Kulturë
Blerim Rrecaj: Shtrydhen e rreziten retë
E hene, 15.07.2019, 09:36 PM
Shtrydhen e rreziten retë
Nga
Blerim Rrecaj
Vazhdon
vera. Duke lënë gjurmët e saj, pak a shumë të njohura. Nëpër copëza qielli e
copëza ditësh po enden të harlisura, rrufeshëm e me shpejtësi përdredhëse tufa
dallëndyshesh që duket që pasqyrojnë lëvizjet tona së bashku e krahpërkrah mes
bashkatmëmëdhetarësh vendorë e mërgimtarë. E Filip Shiroka dallëndyshes i
thotë: shko e eja. Ndonjë vrull ere i shtyejnë për t'ia marrë valles puplave
rrumbullake fije fije të shkëputura nga kërcenjë toke gjemborë e therra-therra
e me kokë rozë që kur po piqen, po thahen e përthahen po marrin ngjyrën e një
hirte përzier me një të kafte të lehtë, ashtu diçka si të makiatos, dhe nga
koka e pjekur po lirohen si fragmente ideshë e mendimesh, si të liruara
prangash, në këtë copë pasditeje me erë, por edhe natën pupël-lehtat fijeholla
duke u dukur për bukuri në fluturimet e tyre që kushedi ku mund të përfundojnë,
në ndonjë dru a lis, në gotën e mbushur me lëng a ujë, në qoshkun e ndonjë
ballkoni a përtokë të ngjitura për për fije bari. Ca prej tyre, tri a katër
sosh janë ndalur në petalet e kësaj luleje, bile njëra në grep polenin e saj sa
për të kujtuar bletët që në Çamëri siç e pamë në një libër po i quanin mjalca.
Ndërsa do të donim që puplat fije fije të ndesheshin me fluska shamponi që
shpërndajnë me frymën e tyre ca vocërrakë këtejpari. E nga ky mozaik lëvizjesh,
ca nga to, po enden papërcaktueshëm duke parë nga hëna mbuluar me një shall
reshë, ylli i madh e shëndritës, si bir planetesh shëndritëse që rrezaton duke
vështruar kushedi mbase deri në përtej agim. Sidoqoftë edhe për këtë lule
petalfluturuese hasim disa emërtime si gjembaçja, gjemb gomari, e diku si
lule-therra ilire nëse s'ka ndonjë ngatërim në shpjegim a në fotografinë
ilustruese me legjendë. Verë e vapë. Turbullimë, kthjelltësi, vranësi e freski.
Një ditë korriku me shi ku nga ndonjë verandë me çadër mbi kokë, me një çaj
kamomili përpara e me avuj të nxehtë që ngriten përpjetë, vështrojmë me nge
edhe filxhanat e zbrazët dhe dy gota të mbushura në njërën nga tavolinat
përreth e që ende s'i kanë hequr kamarierët edhe pas largimit të myshterinjëve,
ndërkohë shohim edhe dikë matanë rruge që iu prishet çadra dhe mundohet t'i
bëjë vetes zgjidhje, për t'u mbrojtur nga ujësjellësi qiellor. Ndërkohë dy vetë
bisedojnë me njërin nga drejtuesit e këtij lokali që mban emrin e njërës prej
aparateve mediale për mundësinë e fillimit të punës. Sa për të na e kujtuar
vargun: Ti shqiptarhane më jep nder, më jep emrin kamarier. Respekt për çdo
kënd e çdo profesion, por shqetësim i pandërprerë endet kokave për hapësira e
mundësi të vogla punësimi, e për mirëqenien e përgjithshme n'atdhe. Në kafenetë
ngjitur me njëra tjetrën është krijuar një vijë shiu, një vijë lagështie
kufitare mes mbulojave e ndërsa këtej kufiri përreth këtij druri një hapësirë
katrore e lënë për të ngritur kokën mbi mbulojë, si për ta lagur dhe trungun e
tij ndërkohë që gjethet stërpikojnë nga ky shi i rrëmbyeshëm. Shiu shkon e
kthehet, mërgon sërish e dikur edhe kjo ditë si një valixhe e mbushur me
lloj-lloj gjërash të grumbulluara e të parenditura. Vijojnë këto ditë ca me
diell e ca me të reshura, në një harmoni të admirueshme. Vazhdon dhe loja jonë
disi e papërcaktueshme me vetën e me jetën. Pas shiut nëpër rrugët e lagura një
shëti të ofron freski këndellëse. Një balonëz kandilndezur lundron qiellit mes
reve të bardha e pakëz të nxira nëpër këtë muzg të shpërlarë, rishtrydhja e
reve mund të filloj sërish për të na dhuruar lëngje ëmblake shirash, e më pas
retë do mund t'i ekspozohen diellit për t'u terur, ngrohur a rrezitur me nge e
për qejf...