E shtune, 12.10.2024, 12:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Shi me diell

E merkure, 10.07.2019, 07:02 PM


SHI ME DIELL

QAZIM D. SHEHU

Në shiun me diell

Rreze e rrezikuar,

Shkëlqeu pasioni im.

U tha ajri, lulja uli kokën,

Pekulet çelën.

Tani me diellin në gurmaze shiu,

Lule të reja po mbjellim.

Në shiun me diell , thonë

Bën dashuri një racë tjetër.

Të isha një nga ata dhe të pija

Këtë shi të etur…

NDËRMJET

Qielli, përralltar mitik

U derdh në dorën time të mbledhur.

Ndërmjet nesh një filiz u ngrit nevrik

Nerv i dehur.

Dhe jemi kaq pranë.

Filizi ul kokën,

Nervi i guximit turbullohet.

Me ndihmën që jep ky qiell

Ndoshta teprohet

NË PRITJE

Kova me bojë harxhova.

Të trembja errësirën.

Fjalët shtrydha

Në vaj pritjesh.

Ti s`di ku ishe.

Ndoshta në jetën tënde me diell,

Sa edhe diellin mërzisje.

ZEMRA E MREKULLIVE

Zemra e mrekullive

Mbart ëndrra shekujsh.

Syri i kohërave

Në pritën e tyre është vënë.

Asnjë mrekulli s`vjen.

Ndodhin si gjithnjë gjëra të përditshme.

Grindje, sherre, pendime.

Dhe studiohet histori arti.

Shkohet në opera dhe po të mundesh

I viziton vendet e vjetra.

Zemra e mrekullive çel lule enigmash,

Jetën tonë mban gjallë.

Pas rëndomësive përpirëse…

E KEQJA

E keqja shëtit brenda rrobes së zhdukur

Hidhësi në cipën e qepës.

Me të ngrihet hijeshi e fjalës

Në tharm të veprës.

Dhe na prokon pozitivitet.

Të keqen duke nënçmuar.

E keqja mrrol fytyrën e shëmtuar…

TËRHEQJE

Zbrazëti e ditës hedh mëngjesin

Si diamant në detin e halleve që vijnë.

Kur vjen mbrëmja e kërkojmë,

Në syrin e një ylli mungesa e tij shkreptin…

EDHE AKULLI SHKRIN NË CIKNË…

Portë hekuri mbetet varfëria

Portë çeliku mjerimi,

Edhe pse drejt tyre  me mijëra

Vërshojnë fjalë ngushëllimi,

Dhe s`i hapin këto porta,

Salduar nga indiferencë e shoqërisë,

Sa herë fati shkopinj në rrota

I vë vafrfërisë,

Dhe sa herë zemërçeliktët pasanikë

Mjegullohen prej qartësisë,

Kur nga pasuria s`u pikon një pikë…

Edhe akulli shkrin në ciknë,

Zemra e tyre s`di të shkrijë asnjë ditë…

KUR VI J TEK PRAGU I DERËS

Rroben e hapësirës heq dhe e var,

Në një kremastar të erës.

Për t`u veshur me rroben e shtëpisë,

Po ky ajër i ngrohtë nuk i ngjet pranverës

As gurgullimat e gruas u ngjasin,

Mjaullimave të erës,

Hapësira është jashtë,

Brenda shtëpisë e ndjej veten

Si zogu në guackë,

Ngrohtë,i qetuar,komod,

Veçse diçka mbetet jashtë

Që nesër nuk e di a e gjej dot…

RRUGA E POETËVE

Me dendësi vargu vjen Neruda

Dhe ma ngushton rrugën,

Rruga merr disa rrudha

Kur kujtoj Nerudën…

Ndal diku  dhe një pemë

Një litar rrezje mban në qafë,

Dhe më  vijnë në mendje ata që qenë

Poetët inkoshientë gjithë gafë,

Verleni…,kalo, dhe qëndro

Tek kometa Artur Rembo,

“Ç`jemi ne,thosh ai,

Kometë në një vazo”

Ku e gete këtë varg, gjeni

Se me të më plase.

Rend shpirti im në muzg,

Eshkë e ndezur nga një xixë,

Po tymin s`ia sheh kush,

As zjarrin që s`përton të ndrisë…

Nuk kam nevojë për asnjëri

Përderisa shoqëri më bëjnë

Nerudë,Rembo,dhe çdo varg i ri,

Që fytyrën e tyre imagjino…

Ndaj do ta quaj rrugë të poetëve,

Edhe pse kush poezinë s`e do,

Mjafton që një njeri të ecë në të netëve

Dhe me poezinë e tyre tento,

Qoftë t`ua kujtojë në një bisedë të kafeneve,

Në këtë rrugë që kafenetë i ngop dhe i mjero…

QESHI NJË VAJZË…

Më qeshi një vajzë dhe kërkova buzëqeshjen

Atë që del nga shpirti me çiltërsi,

Po nuk e gjeta, diku ngërdheshjen

Ia kishin vënë në pritë për kufi…

Dhe u trishtova,të them të drejtën

E qeshura sot nuk kuptohet

Sa mund të quhet përv(q)eshja që tërbohet…

PISHAT

Pranvera pemët me uniforma i veshi,

Dhe i nxori në paradën e bukurisë,

Uniform lulet,uniform gjethi,

Një uniformë që i vishte gjethërisë.

E mërzitshme pranvera,s`lë gjë pa veshur

Edhe një gur e veshi me bar,

E dyndur me veshjen e saj të etur,

Uniformohet edhe qielli sqimatar;

Dhe kujtoj dimrin,që zhvesh çdo gjë,

përveç ca pemëve që rroben e gjelbër nuk heqin,

po ato në pranverë s`i vë re,

sikur ata pranverës ia dredhin…

PUTHJA PUBLIKE

Të rinjtë sot puthen në publik,

Dikur nderi trafdicional nuk i qaste;

Po kush nuk i vë re,dhe puthja për një vëmendje

Do plaste…

Duke kujtuar dirsjen e buisur të mbrëmjes

Kur puthja thurte një inxhi,

Që shkëlqente prej ëndjes

Në fshehtësi…

Si çdo gjë që bëhet në publik

Edhe puthja mori një të drejtë,

Edhe pse fshetësia forcën ia rrit

Ajo s`ka kohë të vonohet në këtë të fshehtë,

Para e presin marrëveshjet,dashuritë në epruvetë,

Kalimet e kufijve, harbimet,

Dhe ndarjet,e këtu bie në pikiatë tatëpjetë,

Pa gjetur një pistë,

Pa gjetur një të fshehtë…

KUJTIMET

Nga zemra në zemër,

Për një emër  përvëlojnë

Kërkojnë shkakun e humbur.

Kujtimet.

Si këmbët  e çastit

Shkarë një lëndine

Njëherësh me zjarrin…

KAPROLLI

Pyjet e rralluara na thonë

Se ai qenka personazh përralle,

Tani

Për kullota digjen livadhe…

Butësia

E syve të tij, dhe brirët dredha dredha,

Pse s`duken gjëkundi?

Pyjet u rralluan në bredha nga predha

E luftës, pa luftë të fundit…

ERA

Si një grua,

Pasi zbuloi tradhtinë e të shoqit,

Ofshan era.

Në ç`humnera u zgjua

E ç`mëkate  përndoqi?…

Fushëtirës së ndërkryer

Në një hapësirë që s` matet.

Psherëtin…

Vjen duke u dorëzuar

Si një grua që kupton marrëzinë,

E harresës së dëshirës për të tradhtuar…..

HESHTA VËSHTRIMESH

Heshta vështrimesh farkëtohen,

Në zjarrin e dashurisë së nisur,

Pastaj në ujë arsyesh  mjerohen;

Dhe kështu thyhen…

DRITARET E SHTËPIVE TË FSHATIT

Dritaret e shtëpive të fshatit përhera,

Vijnë kaq të ngrohta.

Zjarre të vegjël që i tund era,

Lule në caqe të forta…

Jo të gjitha do çelen për mua,

Veç në errësirë  mallin përhapin,

Më mjafton për kaq t`i dua

Edhe nëse jashtë kaloj natën…

FLETË KARBONI

Shkrimi fotokopjohet me celular,

Një fletë karboni më nuk rri,

Nën fletën e bardhë.

Në ajër ajo është shkrirë,

Merr fytyrën e demonit

Pret që karboni t`i shpëtojë teknikës

A teknika karbonit?!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora