E marte, 10.12.2024, 10:52 AM (GMT)

Kulturë

Fran Kamshi: Koha e riformatimit të spektrit politik shqiptar?!...

E marte, 19.02.2019, 06:52 AM


Koha e riformatimit të spektrit politik shqiptar?!...

Nga Fran KAMSHI

Opozita shqiptare mori vendimin unanim për të djegur mandatet, duke e çuar në zenith ngërçin politik dhe duke e radikalizuar lëvizjen e saj anti Rama, në pritje të krijimit të një qeverie transitive, që të përgatis kushte për zgjedhjet e ardhshme. Edhe një herë, në prag të zgjedhjes, ajo krijon një ngecje, të tipit Çadra, por të një forme tjetër, për ta detyruar qeverinë të dorëhiqet dhe të krijohet një qeveri teknike që të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme.

E vërteta është se “sovrani” është lodhur nga kjo opozitë pa vision, po aq sa ç’është lodhur nga kjo qeveri e zhytur në korrupsion e skandale, që ka humbur çdo ndjesi komunikimi dhe ndjeshmërie politike në raport me nevojat e njerëzve të këtij vendi.

Banaliteti i politikës shqiptare shfaqet me përmasa acaruese për popullin dhe njohësit e politikës, sa herë vijnë ato, që i quajmë fushata zgjedhjesh.

Njeriut të thjeshtë, krahas halleve dhe problemeve të shumëta, që sa vjjnë dhe i shtohen përditë, i duhet të ikë diku larg, për të mos u bezdisur kaq shumë prej të shumtëve llapaqenë, që recitojnë artin e tyre të mashtrimit, për llogari të marrjes së votës.

Të fyer e të poshtëruar ndjehen intelektualët dhe të gjithë ata, që njohin politikën si shkencë, përballë pazarxhinjëve dhe bandave votëbërse, votëblerëse e votëtransformuese, përballë atyre që u punon goja si një makineri që pret vetëm fjalë të pa lidhura me mendimin, konceptet dhe idetë për shoqërinë.

Shpaloset gjithçka në këto prag zgjedhjesh lokale, por jo alternativa që të mund ta  çojnë pushtetin në duart e qytetarit të thjeshtë, që ai të prekë e të shijojë “frytet” e këtij pushteti. Që këtu, përderisa nuk paraqiten platformat e munguara politike dhe ekonomiko - sociale, duket se nuk ka ndryshim real të pritshëm, por vetëm hipokrizi e premtime të radhës, që vijnë si përherë në këto tridhjetë vjet prej atyre që duhet të ishin ndëshkuar. Prej atyre që në mënyrë agresive propagandojnë përmes gjithë televizioneve, nga mëngjesi e deri natën vonë, vetëm hipokrizi dhe gënjeshtra të trasha e të neveritshme, duke menduar se e kanë nënshtruar popullin e tyre.

Kjo është bërë acaruese dhe e padurueshme, tallëse e banale, por populli sërish do të shkojë të votojë!...Qeveria rreket të trukojë fasadat e saj të pafundme, t’i bojatisë ato me bojë retorike, ndërkohë që opozita hedh fishekën e fundit, “fishekun në pajë”, si një mjet radikal për ta gjunjëzuar qeverinë! Asnjëra dhe as tjetra nuk digjet nga meraku për “Sovranin”, por nga këmbëngula e njërës palë për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht dhe nga këmbëngulja e palës tjetër për ta marrë pushtetin me çdo kusht.

“Sovrani” do të shkojë në votime, pavarësisht prej thirrjeve të dëshpëruara, të atyre që nuk patën këllqe të marrin pjesë në këtë maskaradë zgjedhore, të montuar edhe prej tyre.

Po të ishin në rrugë të drejtë, ata që e“duan” kaq shumë atdheun dhe bëjnë be e rrufe për ngjyrat e flamurit, duhet të kishin protestuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të rregullave të tjera të garës elektorale, jo tani pas pilafit, duke bërë protagonistin dordolec. Por, ky është fati i aleancave të urdhëruara dhe të dirigjuara nga ustallarët e padukshëm!...

Pra, populli do të votojë, sepse do t’a çojnë tek kutitë e votimit, ata të interesuarit, që nesër do quhen këshlilltarë, por që në fakt janë parlamentarët zonalë, "përfaqësuesit" e popullit të atyre zonave.

Po cilët janë këta?!...A janë vërtetë përfaqësues të popullit, apo njerëz që ia kanë ndjerë lezetin pushtetit?!...

Ende nuk janë bërë publikë emrat, por dihet, do të ndodhë siç ka ndodhur gjithmonë në këto tre dekada nga kjo politikë dritëshkurtër dhe e kapur me të gjitha fijet me krimin dhe korrupsionin galopant, ku gjëja e fundit që mendohet në këtë përzgjedhje është kredibiliteti i këtyre kandidatëve në zonat që ata përfaqësojnë.

Realisht deri më sot, nuk ka një rreshtim politik, apo shtresëzim klasik të shoqërisë, sipas kritereve të mirënjohura, në mbështetje të së majtës apo të së djathtës, por mendojmë se kësaj hamullie dhe ç’orientimi politik duhet t’i jepet fund, aq sa të ketë diferencë dhe të dallohen qartë këto dy alternativa të veçanta zhvillimi për shoqërinë.

Edhe pse përballë politikës si pazar, ndjehemi të kotë e të fyer, përsëri duhet të flasim e t’a ndalim këtë situatë korruptive, që e çon vendin dhe shqiptarët keq e më keq.

Duhet të kemi kuptuar, se për tre dekada, ky absurditet dhe ngatërrim mes të majtës dhe të djathtës ka ndodhur dhe mbahet më këmbë, sepse vetë partitë, nuk janë ngritur mbi kritere të diferencuara dhe nuk funksionojnë, dhe as u intereson t' i respektojnë këto principe programore e morale, pavarësisht se e quajnë veten të majta apo të djathta.

Ky ekuivok kapërcehet, vetëm me ndershmëri e vendosmëri ndaj interesave të shoqërisë, për t’i trajtuar dhe zvilluar çështjet madhore që preokupojnë sot shumicën, me qartësi politike dhe pa mëdyshje.

Populli ndihet i braktisur, i frustuar, i zhgënjyer, i manipuluar, edhe pse dy kampet politike kundërshtare përbetohen dhe flasin natë e ditë në emër të tij. Në emër të tij, opozita djeg mandatet dhe e zhyt vendin në krizë, në emër të tij, qeveria vazhdon aktet korruptive pa i hyrë ferrë në këmbë dhe vazhdon pretendimet e saj për fitore jo vetëm në zgjedhjet lokale por dhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Në kushtet e reja ku gjendet njeriu shqiptar, në krizë dhe dëshpërim, në vend që t’i drejtohet një modeli, shansi a mundësie, të cilat duhet t’i shohë së pari e mbi të gjitha tek nëpunësi i administratës, tek njeriu i shërbimeve qytetare, (por në vend të kësaj sheh korrupsion dhe dallavere) shpesh i drejtohet rrugës më të lehtë e më të rrezikshme, krimit ordiner, vjedhjes, vrasjes, keqbërjes.

Kur të gjitha këto kriza shkatërrojnë vetëkënaqësinë e njerëzve, cilësinë e jetës së tyre, reagimi i parë nuk është revolucioni, por paniku, i cili çon drejt rikthimit në zanfillë; tek shqetësimi depresiv për të patur një strehë dhe ushqim për fëmijët.

Kjo shfaqet sot me ikjet masive të shqiptarëve, pa e ditur se ku po shkojnë!!...

Sepse, në Shqipëri kriza nuk ka ku të shkojë më tej, nuk ka ndonjë limit më të egër e më të skajshëm, ku pritet që të degjenerojë, përveçse në trauma kolektive, që larg qoftë, mund të risillnin, në rastin më të keq, nëse do të vijonte manipulimi dhe mashtrimi i politikës bunker, një nëntëdhjetëeshtatë tjetër.

Prandaj, jo vetëm për shkak të zgjedhjeve të radhës, jo vetëm për shkak të konsumimit të trishtë të një pushteti abuziv nga të ashtuquajturat, e djathta dhe e majta, por dhe për shkak të gjithë këtij kompleksiteti faktorësh nacionalë e gjeopolitikë globalë, është koha e riformatimit të spektrit politik shqiptar dhe daljes në skenë të forcave të reja politike.

Është ora e një kulture të re politike, e një politike me moral ndryshe!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora