishte vetëm e
tij, për kënaqësinë e tij, askush tjetër nuk duhet ta dinte.
Piu me ashk dhe një gllënjkë uiski.
-Tashti më bëj një punë. Më gjej adresat dhe telefonat e disa agjensive
funerale. Mos u vono.
Inxhinierja ngriti supet dhe e pa me habi,”Agjensi funerale”- mendoi ajo
dhe i shkoi mendje te vdekjet dhe varrimet,ç’ne me firmën e tyre? Por nuk e
pyeti. S’ishte detyra e saj të pyeste për porositë që i jepte shefi. Hamendësoi
se ky s’duhet të ishte biznes. Një paudhësi po gatitej, që gjithsesi, nga
përfshirja e agjensive funerale, dukej të ishte e kobshme.
* * *
Zilja e telefonit tingëlloj me tërsëllimë. Andon Mëhilli kapi me ngut
receptorin.
-Agjensia funerale “Parajsa”. Sipërmarrësi i shërbimeve funerale –nuk tha i
varrimeve se tingëllonte keq- Andon Mëhilli. Po ju dëgjojmë.
-Zotëri, dua të bëj një njoftim dhe po të jetë e mundur, të siguroj
shërbimet e agjensisë suaj.- Zëri vinte
i ngjirrur dhe si kurdoherë
kësodore, i pikëlluar. Andoni e dinte se ç’pasonte pas të tilla zërave.
Një vdekje. Ky ishte biznesi i tij. Të tjerë e përbuznin, vërtet I
pikëllueshëm, por dikush duhet ta bënte. Për të vdekja ishte jetë, burim të
ardhurash me të cilën mbante familjen!.
-Urdhëroni, po ju dëgjojmë.
-Para dy orësh, papritur u nda nga jeta nga një arrest kardiak, babai ynë,
inxhinier Shahin Struga.
-Më vjen keq. Jeni i biri? Ngushëllime. Vetë shëndosh, tu ketë lënë uratën.
Paska pasur vdekje të lehtë, si gjithë të dashurit e zotit.
Mandej Andoni, pyeti me një zë të trishtuar ku dallohej pikëllimi profësional
dhe mori përgjigje per gjithë sa i duheshin për të ndjerin: moshën, adresën e
banesës, ku priteshin ngushëllimet, ditën dhe orën e përcjelljes për në banesën
e fundit, kujt besimi i takonte i ndjeri dhe a do të përcillej nga klerikë të
fesë.
-Kam dhe një kërkesë. Arkivoli të jetë i veçantë, si i takon sërës së tim
eti.
-Pa merak. Kemi nga dru lisi te gdhendur dhe me leskra argjendi të
ngallmuara, por, zotëri….
-E keni fjalën për çmimin?
-Pikërisht.
-As mos e mendoni.
-Na duhet edhe një fotografi.
Pasoi heshtje.
-Nuk mund t’ua sjell tani.Po merrem me punë më të ngutshme. Keni kompjuter?
Merreni nga gugli ose fejsbuku. Është njëra e bërë për shtatëdhjet vjetorin e
lindjes.
-Faleminderit që zgjodhët agjensinë tonë.Do të jetë një shërbim i fisëm,
ashtu siç i takon të ndjerit.
-Po varri ? E duam në një vend të mirë.
-Kemi një parcelë të re, vend i zgjuedhur, me pamje nga perëndimi dhe Dajti, por kuptohet edhe një pagesë plus.
Andoni uli receptorin dhe frymoi thellë . Zyra e vogël dukej edhe më e
vogël, ngaqë tre muret e saj ishin mbushur me arkmorte të vëna një mbi një, që
e bënin edhe më të vogël e të zymtë. Mbi tryezën e punës, në mur, ikona e shën
Pjetrit me breroren e martirit, dukej sikur shihte arkmortet, në pritje që në
to të vendoseshin të vdekurit, që do t’i priste te porta e parajsës. Andoni
bëri kryqin dhe falnderoi shënjtin. Kishte dit pa një varrim, sikur shën
Gabrieli t’i kishte harruar ata që u ishte sosur jeta. Duhet të fillonte nga
puna. Xhenazja kishte ardhur te porta! Duhej ta përcillte. Thirri në telefon
ndihmësen Dafinën, pastaj shtypshkronjën për lajmerim-vdekjet: ”Dëgjoni, i
ndjeri është person i rëndësishëm, një bos, prandaj edhe shpallja e
lajmerim-vdekjes duhet të jetë e veçantë: letra me lluster, fotografia me
ngjyra, anash korniza me trëndafila. Mbani shënim tekstin:” Me hidhërim të
thellë bëjmë me dije se sot(data), u nda nga jeta, babai ynë i shtrenjtë
inxhinier Shahin Struga, vjeç 75. Ngushëllimet priten në vilën 6-të, rruga Jul
Variboba perballë Parkut Olimpik.
Përcjellja e të ndjerit për në varrezat e Tufinës, bëhet nesër në ora 11-të.
Familja Struga. Mos i vononi. Sa më shpejt aq më mirë.”
Kur erdhi porosia nga shtypshkronja,
Andoni nisi djalin që bënte vendosjen e tyre. I dha adresën dhe ai pa vonesë
shkoi në rrugën ku ishte banesa e të ndjerit dhe ngjiti shpalljet nëpër
shtyllat dhe vendafishimet. Të fundit e ngjiti në murin e avllisë, anash portës
së vilës numër 6-të.
Në njërën nga shtyllat u ndalën tre kalimtarë të moshuar dhe panë lajmërim-
vdekjen, gjë që i habiti.
-Paska vdekur inxhinier Struga!
-Mos more! Po unë dje e pashë tek pinte kafen te “Admirali”, shëndosh si
kokrra e mollës!
-Këto lodra i punon zemra, miku im. Eh ç’burrë që ishte, por e paska pasur
vdekjen të lehtë e pa lëngatë. Pa shikoje se
nuk i kam syzet, kur bëhet varrimi? Unë do të shkoj ta përcjell, po ju
do të vini?
Edhe në vende të tjera, kalimtarët mbanin këmbët dhe lexonin shpalljen
mortore. Të njohurit, të keqardhur, ua përcillnin të njohurve të tjerë. Lajmi u përhap gjithandej. Televizioni “Euro
njuz” e dha në lajmet e drekës. Kush e njihte (që s’ishin të pakët) dhe gjiria
u ndodhën të befasuar dhe të tronditur para kësaj vdekje të papritur.
Në ndërkohë, inxhinier Struga,
kishte mbetur i vetëm në shtëpi, ngase djali me nusen dhe fëmijët kishin
shkuar për pushime në Antalia të Turqisë. I bënte shoqëri qeni Luka, një
Labrador bardhosh. Ishte duke u kujdesur për postatet e luleve në oborrin e
vilës. Zilja e celularit e lajmëroi që dikush e kërkonte. Vuri syzet. Numri
ishte i panjohur, por e hapi.”Përshëndetje profësor.Jam një ish studentja juaj.
Dua tu bëj me dije se dikush po përgatitet që t’u bëjë keq. Se çfarë, nuk e di
dhe nuk mund ta them. Respekti që kam për ju, më detyron t’u vë në dijeni”. Nga
ana tjetër telefoni u mbyll, pa pritur që t’i bëheshin pyetje apo t’i
kërkoheshin sqarime. Paralajmërimi, megjithëse disi i mjegullt, e i paqartë, linte vend për hamendësime, por ai nuk dinte
të kishte borxhe apo t’i kishte hyrë në hakë kujt. Përkundrazi.
Kohë e çuditshme. Çdo gjë mund të pritesh. E gjeje nga s’e pandehje.Ngase duhet të ruhej apo të
bënte kujdes? E la punën. Do të priste. Me të parë e me të bërë. Kishin gjetur
kohën që s’ishte as i biri. U ndërrua dhe doli për të blerë në treg harxhet e
drekës. Luka deshi t’I shkonte pas, por ai e mbylli brenda. Kur po mbyllte
portën, në anën e djathtë të avllisë i zuri syri lajmërim-vdekjen e tij, të
vendosur pak më lart se një bojë njeriu.
E lexoi fjalë për fjalë dy-tri herë, i tronditur. Nuk i bënin sytë. Ishte e
shkruar e zeza mbi të bardhë, me emër e mbiemër. Edhe fotografia ishte e tij. E
kishin shpallur të vdekur! “Pa shih ç’na qënka! Dikush më do të vdekur për së
gjalli. Ç’ mendje djallëzore mund të pillte të tllla kobe?” I erdhën ndërmend
shumë emra, por dyshimet nuk janë asnjëherë prova. U mat ta shqiste e ta
griste, por ndërroi mendje. I gjalli-fantazmë, që ishte shpallur i vdekur, do
t’i shkonte poshtërsisë së kësaj loje
vdektare deri në fund.
* * *
Andon Mëhilli, veshi kostumin e zi të përmortshëm, vuri kravatën e zezë dhe
u pa në pasqyrë. Pamja e bindi që ishte më i zi dhe më i përzishëm se korbi.
Ishte dukja që duhej për t’u paraqitur në një familje që vuante hidhërimin e
humbjes së të dashurit të saj. I dha fytyrës atë shprehje dëshpërimi e
pikëllimi, që do të rrëfente keqardhjen e tij për të ndjerin dhe familjarët e tij.
Ishte koha për të shkuar në shtëpinë e të ndjerit. Së bashku me Dafinën,
shoferin dhe hoxhën, Ymer efendiun, ngarkuan në furgon arkmortin dhe kurorat e
luleve artificiale dhe u nisën për në banesën e të ndjerit. Ishte goxha larg,
nga “Kinostudjo” në “Komunën e Parisit”, i binte të përshkonte Tiranën
mespërmes. Trafiku ishte i rënduar, por më në fund ata arritën dhe furgonin e
parkuan anash avllisë së vilës 6-të. Porta ishte e hapur. Rrugica e shtruar me
pllaka të shpinte në shkallët e mermerta që të ngjisnin në verandën e bollshme,
hijeshuar me vazo mullagash të lulzuara. Andonit dhe Ymer efendiut, i bëri
përshtypje ajo shurdheri dhe heshtje që mbizotronte në vilë. I priti një i
moshuar i mbajtur mirë, që çuditërisht ngjante me portretin e të ndjerit inxhinier.
- Mos jemi gabim? Po na çudit qetësia dhe mungesa e njerëzve.S’duket si një
shtëpi xhenazeje. Vijmë nga agjensia funerale “Parajsa”, për ceremoninë e
varrimit të të ndjerit inxhinier Struga.
- Nuk jeni gabim. U prisnim. Ne nuk jemi fis i shtuar. I biri po merret me
gatitjen e xhenazes. Nusja e shtëpisë dhe fëmijët kanë shkuar për pushime
jashtë shtetit. E bija është e martuar në Elbasan, zere se ka ardhur. Por edhe
shoqëria dhe dashamirët, ka të ngjarë që hala se kanë marrë vesh.
- Më falni, në mund tu pyes, Ju kush jeni?
- I vëllai, binjak. Iku para meje dhe na ka hidhëruar shumë.
- Duket, jeni fort të ngjashëm. Ngushëllimet tona. Vet shëndosh.T’i rrojnë
fëmijët dhe gjith të dashurit.U prehtë në paqe. Kemi sjellë arkmortin. Hoxha
ynë, Ymer efendiu do ta pergatisë e lajë
merhumin sipas riteve të fesë, do ta veshë e qefinosë për në banesën e
përjetshme. Po ku e keni trupin e pajetë të të ndjerit?
- Është në morgun e spitalit. Ende s’i kanë bërë autopsinë. Ju do shkoni ta
merrni e ta vendosni në arkëmort, pas orës 7-të të mbrëmjes. Kështu na kanë
thënë. Deri nesër që behet varrimi, keni mjaftueshëm kohë.
- Na duhet edhe leja e varrimit dhe …Një parapagim.
- Po merret nipi me atë punë, zere se e ka nxjerrë.Për parapagimin besoj u
pret puna deri në mbrëmje.
- Epo, s’na mbetet gjë tjetër, ne po dalim. Kush do të na presë te morgu?
- I biri dhe ca miq të tij. Prisni tu mbush nga një gotë raki.
- Faleminderit, hoxha nuk pi, mua më ngre tensionin. U ardhçim për të mira.
Andoni dhe Ymer efendiu hipën në furgon. Xhenaze të tillë s’u kishte
ndodhur të hasnin kund. As njerëz, as hyrje dalje, as të qara grarisht. Kaq
njeri i panjeri të ishte i ndjeri? U
mërzitën që puna do të zgjatej e vonohej. Shoferi e nisi furgonin për tu kthyer
në “Parajsën” e tyre.
* * *
Ngrehina dykatshe e bar-kafe “Admiralit” ishte përballë vilës 6-të. I
ndante rruga e gjerë që ngjitej për te “Kodra e Diellit”. Kristo Lozhani, e
parkoi makinën larg dhe bëri një copë rrugë më këmbë. Në këtë lagje se njihte
njeri, por ai vuri syze të errëta dhe një kasketë që i mbulonte ballin. I
kishte dalë të keqes përpara. Telefonatën e kishte bërë nga një telefon publik
i zyrës postare. Asnjë rrezik që të zbulohej. U ngjit në katin e dytë. Veranda
e bollshme shihte nga jugu dhe që aty dukej
vila si në pëllëmbë të dorës.
Zuri vend në një qoshe që s’binte në sy dhe porositi kafe dhe ujë
mineral. Vuri dylbitë, rregulloi okularët dhe para syve si ta kishte një hap
larg u shfaq porta dhe muri i avllisë ku ishte vendosur shpallja e vdekjes.
Kristua u çudit: si nuk e kishin hequr shpalljen, apo s’kishin arritur ende t’a
shihnin? Se kishte mbaruar ende kafen kur ne portën e hapur kanat, u shfaqën
vizitorët e parë. Dukeshin të mërzitur dhe të trishtuar. Më së shumti ishin
pensionistë dhe pak të rinj. Kaloi ca kohë dhe vizitorët e parë dolën nga vila.
Plasi gallata. Ishin të habitur, por edhe të gëzuar e të qeshur, flisnin për
vakinë me këmbë e duar. Ata diç u thanë të tjerëve që ishin duke ardhur, por
ata nuk u kthyen dhe hynë në vilë. Vargani i njerëzve s’kish të sosur. Vinin
duke qarë e dilnin duke qeshur. Kristua,ç’farë nuk do të jepte të gjendej aty
brënda, ndaj në pamundësi i duhej të përfytyronte dhe hamendësonte se ç’farë i
thoshin vizitorët dhe si i priste “ngushëllimet” inxhinieri plak. Me siguri,
pas habisë së parë, vizitorët i thoshin “Tu shtoftë ymri, të shkuara” ,”U bëfsh
njëqind vjeç, për inat të atyre që s’të duan”, ”Po ç’patën me ty xhanëm, që ke
bërë veç të mira?” dhe “E gjetë në kokë të tij maskarai që e ka bërë të
pabërën” dhe pastaj: ”Ç’mendje djallëzore, ç’shpirt zi shtrigani, mund të
sajonte të tillë poshtërsi? Pa mendohu mirë, kujt i ke hyrë në hakë, aq sa
shpall vdekjen tënde përsëgjalli!” Pa e ditur, pa e njohur, ata e shanin atë që
ishte bërë shkak i gjithë kësaj katrahure kobtare, e nëmnin, e munxosnin,
uronin që vdekja t’i kthyehej në kokë të tij!
Gjithë këto Kristua i kishte ditur dhe paramenduar që më parë, por ato nuk
bëheshin pengesë që ai ta shijonte me
qetësi pjatën e ftohtë të hakmarrjes. Nga fjalët dhe mallkimet s’vinte gjë e
keqe. Për të, inxhinier Struga, paçka se i gjallë, mirë e shëndosh, kishte
marrë mandatën e tij. Si nuk I kishte rënë pika! Për të, zere se kishte vdekur.
Para portës, frenoi një BMW. Prej saj zbriti një grua e re, dy fëmijë dhe
një burrë që e mbante gruan nga krahu. Të gjithë të veshur me të zeza. Gruaja
vuri kujen sa gjëmoi rruga: ” Qyqja, qyqja, ç’më gjeti! Mjera unë për ty baba,
oh, oh, si ike pa më parë, pa më thënë një fjalë. Mjera unë, mjera unë për ty!
Baba ,o babai im i mirë! Oi, oi, të kisha vdekur unë për ty!......” Ishte e
bija, që vinte nga Elbasani, me të shoqin dhe fëmijët.
Sido keqdashës e zemërgur, pamja e së bijës dhe gjëma e saj për të atin, e
tronditën Kriston. Hakmarrja dukej se ishte tepruar.
Ata që dilnin nga vila, takonin ata që vinin, u thoshin që lajmi kishte
qëne i rrem, dhe ata ktheheshin nga kishin ardhur. Dikur njerëzit u pakësuan
dhe vizitorët u rralluan. Dikush doli dhe hoqi shpalljen nga muri dhe ca më tej
nga shtyllat dhe vendafishimet.
Kristua u ngrit. Ishte koha për të ikur.
Për të shfaqia kishte mbaruar.
* * *
Në morgun e spitalit,Andon Mëhilli u godit nga një befasi hutuese. Aty se
priste askush nga familjarët e të vdekurit. Si të mos mjaftonte kjo, i thanë se
në morgun e spitalit, as ishte sjellë, as nuk gjendej trupi i njeriut që
kërkonte.
I tronditur, ngau me tërë shpejtësinë për në vilën 6-të. Veranda ishte e
ndriçuar e bërë ditë. Aty, ca fëmijë, të ulur në kashtore, dëgjonin muzikë me
zë të lartë. Njeri syresh i hoqi udhën për në dhomën e gjyshit. Andonin e priti
ai që ishte paraqitur si binjaku i të ndjerit inxhinier. Andoni s’po e mblidhte
veten nga çudia. Ia qepi sytë e zemëruar dhe foli me mllef:
-Zotëri, me kë talleni ju! Ç’është kjo shaka pa kripë? Në morg s’ishte
asnjë kufomë me emrin e inxhinier
Strugës . Ku e keni të vdekurin?
-S’qe e thënë të vdiste. U ngjall si Llazari. Kishte bërë vdekje klinike. E
keni para jush!
“Si u ngjall? Ah i mallkuari, edhe këtë poshtërsi ma
bëri, më hoqi nga dora një million lekë!” Ishte një
klithje e brendshme.
- Lajmërimi ishte i rrem. Juve u kanë përdorur duke u mashtruar.
- Po shpenzimet e mia?
- Kërkoni që organet kompetente të hetojnë dhe ta gjejnë mashtruesin. Bëhet
mire edhe për mua. Le të përgjigjet ai.
Jini më të kujdesshëm herë tjetër. Nuk po më uroni që u ringjalla dhe të jem
jetëgjatë?
Andoni, duke turfulluar e shfryrë me mllef e duke mallkuar tërë shenjtorët,
i dha gaz me të tepërt furgonit që të largohej sa më parë. Sot Parajsa i ishte
kthyer në ferr.
Nga veranda e vilës ushtonte dhe përhapej valë-valë muzika gazmore.
Tiranë, më
10.07.2019
*Çdo ngjashmëri
emrash apo mbiemrash mund të jetë vetëm rastësi.