Kulturë
Shefqet Dibrani: Realidealizmi si ligjërim poetik
E diele, 21.07.2019, 12:57 PM
REALIDEALIZMI SI LIGJERIM POETIK...
Sabit
Rrustemi: “GRAFITE NËNLËKURORE”, poezi, Botoi Shtëpia Botuese, “BEQIR MUSLIU”,
Prishtinë 2015, faqe 1164. ISBN 978-9951-594-60-8
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
Libri me poezi “GRAFITE
NËNLËKURORE”, i Sabit Rrustemi, hapet me poemën “Lexime në
mur”, që nga titulli duket sikur të jetë sinonim me “Grafite në mur”.
Kjo poemë e strukturuar në 35 poezi me format të çrregullt, padyshim se bart
fatin artistik të vet autorit i cili është njëri nga personalitetet më të
kompletuara letrare dhe poetike nga brezi i tij, të cilit shpesh here rriten
letrare e artistike do t’ia devijojnë zhvillimet politike nëpër të cilat kaloi
vendi dhe shoqëria jonë, prandaj ai shprehet se “Heshtja nuk është ushqimi
im i preferuar/ nuk e kam gëlltitur/ as kur dhunshëm ma kanë servuar”, se
mbase “Më ka ngelur dhëmbëve/ pa u grimcuar”.
Poezitë lirike e
identifikojnë Sabit Rrustemin, si përfaqësues më i mirë i këtij
brezi. Natyrisht edhe jeta ishte përplotë peripeci dhe përplot pengesa që i
vinin nga faktori njeri, por më në fund erdhi edhe çasti i lirisë së ëndrruar
dhe bashkë me të edhe suksese dhe libra poetik mirë të realizuar, nga të cilët
“prej ngazëllimit të çastit mos fluturo/ se bie si prej qiellit”, është
shprehur për të tjerë, dhe sigurisht edhe për vete, në mënyrë metaforike vet
poeti, i cili tërë jetën ka ecur kujdesshëm, po e potencojmë këtë fakt, veçmas
në fushën kulturore dhe të krijimtarisë letrare.
Kur jetën e këtij
shkrimtari e kanë përcjellur përgjime, përbuzje dhe anatemime të shumta, bashkë
me format psikologjike të dhunës moderne kundër tij, artit dhe letërsisë,
krijimi letrar më nuk është sfidë por është sakrificë deri në flijim. Sigurisht
janë vështirësi të asaj kohe në të cilën: “Të djathtën e tradhton thembra/ e
majta prishë ritmin e hapave/ trupi humb drejtpeshimin”, që duket si një
sinkronizim automatik i realitetit, në të cilin ritmi i këmbëve nuk po e mban
drejtpeshimin e trupit.
Nëse shikojmë me
kujdes krijimtarinë e Sabit Rrustemit, shohim se poeti shpeshherë
e ka flijuar mirëqenien për të botuar libra letrar, andaj kjo gjendje ia
vështirësonte edhe më tej jetën shpirtërore, e në anën tjetër as në jetën
publike nuk bënte rivalitet me askënd, ai ishte i drejt dhe mbante qëndrim
vertikal. Këto elemente poeti, përveç në këtë poemë i ka trajtuar me saktësi
brenda librit “GRAFITE NËNLËKURORE”, ku paska pohuar se: “Larg po (t)
shoh më mirë/ pa syze/ e pa pasqyrë”, në anën tjetër “asnjë vuajtje a
dhimbje a pritje/ nuk ma blen kush”, pasi “brenda meje kanë zënë vend do
gjëra/ që as shiten as blihen.”
Sigurisht këto lirika
nën ramin “GRAFITE NËNLËKURORE”, përkatësisht këto “TATTOO” ose në shqip “Tatuazhe”,
janë gjurmët e jetës së njeriut që shkruante dhe përjetonte poezinë. Nga ky
prizëm, me të drejt themi se është vet poezia e cila ka lënë gjurmë “ndër”
ose (mbi)lëkurore, poezi këto të cilat sado që i ka zhveshur nga
personalja “grafitet nënlëkurore”, përkatësisht “Tatuazhet
nënlëkurore”, kanë lënë gjurmët e tyre të dallueshme, që gjithsesi ato
paraqesin ndjenjën e brendshme: “Nuk ra molla prej dege/ as e shkundi kush//
vetëm brenda nesh diçka u përpush”. Në njëfarë mënyre janë klithma dhe
protestime poetike, kundër vrazhdësive të shumta që ndodhin në të e përreth
tij, prandaj shprehet ai se “rrenës/ pak prej frike pak prej ëndje/ më shumë
se vetes i kam besuar”, ashtu siç “nuk kish qenë qysh na kanë kallëzuar/
me sy në ballë na kishin mashtruar”.
Duke e shikura jetën
e autorit nga një distancë kohere (1981-2015), më duket se ecajaket e Sabit
Rrustemit drejt suksesit kanë kaluar nëpër sfida të mëdha, të cilat nuk
mund t’i tejkalo secili. Edhe nëse i thjeshtësojmë gjërat, përseri shihet kjo
luftë e ashpër për mbijetesë (sidomos artistike), e cila lë gjurmët e
veta, ose siç thotë poeti lë “grafite nënlëkurore”, ndërsa të tjerët
aktrojnë-hipokrizojnë tamam si në vargjet: “ti që kurrë nuk shkele një skenë
teatri/ jetën reale e luajte në skenë te hapur”.
E gjitha krijimtaria
letrare e poetike e Sabit Rrustemit është e lidhur ngushtë me
fatin e atdheut, prandaj vullneti për zhvillim pozitiv i përshkon të gjitha
angazhimet e autorit, pavarësisht ironizimin që ua bënë mjaft veprimeve, të
cilat shprehen bukur, mirë dhe saktë edhe në poezitë e shkurtra, të cilat kanë
një mesazh përmbajtjesor: “Mesnata ndërron ditët/ zgjedhësi pushtetarët/ një
muaj vrap e fjalë/ fitues nuk janë të parët”, poezia “FILLON...”, faqe 43.
Padyshim se gjurmë,
përkatësisht grafite në këto poezi kanë ndikuar ngjarjet e mëdha ditore,
zhvillimet e shumta politike të cilat kudo në krijimtarinë e Sabit
Rrustemit, janë të pashmangshme, ravijëzime këto që nuk mbeten jashtë
librit dhe jashtë kësaj qasjeje, të cilat nuk janë pa ndikim, mesazhe që
përcaktojnë idetë dhe angazhimin e gjithmbarshëm të vet autorit. “Sa shumë
kërkoni numra/ sa pak afroni vlera/ në mjegull mbetet turma/ një dysh i varur
te dera”, faqe 44, nga poezia “PARTIVE TONA”, ndërsa në poezinë “GARA E
GJELAVE”, poeti shprehet: “Nuk rreshtohen kurrqysh gjelat/ me dy këmbë
shkelin vijëbardhën/ pipëza s’dëgjohet prej kakarisjeve/ pa flatra rrihen për
ta fituar garën”, faqe 45.
Metaforat e poezisë
janë elemente nënshtresore, nënvetdijësore, nënlëkurore të cilave autori iu ka
kushtuar kujdes të shtuar, sikurse simbolikën të cilën e ka element veçuese e
dalluese dhe mjaft përpunuese, madje deri në hollësi të së mundshmes. Me një
fjalë Sabit Rrustemi është poet i detajit të saktë, i
metamorfozës së ndjeshme, e cila i përcjell zhvillimet esenciale të asaj që
quhet lajm i ditës dhe bëma politike, mbase një kronikë e saktë artistike e
cila jo gjithmonë ka shkuar e është takuar aty ku ka dashtë poeti. “Ua çel
derën për t’ua mbushur gushën/ ata çapareshen marrin fushën/ në vrap për të
nxënë zogëza/ drojë se do mbesin pa kokrra”, është një metamorfozë e
zhvillimeve ditore të cilat përmes ironisë vetëm poeti mundet me i shastisë (çmendur)
kështu, në këtë kontekst poezinë “DROJA”, e mbyll me vargjet: “Aty brenda i
kishin e s’i kanë parë/ terri i pulave sysh u ka rënë”, faqe 46.
Në të gjitha poezitë
e Sabit Rrustemit, shohim një autor konstant dhe të qartë i cili
nëpërmes refleksionit poetik ka arritur t’i harmonizoj idetë me mesazhin për të
cilat ai është i përkushtuar, që “SIPAS MEJE?!”, sidomos në aspektin proverbial
është i saktë: “Koshin pa një kokërr misër”, pra koshin e zbrazët, “e
zbrazë edhe një mi”.
SIPAS MEJE
Koshin
pa një kokërr misër
e
zbrazë edhe një mi
Faqe 48.
Sabit
Rrustemi, vërtetë
mbetet një poet i kërkimit të thellë, i detajit të hollë dhe imagjinatës
brilante në lirikën poetike e cila ka një harmoni mirë të realizuar, ka qëndrim
konstant të cilin e materializon me sukses. Sepse të rrallë janë ata poet të
cilët arrijnë deri në këtë nivel ta harmonizojnë iden me veprimin dhe të gjitha
poezitë të strukturohen si “grafite”, si gjurmë të dukshme,
gjurmë nënlëkurore që janë tatuazhe të dukshme, pra qenkan grafite e gravura në
shpirtin dhe zemren e poetit, por si krijime poetike e artistike, padyshim kanë
ndërtuar jetëgjatësinë përtej botës reale, pasi këto lirika të shprehura si ide
personale janë vetja e tij brenda idesë dhe vargut poetik që me sukses kanë
materializuar angazhimin krijues për tu identifikuar si avangardë e brezit të
tij. Këtë mund ta arsyetojmë me vargjet e shumta të cilat janë metafora
artistike: “Kush pendohet nga ajo që e ka pasur/ zemrën të qetë më s’ka për
ta pasur/.../ dhe vetvetja një jetë ka për ta tallur”, “Duke shkelur
nëpër Kokrra/ kokërrisht bie/ në kokërr të shpinës”, “E vërteta në
fushën e rrenave/ po kërcet si zorra në prush”, “Tall(j)a s’gëlltitet pa
kripë”, kur “Gjuha pa eshtra/ na mbuloi me gënjeshtra” andaj ndodhë
“për dritë të diellit/ e për dritë të hënës/ u soll e u mbështoll/ mullarit
të lëmës”, kurse poeti porosit “Nëse s’mund t’ia zgjasësh dorën/ të
rrëzuarit/ kurseje së paku nga shkelmat”, sepse sipas tij “lisat humbin
gjethet/ gjethet stinët/ e humbësit rrugën brenda oborrit”. Këto metafora
kanë një ironi të përsosur të cilën dinë ta shkruaj e trillon vetëm mendja e
poetit Sabit Rrustemi, ku brenda këtij cikli ka dhuruar
margaritar emblematik të kësaj natyre dhe vargje tejet të realizuara, po më
shumë për mesazhin artistik që ka dhënë. Pavarësisht këtyre sugjerimeve duket
se poetin e shqetëson niveli i vetëdijes qytetare për t’i ngritur gjelat me
mendje të çala: “Krrokama e tyre/ krrokatet gjuhëve të përdala/ për
lartësitë e paarrira me mendje të çala”, janë këto arsye pse poeti sugjeron
që kryeparët nuk duhet pyetur sa libra i kanë lexuar? Këtë sintagmë e
materializon në poezinë:
...DUKE LËRUAR
Kryepari
nuk pyetet
sa
libra ka lexuar
Nëpër
vithe femrash
dhe
faqet i ka ngatërruar
Me
gjuhë duke lëruar
Faqe 97.
Të jesh vetja edhe në
poezi, edhe në art, edhe në jetë është një arrritje intelektuale. Sabit
Rrustemi këtë e realizon edhe për gjatë librit “GRAFITE NËNLËKURORE”, të
cilin e kemi në shqyrtim, ku qartë duket se është vetja e tij, është jeta e tij
e rrëfyer në mënyrë artistike, janë dashuritë e tij përplot vuajtje, por
vargjet kaq lirike shprehin harmoni, ku do të gjejmë ngadhënjim dhe fitore,
suksese drejt arritjeve të caktuara. Gjithsesi poezitë shprehin ndjenjën e
poetit i cili përmes tyre bënë një lidhje të kohërave, të ngjarjeve, të bëmave,
e lidh etnografinë me etnosin kulturor të cilin si askush tjetër ky e njeh. Me
një fjalë Sabit Rrustemi është Zot i (Meseleve) -
Letërsisë Popullore, i rrëfimeve dhe anekdotave të shumta dhe bëmave
intelektuale të nivelit akademik. Me një fjalë është poet i kompletuar në të
gjitha aspektet, prandaj duke rrëfyer të kaluarën aspiron për të ardhmën e
bukur dhe e bardhë – paqësore! Por ai e dinë se “Llomotitësi/ në llomin e
ngritur mbet”, prandaj këtë farë “nuk e lan as i ziu det”, gjë që
shpreh keqardhjen e tij artistike.
Pavarësisht ironisë
dhe mënyrës së shprehjes poetike, në fokus të trajtimit është çështja kombëtare
dhe zhvillimet politike të cilat bënë që vendi dhe shoqëria të kalojë nëpër
shumë vështirësi për të ardhur deri këtu. Me një fjalë poeti nëpër poezi ka
shpalosur vlera të cilat sublimojnë përpjekjet e tij për kauzën kombëtare:
Ç’T’I BËJ GJUHËS
Nuk
shërohet dhëmbi
pse
lëpihet nga gjuha
Krimbi
i fshehur
i
fryrë nga të palarat tona
grimcon
dhe gjuhën
Dhëmbi
s’po më dhimbset
ai
nxirret e ndërrohet
Ç’t’i
bëj gjuhës
Faqe 105.
Në një plan më
artistik do t’i kisha renditur ciklin e poezive “Mureve të palexuara -I dhe
II”, që karakterizohet me inspirime të pashtershme dhe me mundësi të
përhershme për tu cituar si thënie e porosi të vyeshme, të rralla dhe mbase
emblematike. Poezitë shpalosin motive e kujtime për aktualitetit politik,
ndonëse ato janë shkruar shumë vite më parë. Nga kjo mund të konstatojmë se një
poezi e mirë që shkruhet për një aktualitet ditor, duhet t’i shërbej
aktualiteteve të ngjashme edhe pas shumë vitesh e shekujsh. Poezitë në planin
artistik janë inspirime të përhershme, por Sabit Rrustemi kudo që
shkon, hallin e atdheut me vete e bartë. Këto vlera universale mund të shkruhen
nga poetët të cilët i ndjejnë dhembjet artistike të vendlindjes, në anën tjetër
vetëm ata ndjejnë zjarrin për të, e kur i përjetojnë rastet, padyshim dalin
poezi të përjetuara siç i kemi në librin “GRAFITE NËNLËKURORE”, ku do t’i
shijojmë vlera të rralla artistike. Një hov i perspektivës për një të ardhme më
të shëndetshme, më artistike! Këshilla e porosi me vlera të rralla: “Edhe
ata me të cilët kam bashkecur deri dje/ po përpiqen për të më gënjyer sot...”,
të cilëve as vet poeti nuk i beson më sepse “Po as kohë për të humbur/ pas
fytyrave të fshehura nën maska të reja s’kam”, faqe 119.
Siç shihet, Sabit
Rrustemi, është poet i spikatur, poezia e tij ka shtrirje motivesh prej
më të shumtave, ai ka ravijzuar fatin e vet, fatin e kombit dhe fatin e
njerëzimit. Kjo prushmë lirike e bënë poetin edhe në planin letrar e kulturor
të dinjitetshëm, një sublimim i jetës poetike, ndjenja këto të përshkruara me
një lirizëm të hollë që përmbajnë të gjitha elementet e poezisë moderne në të
cilën gërshetohen angazhimi i gjithanshëm i poetit, qoftë për çështjen
kombëtare, e qoftë në aspektet tjera kulturore, në të cilat “Falë këtij hiri
nuk jam djegur/ kur gaca duarve më kanë hedhur”, që paska shprehur një
revolt qytetare atëherë kur “Prishësi i rregullave të lojës/ me bishtin
ndezur të dhelprës/ një birë miu për topin dhe veten kërkon”, e në këto
rrethana shthurëse me përmasa shqetësuese edhe vet poeti shpreh dyshimin: “Po
minjtë ku do të mbesin?!”
Natyrisht
përcjellësit e krijimeve poetike duhet ta kenë parasysh se ardhja e Sabit
Rrustemi në letërsinë shqipe është bërë në kohë të rënda, në kohë
traumatike, atëherë kur zor ka qenë për ta thënë fjalën publike. Por ai e ka
thënë, bile me bujë e potere, ndonëse i ka kushtuar me burgim të gjatë e të
rëndë. Në ato rrethana shoqërore e politike, ku mëshira ndaj intelektualit
ngjason me të sotmen përbuzëse, poeti nuk kishte mundësi të botonte. Vetëm pas
shumë e shumë vitesh, pasi i kaloi pengesat e drejtpërdrejta e të tërthorta, që
i ushtronin njerëzit e sistemit mbi poetin dhe ushtronin edhe kontrollin e tyre
mbi mediat dhe shtypin e shkruar, Sabit Rrustemi do të rikthehet,
ndonëse shkëlqimin artistik vazhdimisht po ia mohon injoranca demokratike. Në
rrethanat e tanishme mund të shtrohet pyetja hipotetike nëse “sistemi
politik” i ka pushuar gërvishtjet, përkatësisht ato grafite të dukshme?! Me
siguri se jo, e një thënie popullore thotë: “Çfarë pjella një mace, gjuan
minj”, tash Bijtë e Etërve komunist, iu kanë hipur
skijave të demokracisë(?!), sipas refrenit “tradita vazhdon?!”, ndërsa
në anën tjetër edhe këto Tatuazhe, në trupin e poetit-atdheut
janë ngulitur thellë. Mbase ky është fati i tij, fati i krijuesit, fati i
intelektualit për të mos gjetur qetësinë e duhur, as mbështetjen e mjaftueshme
të shoqërisë, as qetësinë e qetësim, as paqen e paqësimin, as tash, as tashti
dhe as nesër sigurisht?!
IV
Kush
ulet pandershëm në krye të vendit
s’i
shkon mendja për t’u ngritur me faqe të bardhë
se
i mungojnë dy gishta fytyrë
dhe
një dorë e fortë
për
ta nxjerrë jashtë
Faqe 122.
Pavarësisht këtyre gërrithmash,
Sabit Rrustemi nuk vjen me vaje, nuk di të dënes as të kukas, por
kthehet i qiltër, me vizion të qartë dhe me sy drejtuar kah e ardhmja, kah
perspektiva e këtij vendi. “Ta jap besën/ në sofër e në prehër më ke
përditë/ aty ku nuri yt sall shndritë// As i vdekur nuk largohem prej teje
Kosovë”, faqe 133.
Por edhe nëse iu
rikthehet atyre temave, të cilat tashmë edhe për të i takojnë një të kaluare,
këtë e bënë për të mos u harruar dhembjet, për të mos u dalldisur sëtepërmi,
prandaj kur flet për zhvillimet e politikës nacionale dhe tjetër fare, ato
dhembje i kthenë në gjurmë të dukshme siç janë Grafitet “mbi” ose (nën)lëkurore
për të mos u harruar kurrë, mësa dhuna e pushtetit serb, pasi ato janë ngjarje
që i ka përjetuar si tatuazhe në lëkuren e vet.
VIII.
Ruana
Zot nga një mars i zi
se
në paçim mbetur të ruhemi vetë
na
ka rruar sërish ai dreq
si
mos më keq...
Faqe 126.
ose...
IX.
Pranverat
e parakoheshme
që
të djegin me brymë
e
të lënë pa lule e bimë
kurrë
mos i gëzofsh
Kosovë...
Faqe 127.
Poezitë lirike që
merren me zhvillimet e gjithmbarshme, politike, kulturore e shoqërore, janë
poezi më të përjetuara dhe më të realizuara, se sa ato të tjerat kur shkruan
për gjëra të përgjithshme që kanë nuanca të meseleve. Këto dy rrafshe, i pari
real dhe i dyti sa ironik po aq ideal, krijojnë binomin e mendimit intelektual,
ku nuk ka realizëm pa idealizëm dhe as e kundërta, pasi “Me blla blla blla u
bë përshesh/ të vjellat tona ngelën në shesh// Kush e paguan faturën (s)u mor
vesh”. Tamam si në një proces kimik në të cilin nuk mund të ketë oksidim pa
reduktim dhe anasjellltas. Ky amalgam e bënë poetin, autor i ndjenjave dhe
përjetimeve reale dhe i ëndrrës si idealizëm, se mbase një ditë do të bëhet më
mirë dhe do të jetojmë të bashkuar.
Fjala poetike, zëri i
poetëve është respektuar kudo dhe kurdo, prandaj kjo ndjenjë e tij le të
kategorizohet për lutje hyjnore që gjërat e mira dhe poezitive që shtrihen
brenda poezive të bëhen realitet sa më parë. Këto mesazhe kaq të fuqishme e
lidhin poezinë e tij me atdheun, kurse poetin e kategorizojnë si person të
paqes, sado që ironizon, ai është optimist për një të ardhme më të bukur, më të
shëndetshme, me një stil të të shkruarit që të pushton pashmnagshëm duke të
bërë për t’i kujtuar këto lirika më gjat se sa kur lexojmë poezi të rëndomta..
NGA AJO QË DUA
Nuk
shmangem
nga
ajo që e dua
Etja
ime shuhet
vetëm
në tëndin krua
Ti
rrjedh
a
një fjalë se thua
Përjetshëm
buron për mua
Faqe 148
Poezitë
e këtij vëllimi, kanë një dinamikë shpërthyese, kanë një bulëzim dhe frymojnë
mirë, ndjeshëm dhe janë të përjetuara, kurse në aspektin meditativ lënë mbresa
për një poet mjeshtër i cili ka qartësinë e mendimit. Poezitë lirike
padyshim janë perla artistike të cila shprehin përjetime të stërholluara me
mesazhe të qarta që simbolizojnë poetin në raport me jetën dhe ambientin që e
rrethon, kurse nga aty shpërndanë motive ideoemocionale me përshtypje
përrallore, pasi sipas lirikave, Kosovës-Atdheut nuk duhet me i munguar kujdesi
i njeriut dhe as penda e poetit. Të shpresojmë se këtë të fundit Sabit
Rrustemi e ka realizuar synimin intelektual, qoftë si qytetar, po më
shumë si letrar e poet i realizuar.
Ne e
dimë se poezia është edhe revoltë, është një mënyrë shpërthyese, prandaj
poezitë e tilla janë plot hare dhe ironi tallëse, në anën tjetër janë lirika që
i japin sharm, vargut ndijim mjaft përjetues. Pikërisht janë këto ndijime e përjetime,
të cilat na shtyjnë me besuar se poeti Sabit Rrustemi, në planin
lirik, është poet i rrënjës së fisme dhe i
përjetimeve reale që dinë të artikuloj mendimin në mënyrë artistike.
Me librin “GRAFITE
NËNLËKURORE”, të Sabit Rrustemit, shoqëria
jonë kulturore është pasuruar me bulëzime të vyeshme, të shëndetshme, motivuese
dhe për shumë kënd edhe inspiruese, andaj përpjekja e Sabit
Rrustemit si POET, kurdoherë ka ngadhënjyer
mbi injorancën dhe mbi pushtetin!...
St.
Gallen, korrik 2019.